Debati: Shqipëria – Monarki apo Republikë

Libri : Debati parlamentar para një shekulli…

Parathënia e Librit nga Filip Rrumbullaku:

Parathënie

 Materialet që botohen në këtë vëllim përbëjnë një pjesë shumë të rëndësishme nga tradita e parlamentarizmit shqiptar, e njohur pak nga lexuesi i sotëm. Me përjashtim të një rrethi jo edhe aq të gjerë studiuesish të cilët, pas viteve 90, e kanë vënë deri diku në fokusin e punës së tyre këtë traditë, komuniteti i gjerë i njerëzve të interesuar për politikën, drejtësinë, historinë e institucioneve, të drejtën kushtetuese etj. nuk e kanë patur mundësinë për t’u njohur drejtpërdrejt me materialet autentike që ofrohen nëpërmjet burimeve arkivore. Përmbledhja që i paraqitet lexuesit synon sadopak të mbushë këtë boshllëk.

Dihet se edhe në shkrimet më të thjeshta që kanë si objekt temën historike, ngjallen debate të ndikuara nga politika. Duke synuar me çdo mjet opinionin publik, ajo përpiqet të instrumentalizojë ngjarje apo figura të ndryshme që i përkasin historisë. Kjo ka ndodhur në ato vende, ku, për arsye të ndryshme, vakuumet e krijuara në fushën e botimeve arkivore kanë privuar jo vetëm lexuesin e gjerë, por edhe komunitete të tëra intelektuale nga kontakti i drejtpërdrejtë me to. Kohët e fundit ka patur përpjekje të pjesshme, sidomos nga media, për t’i vënë në dispozicion lexuesit dokumente të tilla arkivore, nën okielon “dossier”. Kur “dossierë” të tillë bëhen në mënyrë të kualifikuar pronë e opinionit të gjerë, aq më pak dobësohet monopoli i një pakice mbi to; aq më pak mundësi ka politika për të përdorur ngjarjet e rëndësishme historike, aq më të vështirë do ta ketë ajo për t’u imponuar në vlerësimin e këtyre ngjarjeve apo për të orientuar interpretimin e tyre. Njohja e publikut me dokumentet historike e afron atë me veprimtarinë dhe protagonistët e çdo kohe, që mund të jenë ndriçuar më shumë apo mund të jenë lënë në errësirë me qëllim; duke pasuruar gjykimin për të çmuar rolin e tyre sipas meritave dhe kontributeve në kohën dhe vendin e caktuar.

 Rreth një dekadë e gjysëm më parë, në kuadrin e festimeve për 50 vjetorin e çlirimit të vendit, ishte ftuar edhe një ish oficer i misioneve angleze, autori i librit “Fitorja e Hidhur”, i përkthyer edhe në gjuhën shqipe pak kohë para  se ai të vinte në Shqipëri. Në përfundim të vizitës, vetëm disa orë para se të largohej nga Shqipëria, ish oficeri anglez Rexhinald Hibert, i vlerësuar për kontributin e tij në Luftë e më pas nga vet Mbretëresha e Britanisë së Madhe me titullin e lartë “Sër”, pati një takim me zëvendësministrin e Mbrojtjes. Në fund të takimit, duke e falenderuar për ndihmën e misioneve angleze dhe duke vlerësuar jo pa qëllim kujtimet e botuara në librin e tij “Fitorja e Hidhur”, – dihen sensibilitetet që krijon tema e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare ende te ne – zëvendësministri iu drejtua miqësisht me një kërkesë:

            – Ne do ta mirëprisnim, zoti Hibert, në se ju keni kujtime të tjera dhe do të mundeni të shkruani me to një libër tjetër nga Lufta jonë Antifashiste. – Zëvendësministri u përpoq t’i spjegonte se jo vetëm lexuesi, por edhe studiuesit shqiptarë kishin nevojë të mësonin nga metodologjia në trajtimin e ngjarjeve të rëndësishme historike. Sëri britanik, falenderoi për komplimentin, heshti pak dhe vazhdoi po aq miqësisht:

            – Edhe unë kam diçka për ju : botoini më parë dokumentet për Luftën ashtu siç i keni.

 Kanë kaluar mjaft kohë nga ajo vizitë në atë fund nëntori të vitit 1994.  Tashmë ish pjesëmarrësi në misionet angleze që vepruan në Shqipëri, Sër Rexhinald Hibert nuk jeton më. Por sugjerimi i tij nuk ka nevojë për koment. Publiku shqiptar nuk e ka ende mundësinë për t’u njohur nga afër me të gjithë ata që kanë qenë protagonistë në etapat e ndryshme të zhvillimit tonë historik, që kanë ndikuar për mirë apo për keq në këto zhvillime, kanë ecur më tej apo kanë patur kthesa e kanë bërë hapa prapa, që kanë shkrirë pasuri për të bërë Shqipëri apo kanë punuar për vete.

 Parlamentarizmi shqiptar, siç dihet, i ka fillimet e veta me Kongresin e Lushnjes e sidomos me zgjedhjet e para parlamentare në prill të vitit 1921. Parlamenti i parë shqiptar, përbëhej nga 78 deputetë. Tetë vjet pas shpalljes së pavarësisë mund të themi se me të vërtetë fillon jeta institucionale në Shqipëri. Kemi një shtet shqiptar në një territor me kufij të njohur nga fuqitë e mëdha, ndërkohë që vazhdonte ende angazhimi i komisionit ndërkombëtar për përcaktimin përfundimtar të kufijve në disa zona ta veriut, të jugut e të juglindjes; funksiononte një sistem shtetëror i pranuar qysh në vitin 1912 dhe më pas në 1920 si mbretëri parlamentare, me Këshill të Lartë deri sa të vinte mbreti, siç cilësohet shprehimisht në dokumente të kohës, me pushtete si ai legjislativ, ekzekutiv, gjyqësor, duke njohur edhe pushtetin e katërt, të shtypit; një popullsi të qëndrueshme, megjithëse e ndarë këtej e matanë kufijve, e cila kishte filluar të regjistrohej e të paisej për herë të parë me dokumente identiteti.

 Veçori e rëndësishme e Parlamentit të parë shqiptar, një periudhë shumë e shkurtër kohore e jetës të të cilit, ajo e muajve shtator – dhjetor 1922 është edhe objekt i këtij botimi, është se anëtarët e tij ishin pothuaj të gjithë personalitete të rëndësishme intelektuale, me përvojë aktive në jetën politike e patriotike dhe në interes të veprimtarisë kombëtare shqiptare të dy dekadave të para të shekullit të njëzetë, që kishin ndikuar në kompaktësimin moral të shqiptarëve, që kishin përfaqësuar çështjen shqiptare në forume ndërkombëtare, që kishin vendosur autoritetin e besimeve fetare në shërbim të shqiptarizmit, që kishin punuar për alfabetin e gjuhës shqipe etj. Një pjesë e mirë e tyre ishin edhe me përvojë parlamentare nga ish perandoria otomane apo njohës të mirë të saj, të kulturës juridike si të Lindjes ashtu edhe të Perëndimit. Mund të thuhet me plot gojën se Parlamenti i parë shqiptar, siç shikohet edhe në materialet e këtij botimi, përbëhej nga patriotë e politikanë të vërtetë, mes të cilëve kishte kapacitete juridike me klas të lartë, për të cilët një shtet ka nevojë në çdo moment të jetës së vet. Ishin këta politikanë, ishin këto kapacitete juridike, të cilëve u ra barra të ngrenë arkitrarët e godinës shtetërore shqiptare, që ia dolën mbanë të ndërtojnë ligjet më të rëndësishme e më të nevojshme për funksionimin e shtetit të sapongritur, – i cili, siç do të shprehej në një artikull të botuar në gazetën Dita e Re në vitin 1922 njëri prej këtyre përfaqësuesve të elitës politike që bëri emër në historinë e Shqipërisë, Ahmet Zogu – duhej të qëndronte “me ftyrë nga Perndimi”.

 Një pjesë e konsiderueshme e traditës parlamentare të viteve njëzetë është e botuar kryesisht në një buletin me format të vogël A4 të quajtur “Fletore zyrtare”, dhe për një kohë të shkurtër, gjatë viteve 1922 e 1923 në një gazetë me format të madh, në fillim të quajtur “Dita e Re” e më pas “Fletore zyrtare”. “Fletorja” botohej nga një zyrë shtypi, në varësi nga ministria e Punëve të Brendshme, sipas një vendimi të Parlamentit të parë shqiptar, që populli të njihej me çfarë thoshin përfaqësuesit e vet në “bisedimet e Këshillit Kombëtar”. Duke u njohur me këtë thesar të vërtetë të traditës parlamentare, nuk mund të mos shprehësh mirënjohjen për atë punë kolosale të atyre ekipeve të vogla të përbërë nga mjeshtra të stenografisë dhe redaktorë të kujdesshëm e profesionistë për ta mbajtur procesverbalet, për t’i zbardhur ato, për t’i plotësuar kur ishte nevoja, për t’i transmetuar besnikërisht lexuesve dhe brezave të ardhshëm jo vetëm se çfarë është thënë, por edhe si është thënë, deri edhe situatat emocionale dhe humorin parlamentar gjatë “bisedimeve” në sallën e Parlamentit.

Objekt i këtij botimi janë “bisedimet e Këshillit Kombëtar” për zgjerimin e statutit të Kongresit të Lushnjes. Këto bisedime kanë vazhduar tre muaj. Mbledhja e parë për Bisedimet e Këshillit Kombëtar për zgjerimin e Statutit të Lushnjes, ishte ajo e datës 11 shtator 1922 dhe mbledhjet e fundit, në të cilat ishin lënë për bisedim disa nene të debatueshme të Statutit vazhduan deri në mesin e muajit dhjetor 1922. Midis këtyre mbledhjeve janë zhvilluar seanca të tjera për çështje të rëndësishme politike të kohës të krijuara nga situatat e brendshme e të jashtme, nëpër të cilat po kalonte shteti i ri shqiptar. Në hapësirat nga njera mbledhje në tjetrën, komisioni i ngritur posaçërisht për zgjerimin e Statutit të Lushnjes ku bënin pjesë kryesisht një grup juristësh me mjaft përvojë, bënte një punë të jashtëzakonshme për përmirësimin e formulimeve të artikujve apo neneve, paragrafëve apo frazave, fjalive apo fjalëve rreth të cilave përqëndroheshin bisedimet apo krijoheshin debate, për të arritur në formulimin dhe shprehjen më të mirë, më të nevojshme, më të saktë, të qartë, të kuptueshme e pa ekuivoke për opinionin publik dhe me referencat më të mira nga përvoja kushtetuese e shteteve demokratike e të përparuara.

Botimi i këtyre dokumenteve nga procesverbalet e seancave parlamentare, i jep lexuesit një informacion të plotë për problematikën e para një shekulli, për  ngjarje e figura të rëndësishme të jetës politike, kulturore, shoqërore e juridike, të njohura e të panjohura për arsye të ndryshme, por që kanë bërë histori. Kuptimi më i mirë i mesazheve të tyre, bënte të domosdoshme pajisjen e botimit me edhe me disa sqarime dhe shënime gjuhësore, sidomos për disa fjalë të huaja të përdorura nga oratorët, por duke ruajtur mjaft fjalë e shprehje karakteristike ashtu sikurse janë përdorur në fillim të shekullit të kaluar, si një kolorit i nevojshëm për të rikrijuar sadopak atmosferën e kohës gjatë një seance parlamentare. Përveç dy rasteve, kur ka qenë e detyrueshme për të bërë shkurtime të vogla për shkak të paqartësive që paraqiste materiali, është respektuar oratoria e deputetëve të Parlamentit të parë shqiptar, e cila – është e nevojshme të përsëritet – nuk do të kishte ardhur deri te ne, pa punën e nderuar të mjeshtrave të stenogramës, që kanë ndjekur me vëmendje dhe përgjegjësi çdo diskutim, çdo debat, çdo ndërhyrje, në atmosferë parlamentare të qetë apo të tensionuar, për të mos u shpëtuar asgjë nga regjistrimi i bisedimeve, edhe atëhere kur ato vazhdonin deri vonë, në kushte jo të mira ndriçimi, si dhe plotësimin me çdo detaj gjatë zbardhjes së tyre. Është respektuar gjithashtu edhe porosia e “Sër”-it britanik : botoini dokumentet ashtu si i keni.

Së fundi, duke botuar këto dokumente që i përkasin traditës parlamentare shqiptare, është e nevojshme të sqarohet se në to gjallon jo thjesht historia e një institucioni omnipotent, siç cilësohej në atë kohë Parlamenti, por historia politike e Shqipërisë e fillimit të shekullit të kaluar, me protagonistët e saj më të spikatur, me idealizmin dhe seriozitetin e tyre për të ndërtuar shtetin e ri shqiptar, me vizionin, pragmatizmin dhe aksionin konkret për të zgjidhur çështjet e vështira që prodhonte koha e që pengonin punën e nisur për hedhjen e themeleve të shëndosha të godinës shtetërore. Në to do të gjeni emra të njohur, që përmenden në librat e historisë, por edhe emra pak të njohur, që qëndrojnë me dinjitet krahas tyre. Të gjithë së bashku punuan për të realizuar ëndrrën e rilindasve të mëdhenj, për të bërë Shqipërinë me shtet. Atyre u takoi që, në atë kohë të vështirë të fillimit të viteve 20, të vinin gurët e parë në themelet e godinës së shtetit, duke hartuar atë që mund të quhet kushtetuta e parë e shtetit të sapoformuar shqiptar, i cili përjetonte një sistem politik të monarkisë parlamentare, në pritje të mbretit. Ndaj edhe u gjet si më e përshtatshme që titulli i botimit të jetë “Debat parlamentar para nje shekulli”.

Këtu keni Debatin e plotë për Monarkinë apo Republikën:

 

Download (PDF, 1.64MB)

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi