CEFTA-Pengesë apo e penguar në hapësirën ekonomike Shqipëri-

Drejt një Tregu të Përbashkët apo një Tregu Unik?

Moderatorët: Prof. Dr. Adrian Civici, Ibrahim Rexhepi

CEFTA-Pengesë apo e penguar në hapësirën ekonomike Shqipëri-

PostimNga Ilir Ciko » e Enjte Shtator 12, 2013 12:34 am

Pjesa I.

Ndërkohë që kjo analizë është duke u përgatitur, kufiri Kosovë-Maqedoni, prej disa ditësh është tërësisht i bllokuar për lëvizjen e mallrave duke penguar njëkohësisht lëvizjen e lirë të njerëzve përmes kufirit të dy shteteve dhe ashpërsuar marrëdhëniet politike midis tyre, edhe pse të dy vendet janë anëtarë të marrëveshjes rajonale të tregtisë së lirë, që në fakt në thelb të saj ka krijimin e një zone tërësisht të hapur tregtare e bashkëpunim mes të gjitha vendeve të rajonit. Situata të ngjashme bllokuese, në përmasa më të kufizuara e vetëm për produkte të caktuara, për fat të keq janë konstatuar edhe në tregtinë midis Shqipërisë e Kosovës, duke ngritur pikëpyetje mbi dobinë e funksionimit si duhet të marrëveshjes së tregtisë së lirë dhe hapur udhën për diskutime mbi gjetjen e formave më të përshtatshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy anëve të kufirit shqiptar.

I konsideruar nga këndvështrimi i motivimit ekonomik, debati shpesh i përsëritur mbi të ardhmen e tregtisë së lirë mes Shqipërisë e Kosovës, duke përfshirë edhe përzgjedhjen e variantit më të mirë të mundshëm të integrimit mes dy ekonomive, teorikisht duhet të përbëjë një paradoks. Historia dhe realiteti i ekonomisë botërore dëshmojnë se mësimet, si ato pozitive, ashtu dhe dështimet e angazhimeve në tregti preferenciale midis dy apo më shumë vendeve, në thelb janë të motivuara nga faktorë kryesisht jo-ekonomike ku rolin parësor e kanë çështjet politike, ato të nevojës së krijimit të stabilitetit në një rajon të trazuar apo të rasteve kur është kuptuar se bashkimet e të voglave krijojnë dicka më të madhe se thjesht shuma e tyre. Ekonomia, me lehtësinë e realizimit të bashkëpunimit dhe vendosjes së kufijve, përfitimet e arritshme, dukshmërinë e rezultateve, dhe standartizimin e modeleve, përbën mekanizmin më të përkryer për të vënë në funksionim synime të tilla sikurse është vërejtur në rastet e përpjekjeve apo suksesit në tregtinë e lirë midis vendeve të Amerikës Qendrore, Azisë Juglindore apo dhe vetë eksperiencën e Bashkimit Europian apo të vendeve aktualisht anëtare në CEFTA ku Shqipëria dhe Kosova aderojne së bashku.

Por nëse mund të ketë hapësira për përmirësim të mëtejshëm të bashkëpunimit midis vendeve të rajonit tonë dhe sërish, bashkëpunimi ekonomik del si mjet i dobishëm për të tejkaluar dallimet politike apo historike e thelluar integrimin jo të lehtë mes këtyre vendeve, në rastin e vecantë midis Kosovës e Shqipërisë, për shkaqe tërësisht të qarta e që vështirë të hasen në zona të tjera të globit, faktorët e sipërpërmendur jo-ekonomikë janë krejt të pakuptimtë. Shqipëria dhe Kosova nuk kanë nevojë të punojnë për të thelluar bashkëpunimin ekonomik për hir të ndërtimit të marrëdhënieve më të qëndrueshme politike midis qeverive përkatëse, kjo gjë është realitet, së bashku me konsensusin e gjerë politik, shoqëror apo kulturor që ekziston në të dy anët e kufirit shqiptar. Ajo që nevojitet në rastin e Kosovës dhe Shqipërisë, jashtë formave standarte të integrimit, është më tepër analiza e faktorëve të mirëfilltë ekonomikë si dhe vëmendja ndaj realitetit që ekziston edhe përtej kufijve të Shqipërisë e Kosovës.

Le të thellohemi pra në këta faktorë duke e nisur nga cështja e fundit. Shqipëria e Kosova nuk janë aspak të izoluara nga pjesa tjetër e ekonomisë botërore, e aq më pak ajo e rajonit. Si Shqiperia, ashtu dhe Kosova, janë pjesëmarrëse në marrëveshjen rajonale të tregtisë së lirë CEFTA; Shqipëria është anëtare me të drejta të plota e Organizatës Botërore të Tregtisë, ajo ka një marrëdhenie tregtare preferenciale me të gjitha vendet e Bashkimit Europian ku synon anëtarësimin, përmes marrëveshjes së tregtisë së lirë, pjesë e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim dhe së fundi ka arritur ose është në përfshirje të marrëdhënieve tregtare preferenciale me Turqinë, vendet e EFTA-s etj. Ndërtimi i një marrëdhënieje tregtare preferenciale midis Shqipërisë (dhe e njëjta analizë mund të kryhet në mënyrë simetrike dhe për Kosovën, pavarësisht ekspozimit më të reduktuar të saj në marrëveshjet ndërkombëtare të tregtisë) dhe një pale të tretë së pari do të duhej të respektonte angazhimet e ndërmarra në këto marrëveshje. Së dyti, për strukturimin e formave më të avancuara të integrimit mes Shqipërisë e Kosovës, natyrshëm dalin dy pyetje të lidhura mes tyre të cilat kërkojnë përgjigjje: A e ka përmbushur plotësisht marrëveshja tregtare aktuale mes dy vendeve objektivin e saj duke diktuar nevojën e ndërtimit të një stadi tjetër integrimi ekonomik mes dy vendeve? Dhe tjetra - a përbën kjo marrëveshje një pengesë pikërisht për një progres të mëtejshëm në këtë drejtim?

Edhe pse marrëveshja e tregtisë së lirë CEFTA nuk mund të konsiderohet si ndër më të spikaturat në lëmin e mbi 200 marrëveshjeve të tilla që sot funksionojnë në tregtinë botërore, përgjigjja për të dyja këto pyetje është negative. CEFTA ofron hapësira ende të pashfrytëzuara e në dobi të fuqizimit të tregtisë mes Kosovës dhe Shqipërisë, sikurse nga ana tjetër marrëveshja nuk paraqet ndonjë vështirësi serioze ndaj një rikonceptimi të mundshëm të marrëdhënieve ekonomike midis dy anëve të kufirit shqiptar. Madje marrëveshja nuk është përdorur si duhet edhe në ato pak raste, shpresojmë të izoluara e që të mos përsëriten në të ardhmen, të pengesave artificiale të tregtisë midis Shqipërisë e Kosoves, ndërkohë që ajo përmban dhe mekanizmat e duhur institucionalë për adresimin dhe zgjidhjen e këtyre problemeve.

Për ilustrim, mund të tingëllojë (ende) paksa si utopike ideja që një kompani kosovare të ketë mundësi të aplikojë, konkurojë si e barabartë apo dhe të fitojë në një tender të zhvilluar nga një Ministri në Tiranë apo një komunë psh. në qarkun e Fierit (përtej faktit që një perceptim të ngjashëm kanë nisur të kenë shumë kompani edhe vetë brenda Shqipërisë). Apo imagjinoni një kompani të suksesshme ndërtimi në Vlorë që me të gjithë dokumentacionin e rregullt ligjor e teknik që ka në Shqipëri, kërkon të pajtohet për të ndërtuar të themi një fshat turistik (të vërtetë) në Gjakovë apo Pejë. CEFTA përmban klauzola që kërkojnë nga shtetet pjesëmarrëse pikërisht arritjen e një realiteti të tillë përmes hapjes (në vitin 2010) së tregut të prokurimeve publike ndaj njëri tjetrit, ndërkohë që realiteti dëshmon se mjerisht pak është bërë në këtë drejtim, jo vetëm me shtetet e tjera të rajonit, por dhe midis Shqipërisë e Kosovës ku afrimiteti kombëtar, gjeografik, politik apo i çdo lloj dimensioni tjetër, do të duhej të lehtësonte maksimalisht përmbushjen e angazhimeve që qeveritë përkatëse kanë nënshkruar qartazi në një marrëveshje ndërkombëtare mes tyre.

A i ka plotësuar Shqipëria angazhimet e mësipërme në kuadër të marreveshjes CEFTA, për të mundësuar hapjen e tregut të saj ndaj kompanive kosovare apo nga vendet e tjera të rajonit? Përgjigjja e shkurtër do të ishte po, por kjo nuk mjafton. Formalisht psh. tregu i prokurimit publik është i hapur për pjesëmarrje të barabartë të kompanive të huaja, përfshirë ato nga Kosova, krahasuar me kompanitë vendase. Në fakt, po të hapë faqen elektronike të prokurimit publik, çdokush, pavarësisht se ku ndodhet në botë, mund të rregjistrohet lehtësisht për të marrë pjesë në çdo tender publik të organizuar në Shqipëri, pra vendi ynë nuk paraqet pengesa për pjesëmarrje të kompanive të huaja në këtë fushë të rëndësishme të aktivitetit ekonomik.

Por rregjistrimi është veçse nisja e procedurës së prokurimit. Problemi i vërtetë që kompanitë (përfshirë shumë syresh nga Shqipëria) hasin, nuk është refuzimi i mundësisë së pjesëmarrjes në prokurimet publike, por specifikimet teknike dhe ekonomike që percaktohen në tendera, të cilat rëndom anojnë dukshëm për të paracaktuar fituesit dhe de facto përjashtojnë nga mundësia ë konkurimit kompanitë e huaja (sikurse dhe vendase) që të marrin pjesë realisht në tenderimet publike.

Një situatë e tillë dëshmon se pengesë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik midis Shqipërisë e Kosovës (apo çdo vendi tjetër në rajon), nuk janë aspak kufizimet e marrëveshjes së tregtisë së lirë; përkundrazi në fakt marrëveshja sikurse në rastin e mësipërm kërkon qartazi arritjen e këtij objektivi. Është mënyra e organizimit të tregut të brendshëm, mungesa e konkurencës së shëndetshme dhe vullneti thuajse minimal nga ana e mekanizmave shtetërore por dhe nga vetë bizneset vendase, për të promovuar hapjen e tregut ndaj konkurencës reale në dobi të fuqizimit dhe specializimit të kompanive vendase, që realisht prodhojnë në treg pengesa artificiale të cilat nuk mund të kapërcehen përmes klauzolave në marrëveshjet ndërkombëtare, por vetëm nëpërmjet krijimit të një tregu të brendshëm konkurues dhe produktiv.

Shembulli i prokurimit publik nuk është i vetëm, mangësitë në drejtim të hapjes së mëtejshme të tregut kundrejt angazhimeve të CEFTA-s vihen re edhe në tregtinë e shërbimeve, funksionimin e mekanizmave institucionalë të marrëveshjes etj. Po kështu CEFTA nuk paraqet ndonjë pengesë të rëndësishme ligjore që Shqipëria dhe Kosova të përparojnë në bashkëpunimin e tyre ekonomik edhe përtej kufijve (ende të paarritur) të modelit të konturuar në këtë marrëveshje. Ndaj çdo formë tjetër integrimi ekonomik që është diskutuar në shumë debate mbi kete teme, nuk është se duhet domosdoshmërisht të zëvendësojë a priori marrëveshjen ekzistuese.

U përmend dhe më lart që CEFTA nuk paraqet në vetvete ndonjë marrëveshje ideale dhe synimi i këtij shkrimi nuk kërkon kurrësesi të mbrojë vazhdimësinë e status quo-së mbi këtë çështje. Aq më tepër që vendet e rajonit janë duke u afruar më tepër me Bashkimin Europian dhe nuk do të jetë e largët dita kur sikurse Kroacia këtë vit, të braktisin marrëveshjen CEFTA duke u anëtarësuar në BE. Shqetësimi lidhet me faktin qe edhe pse CEFTA mund të mos jetë një marrëveshje e përkryer, si Shqipëria ashtu dhe Kosova, duken ngurruese për të përparuar ashtu si janë zotuar përmes saj, në drejtim të reformave të tregut në dobi të bashkëpunimit ekonomik e fuqizimit të hapësirës ekonomike shqiptare, e kjo sërish, jo për faj të marrëveshjes.

Si element të rëndësishëm të kësaj pjese të analizës, nuk mund të shmangim së fundi faktin që ngritja dhe funksionimi i CEFTA-s, që prej themelimit të saj nga vendet e ish-Europës Lindore tashmë anëtare të BE-së, e deri më sot, kur i njëjti model përdoret nga vendet e rajonit tonë, synon veçmas promovimit të bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes vendeve pjesëmarrëse, edhe përgatitjen e tyre për një anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian. Nga ky këndvështrim, funksionimi i CEFTA-s mund të shihet edhe si një lloj platforme testuese për ekonomitë pjesëmarrëse në të, për t’i përgatitur ato, sikurse dhe për të kuptuar aftësinë integruese të tyre për të qenë në të ardhmen pjesë e ekonomisë më të gjerë Europiane. Larmia e problemeve që ende ekzistojnë në kalimin me sukses të këtij testi, përbëjnë sfida të rëndësishme të procesit të integrimit europian, të cilat nuk mund të zgjidhen apo anashkalohen përmes propozimit të modeleve të tjera të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Imazhi i Përdoruesit
Ilir Ciko
 
Postime: 1
U regjistruat në këtë grup: e Enjte Prill 04, 2013 2:16 pm
Emri Mbiemri:

Re: CEFTA-Pengesë apo e penguar në hapësirën ekonomike Shqip

PostimNga Prof. Asoc. Dr. Nevila Sokoli » e Martë Tetor 01, 2013 5:18 pm

Anëtarët e ndryshëm të CEFTA-së kanë shfrytëzuar raste të ndryshme për të vendosur barriera tarifore dhe jo tarifore anëtarëve tjerë të bllokut kryesisht me qëllim të mbrojtjes së prodhimeve të tyre vendore, por edhe si rezultat i reciprocitetit që vendosja e barrierave nga një shtet ka nxitur tek shtetet tjera anëtare. Vendosja e barrierave brenda bllokut të CEFTA-s mundësohet edhe për shkak të fleksibilitetit që ekziston në marrëveshjen e CEFTA-së për ta bërë një gjë të tillë, e që si rezultat pengon tregtinë e mirëfilltë të lirë – që është edhe objekt i kësaj marrëveshje.Ishte pikërisht ky neni 23 ( lejon ndërmarrjen e masave mbrojtëse nga një vend anëtar i CEFTA-së ndaj një anëtari tjetër...)dhe nenin 24 që parasheh procedurat vendosjes së barrierave, në të cilin u mbështet vendimi i MTI-së së Kosovës i datës 11 qershor 2012 për vendosjen e tarifës (tarifë mbi vlerën) prej 35% në importet e çimentos në Kosovë.
Nëse shikohet marrëveshja e CEFTA-s në tërësi me kujdes, ajo lejon shumë hapësirë interpretimi dhe nuk është fare “konservative” në mbrojtjen e tregtisë së lirë që e ka edhe për qëllim, por i lejon anëtarët e kësaj marrëveshjeje që në rast të aplikimit të ndonjë barriere në formë të njëanshme ato të qëndrojnë për një kohë derisa anëtarët vetë i zgjedhin problemet në formë bilaterale. Si rezultat i kësaj, brenda periudhës 2008-2012 ka pasur shumë raste, sidomos me Kosovën, kur shtetet e ndryshme kanë aplikuar barriera të ndryshme, si tarifore, ashtu edhe jo-tarifore, e që jo domosdoshmërisht në secilin aspekt kanë qenë në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s
Prof. Asoc.Dr. Nevila Xhindi (PhD)
Jean Monnet Professor

European University of Tirana
Deputy Rector
Partnership and Business Development
_______________________

E-mail: nevila.xhindi@uet.edu.al
Imazhi i Përdoruesit
Prof. Asoc. Dr. Nevila Sokoli
 
Postime: 8
U regjistruat në këtë grup: e Martë Shtator 03, 2013 5:10 pm
Emri Mbiemri: Nevila Sokoli
Titulli: Prof.Asoc.Dr


Rikthehu tek Rrugët drejt një Hapësire Ekonomike të Përbashkët Shqipëri - Kosovë

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Nuk ka përdorues të regjistruar dhe 0

cron