Prokuroria
Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Prokuroria i ushtron funksionet nëpërmjet prokurorëve.
Në ushtrimin e kompetencave të tyre prokurorët u nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve. Prokurorët duhet të ushtrojnë kompetencat e tyre duke respektuar parimet e procedimit të drejtë, të barabartë e të rregullt ligjor dhe mbrojtjes të së drejtave, të interesave dhe të lirive të ligjshme të njeriut.
Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit për një mandat 5-vjeçar, me te drejte riemërimi dhe mund të shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kuvendit, për shkelje të Kushtetutës ose për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e Prokurorit.
Prokurorët e tjerë emërohen dhe shkarkohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm.
Prokuroria organizohet dhe funksionon në përputhje me ligjin, nën drejtimin e Prokurorit të Përgjithshëm si strukturë e centralizuar, ku përfshihen zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, Këshilli i Prokurorisë dhe prokuroritë pranë sistemit gjyqësor.
Organet e prokurorisë janë: a) Prokuroria e Përgjithshme e Republikës; b) prokuroria pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda; c) prokuroritë pranë gjykatave të apelit; d) prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë për krime të rënda; dhe ç) prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë.