Sfida e “sfidës së parë”: Reforma administrative dhe ndarja territoriale

Nga Gjergji Duro, ish- kryetar Bashkie, Artur Kurti, ish- kryetar Bashkie, botuar në gazetën Tema, 15 gusht 2013

Kohet e fundit ka një inflacion të “sfidës së parë” për problemet që pritet të zgjidhen nga qeveria e ardhshme. Sfida e modelit qëndron, sfida e kapërcimit të krizës ekonomike, patjetër edhe kjo qëndron, sfida e integrimit, edhe kjo në plan të parë, sfida antikorrupsion dhe rishikimi i transaksioneve që kanë në themel korrupsionin, pa dyshim që edhe kjo qëndron. E kështu me radhë mund të rendisim disa të tilla, njëra më e rëndësishme se tjetra, njëra më në plan të parë se tjetra. Por në gjykimin tonë sfida e sfidave është reforma administrative dhe ndarja territoriale. Pse e rendisim si të tillë?

Së pari, sepse është një ndër katër sfidat e rekomanduara nga Këshilli i Europës dhe që do shërbejë si shtrat ku do lëkunden gjithë sfidat e tjera. Çdo sfidë e ndërmarrë pa reformën administrative do ta bëjë atë të cunguar dhe do ulë ritmet e zbatueshmërise së saj.

Së dyti, sepse jemi të kufizuar në kohë. Kjo reformë duhet të jetë e kompletuar para zgjedhjeve vendore të vitit 2015, në të kundërt humbim 6 vjet, ndërkohë që “nuk kemi kohë të humbasim kohë”.

Në vitin 2004 u bë një tentativë për t’i hyrë një reforme të tille, por atëherë veç të tjerash mungonin dy faktorë esencialë: baza ligjore dhe konsensusi politik. Një reformë e tillë, në atë kohë bëhej dhe në një vend tjetër, anëtar të BE-së, që synonte të shkurtonte numrin e njësive vendore nga 181 në rreth 100 të tilla, ndërkohë që ne kishim po aq sa kemi dhe sot, rreth 374 njësi vendore.

Në takimin që patëm me këshilltarin e kryeministrit për këtë reformë, që në fillim të bisedës ai na tha: “Me ligjin aktual ju e kini shumë të vështirë t’i hyni kësaj reforme sepse ligji juaj favorizon shtimin e njësive vendore dhe jo rregullimin e tyre. Brenda tij fshihet një presion shumë i madh që do e shfrytëzojë politika (sikundër dhe ndodhi, që edhe para pak kohësh kryeministri në detyrë premtoi që dhe Lushnjën ta ngrinte në rang prefekture) dhe do vini në një pikë që do jeni të kënaqur me gjendjen që keni. Tendenca në vetë njësitë vendore, përmendi ai, është që të shkojnë drejt ndarjes, sepse ju ngushtohet rrethi i administrimit dhe janë më komode, ndërkohë që në krahun tjetër janë disa të tjerë që e miklojnë këtë ndarje për interesa të ngushta, deri në personale. Këto lloj interesash i “mbështesin” në veçoritë e zonës, në zakonet e veçanta etj, etj. Ligji juaj pikërisht këto i amplifikon dhe nuk i amortizon.

Nëse tek ne do të aplikohej skema dhe kriteret e tyre, që natyrisht mbështeteshin në direktivat e BE-së, ne duhet të kishim gjithsej 35-40 njësi vendore të nivelit të parë dhe 3-4 njësi të nivelit të dytë, pra qarqe. Më poshtë, pa pretenduar që me një shkrim, të ezaurojmë gjithë problematiken e një reforme të tille, tej e tej të vështirë, do të ndalemi në një skemë që për gjykimin tonë është më e “lehta” në aplikim dhe më e mundshmja në përqafim.

Për nivelin e parë të qeverisjes vendore, për mendimin tonë, në parim është rikthimi në rrethet e dikurshme. Kjo s’ka të bëjë me nostalgjinë, por me eficencën e tij si njësi administrimi dhe tradicionalisht e pranueshme edhe sot në jetën e përditshme. Kur e pyet një fermer nga fshatrat e Korçës se prej nga je, përgjigja e parë është: nga Korça. Po kështu edhe një fermer gjirokastrit apo shkodran. Në territorin që mbulon bashkia Berat nuk kultivohen ullinj, po në treg reklamohen ullinj Berati etj, etj. Pra, ideja jone është që përgjithesisht bashkitë të ndërtohen në bazë të rretheve të dikurshme, të cilët kanë edhe kufij territorialë të përcaktuar.

Nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm kjo është një zgjidhje nga më efikaset. Nuk do ishte bërë ajo batërdi ndërtimore në vijën bregdetare të liqenit të Ohrit nëse e gjithë ajo do ishte në administrim të bashkisë Pogradec. Me patjetër do kishte një plan zhvillimi të studiuar dhe mbase dhe nuk do ishte betonizuar bregu i liqenit ashtu si po veprohet aktualisht, mjaft që të çojmë rrugën në Pogradec. Po si mund ta menaxhoje bashkia një territor kaq të gjërë jo thjesht në sipërfaqe, por për më tepër në njerëz? Përsëri mendojmë se do jetë më e lehtë dhe më racionale dhe efektive.

Le të marrim shërbimin e pastrimit. Kur projektonim ndërtimin e landfillit në Korçë, me nismën e bashkisë lindi nevoja e domosdoshme të bënim (me hir a me pahir) një “memorandum mirëkuptimi” që 5 bashkitë e qarkut dhe disa komuna binin dakord të përdornin të njëjtin landfill për depozitimin e mbetjeve urbane.

Ky ishte kushti fillestar i vënë nga donatori, në të kundërt nuk sigurohej financimi. Me gjithë përpjekjet e lodhshme disavjeçare, edhe sot nuk është arritur ai nivel i parashikuar në studimin e fizibilitetit të kryer këtu e dhjetë vjet përpara. Pse? Sepse harmonizimi i interesave të 20 apo 25 njësive vendore që duhet të përfshihen në të është tejet i vështirë dhe problematik.

Por edhe vetë procesi i pastrimit të këtij territori do të jetë me cilësor dhe më i kontrollueshëm nëse menaxhohet nga një firmë, e cila mund të ketë edhe nënkontraktorë apo filiale në varësi të rajonizimit që do bëjë ajo vetë në interes dhe efektivitet të proceseve dhe kostove perkatëse. Kurse nga pikëpamja e shërbimeve të drejtpërdrejta që ofrojnë aktualisht njësite vendore, ato mund të mbeten si janë aktualisht, bile edhe me një shtrirje më të thellë. Një rajon i qytetit të Korçës ka në juridiksion rreth 25- 30 mijë banorë dhe i administron ata me 2-3 nëpunës, kurse Maliqi me 5 apo 7 mije banorë është bashki më vete. Asgjë nuk do ndryshojë në shërbimin e këtyre qytetarëve nëse edhe Maliqi do jetë një rajon i bashkisë së Korçës! Është e kuptueshme, çdo zgjidhje do ketë specifikat dhe axhustimet e nevojshme, por thelbi i organizimit të jetë i njëjtë. P.sh nuk mund të jetë e njëjta zgjidhje si në rastin e mësipërm edhe me bashkinë e Tiranës dhe atë të Kamzes, sepse Kamza tani po shkon gati 100 mijë banorë!

Por nëse kjo ndarje e re do të shoqërohet edhe me dekoncentrimin e kompetencave (e theksojmë dekoncentrimin dhe jo decentralizimin) atëherë edhe Kamza mund të jetë një minibashki si 11 minibashkitë e tjera aktuale të bashkisë Tiranë.

Në përgjithësi për kryeqytetet ka dy modele: njëri sipas të cilit bashkia mëmë është “bashki e forte” dhe minibashkitë janë thjesht “honorifike” dhe tjetri ku minibashkitë janë “të forta” dhe bashkia mëmë luan rolin e organizatorit dhe politikbërjes, pra me kompetenca të dekoncentruara në drejtim të minibashkive. Tek ne është një hibrid midis të parës dhe të dytës dhe gjithmonë minibashkitë që janë të një krahu politik me bashkinë mëmë, janë të superkënaqura dhe ato të krahut tjetër super të pakënaqura.

Kjo medoemos duhet të korrigjohet nëpërmjet dekoncentrimit të kompetencave. Pra, ajo çka duam të nënvizojme nuk ka të bëjë thjesht me aritmetikën, ç`bëri 370, ç`bëri 40 njësi vendore! Thelbi është rritja e efektivitetit të shërbimeve ndaj qytetarëve, standardizimi i tyre për të siguruar të njëjtën cilësi si për atë që banon në qytet, edhe për atë që banon në fshat, minimizimi i administratave jo efiçente e që vegjetojnë për hir të institucionit, administrimi dhe përdorimi me efektivitet i fondeve publike dhe atyre të donatorëve! E shumë arsye të tjera po që nuk është vendi të zgjatemi në këtë shkrim!

Për nivelin e dytë të qeverisjes vendore, pra qarqet, mendojmë se duhet të zgjidhen dy probleme:

Problemi i parë ka të bëjë me ristrukturimin e tyre për t’i përafruar rreth një popullsie përfituese prej minimalisht 800 mijë banorë. Pavarësisht nëse do jetë i pëlqyeshëm propozimi ynë, një gjë është e sigurt, nëse duam të ecim sipas kritereve të BE-së, ato nuk mund të jenë më 12 të tilla.

Ristrukturimi i qarqeve është një domosdoshmëri imperative, veçanërisht në kushtet e marrjes së shpejti të statusit nga Bashkimi Europian, gjë e cila përkon me vitin 2014 kur fondet e akorduara nga BE-ja në interes të tyre do të kalojnë vetëm nëpërmjet Grupeve Lokale të Veprimit (LAG).

Pra, edhe njëherë del në pah që jemi të vonuar në strukturimin e tyre dhe shumë të vonuar në ngritjen e LAG-eve, të cilat duhet të hartojnë platformat e bashkëpunimit dhe projektet përkatëse për absorbimin e fondeve të akorduara.

Në gjykimin tonë një variant oportun i ristrukturimit të qarqeve është si më poshtë:

Qarku Tiranë, pa Kavajën dhe që përmbledh vetëm kufitarët e tij (Kamëz, Farkë, Bërzhitë, Dajt, Vaqar, Ndroq, etj)

Qarku Shkodër, që përmbledh veç qarkut aktual të Shkodrës edhe qarkun aktual Lezhë e Kukës.

Qarku Elbasan, që përmbledh veç qarkut aktual të Elbasanit edhe qarkun aktual të Dibrës dhe të Beratit.

Qarku Durrës, në të cilin përfshihen edhe Kruja, Kavaja dhe Rrogozhina.

Qarku Fier, që do të përfshijë edhe Tepelenën dhe Memaliajn.

Qarku Vlorë, që do të përfshijë edhe Sarandën dhe Gjirokastrën.

Qarku Korçë, që do të përfshijë edhe Përmetin.

Problemi i dytë, në kuadrin e ristrukturimit të nivelit të dytë të qeverisjes vendore, lidhet me institucionin e Prefektit dhe Këshillin e Qarkut. Aktualisht duken si të tepërt të dy këto institucione, dhe kjo nga niveli i punëve që menaxhojnë, nga mungesa e kompetencave dhe nga paaftesitë e tyre “për t’i hapur punë vetes”.

Në fakt janë dy organizma që shpesh përplasen jo vetëm midis tyre, por edhe me nivelin e parë të qeverisjes vendore, sidomos kur vjen puna për fondet apo kontributet, për ligjshmërinë e akteve dhe të drejtën e tyre mbi to. Jo absolutisht, por përgjithësisht në vendet e Europës nuk ka nivel të dytë të qeverisjes vendore dhe aty ku ka, nuk është “për të pasur zili” marrëdhënia midis dy niveleve. Kurse prefekturat, si përfaqësuese të qeverisë qendrore në rajon, janë ku e ku sa më “të forta” dhe me kompetenca të kompletuara. Gjithsesi, kjo është një çështje që do diskutim me shumë faktorë e aktorë, por natyrisht pa u tjerrë e stërtjerrë!

Për të përfituar në kohë në gjithë këtë proces, ne do gjykonim që do ishte ndihmë e madhe nëse do të angazhohej në rolin e liderit apo dhe të partnerit një organizëm i huaj prezent në Shqipëri, si p.sh PNUD-i, që ka eksperiencë dhe prani në gjithë vendet e botës dhe mund të shmangë preferencat lokaliste dhe të çastit të një grupi apo institucioni tjetër që mund të përfshihet në hartimin e kësaj reforme.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi