F. Abdiu:“Pse nuk duhet të shkrihet Gjykata Larte e Kushtetu

A është momenti për një reformë kushtetuese? Nëse po, cili do të ishte objekti i kësaj reforme?

Moderatorët: Dr. Arta Vorpsi, Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi

F. Abdiu:“Pse nuk duhet të shkrihet Gjykata Larte e Kushtetu

PostimNga Admin » e Hënë Nentor 04, 2013 11:53 am

Pjesë nga intervista e Fehmi Abdiut dhënë gazetës "Shekulli":

Zoti Abdiu, mazhoranca e re ka hedhur idenë për një reformë në drejtësi e cila përfshin në mënyrë specifike dhe shkrirjen e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe krijimin e një Gjykate Supreme. Ju si e shikoni këtë propozim?

Në lidhje me këtë pyetje para së gjithash duhet të shikojmë nëse mazhoranca parlamentare e ka si objekt të sajin një problematikë të tillë. Me sa kam konstatuar, në shtyp e media është diskutuar dhe rreth kësaj çështje, nëse dy gjykatat, ajo e Larta dhe Gjykata Kushtetuese duhet të mbeten si janë sot apo duhet të ristrukturohen. Unë mendoj se krijimi i Gjykatës Kushtetuese është një nga sukseset më të mëdha që u arrit në vitet ‘90 në Shqipëri, qe një përgjigje bashkëkohore e problematikave të rëndësishme të shtetit modern, demokracive të reja që u krijuan në vendet që ndryshuan sistem në vitet '90.

Qe shumë i rëndësishëm sepse në Shqipëri ishte trashëguar një sistem gjyqësor që nuk e njihte drejtësinë kushtetuese dhe që nuk e përfillte atë. Si e tillë ajo përqafoi traditën, konceptet, bazën fondamentale të vendeve të përparuara dhe shumë shpejt, edhe pse në kushte relativisht të vështira, sipas mendimit tim, dha një ndikim shumë të rëndësishëm në Shqipëri, menjëherë pas vitit 1992 kur u krijua. Sot pas kaq vitesh unë them se krijimi i saj ishte një hap i rëndësishëm përpara. Veprimtaria e saj, më të mirat dhe mangësitë e saj që ka pasur, duhet të konsiderohet si një aset i shtetit shqiptar. E them këtë sepse cilindo aspekt që të trajtojmë problematikën, jemi të detyruar të pohojmë një fakt, që Gjykata Kushtetuese, si një institucion i rëndësishëm i shtetit demokratik, që nuk bën pjesë në sistemin gjyqësor, po që renditet menjëherë pas organeve të rëndësishme si Parlamenti, Këshilli i Ministrave, Presidenti, gjen një vend shumë të rëndësishëm në shtet, e ka pasur një ndikim shumë pozitiv veçanërisht në politikën shqiptare. Për shkak të detyrës dhe kompetencave që ka ajo, edhe pse mund të ketë reflektuar mangësi dhe ndonjë të metë, ajo ka dhënë një ndikim pozitiv për të gjykuar pushtetet e tjera dhe për të zbutur problematikën në Shqipëri. Mjafton të kujtojmë kontributet e saj shumë të rëndësishme në zgjidhjen e konflikteve të kompetencës që ka pasur ndër vite në Shqipëri midis Ekzekutivit e Legjislativit, Presidentit dhe Ekzekutivit, pushtetit qendror me pushtetin lokal, organeve lokale me ato qendrore etj.

Së dyti, ajo duke qenë një organ roje i zbatimit të Kushtetutës, ka qenë një filtër më shumë dhe një garanci më e madhe për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve në lidhje me raportet e tyre me pushtetin gjyqësor. Sido të themi dhe çfarëdo të pranojmë fakti që dhjetëra e dhjetëra apo qindra shqiptarë ndër vite kanë gjetur mbështetjen dhe përkrahjen në kërkesat e tyre për zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor pranë Gjykatës Kushtetuese, dëshmon se ajo ka kontribuar pozitivisht për të drejtat e tyre dhe se ajo ka qenë një filtër plus, veç Gjykatës së Lartë, për të drejtat e njerëzve, dëshmon se ajo ka kontribuar, dhe në mënyrë modeste, ka parandaluar konflikte të rëndësishme që më vonë mund të ishin gjykuar dhe nga Gjykata e Strasburgut. Pothuajse çdo vit ka një volum me vendimet e saj, ka imponuar faktorët politikë që ata të shikojnë më me kujdes Kushtetutën, dhe më me detyrim veprimtarinë e gjykatës, e që të zbatojnë vendimmarrjen e saj. Janë dhjetëra raste kur grupimet politike kanë pasur pretendime për vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por që janë detyruar t’i zbatojnë ato rigorozisht. Pra, në këto aspekt mund të them se veprimtaria e Gjykatës Kushtetuese ka qenë një çekan mbi kokën e politikës, politikanëve kryesorë, por dhe organeve kryesore që marrin vendime të rëndësishme për popullin.

Veçanërisht një çekan në veprimtarinë e Parlamentit shqiptar që siç e dimë për shkak dhe të shumë faktorëve, ka pasur një cilësi pune jo shumë të kënaqshme dhe jo shumë profesionale. Nëse do ndodhte shkrirja do kishte pasoja negative për Shqipërinë e shqiptarët sepse nuk do të ekzistonte një mjet tjetër garancie për qytetarët, nuk do ekzistonte një praktikë e tërë kushtetuese për organet shtetërore dhe të politikës, nuk do ekzistonte një arbitër mbi kokën e faktorëve politikë dhe institucioneve kryesore, nuk do të ishte e njëjta cilësi pune, e njëjta cilësi vendimmarrje që është sot.
Imazhi i Përdoruesit
Admin
 
Postime: 8
U regjistruat në këtë grup: e Mërkurë Prill 03, 2013 6:17 pm
Emri Mbiemri: Administratori

Rikthehu tek Reforma Kushtetuese - një domosdoshmëri e kohës?

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Nuk ka përdorues të regjistruar dhe 0

cron