Administrimi i Mire i Shtetit apo Spoils System ne 30 ditet

A është momenti për një reformë kushtetuese? Nëse po, cili do të ishte objekti i kësaj reforme?

Moderatorët: Dr. Arta Vorpsi, Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi

Administrimi i Mire i Shtetit apo Spoils System ne 30 ditet

PostimNga Prof. Dr. Romeo Gurakuqi » e Premte Tetor 18, 2013 5:04 pm

Fryma e re e politike e promovuar me shumë solemnitet në inaugurimin e qeverisë së re shqiptare, ngjalli shpresë se Shqipëria e fundvitit 2013, do të niste rrugën e vet serioze, për përmirësimin e qeverisjes dhe administrimit, kthimin e kësaj qeverisjeje në të përgjegjshme dhe të shpjegueshme, që do të startonte me hartimin e Kodit dhe Parimeve të Mirë Administrimit, përforcimin e parashikimeve për respektimin e të drejtave të njeriut e qytetarit, fillimin e një procesi auditimi të sjelljes së administratës deri më sot, ndërtimin e ekipeve të ekspertizës intelektuale për përmirësimin e sjelljes së institucioneve, identifikimit të gjobvenësve, seksereve, korrupsionistëve, militantëve dhë të fortëve pranë institucioneve dhe administratës, duke përgatitur fshirjen e tyre nga jeta e përpjekjet e përditshme të qytetarit të thjeshtë shqiptar.
Të them që kjo shpresë është venitur, do të ishte një ngutje e pajustifikueshme nga pikpamja e kohore, aq më tepër kur disa emra të rinjsh seriozë të PS e shoqërisë civile, të vendosur në krye të disa degëve të administratës, krejtësisht të ndryshëm nga disa prej shërbëtorëvë të automatizuar në mënyrë të spikatshme të administratës pararëndëse, më nxisin të shpresoj se një punë e madhe dhe e re, tashmë në shërbim të Shtetit, Publikut dhe Qytetarit, është në ndërtim e sipër.
Por veçmas kësaj, një mori faktesh, sjelljesh dhe planifikimesh, disa zhvillime, mbi dhe nën sipërfaqen e politikës zyrtare të dy forcave politike qeverisëse (përtej idealit të njërëzve të thjeshtë dhe atyre administratorëve të rinj që morën përgjegjësi për t’i shërbyer publikut), që kanë ndarë pushtetin si dy grupime partnere për pushtet, më nxisin të mendoj se njësia administruese e Shqipërisë, do jetë, edhe më tutje, një organizëm bipolar shtetgërryes dhe jo një instrument i ndërtuar për mirëqeverisje; rilindje të shtetit. Nje seri faktesh të vendosuna në veprim dhe projekt nga disa prej administratorëve të rinj, i bien ndesh parimit të padhunueshëm të vendeve demokratike, të konsulencës e ekspertizës bazuar mbi institucione e njësi të ngritura ligjërisht, parimeve të respektimit të lirive, barazive dhe të drejtave të qytetarit, duke respektuar shanset e barabarta për pjesmarrje në administrim dhe kontroll të qeverisjes.
Administracioni i ri, për hir të së vertëtës, nuk është një njësi uniforme, në shtysat parimore, në intensionet politike, në frymëzimin që karakterizon botën e brendshme personale të përsonazheve kryesore që e menaxhojnë, deri edhe në mënyrat se si funksionojnë, në pikpamje organizative, dy partitë kryesore përbërëse: njëra si organizatë jo qeveritare e ndërtuar për ndarje fondesh e njerëzish në detyra sipërmarrëse dhe tjetra si organizëm i disiplinuar nga nevoja për shpërndarje të forcave të lira për punësim e menaxhim fondesh publike.
Cilat janë zhvillimet mbi sipërfaqen e politikës që bien eren e zhbalancimit dhe deformimit të parimeve fillestare të shpalluara programatikisht?
Që në krye do të duhet të përcaktoj se fasada teorike e ndërtimit të një modeli demokratik, apo siç do të deshiroja me aq gëzim, një model britanik qeverisjeje, nuk mund të fshehë dot një qasje shkatërruese ndaj administratës, që nga pikpamja strukturore synon përmbysjen dhe rimodelimin e plotë departamental; nga pikpamja e burimeve njërëzore priret të variojë, nga përvoja e Spoils System, e Amerikës së dikurshme së epokës xheksioniane, deri në modelin jakobinist dhe punist të fshirjes së gjithshkaje dhe e të gjithëve, me një shpatë të fshehur robespierane apo hoxhiste. Dua të besoj dhe kam mjaft shpresë, se Kryeministri Rama nuk i përket këtij vullneti kaq shkatërrimtar, luftarak regresist, që do të sillte pasoja të rënda për paqen sociale të vendit. Por, mbajtja afër në këshillim e personazheve me fillesa dhe kulturë politike të prejadhur nga pjesa e vjetër e ish PPSH, të mbarsur që në moshë të njomë me urrejtje patologjike ndaj liberal-demokracisë tradicionale, ndaj pjesës jo komuniste të shoqërisë shqiptare, ndaj parësisë tradicionale të këtij vendi dhe të përsekutuarve politikë, më bën mjaft pesimist mbi cilësinë dhe drejtësinë e këshillimit, në Prime Ministër Office, që është një institucion i paprekshëm i të gjithë shqiptarëve, pa dallim bindjesh politike, krahinore e fetare. Zyra më e rëndësishme e Shtetit, nga ana tjetër, do të duhet të jetë një institucion i shendetshëm dhe i ruajtur nga çdo infiltrim i papërshtatshëm në mbrojtjen e sigurisë së këtij vendi.
Ku e mbështes të gjithë këtë?
1 Së pari, tek ngutja për të imponuar me anën e një VKM-je, ndalimin e veprimit të një ligji organik (Ligji për Shërbimin Civil), të arritur me konsensus të gjërë, që përbën një sinjal për sjellje të motivuara politikisht, përkundrejt parimeve të Rule of Law, kundër frymës së Kushtetutës, përkundrejt parimeve të marrëveshjes me opozitën dhe përkundrejt pritshmërisë së qytetarit shqiptar, që nuk dëshiron të këtë më shqiptarë që përsekutohen për shkak të bindjeve politike, përkatësisë krahinore dhe fetare. Në vend që të gjendej një mënyrë më adekuate dhe më efikase për zhbimjen e korrupsionit, të paaftësisë e të tejpolitizimit të administratës, u gjet forma më antikushtetuese, çuditërisht e “arsyetuar” nga Ministri i Shtetit i ngarkuar për të garantuar ecjen mbi kushtetutshmëri dhe për bërjen e reformës institucionale. Ndalimi i veprimit të një Ligji Organik, më bën të mendoj se një ndarje plaçke (një spoils system) i administratës shqiptare po përgatitet ndërkaq në underground-in e koalicionit të kulisave majtiste shqiptare. Ndalimi i veprimit të ligjit është një indikacion se ndryshimi në administratë, nuk do të ndalet aty ku duhet të ndalet, d.m. th. brenda niveleve të drejtimeve politike dhe të ekspertizës së administratës, por do të depërtojë thellë në të gjitha poret e këtij organizmi ingranazh të vendit, gjë që do të shkaktojë pashmangërisht një turbullirë të pangjashme dhe do ta mbajë vendin në një “Luftë të Ftohtë” permanente. Dua t’ju kujtoj e tregoj zoti Kryeministër, se kjo “Luftë e Ftohtë”, nga politika, po reflektohet me pershpejtim brenda populllit, mes krahinave shqiptare, mes njerëzve të thjeshtë dhe familjeve shqiptare, gjë që përbën edhe fatkeqësinë e radhës mbi vendin tonë të shumëvuajtur, nën tiranë, nën autoritarë, nën aventurierë dhe nën diletantë. Këtë gjë Kryeministri i ri duhet ta ndalojë një herë e mirë, SOT, sepse nesër mund të jetë tepër vonë, interesi i Publikut i dëmtuar dhe Ai i ngarkuar me përgjegjësi të madhe para historisë, shansit të dhënë nga vullneti i popullit. Kryeministri dhe Shumica nuk duhet të harrojnë se, Shtyrja apo Pezullimi i një Ligji Organik, me anën e një Akti Normativ, përbën një kompetencë vetëm përjashtimore, që mund ndërmerret VETËM në rastet e emergjencave nacionale dhe kjo është një praktikë e mirënjohur në çdo vend demokratik. Ligji mbi Shërbimin Civil është tashmë në fuqi dhe ai nuk mund të diskutohet më në këtë menyrë. Ai duhet vetëm të zbatohet. Qeveria, në vend që të merret me nxjerrjen e akteve nënligjore mbi zbatimin e ligjit organik të lartpërmendur, bën regresion me përmbajtje antidemokratike dhe antikonstitucionale, për pezullimin e legjislacionit, a thua se Shqipëria është në gjendje lufte! Në fakt, pas gjithë kësaj, mendoj se fshihet qellimi për të përdorur parantezat e ligjit pararëndës, që mungojnë në ligjin aktual, të cilat mundësojnë zhvendosjet e pushimet nga puna nën pretekstin e lëvizjeve strukturore. Thanun ndryshe, e gjithë kjo është një levizje taktike, krejtësisht foshnjërake, me pasoja mjaft të rrezikshme për kredibilitetin e sistemit dhe të të gjithë frymës së shpallur në fjalimin inaugurues. Kjo taktikë është mjaft e papërshtatshme, shumë naive, që vetëm do të krijojë një zinxhir të pafund ngatërresash, në vendin tonë të mjerë, të mbërthyer nga kriza ekonomike dhe nga pragu i falimentit ku ndodhen financat publike. Në vend që të merret me luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, ngritjen e cilësisë së jetës e lirisë dhe gjetjen e rrugëve të shërimit të ekonomisë e sistemit financiar, qeveria e re po përpiqet të futet në spiralen e harxhimit të pafrytshëm të energjive të mbetura të këtij vendi, në një sipërmarrje të palavdishme, që vetëm do ta shpjerë në një qorrsokak nga ku s’do të kthehet dot mbrapsht.
2. Së dyti, ngatërrimi i parimit i ndërtimit të një administrate bazuar mbi ekspertizë, me parimin e Spoils System (është një frazë e huazuar nga një senator i Nju Jokut më 1832, për të justifikuar shkarkimin e mbajtësve të funksioneve publike të anëtarëve të partisë së mundur dhe punësimin e besnikëve të partisë fituese), përbën një indikacion të qartë se shqiptarët edhe në të ardhmen do të jenë robër të krijimit të administratave korruptive partiake. Kjo taktikë politike mund të themi se shënon vijimin e politikave të “party machine” dhe “party boss”, të cilat jemi mësuar t’i shohim me vuajtje në këtë vend dhe që na kanë lanë në pozicionin e fundit në rrugën europianizuese dhe perëndimizuese. Vertetë Kryeministri i zgjedhur është në të drejtën e tij të vendosë besnikët në krye të të gjitha degëve të administratës, duke i hequr titullarët paraardhës, por pezullimi i legjislacionit që siguron palëvizshmërinë e administratës me status të nëpunësit civil, mungesa e transparencës mbi përbërjen e ekipeve reformatore, hyrja madje në qeverisje pa plane të detajuara reformuese, një përpjekje e qartë për të fshirë gjithshka të arritur me asistencen ndërkombëtare, nxitimi për të punuar mbi lista partiake, gjurmimi i përkatësisë politike të individeve shtetas mbi bazën e regjistrave prognozë që i shërbyen PS-së në zgjedhje, përbëjnë një shenjë se parimi amerikan sipas të cilit, funksionet administrative nuk mund të jenë të mënjanuara nga pasojat e zgjedhjes politike të elektoratit, është kuptuar mbrapsht, me dashakeqësi dhe ligësi tipike puniste, nga disa prej përsonazheve të kreut dhe bazës së qeverisjes aktuale bipolare. Duke parashikuar që në fillesë pafuqishmëri për të goditur klanet ekonomike kriminale, botën e financës ilegale shqiptare dhe rolin e saj ndërhyrës në politikën shqiptare, në pamundësi, dhe pa vullnetin e mjaftueshëm për të goditur gjobvënësit e biznesit të madh dhe zyrat e senkserëve ndërmjetës, udhëheqësia politike e PS, veçmas, po mendon të ulë presionin nga anëtarësia e saj, duke ndërmarrë nën rrogoz operacionin e një spastrimi pa dallim të administratës dhe duke kryer me rrënjë shfrytëzimin e plaçkës administrative. Në analizë të fundit, në qoftë se do të veprohet kështu, do kemi një përpjekje për të shfryer presionin e militantëve, duke goditur më të dobëtit dhe më të pambrojturit e këtij Shteti. Në qoftë se kjo është e vertetë, ditë më të keqija do të vijnë për Shqipërinë, lufta politike do mbahet e ndezur, ndarja politike e vendit, e filluar nga 29 nëntori 1944, do të mbetet edhe më tutje mbi kokën e Shqipërisë dhe fjalimi i mbajtur nga kryeministri në agimin e qeverisjes së re, jo vetëm do jetë larg parimeve të demokracisë britanike e perendimore, por do të njolloset si demagogji që përgatiti deshtimin e radhës së demokracisë sonë foshnjërake. Kam besuar dhe besoj ende se zoti Rama është shpresa e vetme për momentin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit të përshpejtuar; kuptoj krejt mirë mbështetjen e fuqishme ndërkombëtare për reformimin e njimendtë të administratës, pastrimin nga pjesa e së keqës, por nuk mund të arsyetoj dhe justifikoj asnjë kapërcim kufizash dhe shkelje të një prej të drejtave themeltare të qytetarëve shqiptarë. Ndaj, vendosja e udhëzimeve të qarta ndaj ekipeve reformuese dhe ndjekja e ligjshmërisë se ekipeve të konsulencës, mbetet një detyrë e munguar ende për administratorët e rinj.
3. Se treti, vërehet ekzistenca e një qasjeje jakobiniste në frymëzimin e udhëheqësisë së unifikuar socialiste dhe sidomos në mbetjet ende të fuqishme puniste brenda saj, në qendrimin ndaj administratës aktuale. Kjo qasje synon fshirjen e çdo strukture departamentale të administratës dhe ristrukturimin, pa një model të qartë, duke rrënuar çdo gjë nga Ancien Regime i demokratikasve. E gjitha kjo, duke shpikur e improvizuar struktura të pangjashme, njëlloj si udhëheqësit jakobinë në Francën e viteve 1793-1794, që u larguan me turp dhe rrënim brenda një viti nga pushteti. Shqipëria e vitit 2013 nuk ka nevojë për Robespierë, por për një Adenaur dhe një Tonny Blair të vertetë. Shqipëria e vitit 2013 normalisht që nuk dëshiron satrapë autoritarë, por ajo nuk do as asimilues të këqinj propagandistikë, të vlerave demokratike perëndimore. Shqipëria don të gjejë qetësinë, e cila nuk mund të vijë as me improvizime dantoneske dhe as me zgjidhje diletanteske fëmijësh të papjekur ende për qeverisje serioze. Kam pasur rastin të ndjek me shumë vëmendje, për shkak të detyrës që kam si anëtar i Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës, zhvillimet në MASH. Vendosja në krye të disa prej “ekipeve reformuese”, të përsonazheve të mirënjohur për egërsinë e sjelljes njërëzore dhe frymëzimin punist (që kanë eklipsuar në mënyrë manipolative ekipet zyrtare të konsulencës të njohur ligjërisht edhe shefat e dikastereve), është një ogur jo i mirë për qendrueshmërinë e sistemit arsimor shqiptar, përmirësimin dhe vijimësinë. Këto njerëz të pilotuar po sfumojnë dhe çorientojnë edhe veprimin idealist të shefave të tyre dikasteriale. Është drejtëpërdrejtë në nderin e Kryeministrit të largojë menjëherë nga ekipe të tilla mbështetëse të ministrive, jakobinistët e mbushur me mllefe e urrejtje, të ridrejtohet bazuar në ligj në institucionet këshillimore të ringritura tashmë, ose të rindërtojë ekipet me ekspertë të vertetë të shoqërisë civile, që edhe e majta shqiptare i ka mjaft të spikatur.
Është tashmë e qartë se, që Shqipëria të ketë NJE QEVERISJE të përkryer PARLAMENTARE, nuk mjafton një fjalim i parë teorik, nuk mjafton ardhja aq e deshirueshme e zotit Blair. Është e nevojshme që ajo filozofi të bëhet pjesë e veprimit të reformes sepse përndryshe ajo do ngelet fasadë. Për fat të keq, sinjalet tregojnë se po ndodh ndryshe: skuadra diletantesh po improvizojne skema purifikuese të administrates, jo aq nga gjobvenesit, grabitesit dhe inkompetentet e administratës së djeshme, por para se gjithash kunder njerëzve të thjeshtë. Keto skema synojnë të nxjerrin jashtë administrates shërbenjësit e thjeshtë civil, varesisht emrit politik, krahinës e prejardhjes familjare. Vetë ndërtimi i skemes reformuese, pa konsulencë ekspertësh të miratuar nga ligji, është një impostim shumë shqetësues. Thënë kjartë: presim ndryshim europianizues çrrënjosje të korrupsionit, reforma të menduara, por jo represion ndaj jetës së njerëzve të thjeshtë nga femijët e niperit e disa prej anetarëve të KQ te PPSH. Kjo është shqetësuese, duhet të ndalet dhe sidomos duhet të ndalet menjëherë ndaj klasës së të përsekutuarve politike, të cilët duhet të vendosen nën imunitet absolut ligjor. Është tragjike të mendosh se sot pas 22 vitesh të rënies së monumentit të diktatorit Hoxha, mbiemrat e disa prej sherbëtorëve të tij, të persekutorëve më të medhenj të shqiptarëve të thjeshtë e të vuajtur, të majtë e të djathtë, ndodhen të atashuar në ekipin vendimarrës politik më të rëndësishëm të shtetit shqiptarë. Administratorët e rinj të ofruar nga klasa e ish të persekutuarve politikë, që i janë bashkëngjitur ekipit qeverisës, duhet ta kenë të kjartë se në qoftë se me heshtjen e tyre aprovojnë skemat purifikuese ndaj njerëzve të thjeshtë dhe nëpunësve me prejardhje nga shtresat e të persekutuarve politikë, kanë bërë shkëputjen e tyre të menjëhershme me vlerat demokratike, qytetare e kombëtare të shqiptarëve të lirë.
Është koha edhe që vendet demokratike, aleate të Shqipërisë të mbajnë shënim mbi atë çfarë po ndodh aktualisht në vend, të ndërhyjnë për të ndalur çdo përpjekje për riciklimin në kah të kundërt të se keqes së demokracisë shqiptare: një riciklim të spoils system-it allashqiptar. Trashëgimia e përsëritjes ciklike të këtij fenomeni, duhet të marrë fund një herë e mirë. Shqiptarët e thjeshtë kërkojnë një shtet për të gjithë; jo më përsekutime bazuar në shkaqe, politike, ideologjike, kulturore dhe krahinore; luftë kundër korrupsionit në administratë, ndalimin e shpirtit jakobinist dhe enverist në segmente të caktuara të administratorëve të rinj.

Romeo Gurakuqi
Anëtar i Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës,
pranë Qeverisë së Republikës së Shqipërisë

Tiranë, me 8 tetor 2013.
Imazhi i Përdoruesit
Prof. Dr. Romeo Gurakuqi
 
Postime: 8
U regjistruat në këtë grup: e Premte Shtator 27, 2013 1:51 pm
Emri Mbiemri: Romeo Gurakuqi
Titulli: Lektor

Rikthehu tek Reforma Kushtetuese - një domosdoshmëri e kohës?

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Nuk ka përdorues të regjistruar dhe 0

cron