Ringritja e Gjykatës Kushtetuese

Nga Sokol Berberi*, botuar në Panorama, 17 shtator 2020

Gjykata Kushtetuese (GJK), qysh prej gati tri vitesh, nuk është funksionale në mënyrë të plotë. Shkaqet dhe arsyet për këtë situatë janë tashmë të ditura. Ato janë evidentuar edhe në Opinionin e Komisionit të Venecias (KV) “Për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës  Kushtetuese” të 19 qershorit.

Ajo që po kërkohet sot dhe është shtruar si objektiv kushtetues e institucional parësor është ringritja sa më shpejt e kësaj gjykate. Ky shkrim, duke pasur si referim Opinionin e KV të përmendur më sipër, prezanton disa sugjerime, të cilët mund t’i shërbejnë këtij objektivi. Siç theksohet edhe në Opinionin e KV, për Shqipërinë, ringritja sa më shpejt të jetë e mundur e GJK është me rëndësi jetike. Kjo gjykatë ka një rol thelbësor për mbrojtjen e demokracisë, të shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut. Përpara kësaj gjykate ka shumë çështje, tejet të rëndësishme dhe komplekse, që kërkojnë zgjidhje dhe kanë interes të madh publik. Ndërkohë, çështje të tjera mund të ngrihen përpara saj, duke pasur parasysh reformat legjislative dhe zhvillimet politike që janë në proces dhe ato që priten në vitin në vazhdim.

Për më tepër, ringritja e kësaj gjykate është dhe një kusht për avancimin e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt integrimit europian. Funksionimi në mënyrë të plotë i GJKsë presupozon formimin e përbërjes së saj me 9 gjyqtarë. Me ndryshimet kushtetuese të 2016, Presidenti i Republikës, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë ngarkohen me përgjegjësinë dhe kompetencën për zgjedhjen, respektivisht nga secili organ të tre anëtarëve të GJK-së. Përshpejtimi për ringritjen e GJK duhet të vlerësojë njëkohësisht mekanizmat për zgjedhjen anëtarëve të GJK si nga Presidenti dhe Kuvendi, ashtu dhe ato të Gjykatës së Lartë, pa prekur thelbin e kërkesave dhe garancive të miratuara në kuadrin e Reformës në Drejtësi, për integritetin profesional, pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatës.

Që prej nëntorit të vitit 2019, GJK ka katër gjyqtarë. Më këtë përbërje, sipas ligjit organik të saj (ligji 8577/2000, i ndryshuar), nga kolegji i GJK-së me tre anëtarë mund të merren vendime për kalimin ose jo të çështjes për shqyrtim në seancë plenare. Është seanca plenare që shqyrton dhe vendos për themelin e çështjes. GJK shqyrton çështjet në seancë plenare me pjesëmarrjen e të gjithë gjyqtarëve të saj, por në asnjë rast të jo më pak se të dy të tretave të tyre. Për pranimin e kërkesës, pas shqyrtimit të çështjes në seancë, kërkohet minimalisht vota e 5 anëtarëve. Pra, në aspektin ligjor/ formal, seanca plenare mund të mblidhet me 6 anëtarë për të shqyrtuar çështjen në themel, por në rast se nuk arrihet shumica e kërkuar për një çështje, kërkesa rrëzohet. Mund të kemi raste, siç kanë ndodhur në praktikë, që shumica e gjyqtarëve të votojnë për pranimin e kërkesës dhe përsëri kërkesa të rrëzohet (4 me 2).

Vendime të tilla mund të vihen në diskutim për forcën autoritare të tyre dhe për implikimet që mund të krijojnë për subjektet që kanë vënë në lëvizje kontrollin kushtetues, për faktin se çështja konsiderohet ‘gjë e gjykuar’. Kështu që përshpejtimi procedurave për ringritjen e GJK-së nuk duhet të ketë si pikësynim arritjen e kuorumit minimal për funksionimin e saj, pavarësisht se mund të konsiderohet si zhvillim pozitiv, por duhet të ketë si objektiv formimin e kësaj Gjykate me përbërje të plotë. Në Opinionin e KV janë evidentuar disa probleme në lidhje me mekanizmat dhe procedurat për plotësimin e vendeve vakante në GJK dhe janë dhënë rekomandimet përkatëse për adresimin e këtyre problemeve.

Për disa nga problemet mund të jenë të nevojshme ndërhyrje normative në nivelin kushtetues dhe në ligjet organike përkatëse. Mekanizmat e parashikuara nga Kushtetuta për formimin e GJK presupozojnë se organet e emërtesës (Presidenti, Kuvendi dhe GJL) veprojnë në kushtet e një situate institucionale normale. Konteksti, për arsyet që tashmë dihen, ka evidentuar një sërë pengesash të paparashikuara. Për këtë arsye, mund të vlerësohet si më e përshtatshme që ndërhyrjet eventuale të hartohen në formën e dispozitave kalimtare/deroguese, të cilat do të shtrinin efektet deri në ringritjen e plotë të GJK-së. Në vijim, nisur nga problemet e evidentuara, prezantohen disa propozime konkrete që mund ta përshpejtojnë procesin në fjalë. Disa pozicione, që aktualisht janë vakante në GJK, të cilat u përkasin organeve të emërtesës, Presidentit dhe Kuvendit, janë për një mandat shumë të shkurtër (deri në prill 2022, rreth 1.5 vjet).

Kjo ka ardhur si rrjedhojë e zbatimit të parashikimeve kushtetuese për kohëzgjatjen e mandatit dhe ripërtëritjen e përbërjes së GJK-së me një të tretën çdo tre vjet. Vitet e fillimit dhe mbarimit të mandateve nëntëvjeçare janë të fiksuara; përfundimi i parakohshëm i një mandati nuk çon në një mandat të ri të plotë nëntëvjeçar, pasi gjyqtari i ri mund të përfundojë vetëm mandatin fillestar të gjyqtarit të larguar. Për më tepër, nëse vonohet emërimi i një gjyqtari për një arsye ose një tjetër, kohëzgjatja e mandatit të tij/saj zvogëlohet në të njëjtën masë sa vonesa në zgjedhje. Si rezultat i kësaj situate, siç është konstatuar edhe nga KV në Opinionin e përmendur më sipër, vakancat me mandate të reduktuara (vakanca të parakohshme) nuk kanë qenë tërheqëse për kandidatë të kualifikuar.

Për arsyen e mungesës së kandidatëve, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në mbledhjen e datës 16 shtator, bëri njoftimin e organeve të emërtesës, të Presidentit dhe të Kuvendit, për rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e vakancave të parakohshme të GJK-së. Nga ana tjetër, mandate me një kohëzgjatje shumë të shkurtër mund të jenë dhe pa kuptim, duke pasur parasysh rolin dhe përgjegjësinë që ka gjyqtari kushtetues. Për të adresuar problemin e mësipërm, KV rekomandon që ‘vitet fikse të fillimit dhe përfundimit të mandateve nëntëvjeçare duhen hequr. Gjyqtarët kushtetues duhet të gëzojnë gjithmonë mandat nëntëvjeçar, edhe nëse zgjidhen me vonesë apo marrin një mandat të përfunduar para kohe. Ky ndryshim do ta bëjë më tërheqës pozicionin e gjyqtarit kushtetues për kandidatët e kualifikuar e, po ashtu, edhe më kuptimplotë’.

Me dispozitë kalimtare në Kushtetutë mund të vlerësohet e nevojshme të bëhet një derogim nga rregulli i përgjithshëm i ripërtëritjes së përbërjes së GJK me një të tretën çdo tre vjet, deri në formimin në mënyrë të plotë të saj. Një pengesë tjetër për ringritjen sa më shpejt të GJK-së është mosfunksionimi në mënyrë të plotë i Gjykatës së Lartë (GJL). Kjo e fundit deri më sot nuk ka qenë në gjendje të zgjedhë tre anëtarët e GJK që i përkasin asaj, siç parashikohet në nenin 125 të Kushtetutës. Aktualisht, kjo GJL ka vetëm tre anëtarë. Sipas nenit 7/ç të ligjit nr. 8577/2000, i ndryshuar, procedurat për zgjedhjen e gjyqtarëve të GJK-së nga GJL-së mund të ndahen në tri faza. Në fazën e parë bëhet njoftimi për vendet vakante në GJK, shpallja dhe hapja e procedurës së aplikimit, pranimi i kandidaturave dhe dërgimi i tyre KED-së. Në fazën e dytë, KED vlerëson kushtet dhe kriteret e emërimit, rendit kandidatët dhe i paraqet Kryetarit të Gjykatës së Lartë raportin, bashkë me listën dhe dokumentacionin shoqërues për çdo kandidat. Në fazën e tretë, Kryetari i Gjykatës së Lartë thërret mbledhjen e posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

Mbledhja është e vlefshme nëse marrin pjesë jo më pak se tre të katërtat e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë (15 gjyqtarë). Për çdo vend vakant votohet për secilin nga kandidatët e renditur në tri vendet e para të listës. Kandidati që merr tri të pestat e votave të gjyqtarëve të pranishëm, shpallet i zgjedhur (9 vota). Nëse nuk arrihet shumica e nevojshme, kandidati i renditur i pari nga KED konsiderohet i zgjedhur. Nisur nga praktika për zgjedhjen e gjyqtarëve në GJL, perspektiva për arritjen e kuorumit të kërkuar nga ligji prej 15 gjyqtarësh duket jo e afërt. Procedurat për zgjedhjen e gjyqtarëve të GJK-së nga GJL mund të qëndrojnë të bllokuara deri sa të arrihet ky kuorum. Këto procedura mund të përshpejtohen, pa prekur elementet thelbësorë të këtij mekanizmi, nëpërmjet një interpretimi konstruktiv dhe teleologjik dhe ndërhyrjeje me dispozitë kalimtare/ deroguese në ligjin organik të GJK-së. Së pari, dy fazat e para nuk duhet të jenë të ndërvarura nga arritja e kuorumit prej 15 gjyqtarësh. Në fazën e parë, detyrimet për kryetarin e GJK-së dhe kryetarin e GJL-së janë të karakterit formal, nuk kanë natyrë diskrecionare. Në këtë kuptim, drejtuesit aktualë të GJK-së dhe të GJL-së mund të procedojnë sipas pikës 1 të nenit 7/ç të ligjit nr. 8577/2000, pa pritur që të arrihet kuorumi i kërkuar për mbledhjen e GJL.

Edhe në fazën e dytë, dërgimi i kandidaturave nga kryetari i GJL-së te KED është detyrim ligjor me karakter formal. Është KED që vlerëson kushtet dhe kriteret dhe rendit kandidatët. Pra, në situatën aktuale mund iniciohet procedura sipas parashikimeve të pikës 1 të nenit 7/ç të ligjit 8577/2000, duke kursyer shumë kohë. Së dyti, kuorumi prej jo më pak se tre të katërtat e anëtarëve të GJL (15) për vlefshmërinë e mbledhjes së posaçme, presupozon një situatë normale kur GJL është në formacion të plotë. Në kontekstin që ne jemi, do të ishte më e arsyeshme që kuorumi i kërkuar për vlefshmërinë e mbledhjes të ishte në një numër më të vogël, p.sh. shumica absolute e gjyqtarëve të GJL (10). Ky ndryshim mund të balancohej duke ruajtur shumicën e kërkuar për shpalljen e kandidatit fitues (9 gjyqtarë). Sidoqoftë, edhe për procedurat në GJL, siç është parashikuar për Kuvendin dhe Presidentin, ka një mekanizëm zhbllokues, nëse nuk arrihet shumica e kërkuar. Procesi i vlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetingu), si për të gjitha organet e sistemit të drejtësisë, ka ndikuar në procesin e ringritjes së GJK-së, duke e ngadalësuar këtë proces.

KV, për vetingun, ndër të tjera, ka rekomanduar: “Edhe pse Reforma në Drejtësi dhe procedura e rivlerësimit mbeten përparësi dhe duhen çuar drejt një përfundimi të mirë, duhet vlerësuar nëse rregullat që zbatohen janë të përshtatshme dhe lejojnë përfundimin e shpejtë të procesit të rivlerësimit, veçanërisht në rastin kur rivlerësimi i gjyqtarëve çon në gjykata jofunksionale, sidomos ato më të lartat”. Në këtë arsye, nga organet e rivlerësimit, kandidatët për gjyqtarë në GJK duhet të verifikohen me përparësi brenda afateve të arsyeshme. Ky detyrim, nëse është i nevojshëm, mund të parashikohet edhe në ligjet organike përkatëse të organeve të rivlerësimit, duke ndërhyrë me dispozita kalimtare. Procesi i rivlerësimit mund të ketë ndikim edhe në funksionimin e KED, i cili ka një rol kyç në procedurat për zgjedhjen e gjyqtarëve të GJK. Për këtë arsye mund të vlerësohet e nevojshme që të merren masa që ky organ të mos bllokohet në veprimtarinë e tij. Në fillim të dhjetorit 2020, sipas ligjit, pritet të hidhet shorti për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KED, me një mandat njëvjeçar. Anëtarët e KED, për të ushtruar funksionin në mënyrë legjitime duhet të kenë kaluar vetingun.

Me qëllim shmangien e bllokimit, pasi KED të jetë formuar, mund të vlerësohet e arsyeshme të përcaktohet si rregull që kandidatët për KED-në nga organet përkatëse të sistemit të drejtësisë, ta kenë kaluar vetingun përpara se të zgjidhen. Kjo do të kërkonte ndërhyrje normative. Nëse vazhdohet me procedurën ekzistuese, sipas së cilës magjistrati mund të zgjidhet anëtar i KED-it, pavarësisht se nuk e ka kaluar vetingun paraprakisht, ai do të duhej të rivlerësohej me përparësi më pas nga organet e vetingut brenda afateve të arsyeshme. Edhe për këtë rast mund të kërkohet ndërhyrje me dispozitë kalimtare. Në këtë shkrim u theksua rëndësia që ka Opinioni i KV për ringritjen e GJK, në mënyrë të plotë, në një kohë sa më të shpejtë. Duke u nisur nga konteksti dhe situata konkrete, në mbështetje të rekomandimeve të KV, u prezantuan dhe disa sugjerime/ propozime konkrete, të cilat mund të kontribuojnë për arritjen e qëllimit në fjalë. Tek e fundit, shpresojmë që këto sugjerime të shërbejnë si nxitje për një analizë më të thelluar të problemeve dhe çështjeve përkatëse dhe për nevojën e adresimit të tyre.

* Anëtar i Komisionit të Venecias; ishAnëtar i Gjykatës Kushtetuese.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi