Dekriminalizimi duhet të nisë nga zgjedhjet lokale

Nga Gani Elezi, botuar në Shekulli Online, 5 mars 2015

ganieleziAfera kriminale e deklaruar këto ditë nga deputeti i Shkodrës, Tom Doshi, pavarësisht se çfarë do të hetojnë e vërtetojnë prokuroria dhe institucione të tjera të sigurisë, e vërteton katërcipërisht faktin se, prej vitesh, pushteti te ne është i kriminalizuar. Pushteti nuk ka qenë i qytetarit, nuk ka qenë i votuesit. Ai ka qenë në shërbim të të “fortëve” dhe të klientelës politike dhe ekonomike, në shërbim të krimit që qendron pas tyre. Në këtë situatë, është urgjent dekriminalizimi i tij. Dhe nuk është fjala për ta dekriminalizuar nga emra të së kaluarës, si ngul këmbë aq shumë opozita e sotme, madje edhe shumë institucione të shoqërisë civile, por për ta dekriminalizuar atë nga baronët e sotëm të krimit dhe të korrupsionit, të cilët e përdorin shtetin si mjet presioni, mjet krimi në aferat e konkurrencës mafioze. Kjo është e keqja jonë më e madhe e këtyre viteve. Dhe e kemi një shans. Më 21 qershor 2015, do të votohet për këshillat e bashkive dhe komunave dhe për kryetarët e tyre, në të gjithë vendin.Të fillojme nga dekriminalizimi i pushtetit lokal. Tani, nuk do të jenë më 380, a më shumë, por vetëm 61 bashki/komuna, të cilat mund të kontrollohen shumë herë më mirë nga pushteti qëndror.

Por që t’i çlirosh institucionet e pushtetit lokal nga krimi dhe korrupsioni është e domosdoshme të ndryshohet plotësisht koncepti i drejtimit të këtij pushteti. Pushteti drejtohet me aftësi organizative e menaxheriale dhe jo me njerëz“të fortë”. Dhe ky ndryshim është i kushtëzuar nga cilësitë e atyre që do t’i drejtojnë njësitë e këtij pushteti. Kush mund t’i drejtojë më mirë këto bashki/komuna? Ka ditë që në shtypin e shkruar bëhet një diskutim i tillë. Ka mendime të jenë politikanë të njohur, me mbështetje të gjerë në zonat përkatëse. Ka mendimet ë jenë menaxherë e administratorë të zotë të pushtetit lokal, të burimeve njerëzore e kapaciteteve ekonomike.Të dyja këto kategori janë më të përshtatshmit. Do të pelqeja më shumë profilin e menaxherëve të aftë, që e kanë vërtetuar aftësinë e tyre praktikisht. Por, nëpër mbledhje të ngushta të partive politike, në grupet e punës, që drejtojnë fushatën elektorale, sundon dilema se cilët marrin më shumë vota. Dhe të gjendur në këtë dilemë, listën e mbushin me emra të “fortësh”. Të fortë në biznese, të fortë në lidhje fisnore e klanore, madje të fortë edhe në afera kriminale. Përvoja e këtyre 25 vjetëve na ka bindur se të gjitha partitë, të të gjithë spektrit politik, notojnë në këto lloj listash. Më kujtohet deklarata e një drejtuesi partie, në zgjedhjet kuvendore të qershorit 2013, i cili thoshte: “Pse me filanin do të marr vota. Ai është shumë i mirë, por…”. E në vend të tij garonte një nga të “fortët” që merrte vota. Por përvoja e këtyre viteve na ka bindur edhe që, të “fortët” marrin peng, në fillim partinë (kudo janë në krye, pranë kryetarit të partisë, japin intervista, ofrojnë opsione politike, ekonomike, emërojnë e ç`emërojnë punonjës, japin ose nuk japin tenderë dhe, po iu cenua interesi, bëjnë presion edhe mbi partinë, kandidojnë edhe si të “pavaruar”),më pas marrin peng institucionet e pushtetit që drejtojnë, shtetin dhe të gjitha institucionet e tij. Kjo ka qenë një nga fatkeqësitë tona të mëdha.

Të tillë nuk duhen kandiduar më. Ka të tjerë shumë më të mirë. Emrat e tyre duhen konsultuar me qytetarët. Ata i njohin edhe politikanët e aftë, që mund të bëjnë shumë për ta; njohin edhe menaxherët e zotë, që drejtojnë me sukses biznese dhe aktivitete të tjera. Por njohin edhe të “fortët”, të cilëve, në mungesë të të mirëve, u kanë dhënë votat deri tani. Varet se çfarë dotë ofrojnë partitë politike. Pushteti lokal, jo kush e merr, por kush e ngreatë në nivelin e kërkuar, është një sfidë e madhe për klasën tonë politike, prandaj duhen kandiduar jo ata që janë të “fortë”dhee marrin atë, por ata që janë të zotë dhe e ngrenë në nivelin e përgjegjësive institucionale dhe të detyrave të kohës. Partitë duhet të shprehen qartë se cila është sfida e tyre. Vetëm ta marrin pushtetin e ta shfrytëzojnë atë në interes të klaneve politike e mafioze, apo ta marrin e ta ngrenë në nivelin e kërkuar të përgjegjësisë? Duke kandiduar për në organet e pushtetit lokal personalitete me integritet moral dhe profesional, partitë kanë rast të realizojnë dhe “dekriminalizimin” e politikës, çka është bërë kalë beteje për shumë politikanë, sidomos për ata të opozitës së sotme. Le ta fillojnë nga “dekriminalizimi” i pushtetit lokal.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi