Sa të varfër ka Shqipëria?

Nga Luan Shahollari, botuar në gazetën Panorama, 13.11.2012

Në një përkufizim të shkurtër, varfëria shpreh një rënie të thellë në mirëqenie. Më gjerë, varfëria shfaqet shumëdimensionale, si: mungesë e të ardhurave për mjete të qëndrueshme jetese, uri dhe kequshqyerje, shëndet i keq, kufizime apo mungesa në arsim dhe shërbime të tjera bazë, sëmundshmëri dhe vdekshmëri e rritur, mungesë strehimi, mjedis i pasigurt, diskriminim e përjashtim social. Ajo gjithashtu karakterizohet nga mungesa e pjesëmarrjes në vendimmarrje dhe në jetën qytetare, sociale dhe kulturore. (OKB, 1995). Adam Smith, “babai i kapitalizmit”, në “Pasuria e Kombeve” (1776, f.94) shkruan se “asnjë shoqëri nuk mund të jetë e begatë dhe e lumtur kur pjesa më e madhe e anëtarëve të saj janë… të varfër dhe të mjerë”. Të varfrit tani janë më pak, por kërkesat e shoqërisë janë rritur.
Mënyra tradicionale për matjen e varfërisë bazohet te të ardhurat. Një familje konsiderohet e varfër nëse të ardhurat e saj bien poshtë një niveli minimal të nevojshëm për të plotësuar nevojat bazë. Ky nivel minimal zakonisht quhet kufiri i varfërisë, i njohur ndryshe edhe si linja e varfërisë, minimumi jetik etj.
Për matjen e varfërisë përdoren metoda absolute, sipas së cilës kufiri i varfërisë llogaritet duke përcaktuar nevojat minimale të konsumit të një “shporte” mallrash e shërbimesh, dhe metoda relative ku kufiri vendoset si raport i medianës (apo i mesatares) së të ardhurave (apo konsumit) të popullatës në tërësi. Vendet në zhvillim përdorin metodën absolute, kurse të pasurat atë relative. Përjashtim bëjnë SHBA, ku përdoret metoda absolute.


Çdo vend llogarit dhe miraton kufirin e varfërisë bazuar në kushtet e tij ekonomike, sociale, zakonore etj. Ky tregues shërben për të njohur numrin dhe përhapjen e të varfërve, si dhe për të zbatuar politika dhe programe efektive për reduktimin e varfërisë.
Në vendet e BE-së kufiri i varfërisë llogaritet me metodën relative: një familje konsiderohet e varfër nëse e ardhura e saj bie poshtë nivelit 60 për qind të medianës së të ardhurave të familjeve në shkallë vendi. Bazuar në këtë metodikë, në BE-27 më 2010-n kishte 81 milionë njerëz, 16.4 për qind e popullsisë gjithsej në risk varfërie. Komisioni Europian (2004) shpjegon se përdor metodën relative për matjen e varfërisë, pasi sfida kryesore për BE-në nuk është të arrijë standardet bazike të jetesës, si në pjesët më pak të zhvilluara të botës, por të ndajë përfitimet e një mirëqenieje mesatare të lartë. Megjithatë, kjo nuk e mohon ekzistencën e varfërisë ekstreme që prek grupe të caktuara, kryesisht rome, në disa shtete anëtare.
Deri në vitin 1965 në SHBA mungonte një kufi zyrtar varfërie. Në fillim të 1963-shit, Moli Orshanski, ekonomiste në Administratën e Sigurimit Social, llogariti masën e saj të varfërisë bazuar në planin ushqimor më të lirë (ndër katër planet e hartuara nga Departamenti i Bujqësisë në vitin 1961) dhe në Anketën e Konsumit të Ushqimit të Familjeve të 1955-s. Nga anketa dilte se familjet me tre e më shumë persona shpenzonin rreth 1/3 e të ardhurave për ushqim. Më 1963-shin, një familje me katër persona (dy të rritur dhe dy fëmijë), shpenzonte 1,033 USD për ushqimin. Duke i shtuar 2/3 e shpenzimeve të tjera, kufiri arriti në 3,100 USD. Ky kufi u miratua nga qeveria federale dhe përditësohet çdo vit me indeksin e çmimeve të konsumit. Për rrjedhojë, kufiri i 1963-shit ka të njëjtën vlerë me atë të 2011-s prej 23,021 USD. Në vitin 2011, niveli i varfërisë në shkallë federale ishte 15 për qind; 46.2 milionë njerëz jetonin në varfëri.
Me qëllim matjen e varfërinë me një masë të vetme globale, në Raportin e Zhvillimit Botëror 1990, Banka miratoi kufirin (absolut) “një dollar në ditë”. Rënia nën këtë kufi (1.25 USD në ditë me çmimet e vitit 2005) nënkupton të jetuarit e një personi në çdo vend të botës në “varfëri ekstreme”. Kurse kufiri prej “2 dollarësh në ditë” shpreh “varfërinë e moderuar”. Vlera e 1 dollari në barazinë e fuqisë blerëse u referohet mallrave dhe shërbimeve të një “shporte”, me kurset e këmbimit në vende të ndryshme. Konferenca e OKB-së në shtator 2000 miratoi 8 Synime për  Zhvillimin e Mijëvjeçarit. Vlerësimet e Bankës Botërore për vitin 2010 tregojnë se objektivi për gjysmimin e numrit të njerëzve me 1 dolar/ditë më 2015-n kundrejt vitit 1990 del i realizuar. Megjithatë, 1.2 miliard njerëz jetojnë ende në varfëri ekstreme dhe 2.5 miliardë njerëz me më pak se 2 USD në ditë.


Por, ndërsa jemi në gjendje të analizojmë metodat, kufijtë dhe numrin e të varfërve në BE, SHBA apo në shkallë globale, nuk mund ta bëjmë këtë për vendin tonë për faktin se mungon një masë zyrtare për matjen e saj. Më të saktë, një kufi gjysmëzyrtar ka publikuar INSTAT-i. Sipas Anketës së Matjes së Nivelit të Jetesës 2008, pjesa e popullsisë, konsumi mujor real për frymë i së cilës është nën 4,891 lekë (me çmimet e 2002-shit) ka rënë nga 25.4 për qind në vitin 2002 në 18.5 për qind në vitin 2005 dhe 12.4 për qind në vitin 2008. Kështu, shifrën prej 4,891 lekësh mund të konsiderojmë si kufi gjysmëzyrtar, pasi llogaritet nga një institucion publik, madje me  mbështetjen e PNUD-it e Bankës Botërore, por qeveria nuk e ka miratuar si njësi matëse në luftën kundër varfërisë. Veç kësaj, anketimet për treguesit e varfërisë bëhen një herë në 5 vjet. Kjo është arsyeja pse mungojnë të dhënat për numrin e të varfërve pas vitit 2008.
Minimumin jetik (kufirin e varfërisë) e kanë llogaritur në kohë të ndryshme edhe studiues të pavarur. Llogaritjet analitike të “shportës” së mallrave e shërbimeve për një familje tipike qytetare me katër anëtarë, përbëjnë tiparin e përbashkët të tyre. Në bazë të këtyre studimeve, minimumi jetik ka dalë 3508 lekë për një person në muaj në vitin 1995, 9058 lekë në vitin 1998 dhe 15 072 lekë më 2011-n. Por, qeveritë janë treguar indiferente ndaj këtyre të dhënave.
Prej vitit 1991 janë miratuar akte ligjore dhe nënligjore që synojnë lehtësimin e varfërisë, të cilat kanë ndryshuar në vite. Sipas ligjit bazë (nr. 9355, datë 10.3.2005) për zbutjen e varfërisë dhe përjashtimit shoqëror për individët dhe familjet, si dhe për krijimin e mundësisë për integrimin e tyre, ndihmë ekonomike të plotë përfitojnë familjet ose individët që nuk kanë të ardhura nga veprimtaria ekonomike; programet e ndihmës dhe të shërbimeve shoqërore; kapitali; pjesëtarët e familjes që janë në emigracion. Kurse ndihmë të pjesshme përfitojnë familjet me të ardhura të pamjaftueshme nga: toka; bagëtia, shpendët, bletët, vreshtaria e kopshtaria; pensionet dhe të ardhura të tjera.
Këshilli i Ministrave (me vendimin nr. 787, datë 14.12.2005) “e zbut” varfërinë dhe përjashtimin social të familjes, duke e paguar kryefamiljarin me 2,600 lekë në muaj; për anëtarët e familjes në moshë pune e lart 2,600 lekë në muaj; për çdo anëtar tjetër të familjes, në moshë pune 600 lekë në muaj; për çdo anëtar tjetër të familjes nën moshë pune (deri 18 vjeç) 700 lekë në muaj. Masa e plotë e ndihmës ekonomike, pavarësisht nga numri dhe përbërja e familjes, nuk duhet të jetë më shumë se 7,500 lekë në muaj. Këto shifra nuk indeksohen me rritjen e çmimeve. Për rrjedhojë, realisht zvogëlohen nga viti në vi.
Jo vetëm kaq: fondet e vëna nga qeveria në dispozicion të këshillave të bashkive dhe komunave janë më pak gjysma e shumave që rrjedhin nga përcaktimet e mësipërme. Për pasojë, duke analizuar grupin e familjeve me katër persona, pagesa mesatare në muaj për familje më 2011-n ka qenë vetëm 2,919 lekë. (Shërbimi Social Shtetëror, 2012). Rrjedhimisht, pagesa për person në muaj del 730 lekë. Pra, ndihma ekonomike mbulon vetëm 15 për qind të kufirit gjysmëzyrtar prej 4891 lekësh që llogarit INSTAT-i.
Fondi për ndihmën ekonomike në vitet 2008-2011 arrin rreth 40 milionë USD mesatarisht në vit, duke zënë vetëm 1 për qind të shpenzimeve të buxhetit të shtetit gjithsej. Pra, me këto shifra “jetojnë” rreth 100 mijë familje me rreth 400 mijë veta në 3020 fshatra dhe qindra lagje të qyteteve ku nuk i kap “radari” qeveritar. “Shqipëria tjetër” me të varfrit e saj duket vetëm në kronikat e ndonjë gazete apo stacioni televiziv që synon të tregojë gjendjen reale.
Sipas programit të qeverisë (shtator 2009), brenda vitit 2013 çdo qytetar shqiptar në nevojë do të merrte mbi 2 dollarë në ditë ndihmë ekonomike, 60 USD në muaj. Por, në fakt, siç e theksuam më lart, ky qytetar në nevojë merr vetëm 7 USD në muaj! Pra, ky mbulim mbetet në një nivel simbolik dhe e thellon më tej hendekun e pabarazisë shoqërore. Banka Botërore (në Tiranë dhe Uashington) – si institucioni kryesor për reduktimin e varfërisë në shkallë ndërkombëtare, duhet të shprehet për nivelin e këtij mbulimi.
Këto të dhëna diktojnë një analizë tërësore për njohjen e gjendjes reale të varfërisë. Urgjente del përcaktimi i një mase zyrtare për matjen e varfërisë. Përpjekja e vetme për të llogaritur minimumin jetik është bërë në mars 2001, kur qeveria vendosi të ngrejë një grup me ekspertë të fushave ekonomike, sociale dhe shëndetësore pranë Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale. Pak muaj më vonë, grupi e përfundoi studimin duke përdorur metodën absolute të llogaritjes. Sipas kësaj metode, për vitin 2000 kufiri i varfërisë doli 7.975 lekë për person në muaj. Studimi, për fat të keq, mbeti në sirtar; qeveria që erdhi më pas nuk e mori në shqyrtim. Por tani jemi më se një dekadë më pas, kur buxhetet janë rritur, dhe kemi një përvojë më të madhe në trajtimin e çështjeve sociale. Por kjo varet nga vullneti i qeverisë.
Në vendet e BE, SHBA dhe vende të tjera, familjet që bien poshtë kufirit përkatës të varfërisë janë subjekt i programeve të ndihmave jo vetëm në cash dhe në forma të tjera. Programi i kuponëve ushqimorë i filluar në vitin 1964 në SHBA vlerësohet si më efektivi, sidomos pas vitit 2007, kur filloi kriza financiare. Me kuponë me vlerë 1 USD (ngjyrë kafe), 5 USDd (blu) dhe 10 USD (të gjelbër), familjet apo personat e varfër siguronin ushqimet e tyre. Numri i përfituesve të tyre në vitin 2010 arriti 43.6 milionq, më i lartë deri tani. Kjo mënyrë e shpërndarjes të ndihmës ekonomike shmang abuzimet, prandaj mund të përdoret edhe në vendin tonë.
Presidenti kinez, Hu Jintao, është shprehur se deri në vitin 2020 asnjë në Kinë nuk do të jetë i shqetësuar për ushqim dhe veshje. (BBC, 30 nëntor 2011). Kur brenda viteve të ardhshme, 1/5 e popullsisë botërore do t’i ketë zgjidhur këto probleme jetësore, përse të mos arrihet një objektiv i tillë edhe në Shqipërinë tonë të vogël?
Më në fund: asnjë model ekonomik nuk do të siguronte zhvillim të qëndrueshëm nëse nuk do të sillte mirëqenie për të gjithë, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta. Prandaj konferenca që do të organizojë së shpejti Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe gazeta “Panorama” përbën një rast për t’i trajtuar problemet e rritjes ekonomike në lidhje të ngushtë me ato sociale, të punësimit, papunësisë dhe varfërisë.

*Ky shkrim është pjesë e forumit për debat të hapur nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe gazeta “Panorama”

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi