Një marrëveshje apo një zgjidhje për krizën?

Afrim Krasniqi, botuar në BalkanWeb, datë 23.5.2010

Kriza politike shqiptare do të marrë një zgjidhje. Për këdo që njeh politikën shqiptare, ishte e qartë se do të kishte një moment kulmor në të cilin faktori ndërkombëtar do të ndërhyjë për t’i dhënë fund krizës shqiptare. Debatet dhe dilemat ishin nëse kjo ndërhyrje do të ishte e shpejtë dhe nëse ajo do të trajtohej si qëndrim ndaj një pale politike apo ndaj vetë demokracisë dhe institucioneve shqiptare. Në rastin aktual, ndërhyrja erdhi pas një viti protesta, bojkot e greva, si dhe rreth tri javë pas fillimit të grevës së urisë nga ana e opozitës. Palët politike u vendosën para faktit të kryer dhe sipas traditës, do të jenë pjesë e bisedimeve të detyrueshme në Strasburg dhe pavarësisht nga zgjatja e bisedimeve, në fund do të duhet të nënshkruajnë një kompromis të detyrueshëm. Në fazën e mbylljes së aksioneve politike në Tiranë dhe nisjen e aksionit diplomatik për marrëveshje politike, është koha të kemi një bilanc të palëve, ngjarjeve, argumenteve, si dhe të bëjmë një parashikim të së ardhmes së afërt. Bazuar në të gjithë kompleksitetin e zhvillimeve politike, përqasjeve ndaj tyre dhe sjelljes së palëve shqiptare në konflikt politik apo faktorit ndërkombëtar, mund të arrijmë në disa përfundime thelbësore.

1. Kriza politike nxori në pah paaftësinë tradicionale të liderëve politikë, të partive politike dhe të institucioneve shqiptare për trajtim të përgjegjshëm e zgjidhje të saj. Dështuan liderët, dështuan partitë, dështoi parlamenti, dështoi qeveria, dështoi presidenti, dështuan gjykatat, KQZ, prokuroria dhe çdo aktor tjetër kushtetues ecivil. Për rreth një vit nuk pati bisedime direkte midis dy liderëve politikë, nuk pati bisedimeve direkte partiake, nuk u arritën rezultate as nga tryeza e iniciuar dhe drejtuar nga Presidenti. Opozita hyri në parlament, sepse iu kërkua nga të majtët europianë, ajo i dha fund grevës së urisë, sepse iu kërkua nga pala negociatore eStrasburgut. Maxhoranca toleroi protestat e opozitës, sepse iu kërkua nga faktori i jashtëm, ajo ndryshoi qëndrim politik dhe u ul në bisedime për krizën, vetëm për shkak të presionit ndërkombëtar. Pra, palët janë në Strasburg si dëshmi e dështimit të instrumenteve vendore dhe ky është investimi më i keq që ata vetë i bëjnë shtetit, shoqërisë dhe Shqipërisë.

2. Ulja në negociata mbi zgjidhjen e krizës post-zgjedhore i dha fund debatit mbi ndershmërinë e zgjedhjeve të vitit 2009. Dyshimet mbi manipulimet e mundshme nuk janë më dyshime, pranohen, trajtohen dhe në Strasburg përbëjnë bazën e debatit mbi kompromisin e ri politik. Opozita e kërkon këtë si sukses të saj politik, dhe natyrisht që për të është i tillë. Gjithsesi, ky është një sukses parcial dhe jo i

plotë, nuk erdhi vetëm si meritë e saj, por edhe nga paaftësia e PD-së për të kuptuar brishtësinë e legjitimitetit të saj parlamentar dhe për të ofruar një zgjidhje me sa më pak kosto për të. Dosje si ajo e Ruzhdijes apo Shkodrës vunë në dyshim përbetimet për ndershmëri të maxhorancës, kurse refuzimi edhe i hetimit të materialeve zgjedhore shumëfishoi dyshimet mbi qeverinë.

3. Palët janë të detyruara të heqin dorë nga qëndrimet e tyre maksimale. PD nuk mund të fshihet më pas shtetit ligjor e kushtetutës, PS nuk mund të fshihet më pas kutive të fshehta dhe transparencës. Teza: “të gjitha ose asgjë” e aplikuar nga dy palët, rezultoi e gabuar. Palët shkuan aq larg kundër njëra-tjetrës, saqë nuk japin garanci se do të jenë të afta të kthehen pas në nivelin e kërkuar për një kompromis real, të bazuar në marrëveshje dhe vullnet politik për realizimin e saj. Ato nuk kanë më të drejtë morale të flasin për sukses e dështim, përderisa në Strasburg po negociojnë diçka të ndryshme me atë cfarë kanë thënë e premtuar deri tani.

4. Kriza pati një çmim të lartë: muaj të tërë me jetë parlamentare të bllokuar, protesta masive, bllokim të institucioneve, mitingje e antimitingje etj, dhe fatkeqësisht ky është një çmim që paguhet nga qytetarët, jo nga politikanët. Si qytetarë emocionalë ndjehemi mirë kur palët bien dakord për zgjidhje të krizës, por si qytetarë të përgjegjshëm ndjehemi të turpëruar nga mënyra e sjelljes së liderëve tanë politikë. Ndaj, kur palët do të pranojnë në Strasburg kompromis për zgjidhjen e krizës, pyetja e parë që duhet bërë është përse këto palë nuk e pranuan këtë kompromis në korrik 2009, në shtator, në dhjetor, në janar apo mars. Përse u desh një vit krizë politike për të arritur në një zgjidhje politike, e cila mund të gjendej menjëherë, pa shpenzime dhe pa sforcime? Përse humbëm kaq shumë kohë me kurthe e skenarë force kur palët sot do të shtrëngojnë duart pasi kanë firmosur të kundërtën e asaj që deri tani kanë thënë e bërë?

5. Kriza nxori në pah cekëtinë dhe papërgjegjshmërinë politike të shumë prej oratorëve politikë të këtij viti, liderë politikë, deputetë listash, militantë partiakë dhe media në shërbim të tyre. Rreth 100 konferenca shtypi kundër opozitës të mbajtura me siglën e Kuvendit u shumëzuan me zero, njësoj si ato 100 konferenca të tjera shtypi të mbajtura në selinë e opozitës. Politikanë, sidomos deputetë të njohur për fjalorin e ashpër, bindjen e verbër dhe retorikën plot akuza absurde, në fazën e post negociatave do të duhet të votojnë në parlament një marrëveshje politike, e cila në thelb do të jetë e kundërt me gjithçka çfarë ata kanë thënë e kanë bërë në këtë vit krize. Në një vend normal, politikanë të tillë do të duhej të kërkonin falje publike, deri edhe të largoheshin vullnetarisht nga politika apo jeta publike, kurse tek ne do vijojë tradita, do të vijojë të shohim konferenca, politikanë e media që thonë me të njëjtin seriozitet e papërgjegjshmëri, krejt të kundërtën e asaj që kanë bërë deri tani.

6. Negociatat po shoqërohen dhe do të shoqërohen me provokime dhe përballje forcash në terren, për të forcuar pozitat në tryezën e bisedimeve. Për ironi, shenjat e para u dhanë në të njëjtën orë kur nisën bisedimet në Strasburg, kur parlamenti votoi në mënyrë të njëanshme dy kandidatë për gjykatën Kushtetuese, duke hedhur poshtë një nga kërkesat themelore të opozitës dhe deri diku, edhe të faktorit ndërkombëtar. Edhe opozita nuk ndryshoi qëndrim dhe nuk mori pjesë në punimet e parlamentit. Incidente e provokime të tilla do të vijojnë edhe në ditët e ardhshme, tipike për mënyrën shqiptare të negocimit dhe sjelljes parademokratike.  Së fundi, po aq e rëndësishme është parashikimi se çfarë do të ndodhë nesër, pasnesër, në muajt e vitet e ardhshme. Sa kosto do të marrin bisedimet për

marrëveshje, kur do të arrihet ajo, si do të jetë reagimi i palëve dhe më kryesorja, a është ky moment fundi i një krize apo fundi i krizave politike? Dy janë parashikimet kryesore, dhe duke njohur aktorët apo partitë politike të përfshira në krizë, më me shumë gjasa për të ndodhur. E para, liderit historikë do të jenë të detyruar për marrëveshje dhe pas këtij akti jo shumë dinjitoz, do ta përdorin marrëveshjen e Strasburgut për të “shpëtuar fytyrën” e tyre para opinionit vendor, publikut dhe militantëve të partive. Nëse marrëveshja bëhej në Shqipëri, palët do ta konsideronin sukses apo dështim të palës tjetër, gjë që në mentalitetin tonë, kryesisht bajraktar e para-demokratik, nuk pranohet. Kështu që palët sot e pas dy ose më shumë javësh bisedime do të flasin nga Strasburgu për një sukses historik, një kompromis për demokracinë, për të mirën e Shqipërisë, për vizat, për integrimin. Nga fajtorë realë të krizës, ata do të vetëshpallen heronj, dhe në Tiranë me siguri që do të gjejnë mbështetës fanatikë e media servile që do të thurin lavde mbi heroizmin e tyre. Ndërkohë, në Rinas askush nuk do t’u bëjë pyetjen përse kaq vonë, përse në Strasburg, përse me këtë kosto të lartë dhe përse nuk vepruan më parë për të mirën e vendit, popullit, vizave apo integrimit.

E dyta, në Strasburg ka disa skenarë të hapur, por më i mundshmi është kompromisi mbi paktin e përmendur javën e kaluar në Tiranë për një zgjidhje teknike të krizës, verifikim të materialeve zgjedhore dhe ankesë në Komisionin e Venecias për hapjen e kutive të votimit. Kjo mund të jetë zgjidhje që kënaq palët, por që faktikisht në perspektivë mund të mos zgjidhë asgjë. Muaj më vonë, kur palët të grinden në komisionin bipartizan mbi materialet zgjedhore, kartat e identitetit, votave të emigrantëve apo aspekteve të tjera teknike, do të jetë e pashmangshme dalja me dy raporte paralele, dhe për rrjedhojë, hyrja në një krizë të re politike. Nëse materialet zgjedhore do të kenë probleme, opozita do të kërkojë zgjedhje të reja, nëse jo, maxhoranca do të injorojë çdo nismë e aksion të opozitës. Nëse Komisioni i Venecias vendos hapjen e kutive, sistemi politik do të bjerë, nëse jo, nuk ka asnjë garanci as për zgjedhjet e tjera lokale ose parlamentare. Në dy rastet jeta politike në Shqipëri do të mbetet e njëjtë si tani, e konfliktuar, e acaruar, e gatshme për një ndërmjetësim tjetër ndërkombëtar. Kriza mund të përsëritet sidomos në prag të zgjedhjeve lokale dhe me siguri, edhe pas zgjedhjeve lokale. Ndaj, kompromisi i Strasburgut, nëse nuk do të jetë kompromis politik, nëse nuk do të jetë i plotë, nëse nuk detyron palët për reforma të përbashkëta, ndryshim sjelljeje, korrektim të sistemit demokratik, pra nëse nuk respekton qytetarin shqiptar dhe aspiratat e tij sociale e politike, atëherë mund të mos të jetë shumë afatgjatë, të mos jetë i plotë dhe të mos ofrojë stabilitetin demokratik dhe as demokracinë funksionale, për të cilat ka aq shumë nevojë Shqipëria.

Tani për tani kriza po negociohet për zgjidhje nga ata që vetë e krijuan. Vetëm se këtë herë, sidomos në raundin e dytë të bisedimeve, dy liderit tanë politikë nuk janë thirrur për të folur, por më shumë për të heshtur, për të firmosur një kompromis. Negociatat e Strasburgut i ngjajnë bisedimeve midis fiseve afrikane, ku palët udhëtojnë ndaras, takohen në territor të huaj dhe vendosin një armëpushim afatshkurtër. Në shkëmbim, ca viza dhe ndonjë deklaratë mbështetëse. Kaq. Dhe si në rastin e prijësve afrikanë, të cilët në vendin e tyre sillen si luanë të uritur, kurse para të huajve si qengja të bindur, edhe prijësit tanë, në mos sot, pas dy ose disa javësh do të kthehen me një marrëveshje politike. Ajo do të jetë marrëveshja e 16-të në këto 20 vitet e fundit, e 12-ta për çështjen e zgjedhjeve dhe me ndihmën e Zotit dhe sidomos të Strasburgut, urojmë të mos jetë njëherësh marrëveshja e 16-të e pazbatuar e këtyre 20 viteve.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi