JURIDIKSIONI KUSHTETUES PER LIGJET E RISHIKIMIT KUSHTETUES

A është momenti për një reformë kushtetuese? Nëse po, cili do të ishte objekti i kësaj reforme?

Moderatorët: Dr. Arta Vorpsi, Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi

JURIDIKSIONI KUSHTETUES PER LIGJET E RISHIKIMIT KUSHTETUES

PostimNga Erind Merkuri » e Hënë Tetor 28, 2013 11:35 pm

Duke iu kthyer debatit të dy profesorëve të mi, Prof.Asoc.Dr. Sokol Sadushi dhe Dr.Arta Vorpsi mbi kontrollin gjyqësor për ndryshimet kushtetuese, po analizoj rrugët e mundshme për realizimin e tij
Ndryshimet kushtetuese bëhen nëpërmjet një procedure të parashikuar në mënyrë shterurese në nenin 177 të Kushtetutës. Duke qenë se në përgjithësi pranohet se i vetmi organ që mund të suhtrojë një kontroll mbi substancial dhe formal mbi një procedurë të tillë është Gjykata Kushtetuese atëherë çështja që shtrohet në thelb për diskutim është se në çfarë mënyre kjo gjykatë mund ta ushtrojë një kontroll të tillë?
Përgjigja e parë që është diskutuar në doktrinë i referohet të drejtës që ka Gjykata Kushtetuese për të kontrolluar kushtetueshmërinë e çështjeve të shtruara për në referendum, referuar nenin 152 të Kushtetutës, ku ndër të tjera përfshihet edhe e drejta e gjykatës të kontrollojë ex ante çështjen e shtruar për referendum kushtetues.
Por në këndëvshtrimin tim personal kjo rrugë nuk e arrin qëllimin për të cilin po diskutojmë. Kështu kontrolli kushtetues i referendumeve ka si qëllim që të verifikojë nëse çështja e shtruar për referendum përfshihet në një nga ato rastet për të cilat ka ndalim kushtetues që një referendum i tillë të zhvillohet. Këto kufizime në mënyrë të shprehur janë dhënë nga neni 151/2 i Kushtetutës, por Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj nr.8/2013 ka përcaktuar se nga dispozita të tjera kushtetuese mund të rrjedhin edhe ndalime të tjera ndaj nismës për zhvillimin e referendumit. Në përfundim të këtij procesi Gjykata Kushtetuese vëren vetëm nëse çështja e shtruar për referendum kushtetues përfshihet në një nga këto ndalime ose jo. Nëse ka ndalim gjykata vendos mos mbajtjen e refernedumit me pasojë, në rastin tonë, hyrjen në fuqi të amendamentit kushtetues. Në rastin e kundërt, nëse nuk vërën ndalim atëherë shprehet se referendumi mund të mbahet.
Në këtë këndëvshtrim nuk mundet që Gjykata Kushtetuese të shprehet në lidhje me pajtueshmërinë e amendamentit kushtetues me vetë parimet bazë kushtetuese. Një gjykim i tillë nuk mundet që ta ofrojë këtë mundësi pasi në këtë rast Gjykata Kushtetuese nuk gjykon ndonjë akt. Amendamenti vetë duke iu nënshtruar procedurës së referendumit nuk ka hyrë në fuqi dhe për rrjedhojë bie jashtë juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese. Në mbështetje të këtij argumenti vjen edhe parashikimi i nenit 132 të Kushtetutës sipas të cilit Gjykata Kushtetutuese ka të drejtë që vetëm të shfuqizojë aktet që shqyrton. Duke qenë se në këtë fazë amendamenti nuk ka hyrë në fuqi, rezulton e pamundur për Gjykatën Kushtetuese që ta shfuqizojë atë. Siç e theksuam edhe më sipër gjykimi kushtetuese mbi referendumet është një gjykim i cili ka si qëllim lejimin ose jo të zhvillimit të referendumit dhe jo analizimin e aktit që i nënshtrohet referendumit.
Mendoj se zgjidhja në këtë rast është referimi në vetë të drejtën që ka Gjykata Kushtetuese për të kontrolluar pajtueshmërinë e ligjeve me Kushtetutën sipas nenit 131/a të aktit themelor. Është e vërtetë që kjo dispozitë në rradhë të parë i drejtohet ligjeve të tjera, por jam i mendimit se në këtë rast nuk ka asnjë pengesë që kjo dispozitë të zbatohet edhe për amendamentet që sjellin ndryshime në Kushtetutë. Referuar vendimit nr.25/2009 të Gjykatës Kushtetuese pranohet që në këto raste amendamenti kushtetues formalisht vishet me formën e një “ligji”, pra ky “ligj” në bazë të nenit 131/a mund të verifikohet nësë është në përputhje me parimet bazë të Kushtetutës.
Si referencë mund të përmendim edhe eksperiencën e vendeve të tjera. Kështu edhe në Itali, Kushtetuta e këtij vendi hesht në lidhje me të drejtën e Gjykatës Kushtetuese për të kontrolluar kushtetueshmërinë e ligjeve për rishikimin e Kushtetutës, por kjo e fundit në vendimin e saj nr.1146/1988 është shprehur se:

“Kushtetuta Italiane përmban disa parime të larta që nuk mundet që të përmbysen apo të ndryshohen në përmbajtjen e tyre thelbësore nga ligje për rishikimin kushtetues apo nga ligje të tjera kushtetuese. Këto janë vetëm parimet që vetë Kushtetuta në mënyrë të shprehur i parashikon si kufij absolutë të rishikimit kushtetues, si për shembull forma republikane (neni 139 i Kushtetutës), si edhe ato parime që megjithëse nuk citohen shprehimisht si të të përjashtuara nga procesi i rishikimit kushtetues, i përkasin padyshim thelbit të vlerave të larta mbi të cilat bazohet Kushtetuta italiane.
Për këtë arsye nuk mundet që t’i mohohet kësaj gjykate që të jetë kompetente për të gjykuar në lidhje me pajtueshmërinë e ligjeve për rishikimin e kushtetutës dhe të ligjeve të tjera kushtetuese përkundrejt parimeve të larta të strukturës kushtetuese. Nëse nuk do të ishte kështu, atëherë rezultati do të ishte absurd pasi do të konisderohej sistemi i garancive kushtetuese si difektoz dhe jo efektiv pikërisht në drejtim të normave të saj me vlerë më të lartë.”

Ky deklarim i rëndësishëm i Gjykatës Kushtetuese Italiane u bë gjatë një kontrolli ex post të iniciuar për më tepër nga gjykatat e zakonshme në kuadër të një gjykimi incidental. Kjo eksperiencë mendoj se vlen edhe për ne duke qenë se jurisprudencën kushtetuese italiane, Gjykata jonë Kushtetuese e ka përdorur shumë herë në vendimmarrjen e saj. Për sa më sipër jam i mendimit që ligjet/amendamendet rishikuese të Kushtetutës mundet që të kontrollohen duke zbatuar nenin 131/a të Kushtetutës në kuadrin e një kontrollit të pajtueshmërisë së ligjit me Kushtetutën
Imazhi i Përdoruesit
Erind Merkuri
 
Postime: 1
U regjistruat në këtë grup: e Hënë Gusht 26, 2013 4:53 pm
Emri Mbiemri: Erind Merkuri
Titulli: Master

Rikthehu tek Reforma Kushtetuese - një domosdoshmëri e kohës?

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Nuk ka përdorues të regjistruar dhe 0

cron