Mbi reformën në pensione dhe shëndetësi

Nga Avni Ponari, botuar në Panorama, 20 mars 2017

Ndër vite jemi përpjekur që të ndjekim modele, disa duke i përvetësuar natyrshëm, disa të tjera me më shumë sforco, të tjera modele janë implementuar suksesshëm, ndërsa një pjesë kanë qenë më të vështira ose ndoshta nuk ka pasur dëshirë e vullnet për t’i implementuar e për t’i bërë rregulla të detyrueshme të së përditshmes.

Kemi plot 27 vite që nga koha e rënies së sistemit komunist, plot 27 vite demokraci e po ashtu shumë vite liberalizim të tregut. Por çfarë po bëjmë për ta ndryshuar këtë situatë ku kemi ngecur dhe duket se nuk po duam të dalim? Kur them nuk po duam të dalim, u referohem këtu klasave politike e qeverive të kohërave, të cilat nuk kanë pasur vullnetin e dëshirën për t’i realizuar një sërë reformash thelbësisht të rëndësishme për vendin. Ndërtojmë ekonominë e tregut, por jo rrallë ecim në drejtim të gabuar, duke i dhënë më shumë rëndësi ekonomisë së përbashkët, për të cilën rezultatet më mirë se ne shqiptarët, nuk i din kush tjetër.

Ka 27 vite që flasim për reforma, duke i quajtur të realizuara, të kryera, të përfunduara dhe i mëshojmë me forcë sloganit “u krye”, pavarësisht faktit se si është kryer dhe se a është kryer realisht. Po çfarë kryem ne? Çfarë bëmë që të themi me kaq forcë që i bëmë? Vërtet realizuam gjëra konkrete, apo thjesht bëmë diçka, s’ka rëndësi se çfarë! Nëse e kemi të qartë konceptin e reformës, atëherë unë them që kemi bërë pak, ose ato që kemi bërë janë gjysmake, duke vazhduar të lëngojmë tranzicionin, i cili s’do të përfundojë asnjëherë, me sa duket. Dhe për këtë jemi ne ata që e shikojmë çdo ditë, e prekim, e shijojmë.

Reformë do të thotë gërshetim, do të thotë bashkëpunim, do të thotë të gjesh zgjidhje për probleme dhe t’i implementosh ato zgjidhje, do të thotë të dëgjosh qytetarët dhe grupet e interesit, do të thotë të bëjmë ndryshime rrënjësore në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe në funksion të rritjes ekonomike të vendit. Reformë në ekonominë e tregut do të thotë kalim i ekonomisë nga duart e shtetit pronar, në duarte shtetarit njeriut pronar. Pra ndryshim i pronësisë të plotë mesatare ose të pjesshme. Dhe aty ku reforma është bërë mirë edhe gjërat kanë shkuar mirë, dhe punët janë bërë më mirë, shërbimet janë më cilësore dhe njerëzit më të kënaqur.

A kemi ne reforma konkrete të implementuara me sukses?

Pa dyshim që kemi. Kemi shembullin e shërbimit farmaceutik, shërbimin dentar, privatizimi i shtëpive, privatizimi i shërbimit hotelier, shërbimin e taksive, liberalizimi dhe privatizimi i sektorit të sigurimeve bankave, e shumë shembuj të tjerë, të cilët kanë ndikuar thellësisht në jetën e qytetarëve shqiptarë.

Është e vërtetë që kemi shembuj shumë të mirë e të suksesshëm të reformave dhe rritjes së cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, sikundër kemi edhe sektorë që ende kanë mbetur të prapambetur, ku vështirësitë rriten përditë dhe mungesat janë evidente, por që edhe shteti nuk nguron t’i përdorë këta sektorë për fushata elektorale, si shërbim shëndetësor falas (po ku dhe për çfarë, lind pyetja); rritje pensionesh 2 apo 3 %, shërbim elektrik, apo ujësjellësi, ku ende mbetet një ëndërr të pasurit ujë 24 orë dhe të mos i shohim më llamarinat e depozitave të ujit si kërpudhat pas shiut, në çdo tarracë pallati dhe shtëpie; apo sistemi i ngrohjes, që vazhdon të mbetet një ngërç i madh e plot probleme të tjera.

Por pikëpyetja është: Përse për këta sektorë nuk qenka gjetur ende një zgjidhje?

Ka shumë faktorë që mund të renditen për t’i dhënë një përgjigje objektive kësaj çështjeje. Ne jemi një vend i vogël, me më pak se 3 milionë banorë rezidentë në Republikën e Shqipërisë. Bëhet fjalë për një shtet që është sa 1/6-a e Stambollit dhe ka kaq shumë problematika e çështje të pazgjidhura. Nuk është se vende si Stambolli, ose shtete si Italia, Gjermania, Turqia etj. nuk kanë probleme. Edhe ata kanë problematikat e tyre, por problemet tona janë të një natyre tjetër, shumë herë më të qenësishme dhe që duhet të ishin zgjidhur me kohë.

Kemi 27 vjet që ndërtojmë ekonomi tregu, por një ekonomi tregu me borderotë e socializmit, ku sigurimet shoqërore ndahen në kontributin e punëdhënësit dhe kontributin e punëmarrësit, dhe të dyja shumat derdhen në të njëjtën llogari. Në thelb, jemi në ndërtimin e ekonomisë së tregut, por nuk ka koncept të qartë të pagës bruto dhe pagës neto dhe roli i pagës në vetvete, siç është kudo ku ka ekonomi tregu. Punonjësit nuk duan t’ia dinë për pagën bruto, por u intereson vetëm se sa para marrin në dorë. Nga ana tjetër, punëdhënësit kalkulojnë pagën bruto, sepse ajo shpreh shpenzimet reale për pagat, shpenzime të cilat sot arrijnë deri në 42.5% të pagës. Por le të kthehemi te reforma dhe të flasim për dy problemet më të mëdha që sot ka vendi: reforma në sistemin shëndetësor, apo reforma në sistemin e pensioneve.

Shqipëria ka hyrë në një fazë të rëndë- sishme zhvillimi edhe në fushën e shëndetit privat, me dhjetëra klinika private dhe spitale ka sot vendi ynë. Njerëzit shkojnë në këto klinika dhe spitale për të kryer nevojat e tyre me para kesh, si për një analizë të thjeshtë, edhe për një ndërhyrje me vlera mbi 100 mijë euro. Pra, dashje pa dashje, nga sistemi shëndetësor dhe kontributet janë larguar mijëra vetë. Pra vetë sistemi ka ndërtuar dy shërbime, një privat dhe një shtetëror “falas”. Pyetja është e thjeshtë: ku është shteti në këto sisteme?

Koncepti është i njëjtë, edhe kur flasim për kontributet shëndetësore, ku flitet për kontributin e punëmarrësit dhe kontributet e punëdhënësit, të cilat presupozohet që shkojnë për shërbimet shëndetësore të të gjithë qytetarëve, por që në fakt përfituesit e këtyre kontributeve janë shumë pak, sepse në të vërtetë kontributi për shërbimin shëndetësor shërben vetëm për të mbajtur në këmbë sistemin e deformuar të shëndetësisë.

Debati për shëndetësinë ka humbur në pikëvështrimin se cili sistem është më i mirë për t’u implementuar, ai amerikan, rus, francez, apo britanik, duke mbetur kështu vetëm në vorbullën e fjalëve e diskutimeve dhe në një mosrealizim të reformës së vërtetë, atë të mirëfunksionimit dhe gërshetimit të të dy shtyllave: publikut dhe privatit.

Faktet tregojnë se vendet me shërbimin më të mirë mjekësor, sipas shumë kritereve ekonomike, sociale, nga pikëpamja profesionale për vetë mjekët, në të mirë të qytetarëve dhe të të gjitha hallkave që ndërthuren me të, klasifikohen ato vende ku ka një ndërthurje të mirë midis shërbimit publik dhe atij privat, siç është Franca, Anglia, Italia, apo qoftë edhe Uruguai, që krahasohet me Shqipërinë për nga popullsia. Natyrisht, duke përfshirë dhe vendet fqinje.

Zgjidhja është e thjeshtë, kërkon vetëm dëshirën dhe objektivin politik e strategjik, duke filluar me reformën me një gërshetim shërbimi privat me shtetëror. Pra duke ndërtuar një dysheme shërbimi në një vlerë të caktuar, ku qytetarët mund ta përdorin në klinika, spitale private apo shtetërore.

Por, natyrisht, që kjo vlerë dysheme është një vlerë e cila në një spital privat shpenzohet për një natë, ndërsa në një spital shtetëror shpenzohet për 10 ditë. Kjo do të bëjë që njerëzit, shtresa e mesme dhe qytetarët e tjerë që kanë mundësi të plotësojnë këto vlera dhe të sigurojnë shërbim privat, duke marrë sigurime shtesë në kompanitë e sigurimit. Kjo nuk është një ide, por është një eksperiencë e gjerë botërore.

Qytetarëve, përveçse të blejnë shërbimet e tyre me para në dorë si të ishin duke blerë fruta e perime, duhet që të kenë edhe një alternativë tjetër, ku mund të marrin shërbime cilësore.Sipas Institutit të Statistikave, familjet shqiptare shpenzuan rreth 172 milionë euro nga xhepi për t’u kuruar gjatë vitit 2015. Kjo do të thotë se çdo familje shqiptare harxhon mesatarisht 225 euro në vit për barna ose mjekim në spitalet e vendit. Nga ana tjetër, Banka Botërore thotë se kjo e bën Shqipërinë një nga vendet me peshën më të lartë të shpenzimeve nga xhepi për shëndetësinë. Në totalin e kostove shëndetësore, shteti në Shqipëri mbulon vetëm gjysmën e shpenzimeve, ndërsa gjysmën tjetër familjet detyrohen ta përballojnë vetë nga xhepi i tyre.

Referuar këtyre të dhënave dhe realitetit që njohim tashmë të gjithë, duhet konsideruar si një alternativë efikase nëse Fondi i Detyrueshëm i Sigurimeve Shëndetësore vendos të blejë në një masë të caktuar shërbimet e tij nga burime të tjera, siç është tregu i sigurimeve private.

Ndërtimi paralelisht i dy sektorëve, sektori shtetëror dhe ai privat, në konkurrencë me njëri-tjetrin dhe me çmime të ndryshme, ku dëmi mesatar kalkulohet në bazë të shërbimit shëndetësor shtetëror, dhe kjo mesatare e dëmit të jetë falas për të gjithë kontribuuesit, konsiderohet një zgjidhje e duhur. Nga ana tjetër, nëse të njëjtin shërbim, me të njëjtën vlerë, e kërkon edhe në privat, atëherë këtë pjesë e mbulon shteti, ndërsa pjesën tjetër e mbulon vetë privati apo kompania e sigurimeve.

Sigurimi i shëndetit është i detyrueshëm, por të siguruarit nuk i jepet e drejta dhe mundësia e zgjidhjes që ta blejë shërbimin aty ku dëshiron.

Pyetja që bëhet e ribëhet nga të gjithë është se përse nuk bëhet kjo reformë kaq thelbësore për qytetarët, në mënyrë që të funksionojë, sikundër funksionon në të gjitha vendet e tjera të botës.

Ndërtimi i reformave në këta sektorë nuk është aspak i vështirë, apo i pamundur. Është shumë e mundur që edhe këta sektorë të rindërtohen për të qenë mirëfunksionalë, për t’u shërbyer me cilësi dhe dinjitet qytetarëve të këtij vendi. Ajo që mungon është vullneti politik që këto reforma të realizohen. Politikës nuk i intereson që ta ketë këtë vullnet, sepse, nëse do ta kishin, atëherë çfarë premtimi do të bëjnë çdo katër vjet në fushatat elektorale?

Nëse këto reforma realizohen, humbet e drejta për të premtuar rritje të pensioneve me 3% apo 5%, sepse realizimi i reformës së pensioneve zhvlerëson pensionin shtetëror. E zhvlerëson sepse, nëse nga 24.5% që paguhet aktualisht si kontribut për pension shtetëror, një përqindje e kësaj shifre t’i kalonte për t’u administruar nga fondet private të pensioneve, çdo qytetar shqiptar do të merrte me pensionin privat të garantuar trefishin e pensionit që do të merrte me pensionin shtetëror. Nëse çdo qytetar do të kontribuonte në privat vetëm 3% të 24.5% që kontribuon në shtet, do të dilte me një pension që shkon deri në 700 mijë lekë në muaj, çka është një shifër e mjaftueshme për të përballuar të gjitha shpenzimet në moshën e tretë dhe për të pasur një jetesë normale.

Modeli ekziston, përvoja ekziston, pyetja që rishtrohet është: Përse nuk bëhet? Ka shumë arsye, ndër të cilat më thelbësorja është ajo e lartpërmendura. Por kur dëgjova një zyrtare të lartë të shtetit të shprehej se kjo nuk bëhet sepse mungon mbikëqyrësi i fondit të pensioneve, atëherë mendova se shteti vetëfajëson veten dhe nuk është në gjendje të qeverisë me institucionet e tij.

Paaftësi? Mospasje dëshirë e vullneti, apo të gjitha së bashku? Përgjigjen besoj se e di gjithsecili prej nesh, sikundër e dimë fort mirë se realizimi i këtyre dy shtyllave të rëndë- sishme të ekonomisë së vendit, do të zgjidhte një plagë të madhe të shoqërisë sonë dhe do t’u kthente dinjitetin dhe personalitetin shqiptarëve. Pra, nëse e fillojmë sot këtë reformë, atëherë mbas 10 vitesh do të kemi të garantuar brezat e ardhshëm me pensionet standarde, që varijonë nga 50 mijë lekë deri në 80 mijë lekë, në varësi të kontributeve që do të përdoren, në të kundërt nëse nuk veprojmë sot, atëherë, mbas 10 vitesh, do të rrezikojmë gjithë sistemin e fondit të pensioneve dhe pensionistët do kenë një pension 100 deri 150 euro në muaj. Është koha për ndryshim në këta sektorë, është koha ku secili që drejton këta sektorë, të mendojë të bëjë atë që njerëzit të jenë përfituesit e reformës dhe reforma të jetë në shërbim të qytetarëve.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi