Disa mendime për drejtësinë kushtetuese

A është momenti për një reformë kushtetuese? Nëse po, cili do të ishte objekti i kësaj reforme?

Moderatorët: Dr. Arta Vorpsi, Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi

Disa mendime për drejtësinë kushtetuese

PostimNga Prof. Luan Omari » e Martë Nentor 05, 2013 4:59 pm

Para disa ditëve ministri për marrëdhëniet e Qeverisë me Kuvendin, Ilir Çelibashi, konfirmoi lajmin e dhënë nga disa televizione e gazeta për ngritjen e një grupi pune për të përvijuar një reformë në drejtësi, reformë që ndër, të tjera, mund të parashikojë edhe krijimin e një “Gjykate Supreme” në të cilën do të shkrihet edhe Gjykata Kushtetuese.
Prej kohe është shfaqur mendimi, si nga disa politikanë ashtu edhe nga disa konstitucionalistë, se reforma në drejtësi mund të shtrihet edhe në Gjykatën Kushtetuese, pavarësisht se ajo, sipas Kushtetutës, nuk përfshihet në pushtetin gjyqësor të mirëfilltë. Por pyetja që shtrohet në këtë rast është: Përse u theksua në mënyrë të veçantë pikërisht mundësia e shkrirjes së Gjykatës Kushtetuese dhe kalimi i kompetencave të saj Gjykatës Supreme?
Lidhur me këtë dëshiroj të shpreh disa mendime.
Një reformë e tillë, si çdo ndryshim tjetër eventual në Kushtetutën në fuqi, është e vështirë të realizohet sepse duhet të sigurohet një votë “pro” nga 94 deputetë, numër që në kushtet e sotme nuk mund të sigurohet.
Pavarësisht nga kjo, ia vlen që kjo çështje të diskutohet.
Sikurse e kam vënë në dukje edhe më parë (konkretisht në librin tim “Ndarja e pushteteve dhe pavarësia e institucioneve kushtetuese, i botuar më 2011), drejtësia kushtetuese në Shqipëri nuk pëlqehet nga qeveritarët, pavarësisht deklaratave që bëhen herë pas here për rëndësinë e këtij institucioni. Dhe kjo është e kuptueshme, sepse, në fund të fundit, vendimet e Gjykatës Kushtetuese godasin zakonisht ligjet antikushtetuese që janë produkt i qeverisë dhe i maxhorancës parlamentare përkatëse. Një tregues i kësaj predispozite negative kanë qënë edhe propozimet, nga disa përfaqësues të Partisë Socialiste (që atëherë ishte në fuqi), gjatë debateve në Komisionin parlamentar për hartimin e projektit të Kushtetutës në vitet 1997-1998, që të eliminohej Gjykata Kushtetuese dhe që funksionet e saj t’i kalonin Gjykatës së Lartë, në pamundësi të parashtrimit të një kërkese për eliminimin e vetë drejtësisë kushtetuese. Shtoj se propozime të tilla janë bërë edhe kohët e fundit, si p.sh. nga prof. Rexhep Meidani në librin e tij të vitit 2009 “Kushtetuta: Bilanci dhe perspektiva”.
Kam qenë nga ata juristë që e kanë mbrojtur Gjykatën Kushtetuese dhe që, në përgjithësi, e kanë vlerësuar pozitivisht veprimtarinë e saj që nga themelimi e deri sot, pavarësisht se ka pasur edhe vendime të diskutueshme për të mos thënë të gabuara, veçanërisht vitet e fundit. Dhe në këto të meta, mendoj, ka ndikuar mënyra e caktimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. As Kushtetuta as ligji organik përkatës nuk përcaktojnë disa kritere më të shtjelluara për caktimin e këtyre gjyqtarëve. Dhe kjo zbrazëti ka lejuar që maxhorancat e ndryshme parlamentare, në përputhje me dekretet presidenciale, të vendosin emërimin e disa gjyqtarëve, pa përfillur fare vërejtjet e opozitës. Kjo praktikë ka qenë më e theksuar në legjislaturën e viteve 2008-2013.
Kam përshtyjpje që pakënaqësia nga përbërja e tanishme e Gjykatës Kushtetuese është një faktor që po e shtyn maxhorancën e sotme që të bëjë këtë “operacion kushtetues” pikërisht për të “përmirësuar” këtë përbërje.
Po të jetë kështu, kjo do të ishte një mënyrë e gabuar për të ndrequr gabimet e maxhorancës së djeshme. Do të ishte e gabuar që drejtësia kushtetuese të jepej nga një seksion i Gjykatës Supreme sipas shembullit të krijimit të një seksioni për drejtësinë administrative në kuadrin e Gjykatës së Lartë. Një zgjidhje e tillë do të zbehte peshën dhe rëndësinë e drejtësisë kushtetuese. Të mos harrohet se sot gjyqtarët kushtetues kanë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta, që nuk e gëzojnë anëtarët e Gjykatës së Lartë.
Veç kesaj, praktika e Gjykatës Kushtetuese tregon se një pjesë e madhe e çështjeve të gjykuara prej saj janë ato për mohim ose shkelje të një procesi të rregullt ligjor, që janë kryer edhe nga kolegjet e Gjykatës së Lartë. Mos vallë këto shkelje në të ardhmen pritet që të gjykohen po nga një seksion apo kolegj i kësaj gjykate, pavarësisht se mund të ketë emërtimin “Supreme”?
Në vend të shkrirjes së Gjykatës Kushtetuese (çka do të ishte në kundërshtim flagrant me praktikat e pothuajse të gjitha vendeve të kontinentit evropian ku ka gjykata kushtetuese dhe me siguri do të ndeshej me qëndrimin negativ të Komisionit të Venecias) , mendoj se, në rast se do të rishikohej Kushtetuta, të vendosej që emërimi i gjyqtarëve kushtetues të miratohej me një shumicë parlamentare të cilësuar (të paktën me 3/5), sikundër veprohet në shumë vende në Evropë dhe jashtë saj, dhe jo me një shumicë të thjeshtë që mund të jetë edhe me 36 vota, as më tepër që, sipas Kushtetutës, shkarkimi i gjyqtarëve kushtetues mund të bëhet vetëm me votat e 2/3 të të gjithë deputetëve.
Duhet pasur gjithmonë parasysh se reformat kushtetuese duhen bërë jo duke u nisur nga interesa imediate, por duke synuar që të bëhen përmirësime të qenësishme, të domosdoshme për zhvillimin demokratik afatgjatë të shtetit dhe të shoqërisë sonë. Përndryshe do të përsëritej ajo që u bë me ndryshimet kushtetuese të nxituara dhe thellësisht të gabuara të prillit 2008.
Imazhi i Përdoruesit
Prof. Luan Omari
 
Postime: 1
U regjistruat në këtë grup: e Martë Nentor 05, 2013 4:52 pm
Emri Mbiemri: Luan Omari
Titulli: Profesor

Rikthehu tek Reforma Kushtetuese - një domosdoshmëri e kohës?

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Nuk ka përdorues të regjistruar dhe 0

cron