KLSH, 6-mujori: Dëmi Ekonomik, 50 mln dollarë

31.07.2012

Gjatë auditimeve të kryera vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar një dëm ekonomik dhe ndikim negativ financiar në arkën e shtetit, me shumën totale prej 5.1 miliardë lekësh ose afërsisht 50 milionë dollarësh. Ky total është i ndarë në dy zëra: Dëmi i drejtpërdrejtë ekonomik ndaj shtetit në masën 3.6 miliardë lekë, dhe, shkeljet financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara në shumën 1.4 miliardë lekë. Të dhënat u bënë publike nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, gjatë analizës së punës gjashtëmujore të këtij institucioni, zhvilluar dje në ambientet e hotelit “Vlora International”.

Pasi nënvizoi gjatë analizës, se institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka funksionuar për këta gjashtë muaj me një ritëm e frymë të re, Leskaj nënvizoi se “ka kryer 18 kallëzime penale, për konsumimin e veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera publikë, shifër kjo afërsisht e barabartë me numrin e kallëzimeve të bëra në tre vitet e fundit 2009-2011, të marra së bashku”. Teksa analizoi më tej treguesit e punës, Leskaj bëri me dije se KLSH ka dhënë 2,113 rekomandime, ose 29 për qind më shumë se e njëjta periudhë një vit më parë; ka rekomanduar 489 masa disiplinore, ose 86 për qind më shumë se periudha janar-qershor 2011; ka rekomanduar 1,137 masa organizative, ose 24 për qind më shumë. Ky dëm ekonomik është konstatuar në 91 auditime, ndërkohë që 14 janë përfunduar por jo evaduar dhe 21 të tjera janë në proces.

Dëmi ekonomik

 Ndërsa raportuan në mënyrë specifike për dëmet e konstatuara nga kontrollet e ushtruara gjatë këtyre gjashtë muajve, dy drejtorët e përgjithshëm, Robert Gjini dhe Helga Vukaj raportuan se fajtorët kryesorë për këtë dëm janë shoqëritë publike dhe koncesionet. Për sa u përket shoqërive publike, sipas zonjës Vukaj, përgjegjëse për pjesën më të madhe të dëmit janë ato që operojnë në sektorin e energjetikës, me një total prej 2.7 miliardë lekësh. 278.5 milionë lekë është dëmi i konstatuar nga kontrollet e departamentit të auditimit të pushtetit vendor, kontrollit të territorit dhe privatizimit të pronës shtetërore. Sipas analizës së raportuar nga Zoti Gjini, mësohet se nga departamentet e auditimit të buxhetit qendror dhe Drejtorisë ekonomike është konstatuar një dëm prej 1.4 miliardë lekësh. Përgjegjëse kryesore për këtë dëm ekonomik është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me një dëm total prej 1.1 miliardë lekësh, i shkaktuar në dhënien me koncesion të pronës shtetërore. Autoriteti rrugor shqiptar është përgjegjës për një dëm ekonomik prej 285 milionë lekësh. Qendra e publikimeve zyrtare ka shkaktuar në arkën e shtetit një dëm prej 22.5 milionë lekësh, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve është përgjegjëse për një dëm prej 13.7 milionë lekësh. Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave i është faturuar nga ana e ekspertëve të KLSH-së një dëm prej 12.8 milionë lekësh.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi