Risqet që gërryejnë mirëqeverisjen

Nga Arben Malaj, botuar në Panorama Online, 25 shtator 2013

Mirëqeverisja nuk është thjesht një term politik, nuk është një koncept abstrakt për debatet parlamentare apo në garat elektorale. Ajo përllogaritet nga institucione ndërkombëtare bazuar në tregues të cilët janë të matshëm dhe të krahasueshëm, duke identifikuar problematikën dhe qartësuar prioritetet ku duhen ndërmarrë reformat përmirësuese. Në thelbin e saj qeverisja nënkupton procesin e marrjes dhe implementimit të vendimeve. Sa më transparent dhe sa më të përgjegjshëm të jenë këto dy procese, aq më shumë vendimmarrja dhe implementimi i tyre prodhon efekte pozitive. Në të kundërt, sa më shumë marrja dhe implementimi i vendimeve të qeverive preken nga interesat dhe përfitimet abuzive, personale apo në shërbim të grupimeve të caktuara ekonomike, aq më të mëdha janë kostot negative. Mund të jenë të shumta fenomenet që e pengojnë mirëqeverisjen e një vendi. Por po të mbajmë parasysh zhvillimet politike disavjeçare në vendin tonë, mund të identifikojmë disa prej tyre, si pjesë e një diskutimi publik për t’i minimizuar disa nga risqet potencialisht të përhershme.

1. Klientelizimi deri në nivelin e kapitalizmit të shokëve (“crony capitalizem” www.investopedia.com/terms/c/ cronycapitalism.asp) vlerësohet sot si një prej faktorëve që ka ushqyer dështimet dhe krizat. Nuk është fenomen i ri, por po bëhet më kërcënues. “Kafshë tinëzare dhe dinake që në mënyrë vulgare e quajnë veten shtetarë dhe politikanë, ndërkohë që edhe këshilltarët e tyre janë direkt të lidhur me struktura apo të ndërvarur nga afera dhe interesa të çastit” – do t’i konsideronte Adam Smith qeveritarët që bëjnë biznes me mandatet publike. Gjithnjë e më shumë ndihej se edhe në vendin tonë qeveria ishte e kapur. Ajo nuk orientohej në vendimmarrjet e saj nga analiza ekonomike dhe impaktet sociale, por nga favorizimi i një rrethi gjithnjë e më të ngushtë përfituesish abuzivë. Koncesionet e pasurive natyrore për kompani që nuk kishin kredibilitetin teknologjik dhe garancitë financiare përzgjedhja e fituesve në tenderët publikë, aplikimi i disa koncesioneve që kanë rritur vetëm kostot e biznesit dhe taksapaguesve, janë rastet më tipike të keqqeverisjes. Pas rotacioneve politike ky fenomen nuk zhduket automatikisht, ai vepron si kërcënim dhe mund të luftohet vetëm me reforma të qarta dhe institucione të forta, sado teorike të duken këto dy parakushte.

2. Pushteti absolut – “Pushteti ka tendencë për të korruptuar, dhe pushteti absolut korrupton absolutisht. Pushteti i pafund është i prirë të korruptojë mendjen e atyre që e zotërojnë atë”. Ky është leksioni që vjen nga historia politike qindravjeçare e shumë vendeve, por edhe nga shembujt negativë të kohëve të fundit në disa vende të rajonit tonë. Gjithnjë e më shumë po evidentohet se modeli i pushtetit të përqendruar në pak individë është faktor i përkeqësimit të lirive ekonomike e politike dhe i dështimit të qeverive. Ai rrit ndjeshëm korrupsionin dhe kapjen e shtetit. Pushteti absolut është model i dështuar, si kur konstatohet në një komunë, bashki, drejtori, ministri, dhe kur sundon si mentalitet qeverisës, aq më tepër kur vetë pranohet nga një pjesë e opinionit publik si “një e keqe përkohësisht e domosdoshme”. Rasti më i freskët se si pushteti absolut ha vetveten, është edhe dështimi i PD-së, ku përqendrimi dhe keqpërdorimi i pushtetit politik dhe ekonomik është ndër faktorët përcaktues të humbjes së saj. Demokratizmi i partive politike si parakusht i demokratizimit të politikës dhe qeverisjes së vendit është e vetmja kurë ndaj një sëmundjeje të tillë politike.

3. Keqpërdorimi elektoral i buxheteve. Në shumë vende, keqqeverisja dokumentohet edhe në deficitet dhe borxhet publike që rriten në shërbim të fitoreve elektorale. Populizmi i disa qeverive me taksat dhe politikat buxhetore nuk i ka ndihmuar për të mbijetuar gjatë. Këto vende janë sot vendet më të prekura nga kriza globale, duke rrënuar financat publike dhe duke e kaluar barrën e krizës të taksapaguesit dhe shtresat më të ekspozuara ndaj papunësisë dhe varfërisë. Disa kolegë të PD-së janë të qartë nga konkluzionet e studiuesve të cikleve ekonomike dhe politike se nuk ka një lidhje të fortë pozitive midis rritjes së investime elektorale në prag të zgjedhjeve dhe rezultatit të zgjedhjeve. Rezultati elektoral i 23 qershorit, fushata e PDse e bazuar tek efekti i investimeve me fokus elektoral, rezultoi e dështuar. Këto mësime vlejnë për çdo qeveri. Ato duhet të përqendrohen te reformat që nxitin rritje ekonomike të lartë, të qëndrueshme dhe që sjellin rritje të të ardhurave reale jo vetëm të një pakice. Qeveritë duhet të marrin që në fillim përgjegjësinë për reformat dhe politikat që rikthejnë stabilitetin e financave publike dhe reformat që përmirësojnë kapitalin social të sektorit privat dhe publik, se sa të shpresojnë te projektet e mëdha infrastrukturore për të synuar fitoret e ardhshme elektorale. Kjo qartësi duhet të jetë që në hapat e parë, pasi reformat që vonohen bëhen më të vështira, ato spostohen, copëzohen dhe nuk i japin efektet pozitive gjatë mandatit të parë, duke rritur zhgënjimin dhe numrin e votuesve të pavendosur, të cilët janë faktorë që kanë peshë në fitoren e mandatit të dytë.

4. Lobingu. Këto zgjedhje identifikuan edhe një faktor tjetër, ato ishin edhe një test lidhur me fuqinë e lobimit politik. Ky faktor u bë prezent po të mbajmë parasysh keqpërdorimin mediatik që qeveria e PD-së i bëri fuqisë së lobistëve, të cilët, edhe pse i paguante me paratë e taksapaguesve shqiptare si këshilltarë të qeverisë, synoi t’i kishte influencues qoftë edhe indirekt për zgjedhjet parlamentare. Është e qartë se në SHBA dhe shumë vendeve të tjera lobingu është biznes i licencuar dhe në rritje (http://dc.about.com/ od/jobs/a/Lobbying.htm). Në kërkim të tregjeve të reja këto kompani synojnë të zgjerohen me shërbime që u afrojnë/shesin qeverive, partive dhe individëve, për ambiciet e tyre për mandate politike. Pas zgjedhjeve u vërtetua se fuqia e lobingut politik është e kufizuar përballë qëndrimeve zyrtare që qeveritë e vendeve ku synohet të influencohet, mbajnë ndaj zhvillimeve politike gjatë zgjedhjeve. Qeveritë ku synohet të lobohet në përfitim të një mbështetjeje direkte ose indirekte në garat elektorale janë institucionale në bashkëpunimet ndërshtetërore. Opinion publik në SHBA dhe vende të tjera është bërë më sensibile ndaj qeverive të tyre n.q.s. “ushqejnë” mbijetesën e qeverive të dështuara. Po bëhet gjithnjë e më e qartë se fuqia reale e lobistëve është më e vogël se ajo që duket dhe blihet shtrenjtë apo shumë shtrenjtë. Ndaj pas zgjedhjeve çdo qeveri duhet të angazhohet që në fillim në një partneritet sa më serioz me qeveritë e vendeve të tjera dhe institucionet ndërkombëtare, duke e merituar mbështetjen për sfidat e vendit të saj në bazë të rezultateve konkrete në luftën kundër krimit, korrupsionit, klientelizmit, papunësisë dhe varfërisë. Vetëm rezultatet konkrete pozitive në jetën e përditshme të popujve të tyre sigurojnë fitore të merituara, ndërsa strategjitë e tjera vetëm mbijetesa të vështira dhe të shtrenjta.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi