Katër shtyllat e hapësirës së përbashkët ekonomike Kosovë -

Drejt një Tregu të Përbashkët apo një Tregu Unik?

Moderatorët: Prof. Dr. Adrian Civici, Ibrahim Rexhepi

Katër shtyllat e hapësirës së përbashkët ekonomike Kosovë -

PostimNga Florent Bakija » e Enjte Nentor 07, 2013 5:24 pm

100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë kishte ngritur, në mes tjerash, edhe debatin mbi çështjen e një hapësire të përbashkët ekonomike mbarëkombëtare dhe institucionalizimit të këtij bashkëpunimi. Pjesëmarrësit në debat kryesisht janë ndarë në dy grupe: ata të cilët besojnë se hapësira e përbashkët ekonomike është pjesë e një skenari të shqiptarëve për të krijuar Shqipërinë etnike, dhe ata të cilët këtë hapësirë mbarëkombëtare të zhvillimit në mes shteteve në Ballkan ku jetojnë shqiptarët e shohin si proces të natyrshëm brenda Evropës moderne. Personalisht, unë bëj pjesë te grupi i fundit dhe këtu dua të ndaj mendimet e mija me ju.

Shumë kohë më përpara si pjesë përbërëse e Perandorisë Osmane, për 5 shekuj, shqiptarët ishin pjesë në një tregu të përbashkët. Pas pushtimit të Kosovës nga Serbia në fillim të shekullit XX, kjo hapësirë e përbashkët ekonomike mori fund. Me gjithë faktin se tregtia në mes hapësirave të kombit ende vazhdonte, shqiptarët tashmë jetonin në dy sisteme të ndryshme. Këndej kufirit, shqiptarët e shihnin vendin e tyre me qeveri të brishta dhe me intervenime ndërkombëtare për të shpëtuar shpërbërjen e shtetit. Andej kufirit, në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, shqiptarët po përjetonin pushtetin e terrorit serb dhe mbretërinë e re serbo-kroato-sllovene. Duke përjashtuar rajonet kufitare, koncepti i një hapësirë të përbashkët ekonomike ishte zhbërë.

Prej atëherë, deri pas përfundimit të luftës në Kosovë, me 1999, shqiptarët kanë jetuar në një hapësirë të përbashkët ekonomike për një kohë të shkurtër vetëm gjatë vitit 1943, në kohën kur kryeministër i Shqipërisë ishte Mehdi Frashëri, dhe kur territoret e të dyjave vendeve ishin nën pushtimin gjerman. Brenda një sistemi politik nazist hapësira e përbashkët ekonomike ishte shndërruar në realitet, me gjithë faktin se ajo zgjati shumë shkurt. Pak pas marrjes së pushtetit nga komunistët në të dy anët e kufirit ndarja ishte zyrtarizuar me 1948. 50 vitet e ardhshme të dy shtetet ku jetonin shqiptarët, më shumë se për asgjë tjetër, flisnin për ndarjet dhe dallimet e mëdha ekonomike. Nuk bëhej fjalë për asgjë të përbashkët e aq më pak për një hapësirë të përbashkët ekonomike.

Sot, 14 vjet pas luftës në Kosovë, realitetet që përfaqësojnë Kosovën dhe Shqipërinë kanë sjellë më afër se kurrë hapësirën e përbashkët ekonomike të shqiptarëve. Rruga drejt kësaj hapësire të cilën e kemi zgjedhur në të dy anët e kufirit tashmë duket se është më e qartë se kurrë. Është hera e parë që shqiptarët mund të vendosin për një hapësirë të përbashkët ekonomike, pa luftë, pa kosto ekonomike dhe pa cenim të lirisë së qytetarëve të të dy vendeve.

Kjo është një mundësi të artë për të gjithë shqiptarët, një proces i ngjashëm me proceset dominuese ekonomike dhe politike në Evropën moderne, dhe një hap i pashmangshëm dhe i nevojshëm për një të ardhme më të mirë për të dy vendet.

Thelbin e këtij procesi ne duhet të shohim në drejtim të katër lirive mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian. BE-ja është e ndërtuar të funksionoj vetëm nëse ajo garanton lirinë e qarkullimit të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Nëse shqiptarët e të dy anëve mund të garantojnë këto katër liri për njëri tjetrin, hapësira e përbashkët ekonomike do të jetë punë e kryer. Ne ende nuk i kemi garantuar këto liri për njëri tjetrin por po t’i shikojmë një nga një, progresi është i dukshëm. Ne e kemi të garantuar lirinë e lëvizjes së njerëzve në mes dy vendeve. Shqiptarët lëvizin lirshëm këndej e andej kufirit dhe janë duke tregtuar më lirshëm se asnjëherë më parë. Liria e qarkullimit të shërbimeve dhe kapitalit, ndërkaq, ende nuk është e garantuar dhe këtu kemi më shumë punë për të bërë.

Bashkëpunimi institucional Kosovë-Shqipëri duhet të intensifikohet duke pasur për qëllim garantimin e këtyre katër lirive të cilat nuk mund të sjellin më pak se një union ekonomik në mes vendeve tona. Ne mund të vendosim vetë për të garantuar me ligj që kapitali i një shqiptari të Shqipërisë të lëviz lirshëm në Kosovë pa barriera ekonomike. Shqipëria, natyrisht, mund ta bëj të njëjtën gjë. Kosova mund të garantoj me ligj që një shtetas i Shqipërisë nuk do të trajtohet ndryshe nga një shtetas i Kosovës kur aplikon për punë në Kosovë. Shqipëria, natyrisht, nuk pse të mos e bëj të njëjtën gjë.

Për fat të mirë, rruga drejt këtyre katër lirive të cilat do të garantojnë një hapësirë të përbashkët ekonomike mes vendeve tona ka një motor të fuqishëm mbrapa: procesin e integrimit evropian. Të dy vendet janë në faza të ndryshme të integrimit, por edhe pse në kohë të ndryshme, ato të do të kalojnë të njëjtën rrugë. Në rrugën e tyre drejt BE-së, Shqipëria dhe Kosova pashmangshmërisht shkojnë drejt një tregu të përbashkët. Duke u harmonizuar me ligjet e BE-së, ligjet tona të cilat rregullojnë fushën ekonomike dhe politike do të duken për çdo ditë e me të përafërta. Politikat tona të tregtisë me jashtë, mbrojtjes së konsumatorit, ambientit, apo me fjalë tjera, politikat tona të 33 sektorëve të cilat do përcaktojnë të ardhmen e vendeve tona do të përafrohen për çdo ditë e më shumë. Në këtë rrugë që kemi zgjedhur, kjo është e panegociueshme.

Procesi i integrimit evropian, përveç tjerash, eliminon pengesat e jashtme për të dy vendet. Përgjatë procesit të integrimit Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, zbusin frikën e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare se një hapësirë ekonomike në mes dy vendeve është një skenar i fshehur për Shqipërinë e Madhe. Me gjithë dëshirat, shtetet në shekullin XXI nuk konsiderohen shtete, nëse nuk kanë legjitimitet ndërkombëtar.

Sidoqoftë, në fusha të ndryshme të sektorit ekonomik ne ende kemi dallime. Politikat monetare janë të ndryshme. Përderisa Kosova ende nuk ka kurrfarë ndikimi në politikat e veta monetare për shkak të euros, Shqipëria ka lekun dhe politikat e saj monetare janë pjesë aktive e zhvillimit ekonomik të vendit. Politikat fiskale të dy vendeve dallojnë më pak dhe ky dallim do të vij duke u zvogëluar gjatë procesit të integrimit për të përfunduar në kufirin e deficitit buxhetor prej 3% të GDP-së në vit dhe kufirin e borxhit publik në 60%. Politikat tregtare, të cilat reflektojnë në mekanizmat e Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Juglindore të krijuara më herët, deri më tani kanë sjellë rezultate të ndara. Përderisa Shqipëria, ngadalë por sigurt, ka filluar të shoh përfitime nga CEFTA, konteksti politik në Kosovë në vend që të ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit, e kishte dëmtuar atë. Brenda kontekstit regjional procesi i liberalizimit të tregut në Kosovë, eliminimi i barrierave tarifore dhe jo-tarifore dhe liberalizimi i shërbimeve mund të facilitiohet përmes Shqipërisë duke mbështetur Kosovën në arritjen e marrëveshjeve bilaterale me vendet tjera të Ballkanit.

Vendet tona nuk të duhet të presin anëtarësimin në BE për të garantuar një hapësirë të përbashkët ekonomike. Ne duhet të lëvizim shpejt në drejtim të kësaj hapësire jo duke dyfishuar procesin e integrimit evropian por duke e komplementuar atë.
Imazhi i Përdoruesit
Florent Bakija
 
Postime: 1
U regjistruat në këtë grup: e Enjte Tetor 10, 2013 11:43 am
Emri Mbiemri: Florent Bakija
Titulli: MA

Re: Katër shtyllat e hapësirës së përbashkët ekonomike Kosov

PostimNga Ibrahim Rexhepi » e Shtunë Nentor 09, 2013 10:07 pm

Krijimi i hapësirës ekonomike të përbashkët Kosovë – Shqipëri është vizion e së ardhmes, si edhe i prosperitetit, fillimisht të qytetarëve që jetojnë në këto troje, por edhe e atyre që atë e pranojnë si mundësi pune e bashkëpunimi.
Prandaj, duke përdorur të kaluarën e të dyjave vendeve nuk mund të nxjerrim ndonjë mësim që mund të shërbej për ndërtimin e hapësirës së përbashkët. Pos, shembuj të këqij, plot dhimbje e tragjedi. Madje, as kohët e lashta kur ekzistonte Shqipëria e Madhe, e cila vjen si produkt i interesave të huaja, përkatësisht të fuqive që një kohë ishin zot të Luftës së Dytë Botërore. Kjo, është copëz e historisë së përbashkët. Ndërkaq, tahs, hapësira ekonomike e përbashkët mund të jetë vetëm një ekonomi e madhe, një treg i madh, dhe një mundësi e madhe për valorizimin vlerave që kanë këto troje.
Në thelb ajo ka “shembjen” e kufijve që ndajnë këtë treg, duke krijuan një zonë të teme doganore, model shumë i njohur në tërë botën- e si shembull më i mirë mund të jetë Bashkimi Evropian. Kjo “shembje” në të njëjtën kohë hap kufijtë e jashtëm të zonës doganore, meqenëse tashmë kemi të bëjmë me një treg me mbi pesë milion konsumatorë dhe me një potencial të begatshëm për investime.
Po ashtu, duhet pasur parasysh edhe faktin se Kosova, si edhe Shqipëria janë pjesë të mekanizmave të përbashkët, të cilat kanë për qëllim ndërtimin e relacioneve më të afërta me shtete fqinje dhe me ato të rajonit.
• Ato janë anëtare të CEFTA-s, marrëveshjes për tregti të lirë, e cila heq barrierat për qarkullimin mallit në rajon. Sado që ende ka probleme për funksionimin saj, megjithatë ai është dokument bazë për zhvillimin një tregtie të lirë.
• Kosova dhe Shqipëria janë pjesë e Traktatit të Energjetikës, i njohur si Traktati i Athinës, që eliminon barrierat në këtë treg dhe imponon standarde unike për të gjithë nëshkruesit.
• Investimet në infrastrukturën rrugore të standardit të lartë – autostrada, baht me qëllim që ato të jenë pjesë e rrjetit rrugor të rajonit, përkatësisht të Evropës Juglindore. Nga ky koncept përfitojnë të gjitha shtetet, meqenëse kjo lehtëson qarkullim dhe shkurton kohë e transportit. Autostrada e Kombit do të fitoj rëndësinë e saj vetëm pasi ajo të prekë kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Serbia vazhdon me shtrirjen deri në Nish, apo në ndonjë qytete tjetër që prekë në autostradat që janë pjesë e degëzimeve evropiane. Ndërkaq, ndërtimi i saj deri në fshatin Besi të Prishtinës atë e lë gjymtë. Pra kjo autostradë, e kompletuar edhe me krahun tjetër Prishtinë – Hani i Elezit e bënë shuam më të lehtë qarkullimi nga Serbia e Maqedonia drejt brigjeve të Adriatikut. Pra, interesi ëhstë rajonal, e jo vetëm pse lidhet Prishtina e Tirana.
Janë këto vetëm pak arsye që i jep rëndësi strategjike hapësirës së përbashkët ekonomike. Ndërkaq, kjo rëndësi, si edhe fuqia më e madhe konkurruese do të arrihet kur energjetika, bujqësia, xehetaria, industria përpunuese, shërbimet, arsimi, kultura,etj., të kenë një qasje- një strategji. Kjo nuk rrezikon askënd në rajon, por aq që lëndon procesin e rrugës drejt Brukselit.
Imazhi i Përdoruesit
Ibrahim Rexhepi
 
Postime: 5
U regjistruat në këtë grup: e Mërkurë Korrik 03, 2013 12:14 am
Emri Mbiemri: Ibrahim Rexhepi
Titulli: Ekonomist


Rikthehu tek Rrugët drejt një Hapësire Ekonomike të Përbashkët Shqipëri - Kosovë

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Nuk ka përdorues të regjistruar dhe 0

cron