Institucionet ende të (pa)varura

Nga Afrim Krasniqi, botuar në gazetën Shqiptarja.com, 1 gusht 2013

Në fillim të muajit maj kur Kolegji Zgjedhor mori një vendim unanim pro qeverisë media opozitare dhe e pavarur dha alarmin se zgjedhjet janë në rrezik dhe Kolegji është partiak. Një prej anëtarëve të Kolegjit dha deklaratë pa emër në media duke thënë: ne jemi pro qeverisë, dhe nëse bëhet rotacion politik ne përsëri jemi pro qeverisë së re”. Një mesazh që flet shumë. Siç flet vendimi unanim i Kolegjit në maj pro PD në pushtet dhe në korrik pro PS në pushtetin e ri. Siç mund të lexohet ngutja e Bankës Qëndrore për të bërë atë që nuk bëri 6 vjet, – transparencën e financave reale të shtetit. Siç mund të lexohet ngutja e KLSH, e shefave të policisë, e dhomave të tregtisë, e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, etj, për të denoncuar aferat korruptive të qeverisë në ikje, të cilës i patën shërbyer me zellin më të madh, tej anës formale dhe ligjore. Siç mund të lexohet ndryshimi drastik 180 gradë i TVSH nga ekran i kryeministrit në ikje në ekran i bezdisur i çdo lajmi të kryeministrit në pritje. Janë detaje me rëndësi që dëshmojnë atë që ndodh në çdo vend parademokratik: kur anija braktiset, vrapojnë të gjithë në anijen e re.

Debati mbi raportet e reja midis mazhorancës së majtë dhe institutcioneve të pavarura kushtetuese do të duhej të ishte debati midis shtetit ligjor dhe presionit për shtet partiak. Kurse tek ne garantuesit e shtetit ligjor, që erdhën me emërime preferenciale nga zyra e kryeministrit u bënë gardinët e shtetit partiak, dhe me rotacionin e ri politik ata duan të jenë përsëri gardianë dhe përsëri në shërbim të pushtetit politik të radhës.

PS ka votat për ligjet e rëndësishme të reformave, sic janë Kodet, ligjet organike, etj, por nuk ka votat për ndryshime kushtetuese. Çdo ndryshim në institucionet kushtetuese do të kërkonte investim në kushtetutë, gjë që nuk është as në planet e mazhorancës së re, dhe për arsye pragmatiste, as në interesin e saj  të ngushtë partiak. Për PS ka dy pengesa: pjesa e LSI në institucionet kushtetuese (sinjali u dha kur gjykata e lartë këtë javë vendosi mbylljen e dosjes së Gërdecit me votat e gjyqtarëve të 20% të zgjedhur nga PD-LSI). Pengesa e dytë është premtimi i saj për të mos përsëritur modelin e partisë shtet që krijoi paaardhësi. Gjë që vjen në kundërshtim me presionin e brendshëm politik në PS dhe me premtimet elektorale të saj në fushën e shtetit ligjor. Ndaj ajo duket se ka zgjedhur të mesmen e artë: një presion i lehtë publik ndaj drejtuesve aktualë të institucioneve kryesore dhe derë të hapur bashkëpunimi me të gjithë ata drejtues që tregohen luajalë dhe  mbështetës të akteve të saj politike.

Pak kohë më parë kryeministri në pritje takoi Presidentin Nishani dhe i kërkoi mbështetje për reformat e tij. Ftesa duhej të ishte e kundërt, Presidenti duhej të uronte fitoren e të majtës dhe tu kërkonte drejtuesve të tyre vullnet dhe akte politike për zgjidhjen e problematikave politike me të cilat përballet vendi. Më pas u vijua takimi me Guvernatorin, me Prokurorin, etj. Dhe Presidenti vetë mblodhi disa drejtues të institucioneve kushtetuese (munguan Gjykata Kushtetuese, Shefi i SHISH, Drejtori i Përgjithshem i Policisë, Shefi i Shtabit të FA, Avokati i Popullit, etj), dhe u kërkoi atyre të luftojnë krimin dhe të mos ndërpriten reformat (!!) dhe ata të mbeten të pavarur siç edhe ishin! Ca ditë më vonë KLD ndryshoi rregullat dhe bëri emërime thellësisht militante dhe klienteliste në disa struktura të varësisë. E njëjta gjë ndodhi edhe me ndryshimet në krye të SHP të FA!!

E gjithë ky bilanc takimesh nuk është praktikë normale e vendeve demokratike, por tregues i konceptit parademokratik të politikës dhe institucioneve kryesore mbi shtetin. Sepse një kryeministër në pritje duhet të presë derisa të mandatohet pastaj të zhvillojë takime institucionale. Çdo takim pa mandat nuk ka rezultat dhe mbetet informal në cilësinë dhe produktin e tij. Presidenti duhej ti kërkonte qeverisë në detyrë zbatimi me transparencë të përgjegjësive ligjore, duhej ti kërkonte KQZ me shumë efektivitet e besueshmëri në mbylljen e procesit, duhej ti kërkonte FA që ai drejton transparencë të plotë publike në emërimet në kupolën e lartë ushtarake dhe privatizimin e aseteve publike, dhe mbi të gjitha duhej të përcillte mesazhin se u ndryshua pushteti dhe jo shteti, se rotacioni politik nuk është tragjedi, por akt që shëndosh demokracinë, e bën atë më konkurruese dhe aktorët politikë më të kontrollueshëm nga qytetarët. Siç do të duhej që në kulmin e akuzave për shitblerje të votave prokuroria të ndërhyjë për të treguar nëse publiku dhe shteti ka një garant të ligjit, apo janë e mbeten pengje të partive politike. Nuk ndodhi as njëra as tjetra dhe nuk pati reagim as nga të pavarurit dhe as nga ata që duan të varen prej tyre.

Gjithësesi aktet e fundit të besnikërisë edhe në leximin me dy standarde të ligjit nga ana e disa institucioneve kushtetuese janë dyfish të dëmshme: ato pranojnë fundin edhe formal të besimit tek pavarësia dhe integriteti i institucioneve kushtetuese, dhe së dyti, kompromentojnë pritshmëritë publike për një reformë serioze institucionale nga mazhoranca e re politike. Në dy rastet rrezikojmë që asgjë të mos ndryshojë në interesin publik e shtetëror. Do të mund të kemi një mazhorancë të re të fuqishme politikisht, do të mund të kemi akte politike me mbështetje edhe nga arbitri kushtetues e ligjor, por kështu, sistemi rrezikon të mbetet i paprekur, thjesht do kemi ca emra e fytyra të reja në mbledhje qeverie dhe në kronikat e shumta të stilit komunist nga TVSH.

Premtimi për zgjedhje të Presidentit nga populli, për reformimin e sistemit gjyqësor, për çlirimin e institucioneve kushtetuese nga konfliktet e interesit, nga lidhjet klienteliste,përzgjedhja militante dhe praktikat e mbyllura të qarkullimit të të njëjtëve emra, apo nismat e premtuara për zgjedhje me 84 vota të çdo institucioni kushtetues, për largim nga modeli partiak i kompozimit të KQZ dhe rol më të madh të publikut në vendimmarrje me rëndësi publike, – rrezikojnë të harrohen në realitetin e ri kur garantët e ligjit po bëhen siç dinë të jenë, garant të pushtetit të radhës, dhe kur ka shenja e kërkesa të qarta publike se shpërndarja e pushtetit midis aleatëve mund të degjenerojë në parcelizim përfaqësimi në institucionet kushtetuese.

Nëse shprehja e famshme e një dramaturgu shqiptar në vitet e para të vendosjes së sistemit njëpartiak, se të pavarur janë ata që ende nuk janë varur, mund të rimerret në kontekstin e sotëm, atëherë po shohim se fatkeqësisht institucionet tona kushtetuese nuk janë të pavarura, nuk duan të jenë të pavarura, nuk u krijuan të jenë të pavarura dhe nuk ka ndonjë vullnet politik apo institucional që të ndodhë kjo gje. Shumica e tyre thjesht po sillen të pavarura derisa të gjejnë eprorin e ri dhe siglën e re politike ku të varen. Kështu, publiku dhe as kushtetuta nuk kanë më garant, ata janë në mëshirën e fatit dhe vullnetit politik të shefit apo shefave të radhës në qeveri. Një zhvillim negativ që mban peng reformat dhe progresin, dhe që përsëritet periodikisht cdo 4 ose 8 vjet në Shqipëri, në vendin e vetëm në ish bllokun komunist jashtë dyerve të BE dhe edhe më tej me cilësimin zyrtar si demokraci hibride dhe nivel rekord të korrupsionit politik.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi