Indikatorët e zbulimit të korrupsionit

Nga Fejzi Kolaneci, botuar në Mapo, 31 tetor 2018

Korrupsioni ka qenë një fenomen i përhapur dhe i përsëritur gjatë historisë njerëzore. Ai ka qenë i pranishëm në të gjitha sistemet politiko-shoqërore, në nivele dhe forma të ndryshme. Kodi Hammurabi i shekullit 18 p.e.r. specifikon masa ndëshkimore të bazuara ligjërisht kundër nëpunësve të korruptuar, veçanërisht për korrupsionin e gjyqtarëve. Në shekullin 4 p.e.r., Kaulitiliya, Kryeminisër i Mbretërisë së Indisë, ka shkruar librin Arathasastra në të cilin ka diskutuar edhe korrupsionin. Aristoteli, Platoni, Tuqidhidhi, Makiavelli dhe Rusoi e kanë studuar   korrupsionin shtetëror. Dante i ka vendosur mitëmarrësit në rrethin më të thellë të ferrit, duke pasqyruar neverinë mesjetare për njerëzit e korruptuar. Shekspiri i ka dhënë korrupsionit një vend të spikatur në disa nga veprat e tij. Kushtetuta e Amerikës e vlerëson rryshfetin si një krim të qartë, i cili justifikon fajësimin e Presidentit të Amerikës. Politikanë të njohur (presidentë, kryeministra, ministra) i kanë humbur pozitat e tyre për shkak të korrupsionit dhe, në disa raste të rralla, klasa politike është zëvendësuar tërësisht.

Korrupsioni është një aktivitet djallëzor që shkaktohet nga mangësi psiko–sociale të normave të sjelljes së njerëzve, i cili synon të prodhojë avantazhe ose përfitime të jashtëligjshme për vehten ose për familjen ose për miqtë, shokët ose për aleatët politikë. Shkak kryesor i korrupsionit është tundimi. Korrupsioni është një koncept me shumë kuptime ose një bashkësi konceptesh njëkuptimore, të cilët bëjnë pjesë në shkencat ekonomike, politike, psikologjike dhe matematike. Deri më sot nuk është zbuluar njësia matëse e korrupsionit. Në kuptimin popullor, korrupsioni është shpërdorim i pozitës shtetërore për të siguruar përfitime joshtetërore.

Katalogu i aktiviteteve korruptive përmban ryshfetin, kërcënimin, ushtrimin e ndikimit, përvehtësimin e pronës ose pasurisë së tjetrit, shpejtimin ose ngadalësimin e qëllimshëm të kryerjes së punës ose favorizimin duke paguar para, mashtrimin, nxjerrjen në shesh të informacioneve sekrete ose konfidenciale, nepotizmin, etj. Korrupsioni ekziston jo vetëm në institucione shtetërore të niveleve të ndryshme por edhe në sektorin privat dhe në organizata ndërkombëtare.

Një aktivitet njerëzor, pavarësisht nëse ai është shtetëror, privat ose jofitimprurës, pavarësisht nëse ai zhvillohet në Amerikë, Itali, Japoni, Rusi apo Shqipëri, ka prirje të bëhet aktivitet i korruptuar në qoftë se një person (ose një grup njerëzish) ka monopolizuar fuqinë mbi një mall ose shërbim, gëzon lirinë e gjykimit dhe të veprimit për të vendosur ofertën dhe çmimin e këtij malli ose shërbimi dhe ky person (ose grup njerëzish) nuk i jep llogari askujt (nuk mban përgjegjësi) për zhvillimin e aktivitetit. Pra, në kuptimin metaforik, korrupsioni shprehet me formulën Klitgaard-Kolaneci:

K =  M + L – P, ku K tregon korrupsionin, M tregon monopolizimin e fuqisë, L tregon lirinë e gjykimit dhe veprimit, ndërsa P tregon përgjegjësinë.

Përmirësimi i qeverisjes është thelbësor për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për përmirësimin e nivelit të jetesës së njerëzve të varfër. Por, të dyja këto objektiva kryesore kërcënohen nga korrupsioni. Programet dhe strategjia e qeverisjes së mirë kanë komponent kryesor strategjinë antikorrupsion. Asnjëherë nuk duhet nënvlerësuar nevoja urgjente që ka korrupsioni për mbështetje nga forca politike. Korrupsioni ndihmohet dhe nxitet edhe nga qëndrimi i gjatë në pushtet i së njëjtës parti politike.

Shkencëtarë të shquar në teorinë e korrupsionit (S. Rose-Ackerman, R.E. Klitgaard, etj.) kanë argumentuar se “në shtete në tranzicion, me institucione politike dhe administrata relativisht të dobta, korrupsioni shndërrohet në një sistem”, në kuptimin e Analizës Sistemore të Aplikuar. Kjo do të thotë se sistemi i korrupsionit funksionon si një i tërë dhe përbëhet nga disa nënsisteme që bashkëveprojnë midis tyre, në përputhje me vendimet e marra nga organi drejtues i këtij sistemi. Rrjedhimisht, sistemi i korrupsionit duhet të luftohet me anën e sistemit të antikorrupsionit.

Një rast tipik i studiuar nga Profesori R.E. Klitgaard është korrupsioni sistemor në shtete në tranzicion, kur partia në pushtet dhe partia opozitare kryesore janë përkohësisht të pafuqishme për të fituar luftën kundër disa liderëve dhe biznesmenëve të korruptuar. Ky rast tipik paraqet interes studimi edhe për Shqipërinë.

Kur institucionet shtetërore vuajnë nga “sëmundja” e quajtur “korrupsion sistemor”, shumica e popullit pëson humbje, ndërkohë që politikanë të korruptuar, biznesmenë të korruptuar dhe nëpunës shtetërorë të korruptuar sigurojnë fitime shumë të mëdha. Korrupsioni sistemor ka dy komponentë: korrupsionin e centralizuar dhe atë të decentralizuar, ndër të cilët komponenti i parë është kryesor.

Strategjia e sistemit antikorrupsion fokusohet në sistemin e korrupsionit dhe jo vetëm në individë të korruptuar. Në vend që të mendohet se lufta kundër sistemit të korrupsionit përqëndrohet vetëm në individë imoralë të cilët nuk respektojnë ligjet e shtetit dhe besimin që u është dhënë, ne duhet të mendojmë se kjo luftë duhet të ketë objektiv kryesor sisteme të cilat janë të prekshme dhe të dyshueshme nga disa aktivitete të ndaluara (përshembull, sistemi doganor, sistemi i tatim–taksave, sistemi i drejtësisë, sistemi i arsimit, sistemi i shëndetësisë, sistemi bankar, etj).

Indikatorët e korrupsionit nuk janë evidentë. Ata japin kontribute të ndryshme në zbulimin dhe ndëshkimin e aktiviteteve korruptive, në kuptimin që disa prej këtyre indikatorëve janë më të rëndësishëm se të tjerët. Në qoftë se këta indikatorë ndodhin në mënyrë të përsëritur ose të kombinuar me njëri–tjetrin, atëherë ndihmojnë jo vetëm në rritjen e dyshimit por ndoshta edhe në fillimin e procedurave të ndjekjes penale ndaj nëpunësit shtetëror të akuzuar për korrupsion.

Në cilindo kontroll antikorrupsion nuk duhet të përdoret me paramendim një nënbashkësi e bashkësisë së indikatorëve të korrupsionit, sepse mund të zvogëlohet niveli real i aktivitetit korruptiv.

Ekzistojnë dy lloje indikatorësh të korrupsionit: indikatorë neutralë dhe indikatorë specifikë.

Indikatorët Neutralë të Korrupsionit

Indikatorët neutralë shqyrtohen në lidhje me qëndrimin dhe sjelljen personale të nëpunësit shtetëror në punë dhe jashtë saj. Këta indikatorë janë konsideruar të pranueshëm edhe nga opinioni shoqëror. Indikatorët netutralë të vrojtuar më dendur në aktivitete korruptive gjatë tri dekadave të fundit në shtete të ndryshme të botës janë këta:

  1. Pasurim i madh dhe i paargumentuar në mënyrë të ligjshme. Ndryshim i pashpjegueshëm i nivelit të jetesës. Mënyrë jetese luksoze, e cila nuk mund të sigurohet me të ardhurat familjare ose personale. Përshembull, ndërtim ose blerje e një vile, blerje e një vile të dytë ose apartamenti në bregdet, blerje e një veture të shtrenjtë, shpenzime të tepruara për veshje, për pushime dhe për argëtime të ndryshme, veçanërisht në lojrat e fatit, etj.
  2. Probleme sociale apo personale, të tilla si nepotizëm, varësi e theksuar ose detyrime ndaj një personi tjetër.
  3. Punësim i dytë jashtë institucionit, i cili është shumë i afërt në kuptim kritik me detyrën shtetërore (dmth, në kundërshtim me interesat e institucionit).
  4. Pranime ftesash të ndryshme nga biznesmenë për pushime fundjave në vila ose hotele luksoze, dreka ose darka në lokale të shtrenjta, vizita private në kompani ose firma të ndryshme ose në panaire tregëtare, etj.
  5. Pranime marrëveshjesh të pazakonshme dhe speciale për blerje sendesh ose shërbimesh, zbritje e theksuar e çmimit të blerjes ose favorizim në periodën e shlyerjes së pagesës.
  6. Bujari e tepruar në dërgim dhuratash (bile edhe me adresë shtëpie); zemërgjerësi e shtirur kundrejt shefit.
  7. Pjesëmarrje e dendur në takime private me shefa, me propozues ofertash (biznesmenë pjesëmarrës në tendera), pjesëmarrje në evenimente private ose biznesi.
  8. I lejon vehtes të jetë i domosdoshëm në punë; përshembull, shkon në punë ndonëse është i sëmurë, për të mënjanuar ndodhinë që punonjës të tjerë të njohin në brendësi “marifete” që ai ka kryer.
  9. Mashtrues (përshembull, një politikan mashtron në deklarimin e pasurisë; një oficer i policisë gjyqësore mashtron duke deformuar faktet e një hetimi).
  10. Merr në shtëpi dokumente të rëndësishme të punës.
  11. Trajtim i saktë i rasteve tepër të vështira ose delikate, ndonëse nëpunësi nuk ka përgatitje teoriko–shkencore të nevojshme, specializim dhe eksperiencë pune.
  12. Vetmi e pashpjegueshme; fjalëpak me eprorët dhe kolegët.
  13. Ndryshim i menjëhershëm dhe i pashpjegueshëm i opinionit vetiak; përshembull, duke e mbështetur një projekt, të cilin më parë e kishte kundërshtuar.
  14. Refuzim i paargumentuar për të bërë rivlerësimin ose çuarje përpara të punëve, veçanërisht kur këto kanë të bëjnë me përmirësime teknike, teknologjike ose metodologjike.
  15. Mungesë pakënaqësish ose konfliktesh në raste kur këto janë të zakonshme ose të pritshme.
  16. Ton zëri i pazakontë ose i shkujdesur me shefa ose me vartës ose me publikun.

Indikatorët Specifikë të Korrupsionit

Në ndryshimin nga indikatorët që janë neutralë ndaj korrupsionit, indikatorët specifikë të korrupsionit duhet të konsiderohen si sinjale ose shenja paralajmëruese, të cilat duhet të çojnë në rritjen e dyshimit për ekzistencën e parregullsive ose të shkeljeve ligjore. Përvoja e korrupsionit në shtete të ndryshme të botës gjatë dekadave të fundit sugjeron se indikatorët specifikë të konstatuar më dendur në aktivitete korruptive janë këta:

  1. Vendime të pashpjegueshme të cilat nuk janë marrë më parë në mënyrë të tillë.
  2. Vlerësime ose trajtime të ndryshme të rasteve që kanë të dhëna ose fakte të njëjta.
  3. Shpërdorim ose interpretim i njëanshëm i fuqisë vetiake të lirisë së gjykimit ose të veprimit.
  4. Moskryerje kontrollesh ose revizionimesh, ndonëse ka shkaqe të arsyeshme për kryerjen e tyre.
  5. Manipulim i trajtimit të një rasti, i cili është studiuar dhe vlerësuar më parë nga nëpunës të tjerë brenda institucionit.
  6. Parakalim i kompetencave të eprorëve në raste kritike dhe shtrirje e papranueshme e fuqisë ligjore të ngarkuar.
  7. Praktikë e përsëritur e takimeve jashtë pune, pa ndonjë shpjegim të besueshëm për lidhje të tyre me punën.
  8. Preferencë e përsëritur për mbështetjen e disa personave pjesëmarrës në tendera.
  9. Futja në bisedime për një marrëveshje të pafavorshme për institucionin.
  10. Butësi e dukshme gjatë bisedave për kontratat.
  11. Mungesë e dëftesë pagesës për shërbime ose e vulës me orë në korrespondencën zyrtare me pjesëmarrës në tendera ose me kontraktorë.
  12. Ankesa nga kontraktorë ose pjesëmarrës në tendera, në të cilat evidentohen parregullsi të procedurave të zbatuara nga nëpunësi shtetëror, veçanërisht në rastet kur këto ankesa nuk janë marrë parasysh nga institucioni shtetëror përkatës.
  13. Zhdukje ose fshehje dokumentash të marrjes së vendimeve, të kontratave të rëndësishme ose të inspektimeve të kryera.
  14. Nëpunësi shtetëror zhvillon një lojë të pandershme me dy ose më shumë klientë.
  15. Vizita të rregullta të disa biznesmenëve, kontraktorëve ose klientëve në zyrën e nëpunësit shtetëror.
  16. Diskutime të hapura të disa nëpunësve shtetërorë në mjedise konfidenciale, që kanë lidhje me mënyra të vepruari ose sjellje jokorrekte të cilat, në qoftë se do të zbatoheshin, do të sillnin përfitime personale.
  17. Tendencë për stërzgjatjen e disa kontrolleve të ushtruara nga nëpunësi shtetëror ose për dhënien e konkluzioneve përkatëse.
  18. Shoqërime që bien në sy, madje edhe takime private, të nëpunësit shtetëror me persona kriminelë ose mafiozë ose të korruptuar ose të dënuar.
  19. Kundërshtim ose mospërfillje nga ana e nëpunësit shtetëror ndaj dyshimeve të ngritura për disa individë, firma ose kompani.
  20. Nxjerrje në shesh në mënyrë të pashpjegueshme e informacioneve sekrete ose konfidenciale nga ana e nëpunësit shtetëror.
  21. Miratim i porosisë ose udhëzimit të dhënë nga eprori, që një rast kritik të trajtohet si rast i zakonshëm.
  22. Mospërfillje e dyshimeve për zbatim të ligjshmërisë në veprime të kryera më parë.
  23. Përshpejtim, ngadalësim ose ndërprerje e paargumentuar e trajtimit të një rasti.
  24. Dobësim i kontrollit të brendshëm; përshembull, mbyllje e një seksioni të dobishëm në punë ose lejim i disa nëpunësve që të bëhen të pavarur.
  25. Parakalim i tenderave; mungesë larmie në ofertat e tyre.
  26. Kërkesë për blerje dhe instalim sistemesh logjistike të teknologjisë së vjetëruar dhe me efektivitet të ulët.
  27. Kryerje blerjesh me çmime më të larta se ato që ofron kursi i tregut; dublim i dëftesave të pagesave.
  28. Ndryshime të shpeshta dhe gabime aritmetike të qëllimshme në dokumente të kontratave ose tenderave.
  29. Njolla korruptive nga e kaluara e nëpunësit shtetëror.
  30. Financime të fuqishme (madje edhe të njëkohshme) të disa partive politike kryesore në fushata zgjedhore nga kompani private ose biznesmenë.
  31. Pengim i paargumentuar dhe i qëllimshëm nga ana e një pushtetari kryesor i investimeve ose zhvillimit të prodhimit vendas në një fushë të caktuar, sepse cënohen interesa të përfitimit personal ose të ndonjë monopoli (përshembull, pengim i kultivimit të panxharsheqerit në fushën e Korçës dhe i prodhimit të sheqerit në Kombinatin e Maliqit).

Në listat e mësipërme janë renditur 16 indikatorë neutralë dhe 31 indikatorë specifikë të korrupsionit, gjithsej 47 indikatorë.

Indikatorët e korrupsionit përmbajnë fakte reale. Ata nuk janë thjesht supozime ose hipoteza. Prandaj, këta indikatorë kanë forcë investiguese.

Dy faktorë shumë të rëndësishëm të mbijetesës së sistemit të korrupsionit janë mungesa e monitorimit të indikatorëve të korrupsionit dhe mungesa e vullnetit politik për ndëshkimin e aktiviteteve korruptive.

Në qoftë se korrupsioni do të mbahet në nivele të ulta për të gjithë administratën për një periudhë kohore dhjetëvjeçare, atëherë shpresohet të gjenerohet një trajektore e gjendjes së qëndrueshme me nivele të ulta korrupsioni.

Mbijetesa e korrupsionit shpeshherë është argumentuar me anën e parimit të reputacionit të keq të brezave:

Të rinjtë trashëgojnë një reputacion të keq nga persona të korruptuar të moshuar. Për pasojë, një pjesë e brezit të ri ndikohet nga përvoja korruptive e të moshuarve. Një rrjedhim i drejtpërdrejtë i këtij argumentimi është rreziku serioz i korruptimit të një pjese të konsiderueshme të studentëve në mjedise universitare të infektuar nga korrupsioni. Mund të imagjinohet dëmi kolosal i familjeve dhe i krejt shoqërisë shqiptare, i shkaktuar nga ky lloj korrupsioni.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi