Demokracia, qeverisja, dhuna

Nga Prof. Fatos Tarifa, botuar në Dita, 16 maj 2019

Gjendja e sotme politike në Shqipëri është sërish një katrahurë. Një gjendje sa absurde, aq edhe, në dukje, e pashpresë. Kjo gjendje të kujton vitet 1996-98, si edhe vitet më të afërt 2011 dhe 2017. Pavarësisht se zhvillimet apo ngjarjet e muajve të fundit nuk janë një replica e ngjarjeve të mëparshme, ato kanë një shkak të përbashkët—dobësinë e rendit demokratik dhe derivatet e tij: shkallën e lartë të korrupsionit, krimin e organizuar dhe një kulturë mosndëshkueshmërie të habitshme, e cila gjeneron vazhdimisht korrupsion dhe krim.

Jo armiq, por rivalë

Konflikti politik mes opozitës dhe qeverisë, ndërkohë që po afrojnë zgjedhjet lokale, ka hyrë në një rrugë pa krye, ku e vetmja alternativë e mundshme duketse është përplasja e dhunshme mes tyre, siç kemi parë të ndodhë muajt fundit. Asnjëra nga palët nuk epet. Asnjëra palë nuk e dëgjon tjetrën, madje as nuk e sheh si një mundësi të ulet me palën kundërshtare në një tryezë të përbashkët dialogu habermasian. Asnjëra palë nuk tërhiqet nga transheja e vet.

Duket se jetojmë në një “gjendje lufte”, ku pala kundërshtare nuk është rivali yt, por armiku yt. Konflikti ka marrë trajtën e një lufte politike për mbijetesë “a vdekje”! Për mbijetesën e ligjshme apo rrëzimin me dhunë, në mënyrë të paligjshme, të qeverisë aktuale, ekzistenca dhe veprimtaria e së cilës janë bërë shumë të vështira, por edhe për mbijetesën apo asgjësimin e opozitës aktuale, ekzistenca dhe veprimtaria e së cilës kanë ardhur në një pikë ku, nga kjo përleshje, ajo nuk mund të fitojë shumë, por mund të humbasë shumëçka.

Sido që të jetë, marrëdhëniet mes opozitës dhe qeverisë, në qorrsokakun ku ato kanë hyrë qysh nga fillimi i këtij viti, do të përcaktojnë nëse demokracia e brishtë shqiptare do të njohë një kthesë tjetër të madhe prapa, apo nëse ajo do të avancojë drejt konsolidimit të saj. Përfaqësues të opozitës, të cilën Sali Berisha vazhdon ta tërheqë për hundësh, janë shprehur hapur madje se, për ta, në këtë luftë me qeverinë e Edi Ramës (së cilës s’ka mbetur epitet pa i vënë), nuk ka kthim prapa.

A do të “vdesë” opozita në “shesh të burrave”, apo ajo do të tërhiqet nga kjo formë lufte për t’u riorganizuar e për t’u përgatitur për një fitore elektorale të ardhshme?

Legjitimiteti si atribut dhe retorikë

Secila palë, kryefjalë të retorikës së saj ka legjitimitetin politik, pra të drejtën dhe autoritetin për të qeverisur vendin. Legjitimiteti është ai koncept bazë, mbi të cilin mbështeten—dhe përmes të cilit justifikohen—pretendimet e çdo partie politike e të çdo drejtuesi shteti për të qeverisur vendin. Për Weber-in, siç dihet, legjitimiteti është ajo cilësi që e konverton pushtetin (Macht) në autoritet (Herrschaft) dhe, për këtë arsye, krijon si “obligimin për t’u bindur”, ashtu dhe “të drejtën për të sunduar”. Në vija më të përgjithshme, legjitimiteti nënkupton konsensusin popullor, i cili gjen shprehjen e vet në procesin e zgjedhjeve të lira.

Qeveria e z. Rama insiston se ajo është tërësisht legjitime, ngaqë Partia Socialiste fitoi shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhe, kësisoj, gëzon të drejtën legjitime të qeverisë vendin. Partitë opozitare, që tashmë e kanë braktisur parlamentin dhe “betejën” e tyre politike e zhvillojnë në rrugë, pretendojnë se Partia Socialiste mbeti në pushtet me votat e vjedhura të qytetarëve dhe, për këtë arsye, qeveria socialiste është ilegjitime.

Është e vështirë të duash ta shpjegosh këtë situatë duke iu referuar teorisë mbi demokracinë. Gjithsesi, kjo teori, veçanërisht koncepti weberian mbi legjitimitetin, i aplikuar për format postdiktatoriale të qeverisjes, ndihmojnë për të kuptuar se e vërteta, në një konflik politik si ky që përjetojmë në Shqipërinë e sotme, nuk është e s’mund të jetë vetëm në anën e njërës palë, edhe pse njëra palë mund të ketë më shumë të drejtë sesa tjetra.

Fjala kyç në teorinë mbi demokracinë është e drejta e barabartë e qytetarëve që, përmes një procesi elektoral të rregullt, pa frikë, të paintimiduar dhe në mënyrë të fshehtë, të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në organin më të lartë ligjvënës, si dhe në organet e qeverisjes lokale. Parlamenti që formohet në këtë mënyrë, mbi bazën e vullnetit të lirë të zgjedhësve, i jep mandat një qeverie të shumicës dhe e legjitimon atë që të drejtojë punët e shtetit, në përputhje me interesat kombëtare dhe me programin politik të partisë apo të partive politike që ka(në) marrë shumicën e votave, por duke respektuar të drejtat e partive në pakicë dhe të elektoratit që ato përfaqësojnë.

Me fjalë të tjera, sovraniteti i popullit për të mbrojtur interesat e veta e për të vendosur mbi fatet e vendit i besohet kështu një qeverie që formohet nga partia, ose partitë që ka(në) fituar shumicën e votave në zgjedhje të përgjithshme. Ky është parakushti i të gjithë kushteve që e bëjnë një sistem demokratik përfaqësues dhe legjitim. Siç vë në dukje Adam Przeworski, “demokracia është një sistem, në të cilin partitë humbasin zgjedhjet. Ka parti: ndarje interesash, vlerash dhe opinionesh. Ka konkurrencë të organizuar mbi bazë rregullash. Ka edhe fitues dhe të humbur periodikë”.

Procesi elektoral

Pretendimet e opozitës për të mohuar karakterin legjitim të qeverisë socialiste janë dy: procesi elektoral i parregullt, që i mbajti socialistët në pushtet pas katër vitesh qeverisjeje, dhe mënyra e qeverisjes së tyre. Për opozitën, procesi elektoral, i ndikuar nga “paratë e drogës” dhe krimi, nuk mundi të garantonte zgjedhjen e lirë të përfaqësuesve të popullit sipas vullnetit të tij dhe, ipso facto, çoi në formimin e një parlamenti me një legjitimitet të dyshimtë dhe të një qeverie ilegjitime.

Socialistët, me të cilët në këtë rast bashkohet edhe autori i këtyre radhëve, këmbëngulin se zgjedhjet e vitit 2017 ishin më të mirat që janë organizuar në Shqipëri deri më sot dhe, përgjithësisht, u vlerësuan si të tilla thuajse nga kushdo. Ato, madje, nuk u kontestuan as nga partitë opozitare, edhe pse, për vetë këto parti, zgjedhjet e atij viti shënuan një disfatë politike të rëndë.

Partitë opozitare kryesore (Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim—sepse “partitë” e tjera, që sot janë në opozitë, vështirë se meritojnë të cilësohen parti politike; ato janë parti-kryetar, parti-familje, parti-fantazmë, parti pa ide, parti pa program, parti pa anëtarë)—pra dy partitë kryesore të opozitës, pretendojnë se farsa elektorale që u luajt në zgjedhjet e 2017-ës u kuptua prej tyre më vonë, kur, sipas tyre, u bë e qartë se, në disa zona elektorale, shitblerja e votës e kishte deformuar procesin elektoral.

Thellësisht të dëshpëruara nga disfata e tyre, disi të përçara, të braktisura nga një pjesë e elektoratit të tyre dhe pa një perspektivë shpresëdhënëse për t’i kompaktësuar radhët e tyre për fitoren e ardhshme elektorale, partitë opozitare ngritën alibinë e humbjes në zgjedhjet e vitit 2017: Rama i vodhi zgjedhjet dhe duhet të ikë. Qeveria duhet të bjerë! Duhen bërë zgjedhje të parakohëshme, të organizuara nga një qeveri tranzitore! Sikur një qeveri tranzitore, që me çdo gjasë nuk mund të jetë më e mirë sesa qeveritë që kemi njohur deri më sot, përderisa ajo do të krijohet nga po të njëjtët drejtues të partive politike, të ishte një zgjidhje gati hyjnore për problemet tona dhe të garantone rregullsi absolute në zgjedhje të parakohshme.

“Rama ik!” u bë dhe mbetet kërkesa kryesore e qëndrimit dhe e aksionit politik të opozitës, fillimisht në parlament dhe, më pas, jashtë tij, në protesta të shumta e jo pak herë të dhunshme. “Duam zgjedhje të reja lokale e parlamentare me një qeveri pa Edi Ramën!”.

Rregullat e lojës

Le ta mbajmë arsyetimin tonë për një çast këtu. Pa Edi Ramën!

Por, së pari, shtrojmë pyetjen: A është e arsyeshme, e drejtë dhe e legjitimuar kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare? Unë mendoj se jo. Zgjedhjet e përgjithshme periodike janë rregulli i parë në çdo demokraci. Të kërkosh zgjedhje të parakohshme, kur këtë nuk e justifikojnë rrethanat e kohës e të vendit, do të thotë të kërkosh mosrespektimin dhe prishjen e rregullave të lojës. Dhe, pa rregulla, nuk ka demokraci.

Rrethanat e sotme, pavarësisht temperaturës së lartë politike në vend, nuk e justifikojnë kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme, së paku për dy arsye: Së pari, parregullsitë e procesit elektoral në zgjedhjet e vitit 2017 nuk ishin një dukuri e re—dhe nuk janë një dukuri vetëm socialiste—dhe as një dukuri e përgjithshme. Së dyti, “votat e vjedhura”, të cilat janë konstatuar post factum dhe vetëm në pak qarqe, nuk kanë mundur që ta deformojnë rezultatin përfundimtar të atyre zgjedhjeve, të cilat Partia Socialiste i fitoi bindshëm. Edhe pse votuesit e PS-së nuk morën asnjëherë një duartrokitje nga drejtuesit e saj, ata, edhe pse në shumë raste të zhgënjyer nga praktika qeverisëse e partisë së tyre, kanë vazhduar ta mbështesin atë.

Bëj përsëri pyetjen: a kanë të drejtë partitë opozitare të kërkojnë largimin e kryeministrit aktual nga detyra dhe krijimin e një qeverie tranzitore që të përgatisë zgjedhje të parakohshme? Nëse zgjedhjet e parakohshme nuk janë bërë të domosdoshme, atëherë nuk është e nevojshme, për arsyet që thotë opozita, as largimi i kryeministrit. Nga pikëpamja legale-racionale, siç do të argumentonte Max Weber, roli i tij drejtues në krye të qeverisë socialiste është i legjitimuar. Kryeministri aktual është kryetari i Partisë Socialiste, e cila ka fituar zgjedhjet e përgjithshme dhe ka shumicën e vendeve në parlament. Rregullat në fuqi legjitimojnë pozitën e tij në krye të qeverisë. Por, të mos harrojmë, siç thoshte Gëte se, ndërsa “të sundosh është e lehtë, të drejtosh një qeveri është e vështirë”.

Mënyra e qeverisjes dhe kritikat për të

Më lejoni të sqarohem më tej. Nëse argumenti i opozitës është një casus omissus për pretendimet saj mbi karakterin ilegjitim të qeverisjes së z. Rama dhe për kërkesën e saj që ky i fundit të dorëhiqet nga detyra e kryeministrit, opozita ka në dorë—nëse ka dhe aftësinë—që të argumentojë përse mënyra e qeverisjes së z. Rama, pra jo qënia e tij per se në krye të qeverisë, mund ta ketë delegjitimuar praktikën aktuale të qeverisjes së tij. Sepse, pavarësisht rëndësisë që kanë programet që i paraqiten elektoratit nga partitë politike që konkurrojnë të marrin rolin drejtues në shtet dhe në jetën e shoqërisë, programet në vetvete nuk gjenerojnë legjitimitet për qeverinë që formohet pas fitores në zgjedhjet. Legjitimiteti i një qeverie buron nga praktika aktuale e qeverisjes së saj.

Juan Linz dhe Alfred Stepan, dy ndër figurat më të shquara të teorisë mbi demokracinë, vënë në dukje se asnjë qeveri nuk mund të quhet demokratike apo legjitime “nëse drejtuesit e saj nuk qeverisin në mënyrë demokratike”. Sipas tyre, “në qoftë se një ekzekutiv, i zgjedhur lirisht, shkel kushtetutën, dhunon të drejtat e individëve e të pakicave, nëpërkëmb funksionet legjitime të legjislativit dhe, në këtë mënyrë, nuk drejton brenda kuadrit të shtetit ligjor, një regjim i tillë nuk është demokraci”.

A mund të thuhet kjo për qeverinë e drejtuar nga z. Rama dhe—përtej sloganeve të protestave të saj—a ka opozita e sotme mundësi që ta provojë këtë dhe, bashkë me të, humbjen ose mungesën e legjitimitetit të saj. Ky është thelbi i çështjes dhe ky duhet të jetë objekti i kritikës dhe i luftës politike në një vend demokratik. Kjo kritike dhe kjo luftë bëhen në parlament e jo në rrugë.

Personalisht mendoj se, pavarësisht meritave dhe arritjeve në mandatin e parë të qeverisjes së tij, metoda dhe praktika qeverisëse e z. Rama gjatë dy viteve të fundit ka ngjallur e vazhdon të ngjallë shumë zhgënjime. Natyrisht, nuk është aspak me vend që, për të karakterizuar sistemin e sotëm të qeverisjes në Shqipëri, të përdorim shprehjen oksimoronike “demokraci autoritariste” (authoritarian democracy). Një cilësim i tillë do i shkonte fare mirë për shtat qeverisjes së z, Berisha në vitet e parë të tranzicionit demokratik. Sidoqoftë, mënyra e qeverisjes së z. Rama dhe vetë ai mund të kritikohen në shumë aspekte, që kanë të bëjnë me autoritarizmin e tij dhe mungesën e frymës së kolegjialitetit në qeverisjen e vendit, me monopolizimin thuajse të të gjitha funksioneve të shtetit e të administratës së tij, dhe shumë herë me mospërfilljen e opinioneve të ndryshëm apo të kundërt dhe, sidomos, me mosdëgjimin e zërave që vijnë nga qytetarë të pakënaqur, simpatizantë ose jo të Partisë Socialiste, me antagonizmin shpesh herë të pajustifikuar ndaj opozitës dhe mënyrën konfliktuale në komunikimin dhe në marrëdhënien me të, me pavendosmërinë për t’u shkuar deri në fund disa prej reformave shumë të rëndësishme që qeveria e tij ka nisur, me mungesën në mjaft raste të transparencës në marrjen e vendimeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me interesa jetike të qytetarëve, pavarësisht aparencës dhe narrativës së përdorur. Z. Rama dhe kushdo tjetër që merr përsipër përgjegjësinë e madhe për të drejtuar punët e shtetit duhet të dijë se një drejtues shteti është ajo çfarë ai bën, jo ajo çka ai thotë.

Për të gjitha sa vura në dukje më sipër dhe për defekte të tjera në veprimtarinë e kryeministrit Rama, siç i perceptoj unë—nga pozitat e një sociologu të politikës dhe të një përkrahësi të Partisë Socialiste—opozita mund të thotë fjalën e saj dhe të kërkojë llogari dhe vënien para përgjegjësisë. Kjo është detyra e opozitës. Ky është misioni i saj në çdo vend demokratik. Madje, kjo është një detyrë jo vetëm e opozitës, por edhe e grupit parlamentar të Partisë Socialiste që e ka votëbesuar kabinetin qeveritar të z. Rama, si dhe e anëtarësisë së PS-së dhe e masës së gjerë të elektoratit që e kanë votuar atë.

