Shëndetësia në pasqyrë

Nga Eduart Harshova, botuar në Mapo Online, 10 tetor 2014

eharshovaMësim amerikan për shëndetësinë tonë

Fondacioni amerikan “The commonwealth Fond”, është një institucion nga më prestigjiozët në botë në promovimin e performancës së sistemeve shëndetësore. Ky fondacion, para pak kohësh prezantoi analizën e tij të radhës mbi performancën e sistemeve shëndetësore për vitin 2013 të 11 vendeve nga më të zhvilluara të botës si Australia, Kanadaja, Franca, Gjermania, Holanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Zvicra, Britania e Madhe dhe SHBA-ja. Treguesit e vlerësimit të performancës shëndetësore ishin: cilësia e shërbimit shëndetësor, aksesi i popullatës për shërbimin shëndetësor, eficienca e shërbimit shëndetësor (sa shëndet prodhohet me paratë që shpenzon), barazia në ofrimin e shërbimit shëndetësor dhe jeta e shëndetshme e popullatës. Disa nga përfundimet e arritura nga ky studim janë shumë interesante e me vlerë për t’u njohur edhe nga ne. Vendi me performancën më të mirë u vlerësua Britania, e pasuar nga Zvicra, Suedia, Australia, Gjermania etj. Vendi me performancën më të dobët (e renditur në vendin e 11-të) është SHBA-ja, e cila është edhe vendi që shpenzon më shumë (8508 USD për banor në vit) shumë kjo disa herë më e madhe se Britania (3405 USD), Suedia (3925 USD), Franca (4118 USD),  Gjermania (4495 USD) etj. Për më tepër, SHBA-ja renditet e fundit për aksesin që kanë qytetarët për kujdes shëndetësor, pasojë kjo kryesisht e mungesës së mbulimit universal. Po kështu SHBA-ja renditet e fundit në barazinë për marrjen e shërbimit shëndetësor dhe jetën e shëndetshme (vdekjet foshnjore, jeta mesatare e popullsisë etj.). Lind pyetja, si shpjegohet që vendi që shpenzon më shumë se çdo vend tjetër për shëndetësinë ka këtë performancë të dobët?

 Suksesi i reformës = të DISH + të KESH + të DUASH

SHBA – të kenë specialistët më të famshëm dhe shkollat më elitare në botë të përgatitjes së mjekëve e personelit tjetër shëndetësor, të specialistëve të menaxhimit dhe administrimit të shëndetësisë si Harvardi, Johns Hopkins-i etj, pra DINË;

SHBA – të shpenzojnë rreth 2.5 trilionë USD në vit për shëndetësinë; kanë infrastrukturë të shkëlqyer të institucioneve shëndetësore me pajisje e teknologji ultra moderne, një armatë gjigante mjekësh e personeli shëndetësor etj,. pra KANË.

SHBA – të shpenzojnë një det me para për shëndetësinë, të cilat shkojnë për fitimet stratosferike të shoqërive private të sigurimeve shëndetësore, rrogat faraonike të menaxherëve të spitaleve, superpagesat për mjeket dhe personelin shëndetësor, “kopetë” e juristëve që bëjnë drejtësi (dhe para) mbi gabimet mjekësore etj., etj. Për ilustrim; një CEO (drejtor) i një spitali të madh e ka rrogën vjetore deri në 10 herë më të lartë se Presidenti i SHBA-së, ndërsa paga e një mjeku në SHBA është disa herë më e lartë se e kolegëve të tij në Europë. A duan këta njerëz që të ndryshojë statusquo –ja, pra të reformohet sistemi dhe të humbin privilegjet e deritanishme? Pa dyshim që NUK DUAN. Kjo rezistencë është kaq e madhe dhe e sofistikuar sa edhe përpjekjet e shumë presidentëve demokratë, ndër të cilët edhe Bill Klinton e Barak Obama, për reformimin e sistemit shëndetësor amerikan janë penguar.

Mësimi që duhet të nxjerrim

Pavarësisht ndryshimeve tepër të mëdha që qëndrojnë midis Shqipërisë dhe SHBA-së, sistemet tona shëndetësore kanë edhe ngjashmëri, nga të cilat njëra është e rëndësishme e me pasoja; financimi i të dyja sistemeve shëndetësore bëhet në masën rreth 60% nga direkt xhepat e qytetarëve. Nën këtë këndvështrim, besoj se është e domosdoshme të mësojmë nga përvojat, arritjet dhe dështimet e sistemit amerikan.

Mësimi amerikan që del nga analiza e mësipërme është se, reformat e suksesshme i bëjnë ata që duan, dinë dhe kanë me se t’i bëjnë. Ky mësim është i vlefshëm dhe për reformimin e sistemit tonë shëndetësor dhe të shtyn të bësh pyetjet e mëposhtme:

ka sistemi ynë shëndetësor burime financiare (dhe jo vetëm) të mjaftueshme për t’u reformuar? A zgjedhim në drejtimin e sistemit dhe institucioneve shëndetësore qendrore e lokale njerëzit e duhur, profesionistë të aftë e me përvojë që njohin politikat e reformat shëndetësore, apo amatorë që nuk dinë dhe/ose rufjanë e batakçinjtë e përhershëm që nuk duan pasi janë të kënaqur me statusquo-në që u siguron fitime kolosale?! Në këto 22 vite tranzicioni të stërzgjatur është folur shumë për reforma në shëndetësi, bile është arritur deri aty sa e kanë krahasuar sistemin tonë me atë spanjoll e danez, por pyetja që shtroj është: A është reformuar realisht sistemi ynë shëndetësor apo ka pasur më shumë zhurmë e demagogji?

Përgjigjet e pyetjeve të mësipërme nuk janë as të lehta, as edhe të thjeshta.

Koha për debat!

Unë besoj se hapja e një debati të gjerë e profesional mbi gjendjen dhe reformimin e sistemit tonë shëndetësor do të ishte kontributi më me vlerë që mund t’i bëhet reformimit real të sistemit tonë shëndetësor drejt standardeve të BE-së, dhe pa dyshim edhe shëndetit të qytetarëve shqiptarë sot. Nën rubrikën “Shëndetësia përballë pasqyrës” do të analizoj gjendjen, problematikën dhe reformat e ndërmarra në sistemin tonë shëndetësor duke e vënë përballë me pasqyrën, pra me standardin e sistemeve shëndetësore të BE-së e më gjerë. Formimi profesional e përvoja e gjatë në politikat dhe menaxhimin e shëndetësisë, brenda e jashtë vendit, besoj se më japin mundësi që me opinionet dhe vlerësimet e mia të kontribuoj në nxitjen e reformave të duhura për zhvillimin e një sistemi shëndetësor lehtësisht të arritshëm, cilësisht të kënaqshëm dhe kosto-efektiv në vendin tonë.

Ftoj të gjithë ata kolegë që duan që sistemi ynë shëndetësor të reformohet realisht, të bëhen pjesë e këtij debati mediatik, me të cilin janë të lidhur shëndeti dhe jeta jonë.

*Ekspert i politikave shëndetësore

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi