Aktet politike që mungojnë

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 3 shtator 2013

Mazhoranca e re dhe sidomos kryeministri i zgjedhur kanë shprehur më  se njëherë angazhimin e tyre publik për dhënien fund të praktikave abuzive me ligjin dhe krijimin e një kulture të re ligjore dhe meritokracie në administratën publike. Ata kanë pasur të drejtë kur kanë akuzuar qeverinë në ikje për politizim të administratës, presione politike ndaj saj, shkarkime me motive joligjore dhe në shumë raste edhe procedura të dyshimta rekrutimi. Midis të drejtës politike dhe retorikës elektorale dhe zbatimit praktik të premtimeve ka pasur dhe vijon të ketë diferencë të dukshme. Vjen nga mungesa e informacionit, mungesa e këshillave të duhura, mungesa e praktikës apo si nismë e ndërgjegjshme politike, – kjo vlen për tu analizuar rast pas rasti.

Le të shohim një rast tipik. Përpara disa ditësh media u njoftua për mbledhjen e kabinetit të ri qeveritar në Vlorë dhe prezantimit nominal atje të emrit të Sekretarit të ri të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave. Personalisht nuk kam asgjë kritike me emrin, por me procedurën. Përsëritet e njëjta skenë nga 1999, kohë kur është miratuar Statusi i Nëpunësit Civil. Prej atëherë çdo kryeministër e ka nisur punën e saj duke shkelur ligjin. Secili prej tyre (Meta, Nano, Majko, Berisha) kanë bërë emërimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave në kundërshtim të hapur me Statusin e Nëpunësit Civil (1999) dhe të Ligjit për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave (2003).

Dy ligjet themelore, të miratuara me shumicë të kualifikuar votash dhe konsensus midis mazhorancës dhe opozitës, përcaktojnë se Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave është subjekt i nëpunësit civil dhe emërohet në detyrë përmes konkurrimit të hapur publik. Konkretisht, neni 8, i Ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave” thekson se “Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit te Ministrave është nëpunësi më i lartë civil i Këshillit të Ministrave. Ai emërohet ne detyre sipas procedurave te parashikuara ne nenin 13 te ligjit nr. 8549, date 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”.

Sekretari i Përgjithshëm lirohet ose largohet nga detyra sipas përcaktimeve te parashikuara ne nenet 21, 24 dhe 25 te ligjit nr. 8549, date 11. 11.1999 “Statusi i nëpunësit civil” . Neni 13 i Statusit, i cili referohet përcakton se “pranimi në shërbimin civil kryhet nëpërmjet konkurrimit të hapur, bazuar në meritat”, kurse nenet e largimit lidhen me dorëheqjen, pensionin, masat disiplinore ose lëvizjen në një detyrë tjetër. Të njëjtat praktika janë përfshirë edhe në ligjin e ri mbi nëpunësin civil, miratuar me konsensus PD-PS me 30 maj 2013.

Pra, fillimisht do të duhej të niste punë qeveria, të pritej nëse personi që ushtron këtë funksion në KM jep dorëheqje, nëse lëviz apo nëse ndaj tij merren masa disiplinore dhe më pas të shpallej konkursi publik për vendin vakant. Edhe nëse praktika lidhet me emra dhe imponohet ndryshimi, më pakta do të duhej të emërohej një individ dhe të paralajmëroj konkursi publik për të dhe emra të tjerë pretendentë. Nuk ndodhi as njëra, as tjetra. Pasuesi u emërua pa u shkarkuar ai në detyrë.

Pavarësisht emrave dhe pritshmërive të zëvendësimit formal, procedura e aplikuar nuk është dhe nuk mund të jetë ligjore. Ndryshimi i qeverisë, kryeministrit dhe rotacioni politik prek funksionet politike, të cilat në bazë të ligjit të majit 2013, siç janë kabineti, këshilltarët, ndihmësit, zëdhënësit dhe sekretarët personalë të titullarit. Të tjerët ose japin dorëheqje, ose vijojnë, ose lëvizin paralelisht ose ndaj tyre merren hapa administrativë disiplinorë.

 Për paralelizëm është rasti të kujtojmë se e njëjta procedurë joligjore vijon të aplikohet prej vitesh në parlament dhe në institucionin e Presidentit, përfshirë me titullarët aktualë, të cilët vijojnë të emërojnë Sekretarë të Përgjithshëm, pa shpallur konkurs, pra në kundërshtim flagrant me ligjet në fuqi. Dhe kur shkelja nis me tri institucionet më të larta të shtetit çfarë pritet nga nivelet e mesme apo të ulta administrative të periferisë!? A nuk do të ishte kthimi i normalitetit ligjor në këto tri institucione si hap i parë dhe sinjal pozitiv për rikthimin e besimit dhe praktikës për një administratë të pavarur, cilësore dhe profesionale?

Në politikë ka shumë konsum: fjalë, fjalime, premtime, vendime të përditshme, etj, por ka akte të vogla me simbolikë të madhe që gjithmonë bëjnë ndryshimin. Tek ne ato ende mungojnë. Nuk është vonë asnjëherë për akte të tilla, por injorimi i tyre sjell pasoja, bëhet rutinë, krijon praktika negative, i bën politikanët të maten me hijen e vet dhe e bën politikën një masë plastike, me të cilën mund të krijohen figura sipas dëshirës së zotëruesit të radhës.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi