Vrojtime mbi qeverisjen dhe politikën shqiptare

Nga Rexhep Meidani,  botuar në Panorama Online*, 23 tetor 2014

Rexhep MeidaniKëto ditë, pas shumë vitesh, u takova me një mik të vjetër, të njohur për sensin e tij të humorit, vrojtimit e analizës. Biseda me të m’u duk tepër interesante. Më poshtë unë po hedh në letër vetëm disa nga observimet e tij mbi qeverisjen dhe politikën shqiptare, edhe pse në ndonjë rast mund të mos isha dakord me të, p.sh., te krahasimi me Maratin…

Zbukurimi i realitetit si “teknikë” qeverisje
Sipas tij, politika shqiptare kujton se populli e parapëlqen demagogjinë, premtimin e gënjeshtër, pse jo, dhe zbukurimin apo maskimin e realitetit. Por kjo kohë “akuariumi” ka përfunduar! Madje, po të rrish me njerëz të thjeshtë e ndien qartë mosbesimin e ironinë, aq më tepër ndaj të premtimeve të harruara. Përtej të buzëqeshjeve të shtira dhe emetimit të fjalëve të bukura, politikanët thjesht gënjejnë veten, por jo popullin e tyre. Dhe mos mendoni se votimi shpreh të kundërtën, sepse në zgjedhjet shqiptare, në shumicën e rasteve, funksionon parimi i së keqes më të vogël! Në këtë kuptim, llogaritjen dhe leximin më të mirë e bën xhepi i qytetarit, por jo B-të, qofshin ato pozitive ose negative; “teoria bashkëkohore” e marrjes së borxheve për të larë borxhe, koncepti i ri “marramendës” i balancimit të taksave etj.!…
Në fakt, siç është konstatuar dhe në raste të tjera, në kushte dobësie demokratike, sistemi politik (sidomos qeverisja) me prirje autokratike synon ta zbukurojë dhe maskojë realitetin, ose, të paktën, ashtu shpresohet të ndodhë. Pra, me të gjitha mjetet e propagandës, përfshi dhe “mekanizma” të komanduar të medias sociale, tentohet të zbukurohet ky realitet, duke e ndrydhur, mbuluar dhe vënë në gjumë mendimin kritik e progresiv vetë lëvizjen për ndryshim, zërin e reagimit, masivitetin e tij. Edhe marifeti ose ajo që quhet në politikën shqiptare “zotësi”, “mençuri” e “inteligjencë”, përcaktohet dhe matet me numrin e pasojave të propaganduara, pikërisht nga një e dhënë ose fakt i vetëm, dhe jo me të gjithë morinë e të dhënave dhe fakteve me ndikim të drejtpërdrejtë, që bëhen sikur harrohen ose hidhen në “koshin” e radhës. Mjafton të lëvizje gjatë verës, nëpër në Shqipëri, p.sh., drejt Pogradecit, për ta kuptuar menjëherë këtë gjë, tamam kur deklaroheshin “sukseset” e padëgjuara ndonjëherë në qeverisje! E thënë ndryshe, shumë shpesh, politika e drejtimit merr përsipër apo përpiqet me “aftësi” të veçantë që t’i mohojë e zhbëjë faktet dhe të dhënat negative në funksion të një doktrine personale, një “heroizmi” tipologjik, një veprimi “kokosh”, një “konvergjence” (akumulimi) pushteti; pse jo, në ndonjë rast, edhe një fryme shkatërrimi me pretendim të hallakatur për rregull e harmonizim, disiplinim e rindërtim. Veçse në thelb, një rrugë e tillë me natyrë jakobine nuk mund të jetë jetëgjatë. Ajo krijon probleme serioze sidomos gjatë rotacionit të pushtetit. Madje, nuk është një mënyrë e sigurt për avancimin e gjërave, sidomos në përdorimin e drejtë të ngjarjeve; sepse pas euforisë, mburrjes e mbulimit, bëhet gjithnjë më të dukshme e kundërta, deformimi e bllokimi, paqartësia e paaftësia, vonesa e prapambetja. Pikërisht, situata të tilla në qeverisje kemi ndeshur me bollëk në tranzicionin shqiptar!…
Arroganca si stil vendimmarrje
Po ashtu, sipas tij, që ditët e para të kthimit nga jashtë (pas shumë vitesh largimi) lajmi i parë që ai mësoi ishte intensifikimi i aksioneve të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) në prishjen e objekteve pa leje dhe lirimin e hapësirave publike. I ndodhur para akuzave politike të ndërsjella të kampeve politike, ai e kishte të vështirë të krijonte gjykimin e plotë për këtë aksion, por nuk mund të anashkalonte dot arrogancën me të cilën po zhvillohej që prej një viti ky lloj pastrimi. Ai ishte shpesh tepër i nevojshëm, por diku edhe me orientim të paqartë ekonomik e politik apo me ngut të panevojshëm, deri të “çuditshëm”. Një gjë e tillë u pa dhe në raportin e Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut, në dhjetorin e kaluar. Aty, midis të tjerash, konsiderohej si një ngjarje tepër e rëndë rasti i dëbimit të banorëve dhe më pas shembja me tritol e kompleksit në Ujin e Ftohtë (Vlorë). Madje, kjo ngjarje shihej si një ndërhyrje arbitrare në privatësi, familje e shtëpi, sidomos duke lënë jashtë banorët e më pas duke i vënë eksplozivin ndërtesës. Konkretisht, në raport, midis të tjerash thuhej se: “Incidentet ku qeveria ka sekuestruar apo tentuar të konfiskojnë pronën pa një proces të rregullt kanë ndodhur gjatë vitit 2013. Në nëntor, INUK, i mbështetur nga Policia e Shtetit, u përpoq të dëbonte pronarët nga shtëpitë e tyre në një pallati në Vlorë. Këto familje i kishin titujt e pronësisë nga zyra përkatëse e regjistrit të pronës”. Për më tepër, për më shumë se një muaj ky kompleks u bllokua nga policia me shirita nën shkrimin “skenë krimi”! Ndërsa, për ditë të tëra, banorët e tij fjetën jashtë, për shkak se nuk liheshin të hynin në apartamentet e veta. Po ashtu, në raport theksohej dhe fakti që organet e drejtësisë dhe Avokati i Popullit e kishin konsideruar të paligjshëm vendimin për të izoluar dhe më pas për të shembur ndërtesën. Ndërsa Gjykata Administrative rajonale e Vlorës mori vendimin në favor të banorëve të ndërtesës dhe urdhëroi pezullimin e veprimeve për bllokimin e saj. Por, disa javë pas bllokimit dhe pavarësisht vendimit të Gjykatës Administrative, qeveria nxori një tjetër vendim, sipas të cilit kompleksi do të shembej për t’i hapur rrugë një projekti infrastrukturor dhe banorët do të dëmshpërbleheshin për apartamentet që do të humbnin, ashtu si dhe pronarët e truallit. Një e keqe më e vogël, pavarësisht kohës apo vlerës së pagesës, ndërkohë që situata të tilla mund dhe duhet të shmangeshin që në miratim e projektim. Sidoqoftë, kjo histori konsiderohet tashmë si e vjetruar, madje gati e harruar për politikën shqiptare që prodhon ngjarje të tilla me dendësi të madhe! Por, ama, mbetet aty modeli i arrogancës, por dhe ai i “prodhimit të mbeturinave”!…
Modeli Marati si “mik populli”
Por, ajo që më habiti më shumë gjatë bisedës me të, ishte krahasimi me Maratin (ndoshta thjesht i stilit të tij) për shefat e INUK-ut (aq më tepër që vendimet për prishje të mëdha nuk kanë qenë të tyret, madje e kanë tejkaluar vendimmarrjen edhe të ministrit të linjës). Pikërisht për të shprehur këtë mospërputhje me të, po shtoj këtu dhe disa komente shtesë për vetë figurën e Maratit. Edhe në kujtesën time, Marati (një nga miqtë e Robespierit) ishte jo vetëm mjek e shkencëtar i njohur, por dhe një publicist e politikan me rëndësi gjatë Revolucionit Francez, një nga oratorët e fuqishëm dhe zërat radikalë të tij. Shkrimet e tij, sidomos në gazetën që ai drejtonte “Miku i Popullit” (“L’Ami du Peuple”), ishin gati-gati të “dhunshme”, pa më të voglin kompromis ndaj drejtuesve e institucioneve të kohës. Nga ana tjetër, ai ishte dhe një avokat i dorës së parë, një mbrojtës i flaktë i të drejtave bazike për anëtarët më të varfër të shoqërisë, të ashtuquajturit “sans-culottes”, që kërkonin largimin e mbretit dhe shpalljen e republikës. (Ata u bënë të plotfuqishëm në Paris gjatë Revolucionit, por u zhdukën nga skena politike me rënien e Robespierit). Kjo sjellje e prerë publike e identifikoi Maratin me grupin republikan më radikal – me jakobinët që erdhën në pushtet më 1793. Pra, Marati, për disa ishte një patriot intransigjent, për të tjerë thjesht një demagog i mbushur me urrejtje, për të tretët (mbështetësit e mbretit) ai ishte një rrezik i madh për mbretërinë (prandaj dhe e vranë më 1793). Si mjeshtër propagande, ai ishte një agjitator i palodhur, por dhe i egër. Në momente të caktuara, në sjelljen e tij konstatohej një kapërcim i vrullshëm (tej nivelit psikik të pranueshëm) nga kompleksi i inferioritetit në një gjendje agresiviteti gati të dhunshëm, pse jo dhe cinizmi deri në urrejtje e veturrejtje. Në dëshirën e ethshme për të bllokuar e paralizuar kundërshtarin ai kombinonte në mënyrë të paskrupullt akuzën, helmin e fyerjen. Por nuk mungonte tek ai as dhe dëshira e shfrenuar e dominimit, deri duke frymëzuar shkatërrimin edhe për gjëra të shenjta e të paprekshme. Në këto luhatje e ndihmonte shpesh si dhuntia oratorike, ashtu dhe prirja për efekte teatrale, thirrjet retorike e dridhjet e instinkteve primitive, deri futja në lojë e radikalizmit, demagogjisë e oportunizmit në situata dobësie…
Sidoqoftë, pavarësisht këtij krahasimi të çuditshëm (por dhe të dyshimtë, të pamenduar më parë prej meje), këtë lloj tipi, me përzierjet e veta e kemi ndeshur (në disa raste dhe në pamje minikarikaturiste) gjatë tranzicionin shqiptar brenda “portretit” të drejtuesit, kryetarit politik, ministrit, kryeministrit, presidentit!…
Pse parapëlqehen peshqit e “ngordhur” që ndjekin rrjedhjen?!
Sipas një proverbi suedez: “Peshku i ngordhur ndjek vetëm rrjedhjen”. Në fakt, aplikimi i këtij proverbi ndeshet në trajta të ndryshme në politikën shqiptare, qoftë në qeverisje, qoftë në opozitë. Në variantin shqiptar ai nënkupton që në qeverisje apo në drejtimin partiak vetëm të bindurit pa kushte, të ngurtësuarit (të ngordhurit) ose, më thjesht, servilët mbijetojnë më lehtë. Merita e tyre e vetme është se ata nuk reflektojnë, nuk marrin vendime të vetat, as gjykojnë e mendojnë fare, por vetëm u nënshtrohen dëshirës dhe urdhrave të shefave të tyre, dhe jo kushtetutës, ligjeve e akteve nënligjore, rregullave e praktikave më të mira. Këtë e dëshmoi qartë dhe skandali i vjedhjes në Bankën e Shqipërisë!…
Pra, e thënë ndryshe, ata janë, në thelb, ose peshq akuariumi, që lëvizin në një hapësirë minimale, ose peshq të ngordhur që lëvizin vetëm sipas “rrymës” apo “rrjedhës” së gjeneruar prej shefave të tyre! Problemi bëhet akoma më delikat kur nën trysni të fuqishme politike këtë sjellje fillojnë ta adoptojnë struktura neutrale dhe institucione të pavarura, vetë drejtuesit e tyre. I tillë ishte rasti i Bankës, por po aq delikat është, p.sh., edhe rasti i Drejtësisë, sidomos në funksionimin e dy hallkave bazë: prokurorisë dhe gjykatave. Sepse me parullën tërheqëse kundër korrupsionit (më parë, kundër komunizmit ose neokomunizmit!), nën trysni politike-mediatike të fuqishme, jo pak protagonistë të sistemit, sidomos për çështje lëkure, në mbulim të korrupsionit vetjak, mund të bëhen pjesë e shkeljeve ligjore, e parimeve kushtetuese, e normave demokratike qeverisëse, e të drejtave themelore të njeriut. Në këtë kuptim, duke goditur një ose disa gjykatës të korruptuar, brenda mekanizmave të vetë sistemit, duhet luftuar me të gjitha forcat që Drejtësia të çlirohet dhe të mos shndërrohet më tej në një sistem të nënshtruar, të nëpërkëmbur politikisht, aq më keq në një armë presioni ndaj opozitës! Aq më tepër që diçka të tillë në një variant të rrezikshëm ne e kemi përjetuar, jo pak, në vitet e para të tranzicionit! Kjo nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë, pavarësisht pseudoshqetësimeve e pseudothirrjeve, lloj-lloj sinjalesh të lëshuara nga brenda e jashtë vendit, pa kuptuar bile se për çfarë bëhet fjalë, apo për pasojat e rrezikshme shoqëruese! E parë me këtë sy, ky reformim kaq zhurmëmadh kërkon, në radhë të parë, largimin dhe pastrimin e peshqve të ngordhur nga rrjedhja, dhe jo shtimin e tyre. Të krijohet përshtypja që edhe sot akoma parapëlqehet kjo e dyta! Dhe kjo jo vetëm në Drejtësi, por në çdo hallkë të qeverisjes, jo vetëm sot, por dhe dje!…
* * *
Këto ishin disa observime e gjykime të mikut tim. Vetë lexuesi mund të shtojë lehtësisht mjaft vrojtime, gjykime, shqetësime e pakënaqësi të tjera…

Titulli në Panorama Online është “Vrojtime miku”

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi