Kufizimi i të drejtave dhe lirive Kushtetuese, në kushtet e pandemisë

Nga Jonida Doku, botuar në Shqip, 25 prall 2020

“E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit”, ky postulat merr një rëndësi tjetër, në kushtet e fatkeqësive natyrore që sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën e njerëzve, ndaj i vetmi shteg që do të mund të linte hapësirë për interpretim të drejtë ndaj masave të jashtëzakonshme, që prekën vendin tonë, do ishte ai ligjor. Kushtetuta si ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë dhe Ligji për mbrojtjen civile, kanë ndërtuar infrastrukturën e nevojshme ligjore, me një qasje dhe më europiane se dje, por para emergjencave civile, situatave të papritura me pasoja negative për komunitetin, kupton se vetë komuniteti duhet të kthehet “në më europian” se ligji për respektimin e kufizimit të disa prej të drejtave kur ato vendosen: me ligj, për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve apo edhe për t’u kompensuar ligjërisht.

Me përgjegjësi për të ardhmen, për t’i dhënë përparësi parandalimit para përballjes me fatkeqësitë natyrore, Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën plenare të datës 18.07.2019, Ligjin “Për Mbrojtjen Civile”, i cili do të sillte një mekanizëm të ri të mbrojtjes civile duke e përafruar atë me legjislacionin e BE. Ky ligj ka për qëllim zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë, nëpërmjet forcimit të sistemit të mbrojtjes civile.

Vendi ynë, në më pak se 1 vit nga miratimi i këtij ligji dhe në jo më shumë se 6 muaj u prek nga dy gjendje fatkeqësie që do të pasonin njëra tjetrën, të cilat ishin aq të ndryshme për t’u takuar vetëm në një pikë të përbashkët, në regjimin kushtetues që do diktonte marrjen e masave të jashtëzakonshme. Pikërisht, nga tërmeti i datës 26.11.2019 dhe nga përhapja e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19 edhe në territorin tonë, u shpall gjendje e fatkeqësisë natyrore, pas evidentimit të dy rasteve të para më datë 09.03.2020.

Nuk është e vështirë të kuptojmë se, në memorien e shoqërisë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore e gjejmë të lidhur ngushtë me dukuritë natyrore, por në këtë fillim shekulli të ri do gjente vend një pandemi e cila mund të godiste me fort se zjarri, tërmeti, përmbytjet, ngricat apo orteqet, nëse nuk do të kuptonim rolin që kishte disiplinimi, i shtrirë në mbarë territorin e vendit për dobësimin e kësaj dukurie. Ndaj masat këshilluese, udhëzimet dhe ndërgjegjia e lartë e popullatës nuk mund të ishin “një sprovë”, por diktohej një rregullim ligjor i posaçëm deri sanksionues për parandalimin e pasojave më të rënda.

Kushtetuta ka parashikuar nivelin e kufizimit të të drejtave dhe lirive të njeriut gjatë gjithë periudhës së ekzistencës së gjendjeve që kërkojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme dhe ato, mund të vendosen, vetëm për shkak të:

–         Shpalljes së gjendjes së luftës,

–         Shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme,

–         Shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Për secilën prej tyre, kemi një rend juridik më vete dhe gabojmë të shoqërojmë çdo koncept të mësipërm me fjalën shoqëruese “jemi në gjendje të jashtëzakonshme”. Vendi ynë do të ishte futur në “gjendjen e jashtëzakonshme”, në rast rreziku për rendin kushtetues dhe për sigurinë publike, dhe do të ishte Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave, ai që do të të vendoste për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Pra proçedura për shpalljen e tyre është e ndryshme dhe të drejtat që gjejnë kufizim janë po aq të ndryshme. Në çdo rast aktet për shpallje të gjendjes së luftës, gjëndjes së jashtëzakonshme apo gjendjes së fatkeqësisë natyrore, duhet të cilësojnë nivelin e kufizimit të të drejtave sipas Kushtetutës.

Vendi ynë është futur në “gjendjen e fatkeqësisë natyrore” për shkak se Ligji për mbrojtjen civile, ka përkufizuar se, “Fatkeqësi natyrore” janё fatkeqësitë që shkaktohen nga dukuri natyrore ekstreme, që lidhen me tërmete, … sëmundjet infektive masive dhe dukuri të tjera që ndikojnë në jetën e njerëzve, gjënë e gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin. Ndaj kufizimi i disa prej lirive dhe të drejtave vetjake apo i disa prej të drejtave ekonomike, sociale dhe kulturore të shtetasve, në gjendjen e fatkeqësisë natyrore janë pasojë ligjore.

Cilat janë këto të drejta kushtetuese që shtetasit i gëzojnë në kushtet e zakonshme të funksionimit të shtetit dhe vetëm gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore mund të kufizohen?

Të drejtat dhe liritë e parashikuara nga nenet: 37, 38, 41 paragrafi 4, 49, 51, konkretisht këto nene në kushtet normale të funksionimit të shtetit, garantojnë të drejta vetjake të shtetasve si më poshtë:

–         Paprekshmërinë e banesës, kontrollet e banesës si dhe të mjediseve që njësohen me të,

–         Kontrolli vetjak jashtë proçesit penal,

–         Të drejtën për të zgjedhë vendbanimin dhe të drejtën e lëvizjes lirisht në çdo pjesë të territorit të shtetit,

–         Të drejtën për të mos penguar askënd për të dalë lirisht jashtë shtetit,

–         Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin,

–         E drejta për punë si dhe e drejta për grevë.

Vlen të theksojmë se, kufizimi i tyre duhet të jetë në përpjesëtim me shkallën e rrezikut dhe me synim, rivendosjen sa më shpejtë të kushteve për funksionimin normal të shtetit. Në çdo rast, njihet e drejta për kompensim e cila bëhet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave dhe është një nga të drejtat më të rëndësishme për rimëkëmbjen e shoqërisë. Kompensimi kryhet nga buxheti i shtetit, donacione të ndryshme dhe burime të tjera.

Një pyetje që gjen shpesh terren dhe pse në një terren ende të rrezikuar nga pandemia, është se, “kur do mbarojë kjo situatë”? Nisur dhe nga regjimi i ri i jetës, që nuk po na gjen të mësuar, duket se kufizimi i të drejtave, gjeti të pamësuar shtetasit nga vendet komuniste deri tek ato me demokracitë më të shëndosha, por ndërkohë që shkenca vijon kërkimet e saj, legjislacioni ynë i brendshëm ka parashikuar afate se deri kur mund të vazhdojë kufizimi i të drejtave të shtetasve, konkretisht jo më gjatë se 30 ditë nga data 24.03.2020. (Nga publikimi në Fletore Zyrtare të Vendimit nr.243, datë 24.3.2020). Ky afat mund të  zgjatet vetëm me pëlqimin e Kuvendit, kundrejtë një raporti justifikues.

Cilat janë subjektet që duhen bërë bashkë, për zvogëlimin e riskut?

Gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore mund të vendosen dhe të zbatohen masa të jashtëzakonshme për përballimin dhe lehtësimin e pasojave të fatkeqësisë, për:

–         Institucionet publike

–         Strukturat operacionale të sistemit të mbrojtjes civile

–         Subjektet private

–         Shtetasit

Ndërkohë që subjekti i “posaçëm shtet” duhet të garantojë ndër të tjera, “parimin e së drejtës për mbrojtje”, ku mbrojtja dhe shpëtimi i jetës së njerëzve ka prioritet mbi çdo aktivitet tjetër të mbrojtjes civile, kjo situatë nuk duhet të gjej të pa përgatitur subjektet private. Pikërisht, Ligji për mbrojtjen civile, parashikon për subjektet private, përfshirjen e tyre në detyra të veçanta, në përputhje me përgatitjen, aftësitë dhe me nevojën për të ndihmuar në kapërcimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri në mbylljen e përkohshme të veprimtarive të tyre, detyrimin për kryerjen e shërbimeve të ndryshme në funksion të përballimit të fatkeqësive, detyrimin për prodhimin e artikujve të emergjencës. Gjithashtu shtetasit janë subjekt po aq i rëndësishëm i këtij ligji që kanë detyrim zbatimin e urdhrave,të masave dhe të udhëzimeve të autoriteteve të mbrojtjes civile, detyrimin për të informuar lidhur me të dhënat që ndihmojnë institucionet publike në përballimin e gjendjes së fatkeqësisë.

Forcimi i bashkëpunimit të të gjitha institucioneve e strukturave në nivel qendror dhe vendor, të  përfshirjes së subjekteve private, bashkëpunimit me shoqatat dhe organizatat e shoqërisë civile, si dhe shtetasve kontribon në uljen e riskut nga fatkeqësia, ndaj implementimi i këtij ligji të ri dhe marrja e masave të jashtëzakonshme në përputhje me të, konsiderohet përveçse risi edhe një hap i rëndësishëm që parapriu lehtësimin e pasojave ndaj kësaj epidemie që preku vendin tonë.

Gjithashtu me rëndësi për të përmendur është edhe mbrojtja e posaçme që ligji i ofron duke përjashtuar në mënyrë eksplicite, kategoritë që nuk mund të angazhohen në operacione për parandalimin dhe përballimin e fatkeqësive, si: personat me aftësi të kufizuara dhe personat që kujdesen për ta; personat me probleme shëndetësore; gratë shtatzëna, nënat me fëmijë nën 10 vjeç dhe prindërit e vetëm me fëmijë nën moshën 15 vjeç; personat nën 18 dhe mbi 65 vjeç. Sinjali i alarmit për njoftimin e hershëm të popullsisë për marrjen e masave të menjëhershme për mbrojtjen nga fatkeqësitë, duhet të jetë i komunikueshëm për kategoritë e mëposhtme të personave: me vështirësi në dëgjim ( me anë të shenjave pamore); me vështirësi në shikim (me anë të sinjaleve akustike dhe të prekshme); me kufizime intelektuale (në formate të thjeshtuara, përmes mesazheve me piktograme ose gjuhë e thjeshtë në media).

Në një kohë të pazakontë për vendin, ku nuk mungojnë debatet politike, ilustrimet që qarkullojnë në media për realitetin me të cilën po përballet i gjithë globi ndaj kësaj pandemie, deklarata të personaliteteve të shëndetësisë dhe shkencës botërore që janë aq të ndryshme sa vetë dinamika e kësaj sëmundje infektive, zgjodha të sillja këtë qasje juridike pasi marrja e masave të jashtëzakonshme që ka marrë vendi ynë është reflektim i ligjeve të brendëshme të  shtetit. Gjithashtu për të forcuar dhe në terma ligjor, nevojën për ndërgjegjësim publik, pasi secili prej nesh, si shtetas, shoqëri civile, organizata, subjekte private apo media janë hallkë e rëndësishme, e pazëvendësueshme në zvogëlimin e riskut përpara kësaj beteje për jetën.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi