Produktiviteti si çelësi i zhvillimit dhe pasurimit

Nga Adrian Civici, botuar në Panorama, 23 nëntor 2018

Vazhdojmë të jemi një vend dhe një ekonomi në kërkim të ethshëm drejt reduktimit të varfërisë,  zhvillimit dhe pasurimit. “Pasuria e Kombeve” e Adam Smith apo “rrugët dhe shkaqet e dështimit apo pasurimit të kombeve” të mjaft autorëve të tjerë të shquar vazhdojnë të trajtohen si sfida e të marrin përgjigje nëpërmjet “fjalëve çelës” apo “magjike” të përkthyera e konkretizuara në politika ekonomike e strategji zhvillimi në vende e kontinente të ndryshme. Përgjigjja sa e vjetër aq dhe moderne, duket se vazhdon të jetë e ngjashme: “Nëse doni të reduktoni varfërinë dhe të pasuroheni, rrisni produktivitetin” … përmirësoni raportin ndërmjet sasisë së produkteve të prodhuara kundrejt mjeteve të përdorura për prodhimin e tyre … përmirësoni sasinë e kapitalit të përdorur (sidomos kapitalit human) për njësi prodhimi!”.

Elementet bazë që kushtëzojnë nivelin e produktivitetit, pra themelet që të çojnë drejt zhvillimit dhe pasurimit, janë tri: cilësia e kapitalit human, teknikat dhe teknologjitë e reja dhe investimet në asetet fikse. Vendet më të pasura apo ato me ritëm të lartë pasurimi evidentojnë një tregues thelbësor të përbashkët: produktivitetin e lartë dhe të qëndrueshëm. Një raport i Bankës Botërore tregon se niveli i produktivitetit të punës në Shqipëri është më i ulët sesa në çdo vend tjetër të Europës. Krahasimet tregojnë se produktiviteti i punës, i matur nëpërmjet Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për një punëtor, në 2-3 vitet e fundit në Shqipëri rezulton rreth 31000 usd, në SHBA ishte 60000 usd për punëtor, në Lituani ishte 57000 usd, Estoni ishte 48000 usd. Produktiviteti i punës në Shqipëri është sa një e treta e mesatares rajonale dhe sa një e pesta e 11 vendeve më të zhvilluara të Bashkimit Europian.

Produktiviteti është gjithashtu edhe nën një kërcënim të vazhdueshëm, pasi popullsia e Shqipërisë po plaket, gjë që në afat të mesëm dhe të gjatë do të ushtrojë presion mbi rritjen e produktivitetit. Numri i emigrantëve shqiptarë u rrit më shumë se trefish gjatë dekadave të fundit: nga 0.2 milionë në vitin 1990 në 1.05 milionë në vitin 2017, shifër kjo që përbën pothuajse 40 për qind të popullsisë rezidente. Kjo shifër është më e larta në Ballkanin Perëndimor, pas Bosnjë dhe Hercegovinës. Shqipëria po përballet frikshëm me ikje të punonjësve të kualifikuar. Statistikat dëshmojnë për humbje të rreth 40% të fuqisë punëtore të arsimuar.

Duke e llogaritur produktivitetin e punës si raportin mes shitjeve totale të ndërmarrjeve me numrin e punonjësve të tyre, produktivitet i ulët nënkupton eficiencë të dobët dhe vështirësi konkurruese si në kuadrin e një ndërmarrjeje të veçantë, ashtu edhe për ekonominë në tërësi. P.sh, një ndërmarrje apo SME që prodhon 1 milion usd produkte me 100 punonjës, është dy herë më produktive se një ndërmarrje tjetër që e prodhon të njëjtën vlerë me 200 punonjës. Sipas INSTAT, rreth 70% e meshkujve dhe 61% e femrave shqiptare punojnë më shumë se 40 orë në javë. Një punonjës shqiptar punoi mesatarisht në javë 42.9 orë, gati 7 orë në javë më shumë se mesatarja e vendeve të BEsë, por produktiviteti në punë është shumë më i ulët se në vendet ku orari i punës është më i reduktuar.

Në Shqipëri, produktiviteti i punës vlerësohet nga një studim i BERZH-it në rreth 10 mijë euro në vit, nga 15 mijë euro në Maqedoni, rreth 30 mijë euro mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe rreth 50 mijë euro në 11 vendet e para të BE-së. Në rajon, produktivitetin më të lartë e kanë Bosnja dhe Serbia, ndërsa Maqedonia dhe Kosova, që rezultojnë në dy vendet e parafundit, kanë një produktivitet pune rreth 50-55% më të lartë se Shqipëria.

Në krahasim me mesataren e BE-së, produktiviteti i dobët është karakteristik për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili sipas BERZH-it, ka një produktivitet mesatar rreth 60% në krahasim me vendet e zhvilluara të BE-së. Një punëtor në Maqedoni krijon vetëm 43.8 për qind të mesatares së vlerës së shtuar që e krijojnë punëtorët në nivel të BE-së. Greqia është dyfish më e mirë se Maqedonia me 85.6 %, Kroacia me 70%, Rumania me 57% dhe Sllovenia me 81.6% të mesatares europiane të vlerës së shtuar të punëtorëve. Punëtorët më produktivë janë ata të Luksemburgut me 170% të mesatares europiane , Norvegjia me 146% dhe Zvicra me 122%.

Sipas INSTAT-it (Produktiviteti i matshëm i punonjësve sipas aktivitetit ekonomik dhe madhësisë së ndërmarrjeve, 2015) në Shqipëri, me produktivitet pune më të lartë rezultojnë ndërmarrjet e mëdha me mbi 250 të punësuar, veçanërisht ato të industrisë nxjerrëse, ndërsa me tregues më të ulët ato të sektorit të akomodimit dhe shërbimit ushqimor. Ndërsa për SME-të, produktivitetin më të lartë e kanë sipërmarrjet e ndërtimit dhe më të ulët ato të shërbimeve, energjisë elektrike, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve. Sektorët me nivelin më të mirë të produktivitetit të punës figurojnë tregtia, me 7.8 milionë lekë/vit, industria nxjerrëse me rreth 7 milionë lekë në vit. Nivelin më të ulët e ka sektori i hotel-restoranteve, me 780 mijë lekë/vit dhe sektori i industrisë përpunuese, me 2.4 milionë lekë/vit, sektor që mban një peshë të rëndësishme të punësimit në vend.

Në Shqipëri, faktorët kryesorë të nivelit problematik të produktivitetit kanë të bëjnë me përdorimin e ulët të teknologjive të reja e inovacioneve në proceset e prodhimit dhe shërbimit, me cilësinë e ulët të formimit profesional të forcës së punës dhe menaxherëve, në strukturën e brishtë të bizneseve dhe ekonomisë sonë në tërësi të dominuar tërësisht nga bizneset mikro, në mungesën sistematike të politikave ekonomike e zhvillimore të adresuara në rritjen e produktivitetit, me strukturën e IHD etj..

Përtej faktit shumë pozitiv të uljes së papunësisë në nivelin 12.4% dhe krijimin e mbi 220 mijë vendeve të reja të punës në 4-5 vitet e fundit, në raport me nivelin e ulët të produktivitetit, problem shqetësues mbetet struktura e vendeve të reja të punës të krijuara dhe impakti i tyre i kufizuar në zhvillimin ekonomiko-social dhe rritjen e produktivitetit. Sipas Bankës Botërore, shumica e vendeve të reja të punës të krijuara në Shqipëri, përfitohen nga persona me arsim fillor ose 9-vjeçar. Vetëm 20% e vendeve të reja zihen nga persona me arsim të mesëm ose të lartë, ndërkohë që p.sh., vendet e reja të punës të krijuara ndërmjet viteve 2014 dhe 2016 kanë qenë mesatarisht më pak produktive sesa vendet ekzistuese, të nxitura kryesisht nga vetëpunësimi dhe punësimi në vende më paga të ulëta si sektori i fasonerisë apo call-center.

Arsyeja e kësaj gjendjeje shkaktohet nga dy faktorë me natyrë strukturore dhe ndikime afatgjata: nivelin e ulët arsimor dhe profesional të forcës disponibël të punës dhe dominimin e vendeve të punës të hapura me investime minimale ose vetëpunësime modeste. Kjo është arsyeja kryesore përse Shqipëria ka pagën minimale dhe mesatare më të ulët në Ballkan dhe Europë.

Edhe Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri janë më të fokusuara në burimet natyrore, prodhimet bujqësore e ushqimore, infrastrukturës dhe telekomunikacionit, duke shfaqur mungesa të dukshme në investimet e teknologjisë së lartë e inovative, linja prodhimi apo shërbimesh me intensitet të lartë kapitalesh, sektorë prodhues me vlerë të lartë të shtuar apo vende pune, ku kërkohen aftësi të larta profesionale.

Është e domosdoshme që t’i përmirësojmë masat dhe politikat specifike për nxitjen e IHD-ve në drejtim të krijimit të kushteve sa më të përshtatshme për stimulimin e kategorisë së IHD-ve që kontribuojnë në rritjen e produktivitetit të punës. Vazhdimi i evidentimit si “pozitiv” të faktit për disponibilitetin e fuqisë punëtore dhe pagat e ulëta konkurruese në Shqipëri ka stimuluar dhe po stimulon afrimin e IHD-ve apo investimeve të tjera me impakt të ulët në zhvillimin ekonomiko-social dhe rritjen e produktivitetit.

Një ndikim të dukshëm negativ në produktivitetin e ulët të ekonomisë shqiptare luan dhe struktura e ndërmarrjeve shqiptare. Sipas INSTAT-it, gati 90% e ndërmarrjeve në Shqipëri kanë vetëm 1-4 punonjës të punësuar, 6% e tyre vetëm 5-9 të punësuar, 4% 10-49 të punësuar dhe vetëm 1% e ndërmarrjeve kanë mbi 50 të punësuar. Po t’i shtojmë kësaj strukture tejet problematike dy elementë të tjerë, siç janë fakti se një pjesë e këtyre mikrobizneseve janë thjesht të vetëpunësuar me sasi të vogla kapitali apo investimesh dhe fakti tjetër se bizneset shqiptare vazhdojnë të investojnë pak në kualifikimin e punonjësve të tyre dhe në përmirësime teknologjike e inovacion, atëherë tabloja e vështirësive për të rritur produktivitetin e punës dhe kapitalit bëhet e qartë. Referuar “The Global Innovation Index 2018”, rezultojmë në grupin e 30 vendeve të fundit të botës (nga 126 të analizuara) në tregues si “niveli i sofistikimit të biznesit”, “indeksi i punësimit në sektorë të teknologjisë së lartë dhe TI”, “importet dhe eksportet hightech”, “Knowledge impact” në ekonomi etj..

Në këtë këndvështrim, shtrohet si nevojë urgjente, hartimi dhe zbatimi i politikave ekonomike e financiare strukturore me synim ndryshimin e kësaj strukture arkaike me objektiv shtimin e ndërmarrjeve të mesme e të mëdha industriale apo shërbimesh që tërheqin më shumë kredi e investime dhe duhet të orientohen drejt sektorëve të teknologjisë së lartë e inovacionit, krijojnë efektet e ekonomisë së shkallës, japin më shumë vlerë të shtuar, kërkojnë punonjës më të kualifikuar etj., duke nënkuptuar më shumë garanci për rritjen e produktivitetit.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi