Sfidat e parlamentit të ri

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 8 shtator 2013

Parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit do të mblidhet nesër në seancën inauguruese. Ai është parlamenti i tetë në tranzicion. Midis deputetëve që pritet të bëjnë betimin gjenden kontraste të thella: një prej 60 deputetëve të rinj është kryeministri i ardhshëm dhe fituesi i zgjedhjeve, Edi Rama; një prej dy deputetëve të vetëm me tetë mandate është kryeministri në ikje dhe humbësi i zgjedhjeve, Sali Berisha. Ashtu si pasardhësi, edhe kryetari i ri i opozitës ndodhet jashtë parlamentit. Deputeti i dytë më i vjetër do të drejtojë seancën, N.Dokle, i vetmi socialist me 8 mandate dhe i vetmi kryetar parlamenti që ka dhënë dorëheqje nga posti i lartë. Ironikisht, 3 deputetët e tjerë më me shumë mandate janë tre figura historike të së majtës, Ruci, Meta, Islami, i pari edhe më tej kryetar grupi parlamentar, i dyti kryetar i LSI në sistemin tre-polar politik dhe i treti deputet “prurje e re” e demokratëve.

Shpesh statistikat formale lexohen si risi. Nëse kërkojmë të tilla p.sh, kemi numër shumë më të madh femrash në parlament sesa në 4-5 parlamentet e fundit, kemi një deputete 20 vjeçare që do ndajë ditën midis fakultetit dhe parlamentit, kemi 23 politikanë që vijnë nga shtresa e biznesmenëve të tranzicionit, kemi nëntë parti parlamentare që kanë arritur të sigurojnë të paktën një mandat parlamentar, siç kemi konfirmimin e deputetëve më të spikatur të debatit parlamentar të katër viteve të fundit. Rikthehen një çift bashkëshortësh parlamentarë, kurse katër familje kanë përfaqësues të tyre në grupin e mazhorancës dhe të opozitës. Shpjegimi është i thjeshtë: në zgjedhjet 2013 fitoi vota kundër qeverisë, vota e shkëmbyer dhe vota pragmatiste, kurse nga deputetët fituan ata që patën besimin më të madh të shefave të partive, stafet personale, miq, sponsorë, bodigardë dhe gjithçka tjetër që bën pjesë në rrethin e parë personal, politik e familjar të liderëve kryesorë.

Tej statistikave starti i parlamentit të ri shoqërohet edhe me disa tipare të reja politike, që e bëjnë atë të krahasueshëm në shifra me parlamentin e vitit 1992 dhe 1997, dhe në formë me atë të vitit 2005. Mazhoranca ka diferencë të thellë ndaj opozitës, ajo nuk ka nevojë për konsensusin e saj formal për të miratuar ligjet me votë të cilësuar, baza e saj është bipolare, me vetëm dy parti dhe pa pengesa për arritjen e kompromisit midis tyre. Në aspektin politik mazhoranca ka një mandat të qartë popullor ndryshimi dhe reformimi. Prej saj pritet shumë, ashtu si më 1992, 1997 dhe 2005, madje cilësisht shumë më tepër se çdo palë tjetër. Qytetarët janë të zhgënjyer, të lodhur dhe të venitur nga keqqeverisja. Ata kërkojnë punë, siguri, mbështetje, mbrojtje nga burokracia abuzive, barazi përpara ligjit, dinjitet dhe integrim. Pra kërkojnë gjithçka çfarë partitë premtojmë prej 20 vitesh dhe që ende është larg shanseve reale për tu arritur.

Parlamenti i ri nis me një paradoks. Do të ketë kryetar një ish deputet që iu hoq imuniteti për korrupsion, një lider politik që ishte 4 vjet në qeveri dhe vetëm 4 javët e fundit në opozitë dhe që sot vjen aty me flamurin e rilindjes, ndryshimit, reformave, – pra me të kundërtën e trashëgimisë së saj 4 vjeçare. Drejtuesi i ri Ilir Meta, i njohur për revoltën parlamentare të vitit 2006, për ironi, i mbyll karrierën pa shkëlqim gruas së parë kryetare parlamenti, Jozefina Topalli, e cila prej 17 vitesh është në politikë dhe pushtet (1 vit kryetare komisioni, 8 vjet zv/kryetare dhe 8 të tjera kryetare parlamenti) pa arritur të sjellë një risi ose model pozitiv në traditën parlamentare. Ai vjen aty për të përcjellë një imazh të ri të tij si lider moderator, diçka që ai ka nevojë dhe që ndihmon të largojë sadopak imazhin negativ të skandaleve korruptive dhe modelit klientelist të partisë që ai drejton.

Paradoksalisht ajo që deri dje ishte ndëshkuese për opozitën e vjetër (ndryshimet kushtetuese 2008) tani kthehen në asete për pushtetin dhe ndëshkuese për opozitën e re. Këto ndryshime prodhuan një kryeministër dhe ekzekutiv të fortë me një parlament të dobët. Rolet u ndryshuan por modeli mbetet. Diferenca e thellë numerike midis mazhorancës dhe pakicës do ta bëjë parlamentin shumë më formal sesa roli i tij thelbësor kushtetues. Ky rrezik mund të ngushtojë hapësirën demokratike parlamentare, dhe nëse nuk evitohet përmes një modeli të ri politik do të mund të krijojë rrethana për tu kthyer ashtu siç do shumicë tjetër absolute, në shumicë pa kontroll, monotone, arbitrare dhe në fund edhe abuzive.

Fakti se PS vendosi të aplikojë emra të rinj në qeveri dhe senatorë në drejtim parlamentar u bë për të kompensuar këtë handikap, për ta gjallëruar jetën parlamentare dhe për të diktuar cilësisht debatin dhe rrjedhën politike të parlamentit. Një sfidë që mund të arrihet në dy vitet e para, por që si përherë, mund të krijojë problem në pjesën e dytë të mandatit, sidomos kur hendeku midis ekzekutivit dhe legjislativit të dalë më në pah.

Parlamenti i ri do të duhej ti jepte fund që në fillim praktikave abusive me komisione parlamentare politike dhe militante, (dy komisione ende janë në funksion formal), do të duhet të krijojë praktika hetimi cilësor dhe rekomandimi pozitiv të problematikeve sidomos në fushën e sigurisë, gjendjes në sistemin e drejtësisë dhe rolin e institucioneve të pavarura. Ai do të duhet të hapet ndaj publikut, jo përmes shfaqjeve teatrale me grupe të porositura nxënësish e nëpunësish militantë, por me praktika transparente dhe konsultime të gjëra publike me procesin ligjvënës, në zgjedhjen e zyrtarëve të lartë, në kontrollin e qeverisjes dhe në përfaqësimin e interesave madhore publike. Ai do të duhet të hetojë dhe provojë pretendimet institucionale të keqqeverisjes, pavarësisht nga emrat dhe siglat partiake, për të mos lejuar që rotacioni të barazohet me amnistinë dhe që aktet antikorrupsion të ndjekin modelet pozitive të vendeve të tjera, si Kroacia apo Sllovenia.

Mbi të gjitha parlamenti I ri ka nevojë ti ikë modelit të konfliktit banal politik, të retorikës boshe dhe provokimeve politike, për të hedhur ndonjë hap pozitiv në shndërrimin ashtu siç nuk është dhe siç do të duhej të ishte, – në tempullin kushtetues të demokracisë! Pritshmëritë e mëdha sjellin zhgënjime të mëdha, ndaj parlamenti me modesti duhet të planifikojë, promovojë dhe realizojë gjëra konkrete, akte konkrete, projekte konkrete, të cilat ta shkurtojnë distancën e thellë midis politikës vendimmarrëse dhe qytetarit/shoqërisë. Sa më shumë transparencë, sa më shumë garë, sa më shumë debat cilësor, sa më shumë konsultime mbi ligjet, sa më shumë ekspertizë të huaj, sa më shumë demokraci direkte dhe sa më pak përdorim të diktatit të kartonëve politikë, – janë këshilla ideale për një parlament që reflekton në vetvete gjithçka të mirë dhe negative të tranzicionit, – vlera që na nderojnë dhe njëherësh edhe antivlera që na turpërojnë, emra që kanë një kredo morale në politikë dhe të tjerë që e kanë humbur atë me ndërgjegje prej kohës, figura që janë në politikë për pasion dhe projekt politik, dhe të tjerë që janë aty për privilegje dhe interesa të dukshme personale.

Jashtë çdo pritshmërie utopike shenjat e para anojnë më shumë nga dyshimet sesa besimi i verbër. Rotacioni, reformat e para dhe klima postzgjedhore do të ketë ndikim për funksion normal sidomos deri në dhjetor kur merret përgjigjia e pritshme pozitive nga BE, por sfidë mbetet roli afatgjatë që parlamenti do jetë në gjendje të përmbushë në raport me kushtetutën, qytetarët dhe integrimin. Edhe tani në startin e jetës parlamentare ka disa dobësi domethënëse. E para mungon mesazhi politik i kreut të shtetit në parlament, një praktikë shqiptare dhe evropiane. E dyta mundon kalimi cilësor e dinjitoz i pushtetit në një rotacion paqësor politik, edhe kjo një praktikë mëse e njohur demokratike. E treta mungon vullneti direkt qytetar në mandatimin parlamentar, ku 140 deputetët më shumë përfaqësojnë partinë, liderin sesa elektoratin direkt. E katërta, të gjithë protagonistët e keqqeverisjes janë aty në sallë, tek secila palë dhe përherë të gatshëm për përdorimin e mjeteve të vjetra të luftës politike, si dhe të paaftë të kuptojnë kur është koha që një politikan ka dhënë gjithçka dhe nuk ka çfarë të japë më, të dorëhiqet dhe të kthehet në familje. E pesta, parlamenti celebrohet në një vend me krizë të thellë ekonomike, me arkat bosh, me një mal borxhesh dhe problemesh që kërkojnë zgjidhje emergjente. Ai do të duhej të japë shembull anti-luks, duke kufizuar imunitetin dhe privilegjet e tij, duke kursyer miliardat e udhëtimeve politiko-turistike dhe duke iu larguar çdo akti ligjor, politik e administrativ të konfliktit të interesit.

Të gjitha këto kontraste, të dhëna dhe tregues rikthejnë vëmendjen tek parlamenti i ri, tek mazhoranca e re, tek opozita e re, tek sjellja e re e qytetarëve ndaj politikës, me shpresa e presion të madh për ndryshim, për rezultate konkrete. Ai ka shans të jetë më I mirë se parlamenti I kaluar, por pa tepri dhe me realizëm duhet pranuar se ai, pavarësisht fjalimeve, thirrjeve, ceremonive pompoze apo rotacionit të pushtetit midis 2-3 apo 10 individëve, ky nuk u projektua të jetë, ndaj nuk është dhe nuk ka shansin të jetë parlamenti që meritojnë e presin shumica qytetare. Nëse do jetë një legjislatura e radhës apo e fundit e tranzicionit kjo mbetet çështje e vullnetit real politik, por për të arritur në modelin e parlamentit të Shqipërisë Evropiane dhe demokracisë së vërtetë funksionale do të duhen shumë më tepër kohë, shumë më tepër energji, shumë më tepër mendje të hapura, më tepër kulturë dhe përgjegjshmëri, më tepër integritet dhe sidomos më shumë politikë të moralshme, më shumë përulje ndaj qytetarëve, më shumë aftësi, vizione dhe sjellje politike prej shtetarësh.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi