Demokracia illiberale si “shpikje” për autoritarizmin

Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama Online, 30 korrik 2015

ish-presidenti-rexhep-meidani-150x150Pse është ende e largët demokracia “genuine”?
Kohët e fundit vihen re ecuri negative në zhvillimin e demokracisë dhe konceptimin e saj, krejt ndryshe nga mishërimi i saj si një lidhje midis qytetarisë së përgjegjshme dhe qeverisë së ndershme, që e inkurajon pjesëmarrjen publike në procesin politik. Mbi të gjitha, ajo nënkupton garantimin e të drejtave të njeriut, mbështetjen e një shoqërie të fortë civile, vigjilente, kritike e luftarake ndaj padrejtësisë, korrupsionit, krimit të organizuar, monopoleve abuzive, organizimeve të përqendruara dhe të komanduara në media etj.

Pikërisht, deformimi i tyre prek thelbin e demokracisë, në ndonjë rast dhe përplasje sociale. Prandaj, pavarësisht “këmbëzës” që bën shkrepjen sociale apo nxit ndryshimin e thellë politik në vende të ndryshme, rritja e autoritarizmit, represionit, pabarazisë së skajshme dhe manipulimeve brenda sistemit ekonomik, deri hedhjes në preh të autokracisë, mbeten pjesë e shqetësimeve qytetare në një mesatare globale, pra dhe e qytetarëve shqiptarë. Aq më tepër, pas pasojave gati-gati tragjike të të ashtuquajturës Pranverë Arabe, shfaqjes së IS-it, apo forcimit të terrorizmit në shkallë globale!

Një armë e re, që duhet përsosur, duke fuqizuar aspektet pozitive dhe luftuar ato negative, është media sociale. Mbi të gjitha, brezi i sotëm apo e-gjenerata është gjithmonë më e hapur, me më pak paragjykime dhe kufij në lidhje me ndryshimin. Ajo e kërkon atë, pra dhe një projekt të ri për një botë më të drejtë, më të lirë e demokratike; por politika e ditës në disa vende me demokraci të brishtë apo hibride, si në Shqipëri, shfaqet e paaftë, akoma më e turbullt ndaj këtij projekti për ndërtimin e një demokracie të vërtetë apo “genuine”.

Ndërkohë, dhënia BE-së e çmimit “Nobel” për Paqe në vitin 2012, me motivacion: “Kontributin mbi 6 dekada në avancimin e paqes dhe pajtimit, demokracisë dhe të drejtat e njeriut në Europë”, është një stimul për zhvillimin e një bote demokratike (me theks federalist në strukturimin politik, ashtu si Parlamenti Europian pasqyron një elektorat demokratik transnacional). Në këtë kuptim, edhe integrimi në BE i Shqipërisë apo i vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Turqinë, mbetet një nxitje e mishërim i kërkesës së qytetarëve për një demokraci “genuine” në këto vende. Megjithatë, mjaft shenja flasin për vonesa dhe ecje në drejtim të kundërt…

Pse ky autoritarizëm në rritje?
Nuk mohohet se kriza e fundit ekonomike-financiare ka dëmtuar jo pak potencialin demokratik global. Madje, në këtë kohë dhe demokracitë e stabilizuara kanë pësuar një korrozion të dukshëm, kanë humbur fuqinë e tyre dhe besueshmërinë qytetare. Nuk kanë munguar rastet kur demokracia është zëvendësuar nga plutokracia. P.sh., në Rusi, e ashtuquajtura demokraci e pretenduar, po shfaqet aty si autokraci e oligarki; në vende të tjera si “para-kraci” (monetocracy), nisur kjo edhe nga fuqia në rritje e lobingut financiar dhe e vetë parasë në vendimmarrjen politike. Ndër vendet anëtare të BE-së, tipike është, p.sh., sot, qeverisja autoritare në Hungari, ku ekspozohet në mënyrë të dukshme akumulimi i pushteti politik me fuqizimin oligarkik.

Në njëfarë mënyre, po tentohet aty një rrugë e ndërmjetme qeverisjeje midis modelit perëndimor dhe atij rus. Për më tepër, vetë modeli hungarez, i pandëshkuar nga BE-ja, ka ushqyer e po ushqen një sjellje politike me prirje autoritare në vende të tjera ish-socialiste, si Rumania (vend anëtar), Maqedonia (vend kandidat), Shqipëria (vend kandidat) etj. Jo vetëm në këto shtete, por dhe në vende të tjera po synohet sot një kontroll gjithnjë e më personal në parti e qeverisje, mënjanohen me lloj-lloj marifetesh rivalët politikë, në parti e koalicion dhe, mbi të gjitha, tentohet të asfiksohet opozita. Edhe korrupsioni ka shtrirjen e vet, sidomos në përdorimin e parave publike për tenderime e projekte të ndryshme, aktivitete e vepra arti, mbështetje të orientuara në media etj. Mbi të gjitha, në sjelljen ndaj kundërshtarit ushtrohet trysni, mungesë konsensusi, tolerance e kompromisi; dominon logjika e asgjësim-reduktimit, tensionimit dhe e konfliktit politik.

Autoritarizmi po justifikohet me “shpikjen” e demokracisë “illiberale”
Për të “justifikuar” këtë sjellje politike jodemokratike, vitet e fundit, në vend të konceptit klasik të demokracisë së thjeshtë (se për atë genuine nuk bëhej fjalë) është futur në përdorim koncepti i demokracisë jo-liberale (illiberal) në qeverisje. (Të njëvlershme me të janë dhe terma të tillë si demokraci hibride, demokraci e ngrirë, e paplotë ose e pjesshme etj.). Ai, në fakt, është një kundërvënie ndaj parimeve liberale dhe, në përmbajtjen e vet, shpreh një sistem qeverisës, ku edhe pse zhvillohen zgjedhje formalisht të rregullta, vetë qytetarët e vendit si votues janë të shkëputur nga procesi i mëtejshëm politik e qeverisës dhe, në mjaft raste, ata kanë dhe liri civile të mangëta.

Pra, edhe pse zgjedhjet janë një kusht i nevojshëm për demokracinë, vetëm zgjedhjet, qofshin ato dhe tërësisht të lira e demokratike, nuk mjaftojnë. Madje, ato nuk mjaftojnë as për demokraci të stabilizuara, nëse nuk shoqërohen me një qeverisje transparente e efektive, me një pjesëmarrje të mjaftueshme qytetare, shoqëruar nga një kulturë e politikë mbështetëse demokratike. Në fakt, edhe vende anëtare të BE-së, të konsideruara si demokraci të stabilizuara, nëse nuk ushqehen e mbrohen me kujdes, mund të deformohen dhe të pësojnë një korrozion të rrezikshëm, duke kaluar në regjime hibride të ndërmjetme. E thënë ndryshe, edhe pse një vend i tillë, teorikisht, ka një kushtetutë demokratike, që kufizon fuqitë ekzekutive të qeverisë; aty, praktikisht, mund të shfaqen konceptime e veprime, të cilat injorojnë liritë e domosdoshme.

Një shqetësim serioz është kontrolli në media, për ta shndërruar atë në një lloj “papagalli” të një shumice qeverisëse! Shfaqja e veçorive të tilla është më problematike në demokraci të reja dhe të brishta, si ajo shqiptare, aq më keq kur nuk plotësohet dhe kushti i nevojshëm i zgjedhjeve brenda standardeve të mirëpërcaktuara, pa ndryshim vote me anë të blerjes apo trysnive politike-ekonomike!…

Shtimi i demokracive illiberale europiane- dobësi e BE-së
Ka shumë arsye, por dhe kriza e stërzgjatur ekonomike ka peshën e saj. Fakt është që numri i demokracive illiberale (siç nënvizon dhe Fareed Zakaria) është shtuar në botë, duke reflektuar kufizime në rritje të lirive të qytetarëve, që ato përfaqësojnë. Por, le të ndalojmë në Europë. Në fakt, në mjaft vende perëndimore europiane, demokracia liberale dhe liritë civile (fjalës, fesë etj.) kanë ecur dhe vazhdojnë të ecin paralelisht me njëra-tjetrën. Ndërkohë, në vende të tjera, këto koncepte po shfaqin një divergjencë të dukshme, deri duke u zhvendosur në drejtime të kundërta.

Në njëfarë mënyre, demokracia pa liberalizmin kushtetues e qytetar po ushqen komandimin e centralizimin politik-ekonomik, erozionin e lirisë, konflikte, mosrespektim të drejtash, përfshirë ato të fesë, etnisë etj. Parë me këtë sy, p.sh., Rusia e djeshme e Jeltcinit ishte hibride, me një demokraci të mangët, relativisht illiberale; kurse Rusia e sotme e Putinit është shndërruar në një sistem autoritar dhe jodemokratik, qartësisht autokratik. Por, nuk mjafton kjo. Modeli rus u imitua në Turqi dhe vende të tjera. Po ashtu, edhe në vende anëtare të BE-së po shfaqen infeksione të ngjashme, edhe pse të një niveli të ulët.

Kështu, p.sh., në vitin 2014, Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ekspozoi pa ndonjë ndrojtje vizionin e tij mbi të ardhmen e Hungarisë si një shtet illiberal. Sipas tij, ky lloj shteti nuk hedh poshtë vlerat e demokracisë liberale, por nuk e konsideron më atë si një element qendror të organizimit shtetëror. Sot, shenja të përafërta janë konstatuar dhe në qeverisje të tjera, si ajo rumune e Viktor Pontës, ajo maqedonase e Nikola Gruevskit etj., përfshirë edhe orientimin illiberal të transmetuar e rishfaqur në qeverisjet shqiptare, qëparë dhe sot.

Parë me këtë sy, përveç “obsesionit” ndërkombëtar të zgjedhjeve apo procesit zgjedhor, nevojitet më tepër trysni europiane e ndërkombëtare për një liberalizim e demokratizim në vazhdimësi të shoqërive përkatëse. Në këto raste, edhe dega juridike ka probleme serioze; ajo, në thelb, duhet të luajë rolin e vet në promovimin e shtetit të së drejtës dhe kufizimin e fuqive ekzekutive, futjen e tyre brenda kornizave kushtetuese. Përndryshe, në mënyrë të fshehtë apo të hapur, do të vazhdohet të akumulohen më tepër fuqi nga qeveria qendrore, përfshirë dhe kontrollin e ndërhyrjen e tepruar të saj në qeverisjen lokale, deri duke cenuar parimin bazik të ndarjes së fuqisë.

Shqetësues është kontrolli mbi media apo mbështetja e qartë e asaj në favor të regjimit. Edhe OJQ-të (OJF-të) ndodhen nën trysni, deri dhe bllokohen ato me qëndrim kritik ndaj qeverisë, ose sajohen OJF të reja proqeveritare. Po ashtu, teprimet në rregulla e rregullime, një tip “red tape”, me pretendimin e ndërtimit të një shteti “gjoja të fortë”, presioni ekonomik, trysnia e nënshtrimi me anë të taksave e gjobitjeve, sulmi abuziv ndaj oponentëve kritikë është një kundërvënie tepër shqetësuese ndaj demokracisë. Pikërisht, kur kërkohet e kundërta, sepse liberalizmi kushtetues e ushqen demokracinë, dhe jo anasjelltas!

Disa çështje që vlen të luftohen me forcë
Në thelb, një demokraci illiberale apo një regjim hibrid është një formë e ndërmjetme në qeverisje, ku pas fasadës demokratike kamuflohet një thelb qeverisës qartësisht autoritar e jodemokratik. Fatmirësisht, në disa nga këto vende të përmendura është tejkaluar faza e mëparshme autokratike, por kjo e fundit vazhdon të shpresojë për rikthim aty nëpërmjet autoritarizmit ekstrem! Ajo godet e përpiqet të ngrihet përsëri, të ringjallet brenda politikës e institucioneve, të kultivohet në trurin e protagonistëve kryesorë politikë, të pushtojë media të ushqyera jo nga dashuria profesionale, por nga interesa pasurimi joligjore dhe pushteti jokushtetues.

Madje, në një pamje tepër regresive, ajo shfaq probleme serioze legjitimiteti; nëpërmjet saj synohet të krijohen varësi të gabuara midis “krye- pushtetarit” dhe qytetarëve me të cilët mund të luhet sipas qejfit. Ushqehen, kështu, situata shqetësuese, deri helmuese e patologjike, që çojnë në veprime jodemokratike dhe vendimmarrje korruptive. Për më tepër, një gjë e tillë, në vazhdimësi, i bën situatat qeverisëse akoma më të tensionuara, duke favorizuar një spirale keqësimi e përplasjeje, që nëse nuk ndërpritet në kohë, mund të çojë në thyerje politike-sociale totale. Dhe tranzicioni shqiptar e ka ilustruar në disa raste potencialin e kësaj thyerjeje.

Për këtë arsye rekomandohet vigjilencë, reagim politik e qytetar për të mos lejuar asnjë projekt e hap ekstrem në deformimin e demokracisë deri instalimin e autoritarizmit dhe autokracisë. Mbi të gjitha, nuk duhet lejuar, në asnjë rast dhe në asnjë mënyrë, dhunimi i kushtetutës apo çdo projekt gjoja demokratik për ndryshime pa konsensus të saj! Por, po aq e rëndësishme është dhe lufta kundër dhunimeve të tjera, që dëmtojnë demokracinë e pjesëmarrjen qytetare.

Ndër to mund të radhiten këto çështje: kontrolli i informimit dhe opinionit publik, blerja ose manipulimi i votës, ndikimi politik mbi prokurorinë e gjykatat, uzurpimi i fuqive të padeleguara, monopolizimi i fuqisë politike, ekonomike dhe asaj të sigurisë, “militarizimi” i detyrimeve ligjore, infiltrimi e subversioni, bllokimi ose ndrydhja e investigimit, përdorimi i ligjit për të shtypur konkurrencën, goditja e drejtpërdrejtë e mekanizmave të kontroll-balancimit, krijimi i klasës së zyrtarëve mbi ligjin, shndërrimi i të drejtave në privilegje, kërkesa për gatishmëri apo “korrektesë” politike, shtimi i varësisë së njerëzve nga qeveria, rritja e paditurisë publike mbi detyrat e tyre civile, shfrytëzimi i ngjarjeve apo manipulimi i tyre për të prodhuar apo shumuar mbështetjen popullore etj.

A ndeshen elementë të tillë, që e deformojnë demokracinë dhe e ushqejnë autoritarizmin në qeverisje të ndryshme europiane? Përgjithësisht po, por doza e deformimit përbën dhe shmangien konkrete ndaj qeverisjes ideale demokratike (genuine). Sa më e madhe kjo dozë, sa më tepër elemente të tilla deformuese të shfaqen në qeverisje, aq më tepër i largohet ajo demokracisë dhe i afrohet gjithnjë e më shumë situatave jodemokratike, me veshje hibride ose illiberale. Këtë ka mbartur e mbart në vetvete dhe qeverisja shqiptare e periudhës së tranzicionit, deri në ditët tona, por dhe drejtimi i partive kryesore politike.

Prandaj, krahas reagimit qytetar, po aq i rëndësishëm është dhe reagimi në kohë i institucioneve dhe i strukturave politike, pa lejuar vonesa të pakuptimta. Në përgjithësi, goditja e autoritarizmit, aq më keq e variantit autokratik, bëhet shumë më e vështirë me fuqizimin e tipareve jodemokratike në qeverisje, sepse vonesa të tepërta mund të çojnë deri në përplasje të rrezikshme dhe kthime prapa, humbje njerëzore e dëme materiale. E thënë ndryshe, dështimi në pengimin e akumulimit e uzurpimit të pushtetit, reagimet e vagëta, krejtësisht apatike apo vonesat në kryerjen e hapave pozitivë korrektues që në fillim të deformimit të procesit qeverisës, mund të çojë më vonë në veprime ekstreme, goditje të rënda të kapitalit social e thyerje të forta sociale e humane, pas të cilave rimarrja e vetes e rigjallërimi mund të kërkojë një kohë shumë më të gjatë…

Rexhep Meidani

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi