Rrugëtim në debatet, politikat dhe strategjitë e zhvillimit ekonomik (I)

Nga Prof. Ardian Civici, botuar në Mapo Online, 6 korrik 2013

Cilat janë politikat dhe strategjitë më të mira dhe më të përshtatshme për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë? Kjo është pyetja më thelbësore që bën sot, jo vetëm çdo politikan e drejtues i lartë, por dhe çdo ekspert e qytetar i shqetësuar për gjendjen ekonomike në të cilën ndodhemi, dhe mbi të gjitha, për rrugën më të përshtatshme të zhvillimit që duhet të ndjekim. Në qarkullim janë ide e propozime nga më të ndryshmet, të cilat përfshijnë një gamë mjaft të gjerë masash e politikash. Në debatet me thelb pyetjen se “çfarë duhet të bëjmë konkretisht në periudhën afatshkurtër dhe atë strategjike afatgjatë” jepen mendime e propozime të shumta që, megjithë preokupimin pozitiv për të “ndrequr situatën aktuale” apo “hapur një faqe të re në zhvillimin ekonomiko-social të Shqipërisë”, në thelbin e tyre akoma kanë mjaft elemente subjektive, akoma mbeten në segmente të veçanta të politikave të zhvillimit, akoma propozohen gjëra që janë testuar e provuar me kohë në vende të tjera dhe sot nuk konsiderohen si eficente, akoma ka tendenca thjesht për të “kopjuar” ato që po bëjnë vende të tjera. Entuziazmohemi nga “modeli gjerman” dhe bëhemi absolutistë duke thënë se kështu duhet ta bëjmë dhe ne, frymëzohemi nga “modeli suedez” dhe besojmë se Shqipëria do jetë nesër vend me tipare skandinave, na pëlqen “rasti Cek apo Sllovak” dhe këmbëngulim që kjo është rruga jonë e vetme shpëtuese e zhvillimit, përmend si shembull i mirë “përvojën kroate” apo “suksesi i Hong-Kongut” dhe media e politika jonë bërtet “eureka”, kështu duhet të zhvillohet dhe Shqipëria, etj.

Për të ndihmuar dhe kontribuar në këtë debat e vendimmarrje të rëndësishme është e nevojshme që të bëhet një rrugëtim në politikat dhe strategjitë e zhvillimit ekonomik që kanë ndjekur vende të ndryshme të botës, kryesisht ato në zhvillim. Një rrugëtim që na njeh me vizionin, përmbajtjen, kontekstin dhe rezultatet e shumë prej politikave të zhvillimit të eksperimentuara, të ndjekura, apo dhe të dështuara, kryesisht në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore. Është e domosdoshme që një masë e madhe ekspertësh, vendimmarrësish, analistësh dhe politikanësh të njohin trajektoren dhe evolucionin e këtyre lloj politikave në kuadrin e asaj që quhet “ekonomia e zhvillimit”, të njohin “trinomin : objektiva zhvillimi-politika ekonomike-rezultate konkrete” në këto 5-6 dekadat e fundit në mënyrë që propozimet dhe veprimet konkrete të jenë eficente e me “këmbë në tokë”, të jenë adekuate e të aktualizuara, të jenë të konceptuara në koherencë me të gjithë stadet dhe elementët e këtyre politikave, të jenë të mundshme dhe të përshtatshme për specifikat dhe potencialet e burimeve prodhuese e njerëzore që ka Shqipëria. Dhe mbi të gjitha të jenë brenda kontekstit dhe trendeve kryesore ndërkombëtare të zhvillimit.

Si përcaktohet shkalla e zhvillimit dhe mos-zhvillimit të një vendi?

Përkufizimi më i përshtatshëm dhe më i pranuar sot në botë për “shkallën e zhvillimit” i referohet propozimit të ekonomistit francez Francois Perroux të vitit 1966, sipas së cilit ajo shpreh “kombinimin e ndryshimeve psikologjike e sociale të një popullsie (vendi apo rajoni) të cilat i krijojnë mundësi dhe e bëjnë atë të aftë të rrisë në mënyrë kumulative e të qëndrueshme prodhimin dhe të ardhurat”. Ky nocion implikon katër elemente të rëndësishme: rritjen ekonomike që mund të realizohet pa çuar detyrimisht në zhvillim ekonomik (ndarje shumë e diferencuar e pasurisë, përvetësimi i efekteve të rritjes ekonomike nga një grup i vogël njerëzish, diferencime të theksuara në zhvillimin territorial,etj.); rritjen ekonomike si faktorin kryesor që krijon premisat për akumulim financiar dhe zhvillim; zhvillimin si një proces të gjatë dhe të qëndrueshëm (periudhat e shkurtra me rritje ekonomike të lartë nuk barazohen dhe nuk asimilohen detyrimisht në zhvillim, përkundrazi, mund të shkaktojnë dhe destabilitet strukturor në një ekonomi); zhvillimin si fenomen cilësor që transformon shoqërinë (edukimin, shëndetësinë, shërbimet, liritë politike, demokracinë, sjelljen politike,etj.) dhe rritjen ekonomike si fenomen sasior për krijimin e prodhimit dhe të ardhurave. Ky këndvështrim ka bërë që edhe PNUD, në vitin 1970, në mbështetje të teorisë së “nevojave esenciale” ta përcaktojë zhvillimin si “zgjerim të mundësive dhe ofertës për njerëzit”. PNUD propozon katër kritere bazë për të matur nivelin e zhvillimit të një vendi : produktiviteti i ekonomisë dhe niveli i rritjes ekonomike; drejtësinë sociale dhe shpërndarjen sa më të barabartë të pasurisë dhe të ardhurave; qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike dhe cilësinë e saj; niveli i mbështetjes së zhvillimit nga burimet e brendshme dhe jo nga ndihma e huaj apo borxhet e larta.

Por “mos-zhvillimi” çfarë nënkupton? Ky nocion u përdor për herë të parë nga Presidenti amerikan, Harry Truman në vitin 1949, në tentativë për të justifikuar “ndihmën që vendet e pasura duhet t’iu jepnin atyre të varfra në mënyrë që këto të fundit mos binin pré e regjimeve komuniste”. Më vonë, për të “shmangur përmbajtjen ideologjike të frymëzuar nga lufta e ftohtë”, ekonomisti Alfred Sauvy sugjeroi përdorimin e termit “bota e tretë” për të specifikuar vendet e pa-zhvilluara, të cilat gjendeshin të marxhinalizuara nga dy blloqet antagoniste, perëndimit dhe lindjes sovjetike. Do të ishte viti 1955, kur në kuadrin e “Konferencës së Bandoeng-ut” do të konkretizohej “bota e të pazhvilluarve dhe paangazhuarve si forcë politike botërore”. Në vitin 1964 lindi “grupi i të 77-ve” dhe u krijua UNCTAD (konferenca e kombeve të bashkuara për tregtinë dhe zhvillimin), e shoqëruar në vitin 1970 nga nocioni i ri i “vendeve në proces zhvillimi”, pasi termi “vend i pazhvilluar” u cilësua si shumë stigmatizues. Por, në vitet 1980, edhe ky term u zëvendësua me atë të “vendeve në zhvillim” që nënkuptonte se ky grup vendesh, kryesisht vende të varfra të jugut, po angazhohej seriozisht në rrugën e zhvillimit. Nocioni më i ri, ai i “vendeve me zhvillim të shpejtë” të cilësuara si “ekonomitë emergjente”i përket viteve 2000, duke nënkuptuar se ky grup vendesh të tilla si Kina, India, Rusia, Brazili, Afrika e Jugut, etj., karakterizoheshin nga një rritje e menjëhershme e ekonomive të tyre dhe po hynin në një proces intensiv zhvillimi.

Nevoja për të evidentuar dhe specifikuar vendet që nuk ndiqnin, apo nuk mund të ndiqnin një trajektore të njëjtë zhvillimi me vendet perëndimore u bë e domosdoshme si pasojë e faktit se pas viteve 1950, një pjesë e madhe e globit dukej e përjashtuar nga procesi i zhvillimit dhe nga modeli i zhvillimit të vendeve perëndimore i cili ishte i njohur dhe i studiuar. A mund të industrializoheshin ato në të njëjtën formë e mënyrë si vendet e pasura të veriut?, A mjaftonte vetëm prodhimi bujqësor e ushqimor për t’i nxjerrë nga kjo gjendje?, Si mund t’i plotësonin këto vende mungesat thelbësore në fushën e arsimit, shëndetësisë, shërbimeve, sigurisë ushqimore, infrastrukturave, shërbimeve? etj. Diagnostifikimi i “sëmundjes së tyre mos-zhvilluese” ishte i qartë : strukturë ekonomike të çrregullt të kushtëzuar në shumicën dërrmuese të rasteve nga e kaluara e tyre koloniale (monokulturë, eksporte vetëm në drejtim të vendeve kolonizuese, nivel minimal industrializimi dhe ekonomi të bazuar në sektorin primar e lëndët e para, tregje të brendshme inekzistente,etj.); destrukturim i fortë social në funksion të nevojave të metropoleve koloniale dhe shkatërrim i shoqërive tradicionale; shfrytëzim pa kriter i burimeve natyrore e minerale deri në shkatërrim të plotë të tyre.

Pyetja dhe pikëpyetja më e madhe që shtrohej: çfarë duhej bërë që këto vende të zhvilloheshin? Çfarë politikash e strategjish zhvillimi duhej të aplikonin këto vende? Për një periudhë 50-60-vjeçare u shfaqën mjaft teori e shpjegime, u aplikuan mjaft politika e strategji, u glorifikuan apo anatemuan shumë modele zhvillimi, por gjithsesi, gjëja që sot konsiderohet si më e çmuar është “eksperienca e përftuar, janë disa konkluzione e sugjerime që vlejnë shumë mbas këtyre eksperimenteve me zhvillimin”, sugjerime që sot po bëhen motori kryesor lëvizës për vendet që duan ta thellojnë zhvillimin e tyre, siç është dhe rasti i Shqipërisë. Politikanëve, ekspertëve apo vendimmarrësve iu rekomandohet fuqishëm që t’i njohin këto eksperienca të mira e të këqija, eficente e jo-eficente në arsenalin e politikave dhe strategjive të zhvillimit në mënyrë që të paktën të mos përsëriten gabimet e të shkuarës, të mos ketë vend justifikimi “po unë kështu e dija”, po “ne u mbështetëm në eksperiencën e filan vendi” etj.

Teoritë ekonomike përballë politikave dhe strategjive të zhvillimit

Në vitet 1950, analizat ekonomike me frymëzim liberal përcaktonin moszhvillimin “thjesht si çështje kohe”, si “një vonesë e vendeve të pazhvilluara në kopjimin e modelit perëndimor të zhvillimit. Kjo analizë u përfaqësua nga punimet e ekonomistit amerikan Walt Rostov i cili në vitin 1961 shpjegoi “pesë etapat e rritjes ekonomike dhe zhvillimit që duhet të ndiqte çdo vend për t’u bërë vend i pasur (shoqëria tradicionale; parakushtet e zhvillimit; take-off ose shkëputja drejt zhvillimit; konsolidimi dhe maturimi i ekonomisë; konsumi masiv). Shumë vende të pazhvilluara u përfshinë në këtë filozofi zhvillimi, por vetëm 10 vite më vonë ajo u braktis si e papërshtatshme për këtë grup vendesh pasi thelbi i saj ishte “kopjimi i modelit perëndimor, sidomos procesi i industrializimit”, gjë që rezultoi një utopi e pastër, pasi konteksti social, historik, psikologjik, politik e ndërkombëtar ishte tërësisht i ndryshëm nga “modeli që duhej të kopjohej”, si dhe për faktin se “zhvillimi si proces barazohej me nivelin e arritur nga vendet perëndimore dhe veçanërisht me konceptin e konsumit masiv.

Në vitet 1960, mjaft ekonomistë të shkollës neoklasike, të mbështetur në teorinë e tregtisë së lirë dhe avantazheve krahasuese të David Rikardos si dhe versionin e saj më modern, “teoremën HOS (Hecksher-Ohlin-Samuelson)” arritën në konkluzionin se “shkaku i moszhvillimit janë politikat proteksioniste dhe mos përfshirja e vendeve në tregtinë botërore”. Vendeve në zhvillim iu rekomandua “specializimi në produkte të veçanta për të cilat ata dispononin burimet e nevojshme prodhuese, liberalizimi i tregtisë dhe eksportet masive”. Në këtë mënyrë ato mund të siguronin investimet dhe financimet e nevojshme për të realizuar “shkëputjen nga mos-zhvillimi dhe hyrjen në rrugën e zhvillimit”. Si shembujt më të mirë në këtë drejtim u servirën rastet e Zelandës së Re dhe Australisë. Por, edhe këto teori e politika nuk dhanë rezultatet e duhura, pasi shumica dërrmuese e vendeve në zhvillim nuk kishin mundësi të modernizonin sektorët e tyre më të mirë prodhues, nuk kishin mundësi të rrisnin produktivitetin dhe të ishin konkurrues në tregun ndërkombëtar, ndërkohë, që në shumicën e rasteve eksportonin produkte e bujqësore e lëndë të para me çmime të ulëta dhe importonin makineri e pajisje apo produkte industriale me çmime të larta.

Në vitet 1970-të, këto politika të rekomanduara me bujë si “shpëtimtare” u zëvendësuan me interpretimin se “shkaku i moszhvillimit ishte polarizimi i botës ndërmjet një qendre vendesh të pasur dhe një periferie vendesh të varfra”. E sintetizuar në punimet e ekonomistit argjentinas Raul Prebisch dhe atij gjerman Hans Singer, kjo filozofi e re u përmblodh në “analizën qendër-periferi” ose “këndvështrimi strukturalist” si mënyra më e mirë për të përcaktuar politikat e zhvillimit. Shumica dërrmuese e këtyre vendeve rranë në influencën e ekonomistëve neomarksistë  si Samir Amin, Argihiri Emmanuel etj., sipas të cilëve “shkaku i moszhvillimit është modeli kapitalist i prodhimit, është këmbimi i pabarabartë që ndodh në tregjet ndërkombëtare”. Thelbi i saj ishte “fakti se vendet e zhvilluara kontrollonin dhe modelonin zhvillimin e vendeve të pazhvilluara në funksion të interesave të tyre”, dhe për pasojë, e vetmja mundësi që vendet e varfra të zhvilloheshin ishte “shkëputja nga tutela e vendeve të pasura, proteksionizmi ekonomik e tregtar, krijimi i marrëdhënieve të privilegjuara por të barabarta vetëm me vende të tjera të varfra etj.”. Vetëm kur këto vende të arrinin një nivel të mirë zhvillimi, ato mund të rifillonin marrëdhëniet normale ekonomike e tregtare me vendet e pasura perëndimore. Thelbi i këtyre politikave “të reja zhvilluese do të ishte roli i veçantë i një Shteti centralizues e planifikues që do impononte strategjitë e zhvillimit, do mbështeste sektorin publik dhe do garantonte proteksionizmin ekonomik”. Një grup shumë i madh vendesh aplikuan politika e strategji të tilla zhvillimi në këtë periudhë, por rezultatet e tyre ishin larg shpresave, për të mos thënë totalisht negative në raport me zhvillimin e ëndërruar.

Koncepti i dualizmit dhe “ekonomia e zhvillimit”

Ekonomia e zhvillimit është një degë e ekonomisë së aplikuar që përdor teknikat moderne të analizës makro e mikroekonomike për të studiuar problemet ekonomike, sociale, mjedisore e institucionale të vendeve të varfra apo atyre në zhvillim, duke u interesuar veçanërisht për shpjegimin e shkaqeve të varfërisë e moszhvillimit si dhe për të rekomanduar politikat e strategjitë më të përshtatshme të zhvillimit ekonomik e social për këto vende. Synimi thelbësor i saj është “gjetja e rrugëve për të krijuar një masë kritike faktorësh prodhimi, përdorimi cilësor i të cilëve do të prodhonte një rritje ekonomike të mjaftueshme për të plotësuar në mënyrë të kënaqshme nevojat e popullsisë”. Dy pionierët e kësaj dege të re të ekonomisë konsiderohen ekonomisti britanik, Arthur Lewis (çmimi Nobel në ekonomi në vitin 1979) dhe ekonomisti suedez, Gunnar Myrdal (çmimi Nobel në ekonomi në vitin 1974). Esenca e punimeve të tyre qëndronte në identifikimin e “faktorëve dhe politikave përcaktuesve të rritjes ekonomike” duke evoluar më vonë me një ndarje të qartë ndërmjet koncepteve rritje ekonomike dhe zhvillim ekonomiko-social. Sipas tyre “zhvillimi nuk mund të realizohet pa rritje ekonomike, por rritja ekonomike nuk nënkupton automatikisht zhvillim ekonomik e social”. Politikat më të mira të zhvillimit janë ato që ndikojnë në reduktimin e varfërisë, ngushtimin e diferencave sociale, përmirësimin e shërbimit arsimor, shëndetësor etj.

Arthur Lewis duke u mbështetur në konceptin “dualizëm” e shpjegonte moszhvillimin si efekt i “përdorimit jo-optimal të fuqisë punëtore”, si “korrelacion ndërmjet keqpërdorimit të fuqisë punëtore dhe moszhvillimit”. Vendet në zhvillim duhet të bënin politika që synonin “transferimin sa më masiv të fuqisë punëtore nga sektorët tradicionalë arkaikë drejt sektorëve prodhues të modernizuar në të cilët produktiviteti i punës dhe për pasojë edhe pagat apo fitimi ishin të larta. Vetëm në këtë mënyrë këto vende mund të realizonin fitimin dhe akumulimin e domosdoshëm për të filluar procesin e industrializimit të tyre. Ky grup ekonomistësh mendonte se “zhvillimi kalon vetëm nëpërmjet këputjes së zinxhirit të dualizmit”, kërkonte “kontrollin e efekteve të tregut dhe tregtisë së lirë, e cila e largonte ekonominë e këtyre vendeve nga ekuilibri dhe thellonte dualizmin e polarizonte ekonominë dhe popullsinë e këtyre vendeve. Sipas tyre, “sa më i zhvilluar të ishte një vend, aq më shumë përfitonte nga zhvillimi i tij…dhe sa më i varfër të ishte, aq më shumë varfëri prodhonte”. Këto efekte ndodhnin dhe brenda një vendi të vetëm ndërmjet sektorëve dhe territoreve të ndryshme, prandaj roli i shtetit dhe politikat kryesore të rekomanduara ishin ato që e vinin Shtetin në vijën e parë të luftës kundër dualizmit, kundër pabarazive dhe shkaqeve që i shkaktonin ato. Myrdal, propozonte si zgjidhjen më të mirë “shtetin e tipit social-demokrat” apo “Shtetin tutor” si e vetmja zgjidhje kundër kapriçove të tregut kombëtar e ndërkombëtar.

Roli i faktorëve “jo-ekonomikë” në zhvillim

Në fund të viteve 1980, debatet mbi politikat dhe strategjitë e zhvillimit u shtrinë akoma më tej në pyetjen: a është moszhvillimi vetëm pasojë e shkaqeve ekonomike, apo ka edhe faktorë me origjinë jo-ekonomike? Analizat dëshmuan se elementë si institucionet, traditat, zakonet, kultura, psikologjia e mentaliteti, etj., janë faktorë po aq të rëndësishëm sa faktorët ekonomikë kur është fjala për nxitjen e zhvillimit. Ekonomistët e specializuar në politikat e zhvillimit u drejtuan për ndihmë tek sociologjia, antropologjia, psikologjia apo teologjia për të kuptuar dhe përdorur më mirë faktorët socio-kulturorë që bllokojnë zhvillimin ekonomik. Moszhvillimi u shpjegua me faktin se shumë shoqëri apo vende “nuk janë gati kulturalisht që të zhvillohen me ritmin dhe cilësinë e duhur”, se këto vende po aq sa përpiqen të përdorin me eficencë faktorët prodhues që nxitin zhvillimin e rritjen ekonomike, po me aq vëmendje duhet të trajtojnë dhe faktorët socio-kulturorë të tyre, natyrisht, pa rënë në kurthin e “determinizmit kulturor të zhvillimit”.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi