Marrëdhëniet e partive me shtetin, Partitokracia

Marrëdhëniet midis partive politike dhe shtetit janë komplekse dhe ndryshojnë në varësi të modeleve të ndryshme të sistemeve politike. Ka vende në të cilat marrëdhëniet e tyre me institucionet shtetërore janë qartësisht dhe realisht të ndara. Ka gjithashtu vende ku shteti dhe partitë kanë një marrëdhënie reciproke bashkëpunimi.

Partitë ushtrojnë pushtet përmes instrumenteve të shtetit, por masa e ushtrimit  shpesh është e ndryshme midis vendeve të të njëjtit model demokratik. Gjithashtu ka vende ku më shumë se sa për shtet juridik mund të flitet për “shtet të partive politike”. Modeli i “shtetit të partive politike” është pjesë e demokracisë përfaqësuese, zakonisht e tipit parlamentar, në të cilin partitë politike në përputhje me kushtetutën luajnë një rol dominues. Në këtë model, partitë politike janë bartësit më të rëndësishëm të proçesit të formimit të vullnetit politik. Si të tilla ato kanë një rol parësor në rekrutimin dhe delegimin e përfaqësuesve të saj në strukturat drejtuese të shtetit si dhe në imponimin që ato i bëjnë vendimmarrjes politike shtetërore.

Shumë vende të demokracive perëndimore, që i përkasin këtij modeli, përbëjnë shëmbullin e ndarjes së pushteteve dhe të demokracisë funksionale. Kritikat dhe debatet që bëhen në këto vende kanë të bëjnë me përcaktimin e kufirit të drejtave të partive dhe me rastet e tejkalimit të tyre. Hapësira e madhe që kanë partitë në imponimin e vendimmarrjes politike dhe emërimet në funksionet drejtuese i bën shpesh ato imunitare dhe imponuese ndaj pushteteve të tjera. Në demokracitë e konsoliduara këto raporte vetrregullohen përmes veprimit të legjislacionit kushtetues, vetpërmbajtjes së çdo faktori shoqëror dhe autoritetit të institucioneve kushtetuese dhe pushteteve të pavarura, ndërsa në vendet me demokraci të brishtë modeli i shtetit të partive mund të kthehet në një rregjim partitokratik, që përbën një kërcënim për demokracinë.

Partitokracia është një rregjim politik në të cilin pushteti efektiv i ka qëndrat e tij në udhëheqjet e partive politike dhe jo në organet e parashikuara nga kushtetuta e vendit. Edhe pse partitë janë organizma kushtetuese që kanë rolin e tyre të rëndësishëm, nëpërmjet grupeve të tyre parlamentare, në përcaktimin e politikave të një vendi, rregjimi i partitokracisë përbën një degjenerim serioz të sistemit demokratik. Në këto kushte partitokracia përbën shkakun kryesor të mosfunksionimit të sistemit demokratik.

       Tiparet kryesore të një rregjimi të tillë janë:

– Në partitokraci pushteti real përqëndrohet në duar të udhëheqjes së partive politike. Janë udhëheqjet partiake ato që përcaktojnë orientimin politik dhe kanë monopolin e marrjes së vendimeve të rëndësishme të një vendi.

– Partitokracia imponon një politikë shterpë, pa ide. Mbartësit e një politike të tillë mund të jenë vetëm politikanët më aftësi të kufizuar dhe me shterpësi idesh, thjesht besnik të udhëheqjes së partisë. Një politikë e tillë pa ide sjell një qeverisje intuitive dhe kaotike, të çorientuar dhe pa impakt social

– Funksionimi i parlamentit është i atrofizuar. Në të vërtetë parlamenti në vazhdimësi ndodhet para aktit të kryer dhe nuk mund të luajë me efikasitet rolin e tij kushtetues, si qëndër e debatit dhe e vendimmarrjes.

– Qeveria ushtron pushtetin e vet jo sipas një programi qeverisës, por në kuadër të një marrëveshjeje të bërë në mes partive politike. Partitë politike përcaktojnë, ndër të tjera, opsionet e politikës qeveritare sipas ndarjes së “fushave të tyre të influencës”.

– Kabineti partitokratik nuk mund të sigurojë stabilitetin e nevojshëm politik, megjithatë ai nuk mund të bjerë për shkak të votës së mosbesimit të parlamentit. Në partitokraci qeveritë shpartallohen nga brenda, si pasojë e divergjencave të partive në koalicion ose, në rastet specifike, nga konfliktet e brendshme të vetëm një partie.

– Një tjetër karakteristikë e partitokracisë është fakti se elektorati nuk ndjehet i përfaqësuar në qeverisjen e vendit. Ai nuk mund të influencojë as në orientimin politik dhe as në natyrën e koalicioneve të mundshme. I vetmi atribut i tij është të shpërndajë votat ndërmjet partive politike pa pasur mundësi të influencojë në qeverisjen e tij. Përkundrejt një elektorati të pa shpresë, janë militantët partiak ata që përpiqen të vjelin frutet e partitokracisë

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi