Rishikimi i rishikimit te Kushtetutes

A është momenti për një reformë kushtetuese? Nëse po, cili do të ishte objekti i kësaj reforme?

Moderatorët: Dr. Arta Vorpsi, Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi

Rishikimi i rishikimit te Kushtetutes

PostimNga Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi » e Hënë Tetor 14, 2013 1:35 pm

Duke marrë nxitje nga pyetja që, me të drejtë shtron Arta Vorpsi në ndërhyrjen e saj, më duhet të evidentojë heshtjen e Kushtetutës, në lidhje me kontrollin e kushtetutshmërisë së amendamenteve kushtetuese. Megjithatë, nenet 4, 116, 124, 131, 132, të cilat sanksionojnë se e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit, që evidentojnë parimin e epërsisë së Kushtetutës dhe i japin asaj vendin më të lartë në hierarkinë e ligjeve, që përcaktojnë Gjykatën Kushtetuese si autoritetin që garanton respektimin e Kushtetutës me pushtetin për të shfuqizuar ato akte që bien në kundërshtim me të, nuk duket se e përjashtojnë kontrollin ndaj ligjeve që rishikojnë Kushtetutën. Pra, një çështje e tillë nuk është zgjidhur përfundimisht as nga doktrina kushtetuese.
Shtrirja e kontrollit kushtetues mbi aspektin procedural të amendamenteve të Kushtetutës nuk përbën ndonjë çështje të re për jurisprudencën kushtetuese, aq sa në të vërtetë përbën kontrolli mbi përmbajtjen e amendamenteve kushtetuese. Neni 124 i Kushtetutës i ka besuar Gjykatës Kushtetuese funksionin e garantimit të respektimit të Kushtetutës dhe të interpretimit përfundimtar të saj. Kushtetuta nuk mund të mendohet si e pacenueshme nga ligjet që e rishikojnë atë, përmbajtja e të cilave mund të jetë në kundërshtim me frymën, parimet dhe vlerat universale që ajo shpreh dhe mbron, që në hyrjen e saj. Mbi vlera të tilla populli, nëpërmjet referendumit, ka vendosur Kushtetutën e vet, por kjo nuk është e mjaftueshme për të kufizuar pushtetin politik të rishikojë Kushtetutën nëpërmjet amendamenteve antikushtetuese. Është parimi i superkonstitucionalitetit që nuk e bën të panevojshëm kontrollin kushtetues. Si një organ që garanton respektimin e hierarkisë së akteve ligjore të dala nga Kushtetuta, parimisht, Gjykata Kushtetuese nuk duhet të pengohet për të hetuar shqyrtimin e kushtetutshmërisë së një amendamenti kushtetues. Fakti se në Kushtetutë nuk ekziston expressis verbis, ndonjë kufizim, për sa i takon rishikimit material të amendamenteve kushtetuese, mund të duket se është pranuar superkonstitucionaliteti. Konkretisht, neni 131, shkronja “ë”, neni 152 dhe neni 177 të Kushtetutës, që i njohin të drejtën Gjykatës Kushtetuese për të vendosur për kushtetutshmërinë e referendumit, nuk e kufizojnë pushtetin e saj për të verifikuar kushtetutshmërinë e amendamenteve të rishikimit të Kushtetutës, pas miratimit të tyre nga Kuvendi. Në pamje të parë duket se vetëm nëpërmjet shqyrtimit paraprak të kushtetutshmërisë së çështjes të shtruar për referendum, mund të ushtrohet kontrolli i kushtetutshmërisë së normës që rishikon Kushtetutën.
Sipas vetë përcaktimeve kushtetuese, Gjykata Kushtetuese nuk duket se ndalohet të ushtrojë kontroll substancial mbi ligjet që rishikojnë Kushtetutën. Neni 151, pika 2 nuk lejon që t’i nënshtrohen procedurës së referendumit çështjet që lidhen me tërësinë territoriale, me kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, me buxhetin, taksat e detyrimet financiare të shtetit, me amnistinë etj. Referendumi nuk mund të zhvillohet pa ushtruar më parë Gjykata Kushtetuese kontrollin ex ante të kushtetutshmërisë së këtyre çështjeve. Juridiksioni i Gjykatës Kushtetuese nuk ka rezultuar të ketë qenë i kufizuar vetëm në aspektin procedural, por edhe në atë substancial të çështjeve të shtruara për referendum popullor. Kështu, me vendimin nr. 31, datë 19.11.2003 Gjykata Kushtetuese, duke vlerësuar thelbin e çështjes, e ndaloi zhvillimin e një referendumi popullor për shfuqizimin e një ligji që parashikonte rritjen e moshës për përfitimin e pensionit të pleqërisë. Ky qëndrim e zhvilloi më tej jurisprudencën kushtetuese, duke hequr një pengesë për përfshirjen në të ardhmen të Gjykatës Kushtetuese në shqyrtimin e kushtetutshmërisë së përmbajtjes të projektamendamenteve kushtetuese, që kanë lidhje me çështje të kësaj natyre. E vetmja pengesë, që ka parashikuar Kushtetuta për amendamentet kushtetuese, është rregullimi që ndalon Presidentin e Republikës për të kthyer për rishqyrtim ligjin e miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës (pika 6 e nenit 177 të Kushtetutës). I këtij qëndrimi është edhe Kristaq Traja, një nga hartuesit e Kushtetutës, i cili shprehet se “nuk mund të thuhet, gjithashtu, se derisa dispozitat për rishikimin e Kushtetutës nuk e përmendin ndërhyrjen e Gjykatës, kjo nuk legjitimohet të veprojë, sepse këto dispozita nuk përmendin as edhe kontrollin mbi procedurën e amendimit. Gjykata ka për detyrë, si garant i Kushtetutës, të sigurojë respektimin e nenit 151/2, dhe jo vetëm këtë, por edhe frymën, parimet dhe vlerat e saj themelore. Aq më tepër kur amendamentet nuk shtrohen për ratifikim popullor, por mbeten vetëm për miratim parlamentar. Nuk duhet pritur referendumi që Gjykata të ndërhyjë, por ajo duhet ta bëjë këtë edhe në emër të vlerave të frymës së Kushtetutës, sa herë që amendamenti miratohet përfundimisht në Kuvend.” Sidoqoftë, trajtimi i një çështje të kësaj natyre do t’i mbetet për zgjidhje në të ardhmen jurisprudencës kushtetuese, ose edhe një qartësimi të vetë normës së Kushtetutës.
Imazhi i Përdoruesit
Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi
 
Postime: 8
U regjistruat në këtë grup: e Mërkurë Korrik 31, 2013 2:02 pm
Emri Mbiemri: Sokol Sadushi
Titulli: Prof.Asoc.Dr

Rikthehu tek Reforma Kushtetuese - një domosdoshmëri e kohës?

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Nuk ka përdorues të regjistruar dhe 0

cron