Partitë opozitare nuk kishte asnjë arsye që ta braktisnin parlamentin. Edhe pse të dëshpëruara dhe pa shumë shpresë në fitoren elektorale të radhës, ato mund e duhej të kishin qëndruar në parlament për t’ia bërë më të vështirë punën një qeverie, të cilën e konsiderojnë të korruptuar e të lidhur me krimin, për të fituar kredibilitet në masat e popullit dhe për ta afruar perspektivën e drejtimit të qeverisë nga ana e tyre.

Zgjedhjet dhe legjitimiteti

Linz dhe Stepan sërish na kujtojnë se çështja e legjitimitetit mund të mos ketë kurdoherë shumë rëndësi për regjimet jodemokratikë, por ajo ka një rëndësi teorike dhe politike themelore për demokracinë. Më sipër, unë e trajtova çështjen e legjitimitetit të lidhur ngushtë me zgjedhjet e lira, por, për të shmangur çdo keqkuptim, dëshiroj të vë në dukje se, edhe kur arrihet demokratikisht, përmes zgjedhjeve të lira, legjitimiteti i një sistemi politik, ose i një qeverie, nuk mund të konsiderohet i mirëqenë, ose tërësisht dhe përfundimisht i arrirë vetëm nga rezultati i zgjedhjeve. Me këtë pohim vij në një çështje tjetër të rëndësishme, që ka të bëjë me raportin mes procesit elektoral dhe zgjedhjeve legjislative, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, me karakterin legjitim të një qeverie të dalë nga këto zgjedhje, ose të një mënyre të caktuar drejtimi të shtetit.

Demokracia nuk mund të kuptohet dhe të ekzistojë pa zgjedhje të lira. Sado të papërsosura që të jenë zgjedhjet në një vend (dhe zgjedhje të përsosura nuk ka pasur askund dhe vështirë se mund të ketë), ato kanë një efekt pozitiv të rëndësishëm për demokracinë. Megjithatë, edhe pse zgjedhjet janë kushti i parë i demokracisë, ato nuk janë i vetmi kusht. Përkufizimi i demokracisë si një formë qeverisjeje që buron nga zgjedhjet e lira është, në fakt, një përkufizim minimalistdhe/ose procesualist, të cilin, në mënyrë klasike, e ka formuluar Joseph Schumpeter, në veprën e tij të famshme Kapitalizmi, Socializmi dhe Demokracia(1942). Pasi e përkufizon demokracinë si “një metodë politike” dhe si “një tip i caktuar organizimi institucional për të arritur në vendime politike-legjislative dhe administrative”, Schumpeter ofron definicionin e tij të njohur mbi “metodën demokratike”, me çka ai kupton “atë organizim institucional për arritjen në vendime politike, në të cilin individët [dhe partitë] vendosin përmes një lufte konkurruese për votën e popullit”.

Sado demokratike e të lira të jenë zgjedhjet, ato, në asnjë vend nuk “prodhojnë” imediatisht dhe domosdoshmërisht legjitimitet për një qeveri të re. Zgjedhjet e lira shërbejnë vetëm si një parakusht për një legjitimitet të përkohshëm, të cilin mund ta quajmë “protolegjitimitet”, ose “legjitimitet elektoral”. Edhe pse një legjitimitet i tillë, i përkohshëm, rezulton nga një marrëveshje kushtetuese, ai ka nevojë të provohet në procesin e qeverisjes për një kohë relativisht të gjatë, në mënyrë që të konsolidohet e të konsiderohet si legjitimitet i vërtetë, i bazuar në konsensusin e qytetarëve.

Me fjalë të tjera, zgjedhjet e lira krijojnë vetëm premisat për legjitimimin e një qeverie, por nuk garantojnë funksionimin demokratik apo legjitimitetin e saj. Sepse demokracia nuk është thjesht ose vetëm zgjedhje, as nuk është një ngjarje e një dite të vetme. Demokracia është një proces; zgjedhjet e lira janë vetëm fillimi i këtij procesi.

Parlamenti dhe lufta politike jashtë tij

Kritikat dhe lufta politike e partive opozitare ndaj qeverisë së z. Rama mund të përqendroheshin pikërisht në këtë drejtim. A është legjitimuar kjo qeveri, e dalë nga zgjedhjet e vitit 2017, në procesin e qeverisjes së vendit? Nëse po, në ç’masë është legjitimuar (sepse legjitimiteti është gjithnjë një çështje mase) dhe nëse jo, pse? Çfarë nuk ka bërë qeveria e z. Rama? Çfarë nuk ka bërë mirë, ose nuk ka bërë mjaftueshëm për të legjitimuar besimin e qytetarëve për administrimin e interesave e të fateve të tyre? Çfarë ka bërë keq dhe pse?

Siç vura në dukje më sipër, në çdo vend demokratik, këto kritika ndaj qeverisë dhe kjo luftë politike për një alternativë më të mirë qeverisëse bëhen në parlament. Ju mund të thoni, ashtu si dhe unë, se ky parlament që kemi—si dhe ai që kishim dy, gjashtë, dhjetë apo njëzetë vite më parë—na ka zhgënjyer shumë për cilësinë e njerëzve të zgjedhur dhe punën e tyre. Dikush mund të thotë (dhe unë kam dëgjuar njerëz që thonë) se parlamenti ynë është një “parlament prostitutash”. Unë nuk dua ta besoj këtë, por nëse është vërtet kështu, atëherë, bashkë me  P. J. O’Rourke duhet të pranojmë se, në një demokraci parlamentare, prostituta jemi të gjithë ne që i votojmë ata.

Sido që të jetë—dhe fatkeqësisht—opozita shqiptare nuk është më në parlament. Ajo është në rrugë dhe shpesh herë e paaftë që të kontrollojë sentimentet, zemërimin dhe veprimet e dhunshme të masës së qytetarëve që e mbështesin opozitën në protestat e saj. Leon Trotski, vetë një anarkist, pohonte se, për anarkistët dhe gjysmëanarkistët, “bojkotimi i institucioneve parlamentare diktohet nga nevoja për të mos e shfaqur dobësinë e tyre para masave në një provë zgjedhjesh”.

Protesta politike në rrugë e në sheshe publike, kur ajo është paqësore dhe ka një objektiv të qartë, është, pa dyshim, një mjet dhe një taktikë e ligjshme—dhe në shumë raste e dobishme. Dhuna, nga ana tjetër, në kushtet e një shoqërie që mundëson zgjidhjen në rrugë paqësore të problemeve të saj, është e pajustifikuar. Në Shqipërinë e sotme, sado që flitet për ndryshimin e sistemit aktual të qeverisjes, dhuna nuk mund të shërbejë, siç thoshte Marksi, si “mamija e një shoqërie të vjetër që është e mbarsur me një shoqëri të re”.

Protestat e dhunshme dhe “lufta në rrugë” krijojnë një kulturë politike jodemokratike dhe një precedent negativ, që mund të përsëritet, siç ka ndodhur shumë herë në Shqipëri gjatë këtyre 30 viteve të fundit. Dhuna, nëse ajo nuk pengohet, ka prirjen të prodhojë më shumë dhunë.

Dhuna dhe qytetërimi

Dhuna ose mungesa e saj janë shprehje e shkallës së qytetërimit të një kombi.Sa më shumë dhunë, aq më pak i qytetëruar është një komb. Dhuna rrezikon të zëvendësojë format demokratike të bashkekzistencës e të konkurrencës për votën e qytetarëve dhe drejtimin e vendit në interes të popullit me anarkinë politike, pasigurinë dhe vazhdimësinë e kulturës së dhunës, që e bëjnë më të vështirë gjendjen ekonomike, politike e shoqërore të vendit dhe më të largët perspektivën e integrimit të tij në komunitetin e popujve europianë.

Adam Michnik ka theksuar se “ata që nisin të sulmojnë bastijat do të përfundojnë duke ngritur bastijat e tyre”. Në Shqipëri kjo është provuar mëse një herë. Ka ardhur koha që të mësojmë nga gabimet e historisë sonë dhe të mos i përsërisim ato.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi