“Faktori njohuri” në rritjen ekonomike dhe zhvillimin social

Nga Prof. Ardian Civici, botuar në Mapoonline, 31 maj 2013

A është zhvillimi ekonomiko-social vepër e “njohurive” shkencore?  Së paku tre shekujt e fundit, historia ka dëshmuar se progresi teknologjik ka qenë për të gjitha vendet “motori i industrializimit të tyre”. Që në kohën e revolucioneve industriale të shekujve XVIII–XIX u dëshmua qartë se zhvillimi i çdo vendi është vepër e “njohurive shkencore” më shumë sesa atyre “empirike” apo thjesht bollëkut të burimeve natyrore. Sinteza e kësaj eksperience ishte pikërisht “roli thelbësor i edukimit dhe formimit profesional në promovimin e zhvillimit ekonomik të popujve e shteteve të ndryshme” që kanë ditur të krijojnë një korrelacion të drejtë ndërmjet këtyre dy elementeve. Përvoja ndërkombëtare dëshmon se jo çdo investim në sektorin e arsimit dhe edukimit “përkthehet” automatikisht në zhvillim ekonomik. Shembulli i mjaft vendeve, kryesisht atyre të varfra dhe në zhvillim evidenton faktin se, megjithëse ato kanë investuar shumë në sistemin e tyre arsimor, vazhdojnë të mbeten vende të varfra dhe nuk kanë bërë progres të vlerësueshëm në procesin e industrializimit dhe zhvillimit ekonomik. Thelbi i çështjes qëndron në diferencën që duhet bërë “ndërmjet informacionit që mund të transmetohet e zotërohet më lirisht dhe njohurive, të cilat kërkojnë njerëz të aftë që t’i kuptojnë, përvetësojnë dhe t’i aplikojnë në favor të zhvillimit”.

Ekspertët nënvizojnë se “thjesht një zgjerim dhe mbështetje e sektorit të edukimit nuk çon automatikisht në zhvillim ekonomik”. Sepse një vend i caktuar mund të arrijë të nxjerrë persona shumë të kualifikuar, por në qoftë se ky vend nuk arrin të krijojë infrastrukturat, sistemet, institucionet, kuadrin ligjor rregullator, sistemin e motivimit dhe konceptin e “karrierës profesionale sidomos në sektorin publik”, atëherë ky vend nuk arrin të krijojë sinergjinë e nevojshme dhe një mjedis të domosdoshëm në mënyrë që kjo kategori njerëzish të shkolluar e të edukuar të vërë në jetë njohuritë e përfituara dhe të ndikojë cilësisht në zhvillimin ekonomik.

Një element thelbësor, është se “plani i zhvillimit perspektiv të çdo sistemi arsimor është koordinimi dhe kombinimi i tij me planin e zhvillimit perspektiv ekonomik të çdo vendi…..se vendimmarrja në fushën e arsimit nuk mund të jetë pronë vetëm e eksperteve të edukimit, por në mënyrë të veçantë dhe e eksperteve të ekonomisë dhe zhvillimit”. Kjo është një sfidë e madhe edhe për sistemin tonë të edukimit në të gjitha nivelet, pasi mund të pohohet se janë shumë të rralla rastet kur programet mësimore në Shqipëri, veçanërisht ato të arsimit të mesëm profesional apo universitar të jenë produkt i bashkëpunimit të institucionalizuar të specialisteve të arsimit me specialistët apo institucionet përgjegjëse për zhvillimin ekonomik e social.

Edukimi dhe Barazia Sociale

Ekonomistët e edukimit mbështesin idenë se “investimet në sektorin e edukimit janë rentabël kur ato kontribuojnë direkt në përmirësimin e produktivitetit individual apo kombëtar”. Njohja e një lidhjeje të ngushtë ndërmjet edukimit dhe zhvillimit ka bërë që kombet e zhvilluara të investojnë pa reshtur në sektorin e arsimit. Investimet publike në këtë fushë janë nxitur dhe nga fakti se edukimi nuk luan rol vetëm në promovimin e ekonomisë, por gjithashtu dhe në një aspekt tjetër sensibël siç është “ai i shpërndarjes proporcionale ndërmjet grupeve të ndryshme sociale të fryteve të rritjes ekonomike”. Me të drejtë, edukimi është konsideruar “si një instrument i fuqishëm që promovon barazinë sociale”. Mjafton të përmendin faktin, se edhe në Shqipëri, sipas disa studimeve të fundit, diferencimi i popullsisë në raport me mundësitë e punësimit, llojit të punës, varfërisë dhe të ardhurave nuk është më aspekti gjinor, origjina krahinore apo mosha, por në radhë të parë niveli i tyre arsimor e profesional.

Sipas teorive mbi zhvillimin që ekzistonin në periudhën e pas-luftës së II-të botërore, ishte kapitali ai që përbënte gurin magjik të zhvillimit dhe rritjes ekonomike. Modelet e rritjes ekonomike të periudhës 1950-60 nuk e njohin si thelbësor kontributin e edukimit në zhvillim. Por, studime të mëvonshme në periudhën 1960-70, treguan se zhvillimi nuk mund të shpjegohej vetëm me kontributin e kapitalit dhe fuqisë punëtore. Në këtë kohë, nga autorë të shquar si Denison apo Griliches u fut për herë të parë dhe nocioni i “faktorit të njohurive”, si “instrument i rëndësishëm në rritjen ekonomike. Të gjithë këto studime dhanë prova të pakundërshtueshme se “edukimi rrit produktivitetin dhe kontribuon në rritjen ekonomike dhe të ardhurave kombëtare”, se “diferencat në nivelin e produktivitetit ndërmjet shumë vendeve apo rajoneve mund të shpjegohen nga diferencat në nivelin dhe cilësinë e shkollimit të fuqisë punëtore”. Pasojë e këtij konkluzioni ishte lindja e një kategorie të re ekspertësh: ekonomistëve të edukimit. Krijuesi i këtij koncepti dhe kategorie ekspertësh konsiderohet Keneth Arrow, i laureuar si çmimi Nobel i ekonomisë në 1972.

Efektet e edukimit në cilësinë e kapitalit social

Ideja kryesore e këtij nocioni është vlerësimi i relacioneve bashkëpunuese, procesit të pjesëmarrjes, normave dhe vlerave sociale si një «stok kapitali në nivel makrosocial». Promovimi i tij u bë për herë të parë nga politologu amerikan Putnam në vitin 1995, në librin «Alone: America’s Declining Social Capital», libër që bëri bujë në gjithë botën për këndvështrimin e veçantë. I zhvilluar më tej nga autorë si J. Coleman e P.Bourdieu, por dhe nga institucione ndërkombëtare si OCDE, Banka Botërore: «kapitali social» konsiderohet si një faktor me ndikim vendimtar në ritmet e zhvillimit ekonomik, nivelin e mirëqenies, cilësinë e shëndetit publik, stabilitetin dhe kohezionin social të një shoqërie, shteti apo territori. Vizioni për këtë nocion është i gjerë duke përfshirë këtu «gjithçka që nuk lidhet direkt me tregun, por që bashkë me tregun, përbejnë dhe influencojnë zhvillimin e një shoqërie». Paketa liberale e programeve të «axhustimit strukturor» e FMN po fillon të ketë një binjak po aq të rëndësishëm e përcaktues në rritjen ekonomike të një shoqërie: «dimensionin e efekteve të edukimit në zhvillimin ekonomik». Edhe OCDE-ja, që përfaqëson «klubin» e 33 vendeve më të pasura e të zhvilluara të botës do t’i kthente sytë dhe vëmendjen me mjaft interes drejt këtij koncepti çelës të zhvillimit dhe mirëqeverisjes duke nënvizuar se «rezulton se nocioni i kapitalit social është shumë i nevojshëm në ecurinë dhe rezultatet e punës qeverisëse….se kapitali social ndikon ndjeshëm në reduktimin e pabarazisë sociale dhe prodhon efekte shumë pozitive në nivel makroekonomik».

Edukimi si instrument i eliminimit të varfërisë

Eksperienca në çështjet e zhvillimit ekonomik të viteve 1960-80, tregoi se rritja ekonomike nuk i zhdukte automatikisht pabarazitë sociale. Për pasojë, mbas viteve 1980, preokupimet në fushën e zhvillimit ekonomik u zgjeruan nga nocioni i rritjes në atë të “shpërndarjes së fryteve të rritjes ekonomike”, ndërsa mbas viteve 1990-të ato u shtrinë në “preokupimet dhe masat për reduktimin e varfërisë”. Që në 1980, Banka Botërore theksonte se lufta kundër varfërisë kalon nëpërmjet vlerësimit të burimeve njerëzore, gjë që kërkon veçanërisht vëmendje mbi edukimin dhe formimin profesional. Por ishte UNDP (Programi i OKB për zhvillimin) që në vitin 1990 bëri një mikro-revolucion me përmasa botërore duke përdorur si tregues për progresin e kombeve, “Indikatorin e Zhvillimit Njerëzor”(IDH), i cili nuk llogaritej vetëm mbi bazën e të ardhurave të çdo vendi, por mbi bazën e jetë-gjatësisë dhe treguesve globale të edukimit: niveli i shkollimit dhe gjatësia e viteve të shkollimit. Mundësia dhe cilësia e shkollimit u bë kështu një faktor determinues i zhvillimit ekonomik e social.

Varfëria, që deri në këtë kohë cilësohej vetëm si një mungesë të ardhurash, nën ndikimin e punimeve të ekonomistit të shquar indian A.Sen u vështrua dhe gjykua nën një kënd-vështrim tjetër më origjinal: “si një mungesë kapacitetesh funksionale elementare”. Limiti i “kapaciteteve funksionale” mund të jetë “fizik” – ushqimi, veshjet, kushtet e banimit, vaksinimi kundër sëmundjeve, etj. – apo subjektiv si “e drejta për shprehjen e opinioneve”, mundësia për të marrë njohuri të ndryshme”, etj. Sipas A. Sen, edukimi nuk duhet konsideruar si një dimension cilësor i jetës, i domosdoshëm mbas garantimit të nevojave bazë, dhe as thjesht si një “rrugë e detyrueshme” për të arritur që të sigurohet një nivel i caktuar rritjeje ekonomike, por duhet konsideruar “si një e drejtë fondamentale e integruar në gjithë sistemin e kapaciteteve funksionale”. Sipas këtij këndvështrimi: i varfër duhet të konsiderohet edhe një person që nuk ka kapacitetet e nevojshme të zhvillimit për të qenë në gjendje që të përfshihet e të përfitojë nga gjithë mundësitë ekonomiko-financiare e sociale në mjedisin ku jeton.

Sot pranohet gjerësisht se edukimi, përveç krijimit të mundësive për përvetësimin e njohurive fondamentale (lexim, shkrim, artikulim i rrjedhshëm i mendimit, llogaritje relativisht të komplikuara, arsyetim e logjikë korrekte etj.), duhet të krijojë mundësi dhe për përvetësimin e “njohurive specifike teknike e profesionale” që të përgatisin për të ushtruar një profesion të caktuar, që të zhvillojnë veti adaptuese me realitetin, që nxisin iniciativën dhe « krijimin e punëve apo shërbimeve të reja »,etj. Por ndërkohë që shumë nga vendet në zhvillim, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, sidomos në kuadrin e strategjive për realizimin e Objektivave të Mijëvjeçarit (MDG), po i përqendruan përpjekjet dhe politikat edukative në sferën e kategorisë së parë (arsimit bazë fondamental), vendet e zhvilluara kanë kohë që veprojnë sipas një logjike tjetër në politikat edukative në themel të të cilave qëndron stimulimi i aftësive për tu adaptuar shpejt me ndryshimin, sidomos atyre tekniko-teknologjike e inovative. Sipas Blunkett, “ne kemi hyrë në një shekull të ri në të cilën struktura  dhe mënyra e të  mësuarit do të përcaktojë jetën tone si kurrë më parë…nëse ne do kemi apo jo sukses dhe shpëtim, si individë ose si shtet, kjo do të varet nga dijet, njohuritë, aftësitë dhe të kuptuarit tonë”. Koncepti “të mësohemi që të mësojmë vazhdimisht” për tu përgatitur që të jetojmë në një botë me ndryshime permanente e shumë të shpejta, po sundon në politikat edukuese moderne. Akumulimi i njohurive dhe kompetencat e natyrës thjesht teknike të tipit « arsim profesional », tashmë konsiderohen më pak prioritare se “inteligjenca kritike, hapja ndaj ndryshimeve dhe adaptimi i shpejtë me të rejat, kompetencat sociale, logjika e zhvillimit të qëndrueshëm, etj.”

Edukimi si mjet për të përfituar nga globalizimi

Përvoja moderne tregon se globalizimi, fenomeni më evident i shek.XXI, nuk shpërndan spontanisht progres e mirëqenie apo të ndëshkon me regres e varfëri, por ato duhen kërkuar apo eliminuar nëpërmjet politikave e zgjidhjeve strategjike nga çdo vend. T’i shmangesh apo thjesht të kërkosh mbrojtje prej tij nuk konsiderohet si zgjidhje inteligjente sepse kjo do të thotë ta privosh veten nga efektet dhe mundësitë që të ofron kapitalizmi modern. Globalizimi është pasojë e revolucionit të teknologjive të informacionit e komunikimit si dhe e sistemit të shkëmbimeve tregtare të lira, është zhvillimi i ekonomisë së dijes dhe administrimit të njohurive. Rritja e konkurrencës në shkallë ndërkombëtare që rezulton nga ky proces është shumë më e fortë se konkurrenca klasike e mallrave dhe produkteve me të cilën bota është ndeshur deri tani. Përballimi i saj është i lidhur ngushtë me një proces inovativ permanent të bazuar në njohuri të thella shkencore dhe edukim cilësor, dhe mbi të gjitha në aftësinë e shpërndarjes dhe përvetësimit të tyre në shkallë të gjerë për shumë grupe e kategori sociale.

Përshpejtimi i përmbajtjes intelektuale të procesit të konceptimit, fabrikimit dhe shpërndarjes së produktit apo shërbimit në të gjitha elementet e zhvillimit modern e bëjnë «ekonominë dhe administrimin e dijes dhe informacionit» një faktor esencial të zhvillimit ekonomik e social për çdo vend. Si pasojë e «lehtësisë së transportit» të informacionit dhe globalizimit të cilësive të fuqisë punëtore, njohuritë dhe ekspertiza mund të zhvendosen brenda vetëm një sekonde nga një cep i globit tek një tjetër dhe për pasojë çdo avantazh i përftuar nga një kompani apo vend i caktuar mund të humbasë shumë shpejt në favor të konkurrentëve të tij. I vetmi avantazh krahasues që mund të ketë një kompani apo edhe një sektor i ekonomisë së një vendi mund të vijë vetëm nga procesi inovativ që kombinon njohuritë për tregjet dhe teknologjitë moderne me aftësitë krijuese të «punëtoreve të dijes». Kështu, jo vetëm që arrihet të përballohen problemet e konkurrencës në tregjet lokale e ato ndërkombëtare, por përsoset edhe kapaciteti për ta transformuar «dijen dhe njohuritë» në vlerë të re të shtuar.

Konceptet, praktikat dhe interpretimet për zhvillimin dhe krijimin e pasurisë dhe mirëqenien e kombeve apo shteteve të ndryshme kanë evoluar ndjeshëm. Gjatë dy shekujve të fundit, teoritë ekonomike neo-klasike kanë njohur dhe i kanë mbështetur interpretimet dhe analizat e tyre vetëm në dy faktorë bazë të prodhimit: punën dhe kapitalin. Por tashmë kjo optikë po ndryshon në vetë thelbin e saj. Informacioni dhe dija po zëvendësojnë kapitalin dhe energjinë si faktorë bazë të krijimit të pasurisë e mirëqenies. Në shumë shtete të zhvilluara tashmë është vendosur si prioritet strategjik «futja dhe integrimi në shoqërinë e informacionit dhe ekonominë e dijes» duke ndërtuar projekte e programe speciale financimesh e mbështetjeje publike. Në shumë firma e kompani të vendeve të zhvilluara apo institucione që merren me problemet e zhvillimit ekonomik e social, tashmë po bëhet e zakonshme ekzistenca e një profesion dhe posti të ri pune, ai i «ekspertit për dijen dhe njohuritë e reja» (Chief Knowledge Officer).

Konkurrenca më e madhe e për pasojë dhe pabarazitë në zhvillim, po vijnë gjithnjë  e më tepër si pasojë e asaj që quhet «ekonomia e dijes dhe shërbimeve» e cila mbështetet në sistemet e teknologjisë së lartë të informacionit. Sipas Haudeville, «nocioni i ekonomisë së dijes është bërë një fushë reflektimi e detyrueshme për ekonomitë e zhvilluara, por dhe për një pjesë të atyre në zhvillim». Në mbështetje të teorive të reja për rritjen ekonomike dhe zhvillimin, të cilat integrojnë kontributin e inovacioneve, kërkim-zhvillimit dhe edukimit, “faktori njohuri” po njihet e vlerësohet si element çelës në cilësinë e rritjes ekonomike dhe qëndrueshmërinë e zhvillimit të çdo vendi.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi