50 vjet më parë: “Unë kam një ëndër”

28 gusht 1963 – 28 gusht 2013

Progresi i lëvizjes së të drejtave të njeriut në Shtetet e Bashkuara u demonstrua kur 200 mijë marshues u grumbulluan në Washington D.C. Marshimi qe përgatitur me kujdes nga drejtuesit e lëvizjes për të tërhequr mbështetës të bardhë dhe zezakë dhe u bë çmos që Partia Komuniste apo organizata të tjera të majta të mbaheshin larg. Pjesëmarrja bëhej me ftesë “‘vetëm nga organizatat e njohura të të drejtave të njeriut, fetë e mëdha dhe grupet e vëllazërimit, si dhe nga sindikatat”. Plani ishte që Martin Luter King Jr. dhe liderët e tjerë, gjashtë zezakë e katër të bardhë, të ecnin drejt memorialit “Lincoln” në krye të marshuesve. Aty do të mbanin fjalimet e tyre para se të shkonin në Shtëpinë e Bardhë, për një takim kokë më kokë me presidentin Kennedy.

Kopje të fjalimeve të liderëve i qenë dhënë shtypit që në krye të herës, por në çastin e fundit Kingu e hodhi tej fjalën e përgatitur dhe u foli demonstruesve drejtpërdrejt. Tema e tij e përsëritur ishte “Unë kam një ëndërr”, e cila përshëndetej deri në jehonë sa herë që thuhej nga turma e stërmadhe. “Ju them sot, miqtë e mi, që, megjithëse përballemi me vështirësitë e të sotshmes dhe të së ardhmes, unë prapë kam një ëndërr. Është një ëndërr e rrënjosur thellë në ëndrrën amerikane. Unë kam një ëndërr, se një ditë ky komb do të ngrihet dhe të jetojë kuptimin e njëmendtë të kredos së vet- ne i mbajmë këto të vërteta si vetëdëshmuese, se të gjithë njerëzit janë lindur të barabartë.” Kingu parashikoi një Amerikë, ku të bardhët dhe zezakët ishin vëllezër dhe se të gjithë fëmijët e Zotit do të ishin “të lirë më në fund, të lirë më në fund, falë Zotit të Plotfuqishëm, ne jemi të lirë më në fund”.

Dëgjuesit e tij reaguan me entuziazëm gjithnjë e më të madh ndaj një prej fjalimeve më të famshme të të gjithë shekullit. Pavarësisht asaj që do të ndodhte, Kingu e la shenjën e vet.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi