Ethet e vendit të punës

Nga Ago Nezha, botuar në Shqip, 14 shtator 2013

Në enciklikën e zënies së njerëzve në punë, veç faktorëve permanentë ekonomiko-socialë, ndikim veprues ka edhe periudha e ndërrimit të pushteteve me politikat e tyre favorizuese ose privuese. Në vitet e demokracisë, papunësia është bërë një fenomen i frikshëm, që ka tronditur të gjitha shtresat e popullsisë në nevojë. Papunësia kërcënohet edhe nga ngushtimi i vendeve të punës që vjen nga tkurrja e veprimtarisë private, rritja e shkallës së mekanizimit, prurja në tregun e punës e shumë të rinjve tetëmbëdhjetëvjeçarë që nuk gjejnë hapësira punësimi.

Papunësia, po bëhet një realitet i qëndrueshëm për brezin e ri. Në rast se në vitet postkomuniste, pati një shkarkim të ushtrisë së të papunëve në vendet fqinje si Greqi e Itali, gradualisht ky treg, ka ardhur duke u ngopur dhe ka krijuar vështirësi jo vetëm për emigrantët tanë, por edhe për vetë vendasit.

Ajo çka ka favorizuar punësimin e shumë të rinjve shqiptarë, ka qenë mungesa e preferencave për punë të zgjedhur dhe përballja me punë të vështira, që vendasit i refuzojnë si rezultat i kushteve dhe mirëqenies së siguruar ndër vite. Në vendin tonë, papunësia është bërë një kamxhik i dyfishtë, veçanërisht për të rinjtë. Të rinjtë e papunë, ndiejnë para së gjithash në mënyrë drastike pakësimin e të ardhurave dhe kufizimet e tyre në të gjitha sferat shoqërore. Kësaj, i shtohet edhe mungesa e angazhimit, që e bën të riun të qarkullojë në një kohë boshe, që nuk di si ta përdorë. Një qëndrim i tillë, e depersonalizon, e nihilizon deri në krizë morale. Kjo katastrofë, godet rëndë veçanërisht të rinjtë, që shohin dështimin e dhimbshëm të aspiratave dhe vullnetit të tyre të sinqertë, për të punuar dhe të gatishmërisë për të marrë përgjegjësitë e veta, për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të shoqërisë, me një tranzicion të gjatë. Hapja e dyerve për të vazhduar studimet në shkollat e larta, në pamjen e parë, duket si një valvul, që shfryn papunësinë te të rinjtë. Por kjo fasadë, krijon papunësinë e intelektualëve që vjen vazhdimisht duke u shtuar. Kapërcimi i papunësisë, nuk zgjidhjet me liberalizimin e shkollimit, por kërkon një studim të thellë ekonomiko-sociologjik, nga ana e shtetit dhe strukturave joqeveritare. Është e nevojshme, që edhe në planin e brendshëm social, të njihen faktorët që ndikojnë negativisht mbi situatën e punësimit, si taksat e larta të interesit, detyrimet e padrejta që u ngarkohen ndërmarrjeve, veçanërisht politikat me  biznesin e vogël, besimi i pakët i shumë sipërmarrësve në një zhvillim të favorshëm ekonomik, tensioneve që lindin ndërmjet një racionalizimi të proceseve prodhuese, të nevojshme për shkak të konkurrencës dhe  pakësimi i vendeve të punës që bëhet i pashmangshëm etj.

Kriza koniunkturore, zbutet edhe me masa sociale, si zgjatja e periudhës së shkollimit të detyruar, siç është rasti, nga 8 në 9 klasë, të shkurtimit të orarit të punës, të uljes së masës së daljes në pension, të heqjes së orëve suplementare të punës, të rritjes apo uljes së taksave e tatimeve, moslejimit të dypunësimit etj. Shteti, duhet të krijojë një karantinë të fortë për të evidentuar njerëzit me varfëri ekstreme dhe ata me pasuri ekstreme. Ka një fenomen, që duhet të korrigjohet me vullnetin e mirë të qeverisë. Punësohen, në punë shtetërore dhe të privilegjuara me pagesa të larta në institucione qendrore, njerëz me biznese të fuqishme. Kjo kategori shoqërore, punën e ka për sport, zbavitje madje, pak kujdes tregon për punën e shtetit, sepse merret me biznesin privat. Evidentimi dhe lirimi nga puna e tyre, do krijojë vende pune për njerëz nevojtarë, që janë keq edhe për bukën e gojës.

Ndërrimi i pushteteve ka tronditur psikologjikisht administratën publike, për sa i përket ruajtjes së vendit të punës. Ndër kriteret, që janë prezantuar si konkurruese janë: meritrokacia, përkushtimi, ndershmëria, profesionalizmi dhe pakorruptueshmëria. Në rast se këta tregues, do ruhen si etalon për të vlerësuar nëpunësit e dikastereve dhe institucioneve, do të jetë një ogur i mirë për zbatimin me sukses të programit të qeverisjes të Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj. Në administratë, megjithëse është shpërdoruar meritokracia në këto tetë vjet qeverisjeje, përsëri ka njerëz me përvojë, me begraund të suksesshëm, në stazhin e tyre si punonjës institucionesh. Qeveria e Partisë Demokratike, e ndërtoi administratën mbi katër kritere: militantizmin, nepotizmin, klientelizmin dhe krahinalizmin. Meritokracinë, e injoroi tejskajmërisht. Ruajtja e stafit teknik në vendet e tyre të punës, për çdo qeveri që vjen në pushtet, është një garanci për të çuar më tej reformat në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Është e kuptueshme që stafi politik i kabinetit të ministrave do ndryshojë dhe do rinovohet me njerëz të rinj. Por, mos ndodhë si në disa kabinete të qeverisjes së kaluar, që për këshilltarë merreshin të rinj në moshë që sapo kishin mbaruar studimet e larta, qofshin ata brenda apo jashtë shtetit. Këta persona, s’mund të këshillojnë. Ata, janë në fazën që duhet të mësojnë dhe të këshillohen prej të tjerëve. Këshilltari s’mund të jetë pionier, por baba i profesionit Ai, nuk duhet të vrapojë, por të këshillojë për specialitete të ngushta, të veçanta që ka dije e njohuri më të avancuara se eprori i vet. Kjo nevojë, diktohet më shumë se kurrë për kabinetin aktual, ku ministrat janë të rinj, pa përvojë sektoriale.

Puna si nevojë jetësore, si normë morale e shoqërisë dhe puna si komoditet, prekin shtresa të ndryshme sociale që duhen diferencuar. Shteti ka si obligacion ndaj qytetarëve të vet jo t’i mëshirojë, por të krijojë mirëkuptim e interesim të diferencuar për njerëzit pa asnjë të ardhur dhe mjet jetese dhe t’u ofrojë mundësi e oferta dhe informacion për tregun lokal dhe rajonal të punës.

Ka grupe të papunësh, që kanë nevojë për një interesim të veçantë si invalidë, të sëmurë, të avancuar në moshë, të paspecializuar, apo pjesëtarë të një familjeje të papunë për një kohë të gjatë. Kjo kategori shoqërore, e ndien nevojën e dorës së ngrohtë të shtetit dhe shoqërisë.

Shteti, nuk e ka të lehtë dhe plotësisht të mundur, që të realizojë në mënyrë të qëndrueshme katër qëllimet e mëdha të një politike të shëndoshë ekonomike, si: punësimi i plotë, stabiliteti i çmimeve, rritja  ekonomike dhe ekuilibrimi i bilancit tregtar. Të gjithë aktorët politikë, janë thirrur në skenën e qeverisëse që veças dhe së bashku, njëkohësisht të marrin mbi vete përgjegjësitë e tyre, e të veprojnë për të mirën e përbashkët.

Shteti, si rregullator dhe kujdestar i qytetarëve të vet, ka detyrime jo vetëm për ata që jetojnë brenda vendit, por edhe për bashkëkombësit që janë punësuar e jetojnë në emigracion. Ai duhet të nxisë një klimë mirëkuptimi, afrimi e kontaktesh të ndërsjella midis banorëve shqiptarë, që janë në vende të ndryshme të botës. Kjo qeveri ka dhënë sinjale pozitive në këtë aspekt. Nëpërmjet përfaqësive tona diplomatike, ata të mos ndihen jetimë, të braktisur, të shpërfillur. Emigrantët tanë, nuk e kanë pasur të lehtë të integrohen në shoqërinë e vendeve ku janë punësuar. Ata, kanë pasur probleme me gjuhën, me gjetjen e punës, shtëpisë, shkollën etj. Kanë probleme të mënyrës së jetesës, traditave, zakoneve që trashëgojnë, duke u përballur me një kulturë të panjohur të një vendi tjetër, që kanë pasur vështirësi të  adaptohen.

Kur themi, që të rinjtë tanë që kanë emigruar, kanë bërë përpjekje të integrohen në jetën e vendeve ku punojnë e jetojnë, nxjerr në evidencë një rrezik social. Kontingjentet e mëdha të emigrimit, kryesisht janë të rinj të fshatit apo të qytetit, me një nivel shkollor e profesional të ulët deri në mesatar, përjashtuar shtresën e intelektualëve. Në masën e madhe të emigrantëve, po shfaqet një rrezik eventual permanent, që mbetet problem i hapur dhe që ka të bëjë me humbjen e identitetit, gjuhës, kulturës kombëtare dhe që gradualisht shkon drejt asimilimit. Rreziku më eminent i emigrantëve shqiptarë për t’u asimiluar, janë ato kontingjente djemsh që martohen me vajza të huaja dhe anasjelltas, ato vajza që martohen me djem të huaj. Në këtë rast,  është e domosdoshme që prindërit respektivë, t’ju mësojnë gjuhën shqipe fëmijëve të tyre. Ky fenomen, është shfaqur dhe vërehet dukshëm në disa raste, që fëmijët e lindur në vendet e huaja, nuk e flasin gjuhën shqipe. Fenomen tepër i shëmtuar, është ndërrimi i emrave në vendin fqinj, në Greqi, si rezultat i presionit që ka bërë shoqëria helene dhe i ka detyruar emigrantët tanë, t’i nënshtrohen këtij amoraliteti, për vetekzistencë, për motive ekonomike.

Nisur nga lëvizja e lirë e qytetarëve, të gjithë popujt përfshihen në integrimin njerëzor global. Në fatin dhe në ndjeshmërinë e punëtorëve të erës industriale, mund të dallojmë tri epoka të kohës së sotme: Epoka e proletarizimit pasiv, që përkon me gjysmën e parë të shekullit XIX, epoka e solidaritetit aktiv të klasës së lartë, duke nisur nga gjysma e shekullit XIX dhe epoka e integrimit të sapofilluar, në një shoqëri të karakterizuar thelbësisht nga njeriu punëtor. Ky integrim nuk ka përfunduar dhe mund të konceptohet vetëm si një proces shoqëror global, që përqafon të gjitha sferat e jetës:, integrimi në fushën shoqërore, politike, kulturore, profesionale dhe ekonomike, integrimi në fushën e martesës e të familjes, në fushën e kohës së lirë dhe atë fetare.

Kërkimi i shkaqeve të papunësisë dhe adaptimi i masave politiko-ekonomike, politiko-koniunkturale dhe politiko-monetare për të luftuar papunësinë, është diçka që u përket përgjegjësive, domethënë sipërmarrësve, sindikatave, parlamentarëve, qeverive, partive politike dhe shkencave kompetente.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi