I miratuar me konsensus, ligji Për Nëpunësin Civil nuk mund të zbatohet

Nga Shtetiweb, 30 gusht 2013

Ligji Për Nëpunësin Civil u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë më 30 maj 2013, pas një odiseje të gjatë debati dhe shtyrjesh për shkak të mosdhënies së konsensusit nga opozita e atëhershme. Miratimi i ligjit ishte një nga prioritetet që duhej të plotësohej nga pala shqiptare për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE.

Çuditërisht, konsensusi i sforcuar i ka “detyruar” ligjvënësit ta miratojnë ligjin duke ndryshuar neni i fundit, atë të hyrjes në fuqi, të ligjit. Formulimi në projektligj i këtij neni ishte:

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe i shtrin efektet 6 muaj pas hyrjes në fuqi të tij, me përjashtim të parashikimit për krijimin e ASPA-s për të cilën ky ligj hyn në fuqi sipas parashikimit, 15 dite pas botimit në Fletoren Zyrtare

Pavarësisht zgjedhjes së pafat të termit “shtrin efektet”, duket se kjo zgjidhje garantonte kohën e mjaftueshme për të përgatitur aktet nënligjore, në mungesë të të cilave ligji është praktikisht i pazbatueshëm. Në ligjin e miratuar parashikohen edhe nenet mbi bazën e të cilave Këshilli i Ministrave do të miratojë aktet nënligjore, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Dhe jo pak, por në 30 nene. Por ligjvënësit e ndryshuan nenin e hyrjes në fuqi si më poshtë:

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi më 1 tetor 2013

Ndërkohë në një nen më sipër, ligji i mëparshëm shfuqizohet:

Ligji nr. 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i Nëpunësit Civil” dhe çdo dispozitë tjetër në kundërshtim me këtë ligj shfuqizohet.

Pra, ligji i ri i Nëpunësit Civil hyn në fuqi në 1 tetor, ndërkohë që:

            – nuk ka asnjë akt nënligjor të përgatitur (duhen vendime të Këshillit të Ministrave për rreth 30 nene),

            – është shfuqizuar ligji i vjetër dhe rrjedhimisht të gjitha aktet nënligjore në zbatim të tij nuk mund të përdoren

            – nuk ka më Komision Shërbimi Civil dhe normalisht ankesat do duhen të gjykohen nga gjykatat administrative

            – nuk dihet kur gjykatat administrative, që do të kenë të drejtë të gjykojnë ankimet e punonjësve që do të shkarkohen padrejtësisht, fillojnë nga puna.

            – meqë ndoshta nuk arrihen të miratohen në kohë aktet nënligjore, nuk mund të bëhet kalimi në shërbim civil i nëpunësve që fitojnë statusin në bazë të ligjit e ri, rekrutimi, disiplinimi apo largimi nga shërbimi civil. Mendohet se ligji e ri e rrit numrin e nëpunësve civilë nga 7000 në 25000.

Si do të zgjidhet ky “lëmsh” i krijuar me konsensus? Natyrisht, qeveria në ikje i kishte të gjitha mundësitë të aprovonte vendimet e nevojshme por për sa kohë një gjë e tillë nuk ka ndodhur, vështirë të mendohet se në këto ditë të mbetura, do të bëjë atë që nuk e bëri kur kishte kohën e duhur në dispozicion. Qeveria e re, me sa duket, me votat që ka në Kuvend, do të detyrohet të shtyjë hyrjen në fuqi të këtij ligji, me gjithë koston që ka ky vendim

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi