Plot shpresë, si njëqind vjet më parë

Nga Ndriçim Kulla, botuar në Panoramaonline, 28.11.2012

Eshtë një ndjesi e natyrshme t’i kthehesh historisë, rrënjëve, ngjarjeve të mëdha që kanë shënjuar një komb dhe rrugëtimin e tij. Por, kur sheh gjithë këtë emocion, entuziazëm a interesim patriotik, quajeni si të doni, që i shtyn njerëzit me mijëra të shohin një relikte të shenjtë të Skënderbeut apo librin tonë të parë të shkruar, nuk ke si të mos e mendosh në zemër e në mendje rrugëtimin e gjatë e të stërvuajtur të atyre 40 burrave që firmuan mëvetësinë e shqiptarëve. Nuk ke si të mos dridhesh nga nderimi për ata martirë të trojeve, gjuhës e kulturës së atdheut, që u munduan t’i japin zë, fytyrë, simbol e përfaqësim ëndrrës së tij shekullore për të qenë i lirë. Këtë të fundit, edhe pse mund të duket retorike, nuk duhet ta harrojmë kurrë. Iu deshën vërtet shekuj Shqipërisë sonë që të dalë nga ngërçi i mbijetesës dhe të futet në rrugën e zhvillimit si çdo shtet tjetër. Ishte i brishtë në krijim, i përndarë ndoshta nga brenda, e me aq shumë armiq jashtë, që nuk e lanë të rritej ashtu siç duhej, madje ia prenë ëndrrën dhe krahët, duke i copëtuar viset më të mira. Ndoshta Diplomacia dhe qarqet europiane atëherë nuk qenë në anën tonë, në anën e së drejtës, ndoshta dhe ne nuk qemë aq të fortë e të bashkuar sa ç’duhet të ishim për t’i mbrojtur të gjitha trojet e shqiptarëve. Por, tek e fundit, është mbijetesa ajo që i jep fuqinë një shteti të mbledhë forcat e shpirtit dhe mendjes për të ecur përpara. Si sot njëqind vjet më parë ishte fuqia e shpirtit shqiptar ajo që triumfoi. Sot, pas njëqind vitesh, duhet të jetë fuqia e mendjes ajo që duhet të triumfojë, për t’ia shpaguar historisë sonë gjithë atë vonesë e pengesë që ndjeu në udhën e saj. Ashtu si 100 vite më parë populli duket qartë se është plot me shpresë, ndonëse politika shqiptare nuk punon shumë për të.
Është vërtet emocionuese të shohësh edhe manifestimet e kryera në Shkup e Kosovë, si pararendëset e kremtimit të madh në Tiranë. Është i vetvetishëm reflektimi se si vallë duhet shpërblyer gjithë ky pasion dhe energji pozitive që qytetarë të shteteve të ndryshme, por që flasin të njëjtën gjuhë dhe betohen për të njëjtin flamur, po derdhin për të nderuar historinë e tyre të përbashkët. Ndoshta politikanët dhe Diplomacia ka mënyra dhe shprehje të tjera për t’i paraqitur qëllimet e saj, ndoshta verdiktet e historisë duan kohë dhe organizma të veçantë për t’u organizuar e zbatuar, ndoshta do të jetë integrimi europian ai deti i madh që do t’i mbledhë gjithë këta lumenj të patriotizmit të ligjshëm shqiptar. Por, gjithsesi, kjo është mënyra se si rrjedh rruga e mendjes, ndërkohë që rruga e shpirtit tonë nuk ka pse të friket që ta shprehë me gjithë fuqinë e vet dëshirën për t’u bashkuar, shkallë-shkallë, me përgjegjshmëri dhe parime, njëherë në kulturë e gjuhësi, pastaj në ekonomi e financa, e në fund, në përputhje me rregullat dhe konturet integruese. E vetmja gjë që mund t’ia shpërblejë gjithë këtë fuqi të bashkimit, është zhvillimi ynë në nivelet sa më të lartë të konkurrueshmërisë ekonomike, vetëdijes politike, juridike, solidaritetit social dhe bashkëjetesës fetare. Janë objektiva madhorë, të vështirë për çdo komb e demokraci për t’u përballur, por vetëmohimi i të parëve dhe pasioni patriotik, do të briteshin me të gjithë forcën e kapacitetit të tyre, nëse të gjitha energjitë do të kanalizoheshin nëpër shtretër të tillë.

Nëse fuqia e ftohtë e mendjes, largpamëse dhe atdhedashëse e elitës sonë politike dhe intelektuale do të gërshetohej me iniciativën entuziaste të individit shqiptar, shpirtit të tij përparimtar dhe të kultivuar, atëherë shumë më e fortë dhe shumë më e shpejtë do të na vijë ajo ëndrra e bukur e bashkimit që sot po mëkojmë. Ndoshta mund të duken të zakonshme e të papesha këto fjalë, por gjërat e mira nisin gjithmonë kështu, të vogla e të brishta, të mëdha e të thjeshta, si çdo gjë e shenjtë. E pasi të jenë bërë horizonti i gjithë vizionit tonë, ato duhet të na kthehen në lëkurën e dytë, në zërin e përgjegjshëm që urdhëron çdo veprim sado të vogël, çdo sjellje institucionale, politike, ekonomike, e kështu me radhë. Vetëm kështu do të arrijmë ta përballim sfidën e vështirë e të madhe të bashkimit, vetëm kështu politika dhe ndarjet, mëritë individuale dhe klasore, s’do të mundet të na bëhen pengesë e të na hapin hendeqe vonuese.

Është e tepërt të përsëriten edhe njëherë thirrjet për bashkim ndaj gjithë klasës sonë politike në emër të çështjes shqiptare, një gjë të tillë ua valëvitën si flamur të gjithë shqiptarët në çdo trevë ku jetojnë me shpresën dhe besimin e tyre. Ky entuziazëm dhe pasion nuk mund të regjet kurrë nga përditësia dhe doradorësia që e bën popullin të duket indiferent dhe të papërfshirë aq shumë në problemet politike dhe në mënyrën se si funksionon politika dhe demokracia në vetvete. Vjen një ditë e madhe, siç po duket ky qindvjetor, dhe gjithë shpresa e pandalshme e mijëra njerëzve të befason, të mallëngjen e nuk të lë kurrfarë shtegu të mos qëndrosh lakuriq përpara së vërtetës, parimeve dhe idealit kombëtar, përpara përpjekjeve si individ dhe si shoqëri e tërë, përpara pritshmërive që të kanë lënë të parët dhe vetë historia e kombit tënd. Nuk ka mënyrë më të mirë ndërgjegjësimi dhe antidot më të mirë reflektimi se sa fytyra plot besim e një kombi të tërë, të shohë të realizuar ëndrrën e gjithë historisë së vet. Këtë fytyrë duhet ta shohë çdo ditë në punën e vet çdo  njeri i shtetit dhe qeverisë, i opozitës dhe të gjitha forcave të shoqërisë që ka mundësi të ndikojë sadopak në mbarësinë e punëve. Kjo fytyrë plot shpresë dhe besim, duhet të na bëhet përgjegjshmëri dhe kthjelltësi në të gjitha ditët që do të vijnë, duhet të na bëhet pasqyra ku të përthyhen të gjitha dyshimet e strategjitë, të gjitha shtigjet e manovrat që koha do të vendosë përpara. Vetëm kështu, kremtimi do të na kthehet në mision, misioni në detyrim dhe detyrimi në punë e formim, veprim e qëndresë kah çdo vështirësie. Njerëzit bëhen të mëdhenj, kur mësojnë nga gabimet. Po kështu, edhe kombet. Le të mësojnë nga gabimet e së shkuarës, që ëndrrës sonë të madhe të mos i ngathtësohen krahët për të fluturuar.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi