Voluntarizëm i frikshëm kryeministror!

Nga Sherif Bundo, botuar në Panorama, 29 korrik 2017

Besoj që është i madh num ri i personave që u befasuan kur dëgjuan dje Kryeministrin në detyrë dhe me siguri edhe kryeministrin e ardhshëm të qeverisë së re të fillimshtatorit, të deklaronte, në një takim para drejtorëve të zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme: “Ju ftoj të gjithëve të jepni dorëheqjen brenda 24 orëve, të largoheni me dinjitet. Nëse doni t’i jepni vetes një mundësi dhe të dilni me dinjitetin minimal, jepni dorëheqjen”. Për një numër të madh njerëzish, që nuk e njohin mirë shtetin, që nuk e njohin mirë administratën, që gjykojnë në mënyrë emocionale, apo që janë partizanë dhe tifozë të zgjatur të fushatës elektorale, kjo deklaratë ka tingëlluar mirë dhe bukur. Ndoshta mirë, madje shumë mirë, mund të ketë tingëlluar kjo deklaratë, edhe për një pjese të vetë drejtorëve në takim, të zhytur thellë në zullume. Po kështu, mirë duhet të ketë tingëlluar kjo deklaratë edhe për mijëra dhe mijëra qytetarë shqiptarë, të cilët kanë vuajtur shumë nëpër sportelet e zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në pritje pa fund, të tejlodhur dhe të terrorizuar, të marrjes së dokumentit zyrtar të legalizimit të një pasurie të paluajtshme.

Kjo kategori e fundit ka të drejtë. Ajo kategori qytetarësh, që kanë ligjërisht të drejtë, që kanë dokumentacionin e plotë, që nuk kanë mbivendosje pronash, dhe që sorollaten pafundësisht nëpër këto zyra, jo vetëm kanë të drejtë, por duhet të bërtasin dhe të protestojnë pa fund kundër këtij niveli primitiv dhe të korruptuar, të ngritur në sistem, nëpër zyrat e pasurive të paluajtshme, dhe jo vetëm. Personalisht, jam në krah dhe në mbështetje të kësaj kategorie.

Por shqetësimi im nuk është vetëm ky. Ai është më i thellë. Të mirëkuptohemi që në fillim, pa lënë vend për dy kuptimësi. Ata që duhen larguar, të largohen dhe sa më parë. Problemi është se si largohen? Kryeministri i fton të gjithë drejtorët vendorë, pa përjashtim, të japin dorëheqjen. Kryeministri i paragjykon dhe i fut të gjithë punonjësit, drejtues të nivelit të lartë dhe të ulët, të këtyre zyrave, në një thes dhe i fton të japin dorëheqjen. Në grup! Pa analizë dhe gjykim paraprak. Jepni dorëheqjen, se jeni të gjithë të korruptuar, jeni të gjithë të paaftë dhe keni njollosur të gjithë statusin e nëpunësit civil, apo statusin e nëpunësit të administratës publike. Jepni dorëheqjen, menjëherë, brenda 24 orëve dhe në mënyrë ultimative. Në të kundërt, “ju fshiva”, është nënteksti i deklaratës. Sjellje subjektive ndaj institucioneve dhe administratave të rregulluara me ligj. Vullneti është parë- sor, mbi ligjin. Ky është voluntarizmi.

Le ta marrim pak me qetësi, me gjakftohtë- si, larg avujve të dehjes së gjatë elektorale dhe larg mendësisë radikaliste. A është e vërtetë se që të gjithë drejtorët vendorë të regjistrimit të pasurive të paluajtshme janë të paaftë? Ashtu në grup, të paaftë? A janë të gjithë të korruptuar? A kanë shpërdoruar të gjithë, njësoj dhe në grup, detyrën dhe funksionin? Të largoheni nga detyra të gjithë, pa përjashtim. A ka midis tyre profesionistë, të ndershëm dhe korrektë? Çfarë garancie ligjore kanë ata si punonjës të administratës? A ka struktura që i drejtojnë, që i kontrollojnë dhe i auditojnë këto zyra? A ka ligje shteti që përcaktojnë se si rekrutohet dhe si largohet nga puna, apo nga detyra një person? Sot, për herë të parë, mbas katër vjet qeverisje, e mësoi qeveria se publiku është i pakënaqur nga shërbimi publik në këto zyra? Domethënë të gjitha institucionet, vertikalisht, kanë punuar keq! Atëherë, së pari, ndëshko drejtuesin qendror, ministrin që mbulon dhe ndjek këtë linjë. Ndëshko zyrat qendrore nga varen këto shërbime.

Personalisht nuk njoh asnjë prej 35 drejtorëve të zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Personalisht nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë lidhje me askënd dhe asnjë i afërm imi nuk punon në këto zyra. Por kjo rrethanë nuk është absolutisht një premisë, që të heshtim ndaj veprimeve të tilla arbitrare. Kush ka abuzuar me detyrën duhet të përgjigjet maksimalisht. Kush ka shpërdoruar detyrën duhet të përgjigjet penalisht. Kush ka tjetërsuar në mënyrë korruptive, me firmën e tij, elementë të pasurive të paluajtshme, duhet të përgjigjet po penalisht. Shkallën e përgjegjësisë duhet ta provojnë institucionet që janë përgjegjëse, që kanë profesionalizmin, aftësinë dhe kompetencën të gjykojnë përgjegjësinë dhe fajin. Këto zyra duhen kontrolluar rregullisht, duhen audituar rreptësisht. Për veprimet e jashtëligjshme, për zvarritjen administrative në të drejtat e pronësisë, për paaftësi në komunikim, apo në pritje dhe përcjellje, duhet të ketë një raport nga një grup pune dhe vetëm mbi këtë bazë të merren masa. Si mund të veprohet kështu? Ky është një lloj voluntarizmi i hapur dhe i frikshëm. Nesër prisni që po kështu Kryeministri të largojë brenda 48 orëve gjithë administratën e tatimeve, pasnesër të doganave, të gjendjes civile, dhe kështu me radhë. Ndëshkimi në grup është i frikshëm. A thua se të gjithë drejtuesit e zyrave nuk kanë qenë njëlloj korrektë në raportime? A thua se të gjithë nuk kanë përditësuar blloqet kadastrale dhe nuk u janë përgjigjur kërkesave e ankesave të qytetarëve? A thua se vërtet është fiktiv raportimi i të gjithëve? Nëse është kështu, problemi nuk qëndron te zyrat vendore, por gjetkë. Ndoshta te mënyra se si janë qeverisur dhe se si janë mësuar të punojnë për katër vite rresht. Ndoshta edhe me mënyrën se si kanë punuar në këta 26 vjet. Por largimi në grup dhe ultimativ më kujtoi shijen e keqe të nenit 24/1. Ata që e njohin, që e kanë jetuar në moshë madhore dhe e kanë pësuar mbi supet e tyre, e dinë se çfarë shijeje kanë dënimet kolektive?

Dënim kolektiv? Në dënimet kolektive, faji është pa emër. Dënimet kolektive marrin trajtën e genocidit. Dënimet kolektive janë precedentë të frikshëm. Nuk ka dy njerëz njëlloj, dy profesionistë që punojnë njëlloj, që janë të aftë, apo të paaftë në masë të njëjtë. Nuk ka dy persona, në zyra të ndryshme, larg njëritjetrit, që nuk njihen me njëri-tjetrin, që janë përgjegjës në mënyrë të njëjtë, ndaj një dobësie, ndaj një shkeljeje të paidentifikuar, të supozuar si të provuar për të gjithë. Unë jam për ndëshkim të fortë të atyre që dëmtojnë, abuzojnë dhe përvetësojnë. Por ndëshkimi duhet të vijë nga ligji, nga analiza, nga institucioni, duhet të jetë individual dhe në mënyrë hierarkike.

Ka edhe një problem tjetër! Kryeministri, që merret me emërimin dhe largimin nga detyra të drejtorëve të zyrave rajonale të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Kjo është detyra e kryeministrit? Sigurisht, ai ka të drejtën të ndërhyjë, në çdo segment të administratës që funksionon keq. Por Kryeministri duhet të instalojë një strukturë që funksionon mirë, që vetërregullohet, që zbaton ligjin, afatet, që u shërben qytetarëve, që nuk zvarris punët etj. Ai drejton piramidën qeverisëse dhe kërkon fort llogari. Kryeministri nuk merret dhe nuk mund të merret dot me gjithë administratën publike. Nëse ndodh kjo, ky do të ishte vërtet një sharlatanizëm. Kryeministrin, publiku e do të kompozojë një administratë të aftë, profesionale, të mirëmotivuar, të ndershme, që përgatit dhe paraqet projekte progresive dhe që drejtohet nga drejtues politikë, apo profesionistë, të aftë, gjithashtu të ndershëm dhe të drejtë. Nuk drejtohet administrata me SMS, me Facebook dhe me WhatsApp. Kryeministri, edhe kur është fizikisht shumë i aftë, ka mundësinë të bëjë punën e dy, tre apo të katër vetave. Por jo më shumë. Ai paguhet si kryeministër që të ndërtojë mekanizmin që e bën administratën funksionale, duhet të hartojë politikat dhe të propozojë e miratojë ligje që kanë për qëllim të forcojnë shtetin, rregullin, bashkëjetesën në komunitet, integrimin dhe që çojnë definitivisht në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të vendit.

Pse nuk i pushon nga puna këta drejtorë të paftë kryeministri? Pse nuk i jep për ndjekje penale ata që kanë abuzuar dhe shpërdoruar pushtetin? Mos problemi qëndron diku tjetër? A janë vërtet në duart e disa zyrtarëve vendorë problemet e pronësisë? Nëse ata kanë shpërdoruar detyrën, duhen ndëshkuar. Duke mos i ndëshkuar ata që duhen ndëshkuar, kryeministri bën edhe gjykatësin. Jepni dorëheqjen se, përndryshe, (nënteksti) ju piu e zeza. Domethënë, ju e keni mbushur kupën, por unë nuk po ju ndëshkoj! Kush? Ndëshkimin e bën gjykata! Domethënë, kryeministri merr në këtë rast edhe atributet e gjyqësorit. Prit! Por ne jemi përfshirë në një reformë për reformimin e gjyqësorit! Atributet e gjyqësorit në këtë segment të administratës i merr ekzekutivi. Dhe, të jemi të bindur se pothuaj të gjithë do të japin dorëheqjen. Jo, ky është terror mbi administratën. Jeni të lutur, zotërinj ambasadorë, përfaqësues diplomatë, drejtues të lartë të institucioneve të pavarura, të mos bëni sehir. Kjo është e rrezikshme.

Nëse drejtorët vendorë të zyrave të pasurive të paluajtshme do të dorëhiqen, atëherë ata nuk kanë të drejtën të ankohen dhe nuk kanë të drejtën të shkojnë në gjykatë. Dorëheqja nën presion është në fakt largim nga detyra. Një pjesë e tyre nuk duan të largohen. Ata ushqejnë familjen me këtë punë. Por s’kanë zgjidhje tjetër. Dorëheqjen jua kërkon njeriu me pushtetin më të fortë ekzekutiv dhe drejtuesi i maxhorancës. Kryeministri duhet t’i kërkojë dorëheqjen në radhë të parë drejtuesit politik, të linjës nga varet institucioni. Ky është shteti ligjor. Drejtuesi politik, ministri i linjës, duhet të japë vetë dorëheqjen nëse ka shkallë të lartë të përgjegjësisë politike dhe morale. Si mund të qëndrosh drejtues, në një institucion, kur eprori tënd, ju kërkon vartësve të tu, dorëheqjen, dhe të gjithëve, pa përjashtim? A mund të vazhdosh të qëndrosh prapë ministër dhe të duartrokasësh shefin? Nëse drejtorët vendorë largohen nga detyra, administrativisht, për disa prej tyre, kjo do të ishte e padrejtë. Për rrjedhojë, një pushtet tjetër, pushteti gjyqësor, do ta gjykojë konfliktin dhe mund të rikthejë një pjesë në detyrë. Por kjo përbën kosto për buxhetin. Kryeministri duhet, në radhë të parë, të propozojë dhe miratojë një ligj, ku, drejtuesi që i shkakton shtetit kosto suplementare, për shkak të largimeve të padrejta nga detyra, të dëmshpërblejë një pjesë të këtij dëmi nga xhepi i vet. Ministrat dhe drejtorët që largojnë nga detyra punonjës që fitojnë gjyqet dhe kthehen përsëri në detyrë, duke marrë edhe pagën, duhet të paguajnë nga xhepi i tyre një pjesë të kësaj page.

Jam koshient që ky shkrimi im është në kundërshtim me rrymën për një pjesë të mirë të opinionit. Mos i shkruaj këto ide në shtyp, më tha dje në mëngjes një miku im i ngushtë. Ç’të duhet ty? Fundja, ti je profesor dhe nuk ke njeri të ndëshkuar nga kjo reformë. Pikërisht kjo nuk më pëlqen dhe më shqetë- son më shumë. Në fund të fundit, çfarë shërbimi i bëjmë ne profesorët vendit nëse heshtim? Heshtim kur tatimet dhe taksat caktohen me telefonata celularësh nga një drekë. Heshtim kur emërohen ministra kukulla, drejtorë tatimesh dhe doganash të paaftë dhe jo profesionistë. Heshtim kur politika bën edhe profesorin, edhe gjyqtarin, edhe gazetarin, edhe ushtarakun, edhe policin, edhe shoferin, edhe furrxhiun e tepsive, edhe kuzhinierin, dhe gjithçka. Heshtëm kur u mbush vendi me drogë. Heshtëm kur u mbush vendi me kioska. Heshtëm, jo të gjithë, kur u kthyen në epidemi firmat piramidale. Heshtëm, jo të gjithë, kur bëheshin privatizimet. Heshtim kur mbulohet gjithë vendi nga ndërtimet pa leje, shpërdorohet toka në mënyrë të pakthyeshme, apo kur ndotet si mos më keq mjedisi. Nëse heshtet, elitat intelektuale nuk janë në rolin e tyre elitar. Për fat të keq, konstatoj një deintelektualizim të politikës. Niveli intelektual i politikës po vjen gjithnjë në rënie. Grupet parlamentare të viteve të para të pluralizmit kishin nivel shumë më të lartë intelektual dhe moral sesa sot. Ka intelektualë që do ta marrin përsëri penën dhe do argumentojnë se deklarata e kryeministrit është e duhura dhe madje e vonuara. Jo, të dashur miq. Jo, të dashur kolegë. Nuk bëhet kështu shteti ligjor. Ky është thjesht një voluntarizëm i rrezikshëm. Jam i bindur që koha do të më japë të drejtë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi