Procesi i përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Lartë dhe asaj Kushtetuese

Rëndësia që paraqet procesi i përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Lartë dhe asaj Kushtetuese, si busull orientuese për praktikën gjyqësore dhe drejtësinë kushtetuese. A paraqitet i plotë kuadri ligjor në këtë drejtim? Sfida dhe realitete.

Nga Dr. Sokol Sadushi

 Për të argumentuar domosdoshmërinë e pasjes së një demokracie kushtetuese përkundrejt demokracisë procedurale, John Rawls në librin e tij “Drejtësia si paanshmëri” vë theksin se “në qoftë se një shoqëri ka vërtetë një shpirt demokratik, atëherë kushtetuta me deklaratën e të drejtave nuk është e domosdoshme; por në qoftë se një shoqëri nuk është demokratike, nuk mund ta bëjë të tillë kushtetuta.”

Shoqëria demokratike që bazohet mbi parimet që, jo vetëm e shpallin barazinë para ligjit, por edhe i krijojnë mundësinë qytetarëve ta realizojnë atë në institucionet e saj kryesore, e ka të domosdoshme konceptin e drejtësisë si paanshmëri.

Dhënia e të drejtës nuk i kënaq të gjithë palët që përfshihen në një proces, por një drejtësi që nuk bind as të dëmtuarin dhe as të fituarit, është e trishtueshme. Të humburit e vërtetë janë si shteti i së drejtës, ashtu dhe qytetarët, të cilët nuk arrijnë të marrin drejtësi, por vijojnë të dyshojnë në legjitimitetin e atyre që e japin drejtësinë.

Është drejtësia e paanshme, që synon të artikulojë një grup vlerash morale tepër të rëndësishme, të cilat duhet të gjejnë zbatim në institucionet politike kushtetuese dhe në mënyrën se si ato bashkërendohen me njëri tjetrin për zgjedhjen e gjyqtarëve. Kjo nxjerr në pah, veçanërisht për shoqëritë në zhvillim, siç është dhe shoqëria shqiptare, nevojën për gjykata dhe për gjyqtar me legjitimitet të pacenuar.

Në suksesin e vërtetë të një gjykate të lartë ndikojnë sa dijet ligjore të gjyqtarëve, po aq dhe aftësia e gjykatës për të ushtruar që në fillim disiplinë doktrinare. Megjithatë, performanca e një gjykate varet nga ata që ushtrojnë funksionin e gjyqtarit, të cilët duhet të jenë mbrojtësit e vendosur të parimeve dhe të vlerave kushtetuese. Janë cilësitë e gjyqtarëve që kontribuojnë në pavarësinë e gjykatës për ta bërë atë të pathyeshme ndaj çdo lloj sulmi.

Është shumë e rëndësishme për një gjykatë të lartë të bëhet e besueshme për publikun e gjerë, por më e rëndësishme është që ajo të demonstrojë neutralitet. Pikërisht, paanësia përbën elementin tjetër të suksesit. Gjykata përpiqet t’i shmanget kritikave, të shkaktuara, më tepër nga institucionet politike e legjislative, falë aftësisë së saj për të qenë e paanshme. Megjithatë, për shkak të plotfuqishmërisë që ka një gjykatë e lartë dhe sidomos një gjykatë kushtetuese, por edhe të misionit që ato kryejnë, nxitja e kundërshtive ose pakënaqësisë, si dhe ndikimi, veçanërisht nga radhët e politikës, është i pashmangshëm.

Studjues të fushës, por edhe përfaqësues të qarqeve politike, të medias e të shoqërisë civile kanë vënë theksin se në rritjen e autoritetit të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese ndikon, veçanërisht, mënyra e zgjedhjes së gjyqtarëve. Mekanizmi kushtetues i përfshirjes së Presidentit të Republikës dhe Kuvendit është menduar fillimisht nga hartuesit e Kushtetutës, si zgjidhja më e mirë në raport me formulimin e mëparshëm. Përvoja 14 vjeçare e zbatimit të kësaj procedure kushtetuese dëshmon për një qasje të natyrës politike që merr dhënia e pëlqimit nga Kuvendi për gjyqtarin e lartë dhe kushtetues. Defektin e kësaj formule përzgjedhjeje një pjesë e studjuesve e kanë gjetur tek disa faktorë si:

–       roli që luan Presidenti i Republikës për përzgjedhjen e kandidaturave;

–       natyra politike që i jepet procedurës së emërimit të gjyqtarëve të lartë në Kuvend,

–       quourumi i një shumice të thjeshtë, me të cilën jepet pëlqimi;

–       ndryshimet e panevojshme kushtetuese, që prekën formulën konsensuale të zgjedhjes së Presidentit të Republikës etj.

Natyra politike e emërimit, veçanërisht për gjyqtarët kushtetues, nuk është një formulë shqiptare. Përgjithësisht është i njohur për shumicën e kushtetutave zgjedhja e gjyqtarëve kushtetues nëpërmjet filtrit të politikës.[1] Ka sisteme të përziera,[2] në të cilat kërkohet një lloj bashkëveprimi ndërmjet organeve përfaqësuese dhe organeve ekzekutive për caktimin e gjyqtarëve. Ndërkohë që në një numër të konsiderueshëm shtetesh,[3] gjyqtarët emërohen me pjesëmarrjen e disa institucioneve kushtetuese së bashku, ku secili prej tyre si, Presidenti, Parlamenti dhe autoritetet gjyqësore zgjedhin një numër të caktuar gjyqtarësh.

Për shkak të implikimit të politikës në emërimin e gjyqtarëve të lartë, shpesh vihet dyshimi se qëndrimet e gjyqtarëve kanë tendencën për të qenë të njëjta me ata që i zgjedhin. Njëkohësisht, mandati i kufizuar kohor i gjyqtarëve është një tjetër arsye që ata të jenë të trysnuar për të ardhmen e tyre, pasi përfundojnë mandatin. Pra, një lloj preference e politikës ndaj kandidaturës së gjyqtarit të lartë e kushtetues sigurisht që nuk shmanget, por në emër të një parimi që në gjuhën doktrinare njihet si “parimi i mosmirënjohjes” ndaj atij që të zgjedh, gjyqtari nuk duhet t’i nënshtrohet zgjedhësit.

Performanca e gjyqtarëve të lartë e kushtetues nuk duhet të jetë e varur nga fakti se shumica qeverisëse zgjedh gjyqtarët, por nga vetë integriteti që ata kanë. Të gjithë flasim për integritetin që duhet të ketë një gjyqtar, një politikan, një funksionar i lartë i shtetit, por pak përpiqemi të identifikojmë ose të japim një përkufizim për të. Ne konstatojmë se jo pak prej atyre me të cilët kemi të bëjmë në veprimtarinë e përditshme (ku përfshihen edhe gjyqtarët) as e besojnë atë që thonë, por as arrijnë të thonë atë që ata besojnë. Fakti se gjyqtari betohet mbi Kushtetutë nuk krijon ndonjë prezumim se ai do të jetë i besueshëm. Betimi është veçse një moment procedural që duhet përmbushur, me qëllim kryerjen e detyrës, por nuk garanton ndershmërinë, përgjegjshmërinë dhe për më tepër integritetin e gjyqtarit.

Duke folur për integritetin që duhet të ketë gjyqtari, politikani apo çdo funksionar i lartë i shtetit, pyesim veten nëse do të donim që në të vërtetë të drejtohemi, të ndihmohemi apo të gjykohemi nga njerëz që u mungon integriteti ? Sigurisht që Jo. Ne nuk do të donim, pikësëpari gjyqtar pa integritet.

Në mënyrë të vazhdueshme ngrihet zëri nga opinioni publik dhe nga gjithsecili prej nesh, qoftë edhe në këtë konferencë, se na nevojiten gjyqtar me integritet. Të gjithë jemi në një mendje për këtë. Po, atëherë përse nuk arrijmë t’i identifikojmë njerëzit me integritet, për të cilët kemi kaq shumë nevojë dhe që të tillë ka në gjyqësor ?

Çështja e identifikimit të kandidaturave, me integritet profesional e moral, që mund të caktohen për të kryer funksionet e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë apo Gjykatës Kushtetuese është, pikësëpari, çështje e institucioneve të cilat Kushtetuta i ka ngarkuar me përmbushjen e këtij misioni thelbësor për një shtet të së drejtës. Opinioni publik dhe në veçanti shoqëria civile, mjedisi i profesionistëve të ligjit, apo media kanë padyshim pergjegjësinë që, nëpërmjet ushtrimit të presionit, të mos lejojnë nëpërkëmbjen e kërkesave për integritet tek ata që përzgjidhen për tu emëruar si gjyqtar të Gjykatës së Lartë apo Kushtetuese.

Më pëlqen të perifrazojë në këtë fjalë timen studiuesin e njohur amerikan Stephen Carter që në librin e tij “Integriteti”, përcakton tre hapat kryesor që duhen ndjekur për të përkufizuar integritetin. Hapi i parë është dallimi që duhet të bëjë kushdo ndërmjet asaj që është e duhur dhe asaj që është e gabuar; Dallimi është punë e vështirë që kërkon kohë dhe energji emocionale. Mbi të gjitha, bërja e këtij dallimi kërkon një reflektim moral për të ditur se çfarë ju besoni vërtetë e thellësisht se është e drejtë dhe e mirë. Nëse duket e lehtë të bësh dallimin midis të mirës dhe të gabuarës, hapi i dytë është të veprosh mbi atë që ti ke dalluar, që do të thotë se sa i vendosur je; dhe jo të thuash një gjë e të bësh diçka tjetër. Në përfundim, si hap i tretë, kërkohet që të thuash haptazi se je duke vepruar me vendosmëri sipas asaj që ke kuptuar dhe dalluar; se je duke bërë atë që ti mendon se është e drejtë dhe kur të tjerët nuk janë dakort me ty. Detyrë e gjithsecilit prej nesh, por në veçanti e atyre që kanë përgjegjësinë e vendimmarrjeve të rëndësishme është të orientohen edhe nga këto tre momente që përkufizojnë integritetin.

Për rrjedhojë, një politikan me integritet, një funksionar i lartë i shtetit me integritet dhe veçanërisht një gjyqtar me integritet, është ai person që ne mendojmë se mund t’i besojmë, se do të di të bëjë gjënë e duhur, se do të di të luaj sipas rregullave të lojës dhe se do të mbajë zotimet.

Çështjet e drejtësisë nuk lidhen thjeshtë dhe vetëm me pasjen nga trupa e gjyqtarëve të disa koncepteve për Kushtetutën dhe ligjin, por me vizionin që ata duhet të krijojnë dhe me synimin që duhet të kenë për t’i dhënë legjitimitet institucionit të tyre. Prandaj një gjyqtari nuk duhet t’i mungojë integriteti thelbësor që është kurajo dhe gatishmeria e tij për të vepruar në emër të së drejtës. Janë cilësitë e gjyqtarëve si profesionalizmi, qëndrueshmëria e parimeve morale, karakteri me virtyte të pakorruptuara, veçanërisht në lidhje me të vërtetën dhe korrektësinë, drejtësia dhe ndershmëria, që duke i bërë ata të pathyeshëm ndaj çfardo lloj sulmi që kontribuojnë në cilësinë e vendimmarrjes dhe në pavarësinë e vetë gjykatës. Për këtë arsye, përzgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese merr rëndësi vendimtare. Vlerat që duhet të kenë personat që zgjidhen për gjyqtarë të lartë e kushtetues përbëjnë njërën anë të problemit, ndërkohë që formula procedurale kushtetuese e zgjedhjes së tyre mbetet po aq përcaktuese.

Caktimi i gjyqtarëve të lartë dhe kushtetues, në Shqipërinë e pasviteve 90-të, ka kaluar nëpërmjet sistemit të emërimit, por edhe të zgjedhjes. Për Gjyqtarët e Gjykatës së Kasacionit fillimisht u aplikua sistemi i zgjedhjes nga parlamenti, ndërsa për zgjedhjen e Kryetarit dhe të zv.kryetarëve kërkohej propozimi më parë nga Presidenti i Republikës që Kuvendi të vendoste. Për gjyqtarët kushtetues u zbatua fillimisht sistemi i emërimit nga organi kompetent, pa qenë i ndërvarur nga ndonjë organ tjetër, ku 4 gjyqtarë zgjidheshin nga Presidenti i Republikës dhe 5 të tjerë nga Kuvendi. Aktualisht përdoret sistemi i përzierë. Nëntë gjyqtarët kushtetues, si edhe kryetari konsiderohen të zgjedhur, kur akti i emërimit të Presidentit të Republikës merr pëlqimin në Kuvend.

Kjo procedurë ka krijuar disa paqartësi në vitet e para, për shkak të qëndrimeve të ndryshme që mbaheshin në praktikën parlamentare. Me vendimin nr. 2, datë 19.1.2005, Gjykata Kushtetuese interpretoi nenin 125 të Kushtetutës, duke përcaktuar kompetencën e Kuvendit për të shqyrtuar “jo vetëm përmbushjen e kritereve formale, por të shqyrtojë edhe meritën e emërimit të tyre.”[4] Ky interpretim pavarësisht se nuk shkaktoi për disa vite ndonjë mosmarrëveshje, në të vërtetë duket se e la të hapur konfliktin. Formulimi se ky sistem emërimi që “ka në esencë kooperimin institucional të Presidentit të Republikës dhe të Kuvendit të Shqipërisë” dhe që i vendos këto subjekte “para kërkesës së respektimit të parimit të luajalitetit kushtetues,”[5] vijon të keqpërdoret nga politika pothuajse në të gjitha qëndrimet që ka mbajtur ndaj dekreteve të Presidentit të Republikës. Luajaliteti kushtetues dhe kooperimi institucional, sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk do të thotë se Presidenti i Republikës duhet të marrë mendimin e mazhorancës politike për të përzgjedhur kandidaturën për gjyqtar të lartë e kushtetues, por kërkon që ndërmjet tyre të bashkëpunohet “për përcaktimin e kritereve ligjore në përputhje me kërkesën kushtetuese për kualifikim të lartë, për të siguruar një përbërje cilësore dhe të përshtatshme të Gjykatave.[6]

Sistemi aktual kushtetues i zgjedhjes së gjyqtarëve të lartë e kushtetues, megjithëse bazohet në sistemin e përzier, me shumicën e thjeshtë, një minimum prej 36 votash që kërkon për të miratuar kandidaturat, duket se e përjashton një lloj konsensusi ndërmjet palëve. Nga ana tjetër, ndryshimi i procedurës së zgjedhjes së Presidentit të Republikës nga një formulë konsensuale drejt një emërimi të pastër politik, duket se e ka sjellë në rend të ditës edhe rishikimin kushtetues për quourumin e domosdoshëm që nevojitet për zgjedhjen e gjyqtarëve të lartë e kushtetues, drejt një shumice të cilësuar.

Procedura vlerësuese që kryen Kuvendi, e cila konsiston në zhvillimin e seancave dëgjimore publike me kandidatët dhe që në fakt ofron një lloj transparence, nuk duket se e ka përligjur këtë ndryshim, përderisa seancat janë kthyer në një kompeticion oratorie dhe retorikash denigruese për kandidatin që nuk gëzon mbështetjen e forcës politike, duke humbur në këtë mënyrë dhe vetë qëllimin e saj. Edhe në lidhje me mënyrën e votimit, Rregullorja e Kuvendit në vitin 2010 ka ndryshuar, për rastin e dhënies së pëlqimit të Kuvendit për dekretet e Presidentit të Republikës për emërim në Gjykatën Kushtetuese ose në Gjykatën e Lartë, duke e kthyer në votim  nominal. Ajo që po ndodh aktualisht me një pjesë të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që vijojnë të qëndrojnë në detyrë pas kalimit prej dy vjetësh të mandatit dhe që po krijon kushtet për të konsumuar një pjesë substanciale të një mandati të ri 9 vjeçar, por edhe mosplotësimi për disa vite i vendeve vakant në Gjykatën e Lartë, është rrjedhojë e keqkuptimeve apo keqinterpretimeve që i bëhen Kushtetutës, por në veçanti e prezencës së një krize institucionale, e cila ndikon dukshëm në legjitimitetin dhe pavarësinë e tyre.

Çështja e procesit të përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese tashmë nuk rezulton të jetë vetëm shqetësimi ynë. Në kuadrin e 12 prioriteteve që Bashkimi Europian ka përcaktuar për Shqipërinë, është insistuar në planin e veprimit që të analizohen problemet që dalin në lidhje me pavaresinë e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke filluar nga procesi i emërimit të Gjyqtarëve, e duke vijuar me parashikimin e procedurës që siguron një proces dëgjimor, si dhe një votim të rregullt e të depolitizuar. Për emërimet e gjyqtarëve kërkohet “bashkëpunim me institucionin e Presidentit për vendosjen e kritereve ligjore që garantojnë një përbërje cilësore të Gjykatës Kushtetuese” si dhe transformimin e Gjykatës së Lartë “në një Gjykatë karriere, përmes vendosjes së kritereve transparente për emërimin e Gjykatësve me eksperiencë” gjë e cila do sillte emërimin e depolitizuar të tyre.

Për këtë nevojitet një strukturim i sistemit të emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që kriteret ligjore që duhet të përmbushin kandidatët të dëshmojnë për objektivitet dhe paanshmëri të vendimmarrësve. Krahas integritetit moral, është vlerësimi profesional që, i fokusuar në disa parametra si: pasuria e përvojës profesionale në fushën ligjore, vijueshmëria e një vendimi të dhënë në shkallët e tjera të gjykimit, sasia dhe cilësia e punës së kryer, respektimi i afateve për shpalljen e vendimit, pjesëmarrja aktive dhe asistenca e ofruar nga gjyqtari për mbarëvajtjen e zyrës/gjykatës në të cilën vepron, disponibiliteti, frekuenca e kurseve trajnuese, kontributi në zgjidhjen e problemeve organizative, meritat e veçanta në fushën e mësimdhënies, etj; pra janë të gjitha këto që evidentojnë kriteret për përzgjedhjen e gjyqtarëve që mund të shërbejnë në Gjykatën e Lartë, e cila është gjykata që njehëson praktikën gjyqësore, në funksion të uniformitetit, qëndrueshmërisë dhe të parashikueshmërisë në zbatimin e së drejtës.

Ekzistenca e një gjykate kushtetuese të fortë dhe profesionale, e autorizuar për të shfuqizuar ligjet që nuk kanë përputhje me formulimet kushtetuese, është një çështje ku evidentohet një mosmarrëveshje e pastër ndërmjet dy autoriteteve të larta – shumicës së legjislaturës, nga njera anë, dhe shumicës së gjykatës kushtetuese, nga ana tjetër. Nuk pranohet lehtësisht që shumica e gjykatës kushtetuese – minimumi i të cilës është me pesë gjyqtarë – të jetë ajo që e di ose e kupton më saktë kushtetutën nga shumica e parlamentit. Megjithatë, në të vërtetë, kështu ndodh. Pikërisht, ky pozicion i rëndësishëm imponon nevojën për vendosjen e kritereve shumë të forta edhe në përzgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues.

Prandaj,

–       Nëse procedura për përzgjedhjen e gjyqtarëve bëhet transparente, ku si rrjedhojë e një seleksionimi korrekt e të paanshëm, që bazohet në kritere të rrepta shkencore, arrihet të evidentohen nga Presidenti i Republikës njerëzit parimor, të emancipuar, të spikatur profesionalisht dhe me integritet të lartë,

–       duke ndjekur Komisioni i ligjeve një procedurë dëgjimore transparente, nëpërmjet të cilës arrihet t’i evidentohet opinionit publik përshtatshmëria dhe cilësia e kandidaturave të përzgjedhura si gjyqtarët më të lartë,

–       duke u prirur nga përmbushja e urdhërimeve të Rregullores së Kuvendit për të aplikuar procedurën e votimit të fshehtë, për rastet e votimit për persona konkret,

–       si dhe duke synuar që vendimmarrja kushtetuese për dhënien e pëlqimit ndaj dekretit të Presidentit do të ndryshonte në favor të një shumice të cilësuar,

padyshim që edhe vendimmarrja refuzuese nga Kuvendi për kandidaturat për gjyqtar të Gjykatës së Lartë e për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese nuk do të kryhej aq lehtësisht sa ndodh praktikisht.

Vetëm pasi kandidatët për gjyqtar të lartë dhe kushtetues arrijnë të përzgjidhen nëpërmjet procedurave korrekte, mbetet detyrë e tyre të bindin shoqërinë se vendimet që marrin bazohen në standardet dhe vlerat kushtetuese dhe qëndrojnë larg konsideratave politike a interesave private. Një vendimmarrje gjyqësore e tillë, padyshim që fiton respektin e shoqërisë, por edhe rrit autoritetin e institucionit që ata përfaqësojnë.



[1] Në disa kushtetuta, si në atë të Hungarisë, të Polonisë, të Sllovakisë, të Gjermanisë, të Letonisë etj. roli parësor në zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues i përket parlamentit.

[2] Në Austri, Armeni, Francë, Benin, Kirgizstan, Rumani etj. Në Austri gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Austrisë emërohen nga Presidenti Federal pas propozimit nga Qeveria Federale të Kryetarit, Nënkryetarit dhe gjashtë gjyqtarëve, si dhe pas propozimit të 6 gjyqtarëve të tjerë nga parlamenti, ndërsa në Greqi, gradimi i Kryetarit të Gjykatës së Kasacionit bëhet me dekret presidencial mbi propozimin e Keshillit te Ministrave.

[3] Në Bullgari, Itali, Spanjë, Lituani, Moldavi, Ukrainë, Mongoli, Turqi e deri në Korenë e Jugut. Në Kosovë, gjyqtarët kushtetues emërohen nga Presidenti i Republikës, pas propozimit të Kuvendit.

 

[4] Vendimi nr. 2, datë 19.1.2005 i Gjykatës Kushtetuese të RSh-së.

[5] Po aty.

[6] Vendimi nr. 24, datë 09.06.2011 i Gjykatës Kushtetuese të RSh-së.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi