Qeveria ndryshon buxhetin e 2013, rritet borxhi publik në 63.8% të GDP

5.02.2013

Qeveria pranoi pa kundërshtime se viti 2012 ishte një vit krize dhe duket se pas kësaj qëndrojnë shifrat e realizimit të buxhetit. Treguesit fiskalë të vitit të kaluar tregojnë një mosrealizim të të ardhurave dhe shpenzimeve, kjo jo vetëm nëse krahasimin e bëjmë me buxhetin fillestar, por edhe me aktin normativ.

Më i lartë mosrealizimi ka qenë te shpenzimet, dhe kjo u duk qartë kur qeveria, sikur ka bërë dy vitet e fundit, “stopoi” direkt prokurimet publike, të cilat duhet të kalonin një herë për miratim nga Ministria e Financave. Po kështu, edhe të ardhurat nuk janë realizuar as sa shifra e korrigjuar e aktit normativ, që ishte një ulje e ndjeshme krahasuar me planin fillestar.

Janë plot 28 milionë dollarë që i mungojnë arkës së shtetit në fund të vitit 2012. Sipas aktit normativ që korrigjoi buxhetin e vitit të kaluar, duhet të realizoheshin 332.7 miliardë lekë, por në dhjetor të ardhurat kanë arritur vetëm 329.8 miliardë lekë. Plani i miratuar nga qeveria është realizuar në masën 99 për qind. Shifrat tregojnë se mosrealizimi më i madh rezulton te të ardhurat tatimore, me gati 46 milionë dollarë mungesë, ndërkohë që balancën kanë arritur ta rregullojë të ardhurat nga institucionet buxhetore, taksa mbi biznesin e vogël apo të ardhurat jotatimore. Rënia e dukshme e konsumit të vend duket se ka dhënë efektin e saj te mbledhja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Nga zërat e të ardhurave, nga zëri i TVSH-së rezulton të jenë mbledhur plot 25 milionë dollarë më pak sesa plani i parashikuar nga qeveria. Ndryshimet e çdo mesviti në buxhet kanë goditur gjithmonë investimet publike.

Për vitin 2012 qeveria rezulton që te shpenzimet të ketë një mosrealizim në masën 70 milionë dollarë, nga të cilët 44 janë mosrealizim te shpenzimet kapitale. Pothuajse çdo investim u bë në pjesën e parë të vitit dhe në pjesën e dytë shumica e prokurimeve ishin vlera të papërfillshme. Në total shpenzimet e planifikuara për vitin 2012, sipas aktit normativ, ishin 382.2 miliardë lekë, por në fund të vitit shpenzimet kanë qenë vetëm 375.2 miliardë lekë, çka në përqindje përkthehet 98 për qind e planit të parashikuar. Por, ndërsa për investime qeverisë i është dashur të shpenzojë më pak, për paga i është dashur të dalë jashtë planit, ku nga 58 miliardë lekë të parashikuara, në fund të 2012-s, ky zë rezulton në një vlerë 60.1 miliardë lekë.

Borxhi, qeveria ndryshon buxhetin e 2013, e parashikon sa 63.8% e GDP

Një muaj pas miratimit të buxhetit, qeveria ka ndryshuar mendje për borxhin publik duke e rritur atë në programin ekonomik afatmesëm. Zotimi më i fundit i kabinetit të Berishës ishte që borxhi të mos kalonte 62.6 për qind të GDP-së për vitin 2013 dhe se nga kjo do të përjashtoheshin garancitë që i jepeshin KESH, por një muaj pas këtij zotimi shifrat e reja në dokumentet zyrtare sjellin një borxh më të lartë.

Programi ekonomik i miratuar nga qeveria javën e kaluar sjell një borxh që për vitin 2013 parashikohet 63.8 për qind e GDP-së. Në vlerë, buxheti i këtij viti parashikonte që në total borxhi publik të arrinte 860.7 miliardë lekë, por sipas programit, borxhi për 2013-n mban vlerën 898 miliardë lekë. Qeveria në një muaj ka ndryshuar mendje me plot 38 miliardë lekë. Kjo nuk është hera  e parë që shifrat e buxhetit ndryshojnë vetëm një muaj pas miratimit të tyre.

Ndër vite ndryshimet i janë rezervuar zërit të të ardhurave apo kontingjencave përmes akteve normative të menjëhershme të miratuara nga qeveria. Pothuajse gjithmonë shkak është bërë ndonjë situatë e papritur që lidhej ose me energjinë ose me përmbytjet.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi