Rama-Thaçi, bashkëqeverisje strategjike. Në Kuvendin e Kosovës: Për tejkufinjtë e gjeneratave të tjera

Prishtinë 13 shtator 2013

 

Kryeministri i sapozgjedhur, Edi Rama, është pritur me nderime të larta në vizitën e tij të parë në shtetin e Kosovës. Në një dalje të përbashkët për mediat, Kryeministri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë deklaruan se ranë dakord për fillimin e një bashkëqeverisjeje strategjike mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke nisur nga mbledhjet e përbashkëta të dy ekzekutivëve.

“Ne kemi rënë dakord po ashtu që në nëntor të bëjmë mbledhjen e parë të përbashkët të të dyja qeverive dhe të fillojmë procesin e bashkëqeverisjes strategjike mes Shqipërisë dhe Kosovës. Që do të thotë se koha kur qëllimet e mira dhe objektivat e shkruara janë pasuar nga punë të lëna përgjysmë, duhet t’ia lërë vendin një kohe ku qëllimet, objektivat dhe detyrat janë të përcaktuara në mbledhjen e përbashkët të të dyja qeverive dhe çdo ministër duhet të japë llogari përpara dy qeverive, në mënyrë periodike për ecurinë e projekteve dhe për zbatimin e detyrave të lëna bashkërisht. Besoj që kjo risi do të sjellë rezultate dhe do të bëjë të mundur që të dyja qeveritë ta çojnë shumë më tutje bashkëpunimin mes tyre”, u shpreh Rama.

Nga ana e tij, kreu i qeverisë së Kosovës kërkoi nga qeveria Rama që të intensifikojë lobimin për njohjet ndërkombëtare për Kosovën. Thaçi theksoi rëndësinë dhe interesin që ka Kosova për t’u përfshirë në rrjetin e gazsjellësit TAP, sikurse edhe rëndësinë e projekteve të tjera me rëndësi ekonomike, si përmbyllja e interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri. Nga ana tjetër, Kryeministri shqiptar theksoi se ambicia e përbashkët mes dy shteteve do të konkretizohet duke i shtrirë dorën e bashkëpunimit të gjitha vendeve të rajonit. “Dua të nënvizoj edhe ambicien tonë të përbashkët për të mos mbetur vetëm në dëgjim me Brukselin, por edhe për të qenë pro-aktivë në paraqitjen e projekteve të besueshme të zhvillimit, jo vetëm mes nesh, por edhe me fqinjët. Ne jemi të gatshëm t’u shtrijmë dorën e bashkëpunimit intensiv dhe afatgjatë të gjithëve. Të gjithëve, në këtë rajon që vazhdon të mbetet akoma jashtë Europës së Bashkuar, por që i ka gjitha mundësitë sot për t’iu afruar më shpejt Europës së Bashkuar”, tha Rama.

Kryeministri Rama mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës: Për tejkufinjtë e gjeneratave të tjera, tekstin e plotë të të cilit e gjeni këtu.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi