Zhvillimi nën peshën e ekuilibrit ndërmjet ekonomisë së tregut dhe demokracisë

Nga ADRIAN CIVICI, botuar në MapoOnline, 15 qershor 2013

Vuajmë dhe përpiqemi shumë për gjetjen e prioriteteve dhe ekuilibrave ndërmjet konsolidimit të demokracisë dhe eficencës së ekonomisë së tregut. Në kulmin e debateve dhe shqetësimeve mbarëbotërore për krizën ekonomiko-financiare dhe pasojat e saj, në Shqipëri harxhojmë akoma shumë energji politike e sociale për ligjin e Kodin zgjedhor, ruajtjen apo mënyrat e numërimit të votës, komisionerët dhe përbërjen e KQZ-së, legjitimitetin e përfaqësimit etj. Në kuadrin e nevojës për të konsoliduar demokracinë shpesh “devijojmë e humbasim” në problematika specifike e tipike biznesi. Duket sikur jemi të pa fokusuar përballë sfidave të zhvillimit ekonomiko-social dhe raporteve të saj me funksionimin e një demokracie reale. Në fillimet e procesit të tranzicionit “nga plani drejt tregut të lirë”, në Shqipëri ashtu si në gjithë vendet e Europës Qendrore e Lindore, sipas Ivan Krastev, në artikullin e tij shumë të njohur “Demokracia dhe kapitalizmi: ndarja e dy binjakëve”, shqetësimi dhe dyshimi më i madh qëndronte në dilemën se “kush do të përvetësohej më shpejt: demokracia apo ekonomia e tregut dhe kapitalizmi?”…se kush “do ecte më shpejt duke tërhequr mbas vetes tjetrën?”. Përgjigja që mund të jepet mbas 20-22 vitesh tranzicioni është se në Shqipëri dhe përgjithësisht të “gjithë popujt e këtij grupi vendesh e dëshirojnë dhe janë shumë më të kënaqur nga raportet e përfitimet në tregun i lirë se sa nga kënaqësia e demokracisë”. Dhe kjo, jo thjesht për “faj” të njërit apo tjetrit, por thjesht për mungesë kuptimi dhe vlerësimi të simbiozës së domosdoshme që duhet të ekzistojë ndërmjet tyre. Disa vende i kanë “urtësuar dhe miqësuar shpejt këta binjakë grindavecë”, ndërsa disa të tjera, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, duket se akoma nuk po e ekuilibrojnë dot bashkëjetesën e tyre, shpesh edhe në dëm të njëra-tjetrës.

Dilemat e tranzicionit post-komunist

Analistët dhe studiuesit e sotëm mendojnë se historia e tranzicionit duhet të ketë si bosht kryesor  analizën e raporteve të “ekuilibrit ndërmjet demokracisë, ekonomisë së tregut dhe kapitalizmit”. Por 20 vite më parë, në fund të viteve 1980-të, nuk ishin të paktë ata studiues që parashikonin dhe i trembeshin një skenari të dhimbshëm social. Megjithëse shumica ishte e bindur se demokracia dhe kapitalizmi ishin partnerë më se natyralë dhe se tregu i lirë dhe konkurrenca zhvilloheshin paralelisht në ndihmë të njëra-tjetrës, përsëri kishte mjaft zëra dyshues që i trembeshin faktit se “reformat politike dhe ato ekonomike mund të bllokonin ose të pengonin njëra-tjetrën”. Pyetja më shqetësuese e fillimit të tranzicionit e sintetizuar mjaft qartë nga Kristev ishte se “si mund t’i jepej njerëzve, d.m.th., politikës dhe zgjedhësve, fuqia që të ndërmerrnin apo aprovonin “në rrugë demokratike” politika e reforma që para së gjithash çonin në rritjen e çmimeve, shtimin e papunësisë, thellimin e diferencave sociale, etj.?”. Përtej reformave të “terapisë choc” dhe “shkatërrimit krijues” qëndronin sfida të jashtëzakonshme sociale e institucionale.

E tillë ishte fillimisht dilema e tranzicionit post-komunist në Shqipëri dhe kudo në Ballkan dhe Europën qendrore e lindore. Ç’farë do ndodhte? Sipas sociologut gjerman Claus Offe, “ekonomia e tregut nuk mund të zhvillohej në një kontekst jodemokratik”, ndërkohë që edhe politologu polak, J.Staniskis nënvizonte se “sa më të dobëta të jenë themelet e ekonomisë  dhe të shoqërisë civile në një vend, mobilizimi i popullsisë në mbështetje të politikës së zhvillimit dhe liderit mund të bëhet vetëm mbi akse nacionaliste ose populiste”. Pra, të gjitha shanset duket se ishin që Europa qendrore, lindore dhe ajo jug-lindore të cilësuara rëndom si “ish-blloku sovjetik”, ishin të destinuara të zgjidhnin ndërmjet “mekanizmave të rinj ekonomikë…socializmit të tregut…apo humanizimit të socializmit” (fillimisht të përmendura dhe glorifikuar shumë nga regjimet komuniste apo socialiste në këto vende, të cilat tentonin të bënin reforma por pa prekur thelbin e sistemit) dhe kapitalizmit autoritar që shpesh identifikohej me kapitalizmin e egër të tipit neoliberal të viteve 20-30-të të shek.XX. Ishte kultura, traditat, cilësia e politikës dhe liderëve të saj, aftësia e shoqërisë civile për të qenë faktor dhe ekspertiza e cilësia e akademikëve të një vendi ato që përcaktuan ecurinë e raporteve ndërmjet ekonomisë së tregut dhe demokracisë. Nga ky këndvështrim, mund të konkludojmë se Shqipëria nuk u shqua për ndonjë inteligjencë e veprim performant kolektive si në ekuilibrimin e këtyre tendencave ashtu dhe vënien e tyre në shërbim të njëra-tjetrës drejt zhvillimit të qëndrueshëm. Në shumë raste e vite të këtyre 22 viteve të tranzicionit tonë të gjatë e të lodhshëm, deficitet demokratike, papërgjegjshmëria dhe arrogancat politike me natyrë populiste i kanë shkaktuar jo pak dëm ekonomisë së vendit dhe reformave të domosdoshme që duheshin ndërmarrë, ndërkohë që edhe brishtësia dhe dobësitë e ekonomisë sonë e kanë kushtëzuar jo pak herë politikën dhe demokracinë në ulje ngritje të dëmshme. Në analizat dhe diskutimet në kuadrin e “teorisë së tranzicionit”, Shqipëria trajtohet si vendi “më origjinal” me trajektoren “stop and go”, d.m.th, krizë- stabilitet-krizë-stabilitet etj., të cilat reflektonin raportet e çrregullta ekonomi-demokraci-ekonomi-demokraci.

“Sakrifica” në emër të ëndrrës kapitaliste të lirisë dhe bollëkut

Rezultatet mediokre ekonomiko-sociale të trashëgimisë komuniste u bënë shpejt aleatët natyralë të reformave e  reformatorëve post-komunistë pothuajse në gjithë shoqëritë e vendeve të Europës Qendrore e Lindore. Njerëzit u treguan të durueshëm dhe pranuan aplikimin e reformave të dhimbshme për shpresat dhe ëndrrën e tyre të mirëqenies dhe lirisë sepse kishin padurim për t’u shkëputur përfundimisht nga sistemi i mëparshëm, dhe për t’iu afruar ëndrrës së tyre “kapitaliste të lirisë dhe bollëkut”. Vitet 1990-2000 ishin një dekadë e jashtëzakonshme në thelbin dhe përmbajtjen e tyre. Krerët e sindikatave dhe organizatave të tjera punëtore në gjithë këto vende, siç e kemi parë rëndom edhe në Shqipëri, iu bënë “ortakë” dhe përkrahën pa rezerva kryeministra e qeveri që shkurtonin vendet e punës dhe kufizonin mbrojtjen sociale të punëtorëve, ashtu si shumë parti socialiste apo të tjera ish-komuniste afishuan si pikë të parë të programit të tyre “privatizimin e ekonomisë”. Në Shqipëri janë akoma të gjalla imazhet e kryetarëve të sindikatave që brohorisnin në krah të ministrave apo kryeministrit për realizmin e shpejtë të privatizimeve, për eliminimin e ndërmarrjeve shtetërore dhe për pasojë, edhe për shkurtime drastike të vendeve të punës apo humbjen e mjaft elementëve të mbrojtjes sociale! “Humbësit e tranzicionit” që përfaqësonin shumë kategori sociale, profesionale, territoriale apo moshore nuk ishin në gjendje të reagonin ndaj ndryshimit drastik të statusit të tyre ekonomiko-social që e pësuan menjëherë, të paktën për një brez prej tyre. Kritikat apo dyshimet ndaj tregut të lirë, ekonomisë së tregut dhe kapitalizmit i atribuohej nostalgjisë komuniste, injorancës dhe mediokritetit ndaj ndryshimeve apo konservatorizmit të së kaluarës. Si elitat intelektuale tradicionale anti-komuniste, për shkak të ideologjisë dhe të kaluarës së tyre, ashtu dhe elitat ish-komuniste, për shkak të interesave ekonomiko-financiare apo dhe bindjeve të tyre, ishin tërësisht në favor të ndryshimeve ekonomike që shiheshin si rruga e vetme për realizimin e aspiratave demokratike.

Aspiratat politike dhe popullore për një “rikthim drejt origjinës dhe traditave shekullore, pra drejt Europës” si vend anëtar i saj, të përforcuara nga joshja që ushtronin BE, NATO dhe përgjithësisht integrimi euroatlantik krijoi një klimë shumë të favorshme që shoqëritë post-komuniste të kishin durimin për të pritur si dhe të ekuilibronin si duhet nevojat dhe reformat për demokraci me ato për zhvillim ekonomiko-social duke e konsideruar këtë si kusht të domosdoshëm për integrimin dhe zhvillimin e tyre. “Në “emër të integrimit europian apo anëtarësimit në NATO pranohej çdo sakrificë”. Ndoshta shembulli i vetëm që Shqipëria ofron si realizimi i një marrëveshje thelbësore ndërmjet dy forcave kryesore politike tejet antagoniste si PS dhe PD është pikërisht rënia dakord për shpenzimet e domosdoshme në buxhet në kuadrin e detyrimeve të anëtarësimit në NATO. Shpejtësia dhe cilësia e ecjes përpara në këtë rrugë natyrisht që rezultoi e ndryshme nga njëri vend në tjetrin dhe po t’i referohemi rastit të Shqipërisë mund ta shikojmë veten në vagonët e fundit ose në ata me shpejtësi të reduktuar kur është fjala për të arritur në stacionin e fundit, integrimin europian. Por një gjë konsiderohet e barabartë dhe e aplikuar për të gjithë : fundi i tunelit të integrimit euro-atlantik u bë shtytësja e fuqishme e reformave ekonomiko-financiare dhe njëkohësisht pengesa më e madhe qeverisëse ndaj “etheve të ç’ekuilibruara politike,populiste, apo provinciale”.

Kapitalizmi dhe demokracia si “binjakë identikë”

Por, zhvillimet e viteve të fundit në shumë nga vendet ish-komuniste, që vlerësohen si të suksesshme në realizimin e tranzicionit të tyre nga “planifikimi i centralizuar te tregu i lirë”, nga “partia unike e gjithëpushtetshme në parlamentarizëm liberal multipartiak”, ka bërë që shumë sociologë e politologë të kërkojnë që ta rivlerësojnë raportin ndërmjet demokracisë dhe kapitalizmit. Ajo që po kërkohet të studiohet dhe t’i jepet një përgjigje sa më shkencore është fakti se “demokracia dhe kapitalizmi nuk duhen konsideruar më si “dy fëmijë që duhet të kenë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin…që duhet ta ndihmojnë dhe të mos i bëhen pengesë njëri-tjetrit në procesin e rritjes”, por ato duhen konsideruar, siç thotë Krastev, si “binjakë identikë” që bëjnë çdo gjë në union dhe pa dallime nga njëri-tjetri. Tensionet dhe mospërputhjet ndërmjet demokracisë dhe kapitalizmit nuk duhet në asnjë mënyrë të injorohen. Rastet e Brazilit, Afrikës së Jugut, Rusisë, Kinës, Venezuelës, Bjellorusisë, Iranit, pranverës arabe, dhe së fundi Turqisë, e tregojnë qartë vëmendjen dhe kujdesin absolut që duhet treguar për të arritur që të përfitohet nga tendenca natyrore e kapitalizmit që të zhvillojë demokracinë dhe ajo e demokracisë që mbështet zhvillimin e kapitalizmit. Vetëm një hap e ndan këtë skenar të dëshiruar nga devijime negative që mund të prodhojnë regjime autoritare apo provokojnë kolapse ekonomike me kosto shumë të lartë.

Eksperienca e një grupi të madh vendesh të Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, duhet vlerësuar nën një fokus specifik. Në periudhën 2005-2010, vetëm 2-4 vjet mbas një anëtarësimi masiv të shumë vendeve të këtyre rajoneve në BE dhe pranimi si vende kandidate apo në proces anëtarësimi të disa të tjerave, u vu re një rritje e dozave të populizmit dhe autokracisë në gjithë spektrin e funksionimit demokratik të tyre. Sipas një sondazhi të “Voice of the People” të vitit 2006, ndryshe nga parashikimet, vendet që futeshin në grupin “në tranzicion” ose të sapo dalë prej tij, rezultuan vendet ku njerëzit ndjehen nga më skeptikët në lidhje me meritat dhe vlerat e demokracisë. “Publiku nuk ka besimin e duhur tek klasa dhe partitë politike”. E ushqyer dhe nga një luftë politike, në mjaft raste krejt e paprinciptë dhe mjaft e ashpër deri në mediokritet e banalitet, ndërmjet liderëve dhe partive politike, klasa politike në këto vende perceptohet apo akoma më keq, konsiderohet si “e korruptuar dhe mjaft egoiste për të mbrojtur privilegjet dhe interesat e saj të ngushta”, si një klasë politike që “objektiv të vetëm ka mbajtjen apo fitimin e pushtetit” pa qenë në lartësinë e kërkuar të qeverisjes së vendit. Fundi i tranzicionit, që përgjithësisht në gjithë këtë grup vendesh korrespondon me integrimin europian, nuk u kurorëzua me një zhvillim të përgjithshëm e të ekuilibruar ekonomiko-social, por me një diferencim të madh social e territorial. Tipike për këto vende ishte polarizimi i shoqërisë që nënkuptonte “hollimin e shtresës së mesme” (aq më tepër që gjatë periudhës socialiste mbi 80% e popullsisë i takonte një shtrese të vetme), ngushtimin dhe pasurimin galopant të një shtrese të vogël, ndërkohë që mjaft grupe të popullsisë u marxhinalizuan. E njëjta gjë ndodhi dhe me diferencimin territorial dhe eksodin e fortë rural. Qytetet kryesore dhe periferitë e tyre urbane njohën një fluks kolosal “të ardhurish” duke lënë thuajse të braktisura, ose jashtë dinamikës ekonomike zona të tëra periferike apo të brendshme të territorit. Një tjetër tendencë dhe impresion i identifikuar është dhe fakti se te shumë vende në tranzicion kufizimet, rregullat apo politikat e imponuara nga institucione ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore në kuadrin e paketave të axhustimit strukturor dhe ‘konsensusin e Washingtonit”, liberalizimin tregtar në kuadrin e OBT apo marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit me BE, për të përfituar kredi prej tyre apo hapur rrugën integrimin evropian kanë qenë esenciale për të garantuar suksesin e reformave. Por, në të njëjtën kohë ato kanë zhvilluar ndjenjën dhe idenë e “një demokracie të paracaktuar e pa shumë zgjedhje apo përputhje me specifikat historiko-sociale nacionale”, të një demokracie formale e sipërfaqësore, por “të domosdoshme për të garantuar bashkëpunimin dhe zhvillimin ekonomik”, të një “demokracie që thjesht i pëlqente të huajve”.

Demokracitë e reja përballë shijes së tregut të lirë

Shumë vite më parë, në fillimet e tranzicionit, teoricienët, akademikët dhe analistët e tij kishin frikë se “demokracitë e reja lindore nuk do ta shijonin shpejt shijen e tregut të lirë dhe kapitalizmit”, por ajo që konstatohet rëndom sot në shumicën dërrmuese të këtyre vendeve, është konkluzioni se për të arritur mirëqenien dhe zhvillimin e tyre, të gjitha këto vende duket se “kanë më shumë besim te cilësitë dhe forcat e tregut, te privatizimet dhe liria ekonomike se sa te zgjedhjet parlamentare, cilësitë e klasës së tyre politike apo te konsolidimi i demokracisë”. Zhvillimi real i demokracisë dhe ecja e përbashkët e saj me zhvillimin e ekonomisë së tregut dhe kapitalizmit janë zgjedhja më e mirë drejt suksesit, janë rruga më e mirë për afrimin e politikës me shoqërinë dhe ndikimin e saj në zhvillimin ekonomik, është forma më e përshtatshme sipas ekonomistit Michael Boskin për të “zbutur e bërë më miqësor Leviathianin”. Sipas një sondazhi të “Executive Opinion Survey” të realizuar gjatë forumit ekonomik botëror të vitit 2004, konstatohej se strukturat politike e qeverisëse në shumë vende të botës, veçanërisht ato në zhvillim, ishin mjaft të prirura drejt korrupsionit, burokracisë, informalitetit,etj., duke penguar seriozisht investimet dhe zhvillimin ekonomik të vendeve të tyre. Eksperti D.Kaufmann, programi i Mirëqeverisjes pranë Bankës Botërore konfirmon se disa studime të bëra në vende të ndryshme të botës kanë treguar se “që kapitalizmi të zhvillohet, ai ka nevojë për një themel të qëndrueshëm demokratik….sepse zhvillimi i cunguar i tij bëhet faktor themelor që nuk lejon as vetë demokracinë të zhvillohet….ashtu siç është plotësisht e vërtetuar se deficitet dhe kaosi në ushtrimin e demokracisë bëhen pengesë serioze në ndërtimin dhe aplikimin e një kapitalizmi koherent”. Çdo devijim apo këndvështrim i njëanshëm i këtij binomi substancial është po aq i dëmshëm sa edhe vetë mungesa totale e njërit prej tyre. Edhe Fareed Zaccaria, redaktori i prestigjiozes Newsweek International, në librin e tij “E ardhmja e lirisë” (2003), e demonstron qartë lidhjen e ngushtë korrelative ndërmjet nivelit të lirisë e demokracisë dhe zhvillimit të ekonomisë. Zhvillimi ekonomik është “një presion i madh drejt demokracisë”, e cila duhet ta ndjekë këtë zhvillim ekonomik, sepse në rast të kundërt, kur hendeku ndërmjet tyre thellohet, shoqëria destabilizohet, politika ashpërsohet dhe vendet rrezikojnë trazira sociale. Po kështu, edhe tentativat apo dëshirat për ta thelluar dhe zgjeruar demokracinë pa e shoqëruar atë me zhvillimin e duhur ekonomik, janë të destinuara të dështojnë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi