Deklaratë e Institutit Demokratik Amerikan për situatën parazgjedhore në Shqipëri

22 mars 2013

Një delegacion ndërkombëtar i Institutit Demokratik Amerikan (NDI), i përbërë nga ish Guvernatori i Vermontit dhe ish Kryetari i Komitetit Demokratik Amerikan, Howard Dean, ish deputetja e Parlamentit të Hollandës dhe të Parlamentit Europian, Lousewies van der Laan, Kryetarja e Komisionit Federal të Zgjedhjeve të Shteteve të Bashkuara, Ellen Weintraub, Robert Benjamin, Drejtor i NDI-së për Rajonin e Europës Qendrore dhe Lindore dhe Ana Kadovic, drejtoreshë rezidente e NDI-së, ka qenë në Shqipëri në datat 18-22 mars ku është takuar me zyrtarë të lartë të shtetit, drejtues të KQZ-së, partive politike, dhe shoqërisë civile.Më 22 mars 2013 Misioni paraqiti në një deklaratë për shtypin vlerësimet e tij për situatën parazgjedhore në Shqipëri.

Në Deklaratë vlerësohet se kuadri i zgjedhjeve në Shqipëri është përmirësuar në një masë të konsiderueshme. Nëse ai do të zbatohet në mënyrë të drejtë, të qëndrueshme dhe të paanshme, në përputhje me standardet ndërkombëtare, vendi do të jetë në gjendje të zhvillojë zgjedhje që meritojnë besimin e popullit dhe pranim të rezultatit. Kjo mundësi mund të shkojë dëm nëse qëndrimet e papërshtatshme partiake e minojnë këtë proces, duke lëkundur besimin e publikut në integritetin e zgjedhjeve dhe duke ulur besimin publik te institucionet politike të vendit. Qytetarët e Shqipërisë, së bashku me partitë politike, duhet të luajnë një rol kritik për të garantuar se votat e tyre numërohen siç duhet dhe për të ruajtur integritetin e përgjithshëm të zgjedhjeve. 

Niveli i besueshmërisë që qytetarët shqiptarë do të kenë në këto zgjedhje varet shumë nga shkalla e administrimit profesionist dhe jo-partiak të procesit zgjedhor në tërësi dhe nga shkalla e transparencës së ofruar nga vëzhgimi aktiv dhe jo-partiak i zgjedhjeve. Gjithashtu, kjo kërkon që rezultati i zgjedhjeve të shqyrtohet në mënyrë të drejtë dhe transparente dhe mosmarrëveshjet të gjykohen duke iu përmbajtur me besnikëri ligjit. Si rezultat, secili prej këtyre faktorëve varet shumë nga përgjegjësia e partive politike që garojnë në zgjedhje, për sa i përket masave të tyre për krijimin e një klime politike që nxit konkurrencën e ndershme dhe informimin e votuesve për alternativat, duke iu përmbajtur rigorozisht parimit të mos-ndërhyrjes së politikës në administrimin e procesit dhe të nxjerrjes së rezultatit; dhe duke krijuar mundësinë për një transparencë të plotë të të gjithë procesit zgjedhor. Një proces zgjedhor demokratik varet po aq edhe nga qytetarët aktivë – si votues, vëzhgues, por ndërmjet të tjerash edhe si kandidatë, komisionerë zgjedhorë, numërues votash dhe si personel i sigurisë – për të kërkuar dhe njëkohësisht për t’iu përmbajtur parimeve të ndershmërisë, sjelljes paqësore, transparencës dhe llogaridhënies. 3

Zgjedhjet që meritojnë besimin e publikut mbështetur në standardet demokratike janë të arritshme. Kuadri zgjedhor dhe kapacitetet administrative janë përmirësuar gjatë 10 viteve të fundit në fusha si listat e votuesve dhe roli i personelit të sigurisë. Procedurat e votimit në ditën e zgjedhjeve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhe zgjedhjet lokale të vitit 2011 u zhvilluan në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Kuadri aktual zgjedhor i ka siguruar Shqipërisë bazën më të fuqishme deri më sot për të pasur një proces profesionist, neutral dhe transparent, dhe në shumë aspekte, ky proces po ecën mirë – por zgjedhjet demokratike mund të bëhen të paarritshme nëse niveli aktual i polarizimit politik nuk zbutet dhe nëse mundësia e manipulimit politik nuk mbahet nën kontroll. Partitë kryesore politike mbajnë përgjegjësi më të lartë për sistemin zgjedhor që ato e kanë hartuar për të pasur në një masë të madhe nën kontrollin e tyre. Gara politike ndërmjet dy partive të mëdha pritet të jetë e ngushtë; kjo krijon shqetësim te publiku se zelli partiak “për të fituar me çdo kusht” mund të çojë në manipulime politike në fazën para-zgjedhore, në fazën e votimit, të numërimit/nxjerrjes së rezultatit dhe të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të këtij procesi.

Partitë politike kryesore kanë detyrën parësore që të sigurojnë që procesi zgjedhor të jetë i lirë nga ndërhyrjet e panevojshme dhe manipulimet partiake, ndërsa elektorati duhet të marrë pjesë aktive në procesin zgjedhor – si votues, mbështetës dhe vëzhgues – për të nxitur transparencën dhe llogaridhënien, të cilat mund të sjellin rritjen e besimit publik gjatë zhvillimit të zgjedhjeve.

Delegacioni vëren se ekzistojnë masa për krijimin e besimit, të cilat mund të forcojnë mundësitë për zgjedhje demokratike: grupet e qytetarëve po monitorojnë procesin para-zgjedhor si pjesë e përpjekjeve për vëzhgim të gjithanshëm, sipas standardeve; partitë politike po diskutojnë me votuesit mbi çështje thelbësore; dhe grupet kryesore të elektoratit, si gratë, po organizojnë iniciativa për të lobuar çështje reformash.

Teksti i plotë i Deklaratës

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi