Sa më i madh të jetë një treg, aq më i lakmueshëm është

Drejt një Tregu të Përbashkët apo një Tregu Unik?

Moderatorët: Prof. Dr. Adrian Civici, Ibrahim Rexhepi

Sa më i madh të jetë një treg, aq më i lakmueshëm është

PostimNga Prof. Dr. Adrian Civici » e Martë Tetor 22, 2013 5:22 pm

Tendenca kryesore në shek. XXI, por veçanërisht periudha pas krizës globale, po evidenton si domosdoshmëri krijimin e hapësirave sa më të mëdha të veprimit të aktivitetit ekonomik e financiar, të hapësirave jo vetëm territoriale, por edhe njerëzore, kapitaleve, investimeve, tregtisë, shërbimeve etj. Në këtë këndvështrim, edhe ideja e nxitjes së një hapësire të përbashkët ekonomike shqiptare në Ballkan mund të vlerësohet si një hap prej kërkimit të rritjes së rëndësisë dhe frymëmarrjes së sistemit ekonomik e financiar, të tregjeve e shkëmbimeve të të gjitha llojeve për ekonominë shqiptare, atë kosovare, dhe pse jo edhe për atë maqedonase. Larg ideve apo praktikave të nacionalizmit ekonomik e politik, ajo që synohet nëpërmjet kësaj iniciative janë analizat, studimet dhe propozimet konkrete për masa, politika ekonomike, strategji zhvillimi ekonomik, realizimi i projekteve me impakt të konsiderueshëm, thithje investimesh të huaja direkte, rritja e efiçencës së mjaft investimeve të realizuara deri tani, koordinimi më i mirë i interesave dhe sferës së veprimit të biznesit privat, shfrytëzimi i avantazheve krahasuese të njëri-tjetrit, koordinimin e politikave tregtare dhe tregtinë reciproke, bashkëpunimin e dhomave të tregtisë e industrisë etj.
Zgjerimi dhe mirëfunksionimi i një tregu ballkanik në përgjithësi dhe në këtë kuadër dhe atij mbarëshqiptar në veçanti, do të ishte një hap më shumë drejt integrimit europian. Për më tepër, një nga sfidat e sotme të globalizimit është sfida e integrimit të ekonomive të vendeve të ndryshme me njëra-tjetrën, është shkalla e hapjes së tyre ndaj ekonomisë globale, është përballimi i konkurrencës ndërkombëtare që sa vjen e bëhet më e vështirë, nëse ekonomitë e vendeve të ndryshme apo tregjet janë të vogla e të izoluara. Pikërisht për këtë arsye, ne duhet të kërkojmë dhe të përpiqemi që ta zgjerojmë hapësirën bashkëpunuese e ndërvarësinë e ekonomive tona, jo vetëm ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, por në gjithë hapësirën ballkanike. Duke u ndalur veçanërisht tek “integrimi i sistemeve ekonomike e financiare”, problemi qëndron te mundësitë dhe rrugët që duhet të kërkojnë këto vende për të bashkëpunuar institucionalisht në këtë drejtim. Sa më i qëndrueshëm të jetë stabiliteti financiar dhe ekonomik i rajonit, aq më tërheqës bëhet ai për investimet e huaja direkte dhe përgjithësisht tregjet financiare dhe partneritetin ndërkombëtar. Kapacitetet ekonomike të vendeve të rajonit mbeten ende të nënshfrytëzuara dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm dhe i ekuilibruar kërkon rendiment të lartë të balancimit të faktorëve të prodhimit me kërkesën e brendshme dhe të jashtme të vendeve tona.
Masat apo politikat që mund të ndërmerren në këtë drejtim janë të shumta. Si të tilla mund të përmendim thellimin e diapazonit të veprimit dhe efektit të marrëveshjeve tregtare dhe këmbimit të mallrave apo shërbimeve në përgjithësi; hartimi dhe koordinimi i projekteve të përbashkëta që kanë të bëjnë me transportin, kryesisht atë rrugor e hekurudhor; koordinimi i politikave dhe investimeve në energjetikë; përfshirjen e përbashkët në programet europiane e ndërkombëtare të naftësjellësve e gazsjellësve; harmonizimi i ofertës dhe produkteve turistike cilësore për t’u bërë një pol i rëndësishëm turistik rajonal; koordinimi i politikave makroekonomike, fiskale e buxhetore për të krijuar një zonë ekonomiko-financiare të përbashkët të stabilizuar e larg krizave; hartimin dhe implementimin e politikave të përbashkëta për përmirësimin e klimës së biznesit dhe stimulimin e rritjes ekonomike të qëndrueshme; nxitjen e bashkëpunimit të dhomave të tregtisë dhe industrisë për koordinimin e biznesit privat, që është një faktor fondamental për ekonomitë tona; bashkëveprimi më i mirë i tregjeve financiare dhe bankave; koordinimi ligjor e institucional për luftimin e krimit financiar e ekonomik, pastrimin e parave, eliminimin apo zbulimin e transaksioneve apo pagesave jolegale etj., mund të vlerësohet si një drejtim i rëndësishëm integrimi financiar i rajonit.
Imazhi i Përdoruesit
Prof. Dr. Adrian Civici
 
Postime: 2
U regjistruat në këtë grup: e Premte Gusht 02, 2013 1:29 pm
Emri Mbiemri: Adrian Civici
Titulli: Profesor Doktor

Rikthehu tek Rrugët drejt një Hapësire Ekonomike të Përbashkët Shqipëri - Kosovë

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Nuk ka përdorues të regjistruar dhe 0

cron