Do bëjmë shtet apo do ta prishim fare

Nga Zamira Çavo, botuar në Shqip, 18 shtator 2013

Në situatën kaotike ku është Shqipëria nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga rrjetat e telave në majën e shtyllave të korrentit. Nuk di si do ia dalë qeveria e re! Ndonjëherë kam përshtypjen se duhen këputur fijet e të lidhen nga e para… Pra problemi i shqiptarëve sot është shteti në kuptimin më të plotë të kësaj fjale. Shtet do të thotë ligj, standard, rregull. Dhe unë besoj se shqiptarët para së gjithash, votuan pikërisht për këtë shtet. Shqiptarët i lodhi “mungesa” e shtetit ose shteti i keq. Realisht ligje kemi madje shumë të mira, njerëzit po i kemi, ajo që nuk kemi është pikërisht fryma e shtetit! Nga diktatura e djeshme ku shteti ishte çekani i frikshëm mbi kokën e shumicës, kaluam te shteti që nuk do t’ia dijë fare për askënd. Të dyja këto faza, të gjata në kohë, e mësuan shqiptarin se shteti është individi që është në krye. Ndaj kemi rendur të bëhemi ose besnikë të “njëshit” ose të hyjmë në klanet e tij, ose ta “joshim” atë me mënyrat e njohura që nga Mesjeta.

Ndaj them se ndryshimi duhet të vijë nga vetë ne. Shteti nuk është dhe nuk duhet barazuar me individin. Ajo që shqiptarët besoj se kanë dëshiruar më së shumti, dhe pse në ndonjë rast pa vetëdije të plotë, është funksionimi i shtetit për të gjithë dhe jo për miqtë, klanet, apo besnikët e individit që është në krye. Pse i them sot këto gjëra, të cilat nuk ka njeri të lexuar që nuk i di? Sepse duket jemi në një moment kthese të historisë sonë postdiktaturë. Ose do ta bëjmë këtë shtet ose do ta qelbim fare! Kjo “ose” është si të thuash me probabilitet 50% në favor të njërës. Le ta analizojmë pak.

Së pari: Pushteti nuk është i Edi Ramës. Pushteti është i yni. As Berisha e askush tjetër në botë, nuk mund të përpiqet të mohojë, e aq më keq të “minojë” mundësinë për të bërë shtet për të gjithë shqiptarët! Secili nga ne sot më tepër se çdo herë tjetër, duhet ta ketë të qartë se nëse nuk lejojmë “bërjen e shtetit” në kuptimin e mirë të fjalës, nuk ka humbur Rama, por ka humbur dhe Saliu, ka humbur  Basha unë, ti që lexon, e të gjithë së bashku. Ndaj uroj dhe shpresoj shumë që njerëz me një kulturë qoftë dhe minimale të kuptojnë se sa rëndësi ka bërja e shtetit funksional. Nuk më duket aspak logjike që kërcënimet e disa eksponentëve të Partisë Demokratike, ende pa filluar nga puna qeveria, bëjnë thirrje për rrëzimin e saj! Dhe nëse rezultatet e zgjedhjeve do kishin qenë 49/51% sërish opozita, e cilitdo krahu ishte, do të qëndronte të paktën pasive me bindjen se në gjendjen ku jemi katandisur, duhet detyrimisht forcimi i shtetit!  Demagogjia, mashtrimi, gënjeshtra politike gati bajate, krimi në rritje, varfëria në ekstrem, janë mbledhur lëmsh dhe shqiptari është tkurrur para tyre. Sot, si asnjëherë tjetër e kërkojmë rregullin! Nuk kemi të bëjmë thjesht me një shpresë, por me një kërkesë të shqiptarëve, e cila u tjetërsua në një votim gati plebishitar! Ndaj duhet të kontribuojmë të gjithë për ta bërë këtë shtet. Historia nuk do ta falë nesër askënd që nuk e ndihmon këtë proces. Nuk është sfida e Ramës, as e Bashës, as e Berishës, është sfida e gjithsecilit nga ne. Rama mund të ketë shumë kundërshtarë politikë apo personalë, mund të ketë njerëz që e adhurojnë ashtu si mund të këtë dhe nga ata që e urrejnë. Kjo s’ka fare rëndësi. Por nëse e barazojmë Ramën me shtetin kemi humbur këtë të fundit! Shtetin e duam dhe duhet ta duan të gjithë! Madje dhe krimineli…!

Së dyti: U detyrova të shkruaj këtë titull, sepse po vërej më shumë vëmendje çka po ndodh nga ana e koalicionit fitues. Nuk guxon të ulesh diku për të pirë ndonjë kafe, nuk guxon të takosh njeri apo dhe të shkosh në punë, sepse do të të pyesin “hë po bën ndonjë gjë”? Dhe kur i pyet pse, të përgjigjen “epo nuk do kapësh ndonjë post ti?” Ka të tjerë që pyetjen e kanë më të sofistikuar “Hë të ka rënë ndonjë telefon. Personalisht u përkas atyre njerëzve që e konsiderojnë shtetin të shenjtë dhe detyrën ndaj tij, një obligim të përjetshëm. Por shtetit nuk i shërbehet vetëm me poste. Ethet që kanë mbërthyer shumë partiakë, militantë apo dhe njerëz që besojnë te “miqtë” të cilëve u kanë shërbyer në fushata elektorale, dëshmon mër 50% e frikës që unë kam. Madje, kjo frymë që ka ngërthyer shumicën e njerëzve tregon se sa pak kulturë kemi ne për shtetin. Unë u besoj profesionistëve, nuk u besoj partiakëve! Unë besoj te rinia, por nuk besoj se studimet jashtë vendit janë çelësi për të siguruar mbarëvajtjen e shtetit, unë jam me disa prioritete dhe nuk kam dyshime se qeveria nuk do sjellë lugën e artë për secilin nga ne. Por duhet të japim secili ndihmën me mendjen me punën, me problemet dhe me çka mundemi, që ta bëjmë këtë shtet. Nuk dua që ta humbasim shansin që kemi. Dhe nëse qeveria nuk do dëgjojë zërin tonë, ne jemi sërish këtu për ta detyruar të na dëgjojë ose të largohet. Por ama duhet ta ndihmojmë të bëjë ato që ka premtuar.

Së fundi: Shteti jo domosdoshmërisht është dhunë. Jemi lodhur me gjuhën e dhunës, me gjuhën e hakmarrjes dhe gjakmarrjes. Shteti ka ligje. Dhe vepron me ligje. Askush as dhe Presidenti i vendit, nuk është i pagjykueshëm dhe i pandëshkueshëm. Ligjet na e thonë këtë. Nuk ka nevojë për t’u treguar “dhëmbët” kundërshtarëve, por ka nevojë për nxjerrjen para përgjegjësive të individëve që i kanë shkelur këto ligje. Nuk bëhet shteti me telefonata, e as me paragjykime, bëhet me fakte dhe përgjegjshmëri! Ndaj dhe reformat e para duhen bërë në Drejtësi! Po u rikthye besimi në drejtësi, do të rikthehet besimi te shteti! Kjo i takon qeverisjes së re. Ndaj them se jemi në pikën historike ose/ose. Pra ose do ta bëjmë shtetin ose do ta qelbim fare!

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi