Rrethi i djeshem- centralizim i sotem

Decentralizimi dhe Ndarja e re territoriale

Moderatorët: Ylli Bufi, Gjergji Duro

Rrethi i djeshem- centralizim i sotem

PostimNga Gjovalin Gjeloshi » e Enjte Shkurt 20, 2014 12:12 am

Me “një rreth-një njësi vendore”, qeveria forcon akoma më tepër centralizimin e sotëm

- Vendin e ka mbërthyer një merimangë institucionesh rajonale shpërndarë në të gjithë territorin, të cilat i zapton dhe i drejton qeveria qëndrore. Agjensi, inspektoriate, institute e ministri të Tiranës kanë shtrirë “kthetrat” e tyre drejt bazës. Çdo shërbim ndaj qytetarit kryhet prej qeverisë. Radhë të gjata, sorollatje e hajnina në sportelet e shërbimeve.
- Ka mbetur vetëm ministria e Jashtme pa patur drejtori rajonale në qarqe

Ata që e konceptojnë reformën territoriale-administrative vetëm si heqje mekanike e “dy vizave” të reja në hartën e Shqipërisë, e kanë gabim. Kjo do të ishte thjeshtë një ndarje e re administrative, që për mua nuk është, “as e lehtë, as e vështirë”, por jo e pamundur dhe e padomosdoshme për t’u bërë. Nëse flasim për reformë administrative-territoriale, “vizat e reja” janë gjëja e fundit që duhet të bëjmë. Për të ardhur deri te ndarja e re e territorit kemi një mori punësh të tjera që duhet të kryhen. Dhe kjo “mori punësh” ka të bëjë para së gjithash me decentralizimin e pushtetit vendor i cili, hiq propagandën apo teorinë që bëhet me shumicë, është tejet i centralizuar.
Përveç paaftësisë së drejtuesve vendor, që e hasim edhe në vet radhët e anëtarëve të qeverisë, dy mund të konsiderohen shkaqet të cilat mund të na çojnë në mendimin se “qeverisja vendore e sotme ka dështuar”. Dhe që të dyja, “hyjnë e dalin” përditë nga dera e pushtetit qëndror: centralizimi i skajshëm i kompetencave dhe efektiviteti i ulët i organeve të kontrollit qëndror. Autonomia vendore nuk ka të bëjë me moskontrollin e kësaj të fundit nga organet e specializuara të kontrollit të pushtetit qëndror. Ka vite që kryetarët e njësive vendore “ndihen rehat” në ato “parcelëza” komunash apo bashkish dhe nuk kam parë se ka ndonjë organizim kolektiv serioz të shoqatave ku aderojnë, për të kërkuar të drejtat që ua jep e ashtuquajtura “Kartë e Autonomisë Vendore”. Ndihen rehat se, as nuk kanë kompetenca, as nuk tentojnë dhe as nuk mund të kryejnë shërbime ndaj qytetarëve të tyre. Ndihen rehat sepse në të vërtete ka ekzistuar një decentralizim fiskal, aq sa për t’a përdorur pa ndonjë kontroll të imtësishëm buxhetin vendor: si grantin të ardhur prej shtetit, ashtu edhe të ardhurat, në ato njësi ku ka pastur të tilla. Duket si një marrëveshje e heshtur: pushteti vendor bën sikur ka kompetenca dhe qeveria ia ka mbushur mendjen vetes se e ka kryer decentralizimin. Kjo e fundit bën sikur kontrollon zbatimin e buxhetit, ndërkohë që vendorëve nuk u hynë asnjë ferrë në këmbë në rastet e keqadministrimit të tij.
Sidomos pas vitit 2000, kur doli ligji i ri i qeverisjes vendore, është abuzuar shumë me firmosjen e “Kartës së Autonomisë…”. Decentralizimi fiskal, që edhe ky kishte e ka kufizimet e veta, ka eklipsuar krejt autoritetin e njësive vendore në të drejtat dhe detyrat që ato kanë në shërbimin ndaj zgjedhësve të tyre. Parë në këtë kënd, edhe ato pak kompetenca që ekzistonin në dy legjislaturat e para 1992-2000, si në arsim, shëndetësi etj, tashmë pushteti vendor nuk i ka më. Decentralizimi vërtet është një rrugë e gjatë dhe e vështirë, sepse qeveritë, të kujtdo qofshin, nuk janë të prirura për t’a realizuar, por kjo nuk do të thotë që 20-30 vjeçarët e vitit 1992 të mos e arrijnë atë as kur të dalin në pension.
Vendin e ka mbërthyer një merimangë e gjallë institucionesh rajonale shpërndarë në të gjithë territorin, të cilat i zapton dhe i drejton qeveria qëndrore. Agjensi, inspektoriate, institute e ministri të Tiranës kanë shtrirë “kthetrat” e tyre drejt bazës. Çdo shërbim ndaj qytetarit kryhet prej qeverisë. Radhë të gjata, sorollatje e hajnina në sportelet e shërbimeve. Të moshuar në pragë pensioni që harxhojnë ditë me radhë dhe udhëtojnë kilometra të tëra e përballen me nëpunës që askush nuk u kërkon llogari për cilësinë dhe shpejtësinë e kryerjes së shërbimit. Prindër nxënësish dhe mësues që e gjejnë rrugën e zgjidhjes së ankesave të tyre vetëm në dyert e ministrisë. Pacientë apo të sëmurë kronik që s’dinë ku të përplasin kokën nëse nuk u kryhet shërbimi që kanë nevojë, etj,etj.
Duhet një vëmendje e madhe të ulesh e të numërosh “fijet” që përbëjnë rrjetën e kësaj merimange frymë-marrëse të shërbimeve ndaj popullatës, e cila voton dhe nuk dinë se ku t’a kërkojnë shërbimin e domosdoshëm. Sot pushteti vendor përballet me një centralizim të skajshëm dhe sigurisht ka një indiferencë të plotë të shërbimeve ndaj votuesit të vet. Kësisoj edhe qytetari nuk ka pse t’i mësyjë zyrat e tij, se nuk ka asgjë në kompetencë për të zgjidhur. Arsimi, shëndetësia, zyra e pensioneve (sigurimet shoqërore), zyra e regjistrimit të paurisë së paluejtshme, zyra e administrimit të tokës, administrimi i kullimit të tokave, zyra e siguracionit shëndetësor, pajisja me liçencë biznesi apo transporti, shërbimi i furnizimit me energji elektrike, zyrat e punësimit, statistikat, shërbimi postar, shërbimi i ujësjellësit (i përgjysmuar), shërbimi ekstensiv i bujqësisë, shërbimi i kontrollit ushqimor, legalizimi i ndërtimeve, shërbimi i turizmit etj. Ka mbetur vetëm Ministria e Jashtme pa patur drejtori rajonale në qarqe.
Përball kësaj “dare” centralizimi, unë nuk e di se përse duhet të votohet pushteti vendor, kur ai ligjërisht nuk i kryen shërbimet më minimale zgjedhësit të vet. Sot qytetarët e mësyjnë derën e komunës së tyre vetëm për të marrë çertifikatën në zyrën e gjendjes civile, nëpunësi i së cilës, edhe ky varet nga prefekti dhe kryetari i njësisë vendore duhet t’i marrë leje këtij të fundit për t’i kërkuar llogari për cilësinë e shërbimit ndaj shtetasit. Sot pushteti vendor nuk vendos në punë as pastruesen e shkollës e jo më drejtorin e saj, nuk emëron e kontrollon as infermieren e fshatit e jo më mjekun a kryemjekun e komunës, nuk cakton në punë as punëtorin e pastrimit të rrugëve. Kompetencat e sotme të këtij pushteti janë në gjendje më të mjeruar se sa ç’ishin ato të këshillave popullore të bashkuara në kohën e monizmit.
Ja pse tingëllon bosh “alarmi” i reformës administrative-territoriale, i parë vetëm në numrin e njësive vendore të Shqipërisë dhe pa u konceptuar si një qeverisje vendore në shërbim të qytetarëve të saj. Sot po diskutohen disa variante, së paku nga numri i tyre. Prej të gjitha mendimeve që jepen prej grupeve të ndryshme, më i papërshtatshmi dhe me pritshmëri më të paktë për shërbim më të mirë ndaj qytetarëve, është ai që propozon vet qeveria aktuale: një rreth-një njësi vendore. Kjo nuk është pa shejtanllëkun brenda. Një strukturë e tillë as sjell decentralizimin, as ushqen kapilarët e subsidaritetit. Qeverisë, me këtë rindarje territor, as nuk do t’i dalë gjumi, as nuk do të shqetësohet edhe për vite të tëra, që të delegojë kompetencat e shërbimeve ndaj popullatës drejt pushtetit të zgjedhur administrativ. Duke i ndërruar etiketën nga rreth në bashki, qeveria ka ndërmend ta kufizojë reformën e shumëdiskutuar e të shumëpritur vetëm në “vizat” e reja të hartës dhe jo në një platform të decentralizimit të vërtet dhe të realizimit të parimit të subsidaritetit. “Rreth e bashki”, janë konturet e një ngrehine vendore që do t’i shërbejë vetëm qëllimeve politike të qeverisë dhe do të përkeqësohet akoma më shumë shërbimi ndaj qytetarit. Në mos, edhe kështu siç është, na vjen për t’a vajtuar. 36 rrethe-36 bashki do të thotë të mos prekësh asnjë ligj tjetër që rregullon jetën publike e civile të shtetasve tanë, t’i lësh të paprekura strukturat e dekoncentruara të organeve qëndrore dhe t’i lësh qytetarët e tu “rrugëve” në përkudesje të askujt.
Nëse qeveria do të vazhdojë në të sajën, do të kemi një ligj që shtetasit e këtij vendi do t’ia shohin sherrin edhe për një kohë boll të gjatë. “Hidh e prit” do të na kalojë edhe një njëzetë vjeçarë tjetër me pushtet vendor të pastabilizuar dhe me tendencë që të gjithë shtetasit t’i kërkojnë shërbimet jetësore në sportelin e qeverisë.
Përkundër kësaj, ekziston shpresa që qeveria e sotme ashtu siç është paraqitur gjatë kësaj periudhe e paaftë në marrjen e disa vendimeve, është treguar po aq e aftë për t’i braktisur ato në kohën e duhur.

Gjovalin Gjeloshi
Imazhi i Përdoruesit
Gjovalin Gjeloshi
 
Postime: 1
U regjistruat në këtë grup: e Enjte Shkurt 20, 2014 12:01 am
Emri Mbiemri: Gjovalin Gjeloshi

Re: Rrethi i djeshem- centralizim i sotem

PostimNga Ylli Bufi » e Enjte Shkurt 20, 2014 12:34 am

Kontributi i zotit Gjeloshi prek një çështje me rëndësi të veçantë për të sqaruar pse aktualisht qeverisja vendore ka “falimentuar”. Eshtë e vërtetë që qeverisja vendore në Shqipëri është tejet e fragmentuar dhe kjo ka ndikuar së tepërmi në uljen e eficensës së qeverisjes vendore. Por njëkohësisht duhet të pranojmë që procesi I decentralizimi ka vite që është tërësisht i bllokuar. E vërtetë është gjithashtu fakti që burimet financiare të qeverisjes vendore kanë ardhur në rënie.
Në ligjin organik të qeverisjes vendore lista e funksioneve është e plotë, por përgjegjësitë e qeverisjes vendore për realizimin e disa prej këtyre funksioneve janë të kufizuara, aq sa ato mund të konsiderohen si funksione të qeverisjes qëndrore. Lista e funksioneve të veta të qeverisjes vendore të nivelit të parë në ligjin organik të vitit 2000 duket se është esauruese (21 funksione), kurse funksionet e përbashkëta, ato që kryhen së bashku me pushtetin qëndror, janë vetëm 6. Për kryerjen e këtyre funksioneve të përbashkëta, pushteti qëndror ka ngritur sistemin e strukturave të dekoncetruara në bazë qarku dhe rrethi. Kështu në një qëndër qarku funksionojnë rreth 35 drejtori, zyra dhe inspektoriate. Struktura të tilla funksionojnë edhe në qëndrat e rretheve. Në shkallë vendi funksionojnë rreth 1000 njësi të pushtetit qëndror të dekoncetruar, gati dy herë më tepër se strukturat e qeverisjes vendore. Duket që nga viti 2000 e deri më sot në vënd të progresit të decentralizimit, është zhvilluar më shumë dekoncetrimi. Kjo ka dëmtuar rolin dhe funksionimin e qeverisjes vendore, duke zvogëluar së tepërmi sferën e shërbimeve esenciale që qeverisja vendore duhet ti ofrojë banorëve të vetë.
Situata është më e rëndë po të shohim financat vendore. Pjesa e shpenzimeve për NjQV-të në totalin e shpenzimeve publike në Shqipëri ishte vetëm 7.2% në vitin 2011. Kjo është një ndër shifrat më të ulëta të regjistruara në Europë për këtë zë. E njëjta gjë është e vërtetë dhe për pjesën e shpenzimeve për NjQV-të në raport me PBB-në, e cila ra në nivelin 2.1% në vitin 2011. Krahasimi i këtyre të dhënave me listën e funksioneve të NjQV-ve e bën të qartë faktin se shumë funksione janë të pafinancuara, ose janë të financuara vetëm pjesërisht.
Pra, arësyet pse qeverisja vendore është larg kërkesave të banorëve nuk duhet të kërkohet vetëm me defragmentimin e njësive të qeverisjes vendore, por edhe me shkallën e ulët të decentralizimit dhe të burimeve financiare. Reforma administrative territoriale duhet të çoj në krijimin e njësive të reja më të fuqishme, me kompetenca të plota për të kryer shërbimet ndaj banorëve dhe me të ardhura financiare të mjaftueshme për të kryer shërbimet e kërkuara.
Ylli Bufi
 
Postime: 6
U regjistruat në këtë grup: e Hënë Prill 15, 2013 6:26 pm
Emri Mbiemri: Ylli Bufi
Titulli: Doktor i Shkencave


Rikthehu tek Propozimi ShtetiWeb për Reformën Administrative Territoriale

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Nuk ka përdorues të regjistruar dhe 0

cron