Terreni për një integrim më të thellë ekonomik

Drejt një Tregu të Përbashkët apo një Tregu Unik?

Moderatorët: Prof. Dr. Adrian Civici, Ibrahim Rexhepi

Terreni për një integrim më të thellë ekonomik

PostimNga Shpend Kursani » e Enjte Nentor 21, 2013 1:36 pm

Çështja e një integrimi më të thellë ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë i shprehur përmes një bashkimi doganor apo ndonjë nivel tjetër të integrimit ekonomik nuk është vetëm çështje teknikaliteti. Po ashtu ajo nuk duhet shikuar në mënyrë të ngutshme me supozimin se integrimi më i thellë ekonomik me doemos sjellë përfitim për të dyja vendet. Mbase kushtet mund të krijohen për një gjë të tillë, por së pari duhet shikuar bazat mbi të cilat vendoset një integrim më i thellë ekonomik, dhe çka duhet korrur paraprakisht?

Kosova dhe Shqipëria deri më sot nuk kanë trashëguar një lidhje apo integrim 'natyral' ekonomik. Në krahasim me integrimin e këtyre dy vendeve me vendet e tjera, integrimi i tyre në mes vete është mjaft i ulët. Kjo për shkak të integrimit të trashëguar më pare: Kosova sot është shumë më e integruar me tregun dhe ekonomitë ish-Jugosllave, gjegjësisht Maqedoninë dhe Serbinë (përmbi 600 milion euro shkëmbim tregtar më 2012), se sa me Shqipërinë ku ky shkëmbim arrin vlerën prej rreth 150 milion Euro. Në anën tjetër edhe Shqipëria është e integruar me tregjet e Italisë dhe Greqisë shumë më shumë se me tregun e Kosovës. Për më shumë, vëllimi tregtar i Shqipërisë me Serbinë (edhe pse vend që nuk e kufizon) është më i madh (rreth 187 milion Euro) se sa ai me Kosovën që e paraqitëm më lartë (rreth 150 milion Euro).

Infrastruktura: çështja e autostradës
Përderisa autostrada ka rritur shfrytëzimin e kësaj pike doganore me Shqipërinë, ajo nuk e ka rritur në ndonjë masë të madhe tregtinë me Shqipërinë. Përderisa tregtia me Shqipërinë është rritur në mënyrë stabile, kjo rritje ka qenë në vazhdimësi edhe para ndërtimit të autostradës. Prandaj nëse shikohen të dhënat tregtare si për importe nga Shqipëria ashtu edhe për eksporte në Shqipëri bashkë me rritjen e shfrytëzimit të pikës doganore në Vermicë pas ndërtimit të autostradës, del që ndërtimi i kësaj autostrade vetëm sa i ka zëvendësuar Malin e Zi dhe Maqedoninë si shtete transite për eksportet e Kosovës në Shqipëri, ndërsa në vëllimin e eksportit nuk ka pasur ndonjë efekt (Këtu fjala është për ndonjë efekt të theksuar sepse eksportet në vazhdimësi kishin trendin rritës. Dhe kur them që efekti i autostradës për eksportet e Kosovës nuk është vërejtur, fjala është për të dhënat ku tregohet se edhe në vitet para ndërtimit të autostradës rritja e eksporteve të Kosovës në Shqipëri rritej për 5 milion Euro nga viti paraprak, ashtu sic vazhdoi edhe pas ndërtimit të autostradës). Po ashtu rritja e shfrytëzimit të kësaj pike kufitare është më shumë për shkak të shfrytëzimit të saj për eksportin e Shqipërisë kah Kosova (si transit) në vende tjera dhe për eksportin e Kosovës kah Shqipëria (si transit) në vende tjera, apo edhe për importin në Kosovë përmes Shqipërisë nga vende tjera si p.sh Mali i Zi, etj. Dmth, niveli i ulët i integrimit ekonomik në mes të dyja vendeve ka bërë që autostrada më shumë t'i shërbej kalimit të mallrave të shteteve të treta nëpër territorin e Kosovës dhe Shqipërisë, se sa në lidhjen apo integrimin ekonomik në mes të dyja vendeve.

Politika: mbyllja e kufirit me Serbinë
Edhe vendosja e barrierave të plota tregtare ndaj Serbisë nga ana e Kosovës - politikë kjo e cila zgjati për 58 ditë në vitin 2011 vlen të përmendet për shkak se na ndihmon të konstatojmë nivelin e ulët të integrimit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Nëse analizohen të dhënat tregtare të tremujorit të tretë të vitit 2011 (TM3 2011) kur edhe u vendos kjo barrierë ndaj Serbisë, shihet se Shqipëria nuk ka kontribuar fare në zëvendësimin e mallrave Serbe në Kosovë. Vendet të cilat i zëvendësuan mallrat nga Serbia në nivel më të theksuar ishin Maqedonia dhe Greqia, ndërkaq në një nivel më pak të theksuar ishin edhe Kroacia dhe Bullgaria. Dmth, Këto produkte u zëvendësuan nga vendet që as nuk kufizohen me Kosovën. Këto të dhëna janë pjesë e një studimi që e kam bërë më herët dhe këto trende janë nxjerrë duke i krahasuar të dhënat e TM3 2011 të këtyre shteteve me të dhënat e TM3 të viteve paraprake dhe atyre pas 2011.

Duke marr parasysh këtë gjendje, integrimi më i thellë ekonomik i shprehur përmes një bashkimi doganor mund ta vë në pikëpyetje efektin e tij, në qoftë se nuk krijohet baza paraprakisht për një gjë të tillë. Mendoj se pa rritjen e prodhimit në sektorët ekzistuese prodhuese, dhe pa filluar prodhimin në sektorë të ri, apo krijimin e çfarëdo rrethana që vë theks avantazhet krahasuese të të dyja vendeve, bashkimi doganor vetëm se do t'ia lehtësoj qarkullimin e mallrave vendeve të treta brenda territorit doganor të krijuar, sic ishte rasti me efektet e autostradës. Kjo mbase edhe mund ta nxitë enigmën n pulës dhe vesë, në atë se a është prodhimi që ndihmon efektin pozitiv të bashkimit doganor apo është bashkimi doganor që do ta nxiste prodhimin. Mendoj që nëse shikohet çështja e autostradës e shprehur si përmirësim i madh i infrastrukturës së transportit, por edhe "shansi që iu dha" Shqipërisë t'i zëvendësonte produktet Serbe me rastin e barrierës së plotë që Kosova vendosi ndaj kësaj të fundit, të cilat nuk patën ndonjë efekt - mbase Shqipëria nuk pati edhe çka të importonte në Kosovë me nivel të vogël të prodhimit, atëherë mund edhe të konstatohet se fillimisht duhet të hidhen bazat prodhuese që bashkimi doganor të ndikoj në integrimin ekonomik të vendeve e mos të shërbej si lehtësim administrativ për importe nga vendet e treta.
Imazhi i Përdoruesit
Shpend Kursani
 
Postime: 1
U regjistruat në këtë grup: e Premte Tetor 11, 2013 5:51 pm
Emri Mbiemri: Shpend Kursani
Titulli: M. Phil.

Rikthehu tek Rrugët drejt një Hapësire Ekonomike të Përbashkët Shqipëri - Kosovë

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Nuk ka përdorues të regjistruar dhe 1 vizitorë

cron