Nevoja për një Këshill Shteti apo Këshill Legjislativ?!

A është momenti për një reformë kushtetuese? Nëse po, cili do të ishte objekti i kësaj reforme?

Moderatorët: Dr. Arta Vorpsi, Prof. Asoc. Dr. Sokol Sadushi

Nevoja për një Këshill Shteti apo Këshill Legjislativ?!

PostimNga Ylli Bufi » e Shtunë Tetor 12, 2013 3:44 pm

Procesi legjislativ është një proces kompleks ndërveprimi dhe bashkëpunimi të institucioneve të ndryshme që marrin pjesë në hartimin e legjislacionit. Pamvarësisht nga shumëllojshmëria e formave dhe metodave të ndjekura hapat kryesore të këtij procesi janë: hartimi paraprak, konsultimi midis autoriteteve qeveritare, konsultimi me aktorët jashtë qeverisë, diskutimi dhe miratimi nga Këshilli i Ministrave, procedura parlamentare, shpallja nga Presidenti dhe botimi në gazetën zyrtare. Kur flitet për procesin ligjvënës zakonisht nënkuptohet pjesa e procedurës parlamentare. Në fakt, ajo është një hallkë e procesit legjislativ, e lidhur në zinxhir me hallkat e tjera. Pjesa e parë e procesit legjislativ, deri në fillimin e procedurës parlamentare, realizohet nga Këshilli i Ministrave.

Në shumë vende evropiane një rol shumë të rëndësishëm në sistemin e institucioneve që marrin pjesë në një proces legjislativ luan institucioni i Këshillit të Shtetit (Conseil d’Etat). Në disa vende të Europës, si në Francë, Itali, Belgjikë, Greqi, Finland, Norvegji, Hollandë, Irlandë, etj Këshilli i Shtetit është një institucion publik i ngarkuar me dy funksione kryesore : ai është këshilltar i qeverisë dhe struktura më e lartë gjyqësore e së drejtës administrative. Në rolin e tij të këshilltarit, Këshilli i Shtetit konsulton qeverinë për një numër aktesh, sidomos projekt ligjet. Në rolin e tij të gjykimit, ai është gjykata supreme për rekurset e drejtuara kunder vendimeve të marra nga një autoritet publik.

Problematika e eksperiencës së deritanishme të procesit legjislativ në Shqipëri është e lidhur edhe me mungesën e një institucioni të tillë koordinues dhe konsultativ. Pa dashur për të bërë këtu një analizë të plotë të këtij problemi, duhet pranuar se megjithë përpjekjet dhe përmirësimet e bëra, ndjehet nevoja e një reforme të thellë nëpërmjet së cilës të krijohet një Institucion i Pavarur me atribute të vecanta në këtë fushë. Në qëndër të kësaj reforme madhore mendojmë se duhet të vihet propozimi për ngritjen e institucionit të Këshillit të Shtetit apo Këshillit Legjislativ.

Eksperienca e këtyre viteve ka treguar se këtë funksion të rëndësishëm koordinues nuk ka mundur ta kryejnë në të gjitha hallkat e proçesit legjislativ as drejtoria juridike në Këshillin e Ministrave, as drejtoria e kodifikimit në ministrinë e drejtësisë. Në rastin më të mirë ato kanë ushtruar ndikimin e tyre kryesisht në pjesën e ekzekutivit. Roli koordinues i tyre parimisht nuk ka qënë i mundur të shtrihej edhe në strukturat e Kuvendit me peshë gjithmonë e më të madhe në proçesin legjislativ. Një mangësi e tillë është vënë në dukje edhe nga institucionet ndërkombëtare nëpërmjet raporteve dhe misioneve të tyre. Një institucion i tillë do të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në cilësinë e ligjeve të hartuara, në përputhshmërinë e tyre kushtetuese dhe me direktivat evropiane si dhe në efikasitetin dhe zbatueshmërinë e ligjeve të miratuara nga Kuvendi. Në kushtet e një bashkëpunimi të vështirë mazhorancë – opozitë apo të mungesës së dialogut midis tyre në Kuvend, krijimi I një institucioni të tillë të pavarur, do të kishte një ndikim mjaft pozitiv.

Janë këto disa nga arësyet që e bëjnë të nevojshme ngritjen e një organi të tillë ndër-institucional të pavarur me funksion konsultativ dhe koordinues në proçesin legjislativ. Ngritja e një institucioni të tillë duhet të marri parasysh reformën e nisur për krijimin e Gjykatës Administrative: Institucioni i propozuar duhet të jetë i ngjashëm me funksionin konsultues të Këshillit të Shtetit (modeli francez), por pa funksionin e gjykatës së administratës publike. Në Rumani ekziston institucioni i Këshillit Legjislativ, i ngritur me ligj organik pranë Parlamentit.

Pra, Këshilli legjislativ duhet të jetë organ konsultativ i specializuar që jep opinione me shkrim Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit të Republikës mbi projekt ligjet dhe aktet normative si dhe nxjerrë udhëzime me qëllim sistemimin, unifikimin dhe koordinimin e të gjithë legjislacionit. Ai duhet të administrojë dhe proçesin e publikimit dhe të përditësimit të legjislacionit në Shqipëri.

Pra, tre funksionet kryesore, të Këshillit Legjislativ që propozohet të krijohet në Shqipëri, duhet të jenë:

- Konsulton Këshillin e Ministrave, Kuvendin e Shqipërisë dhe Presidentin e Republikës nëpërmjet dhënies së opinioneve për çdo projektligj,
- Bashkërendon dhe standartizon punën e të gjitha organeve të shtetit në proçesin legjislativ në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ato ndërkombëtare.
- Administron regjistrin e akteve legjislative duke bërë përpunimin, përditësimin, indeksimin si dhe publikimin e tyre

Krijimi i Këshillit Legjislativ duhet të përcaktohet në Kushtetutë, ndërsa roli, funksionet dhe mënyra e organizimit të Këshillit Legjislativ përcaktohen me ligj organik. Këshilli Legjislativ drejtohet nga Kryetari i tij dhe një bord ndër-institucional. Këshilli legjislativ duhet të paraqes një raport vjetor të punës në Kuvendin e Shqipërisë.
Ylli Bufi
 
Postime: 6
U regjistruat në këtë grup: e Hënë Prill 15, 2013 6:26 pm
Emri Mbiemri: Ylli Bufi
Titulli: Doktor i Shkencave

Rikthehu tek Reforma Kushtetuese - një domosdoshmëri e kohës?

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Nuk ka përdorues të regjistruar dhe 0

cron