Mineralet si potencial i zonave kufitare

Drejt një Tregu të Përbashkët apo një Tregu Unik?

Moderatorët: Prof. Dr. Adrian Civici, Ibrahim Rexhepi

Mineralet si potencial i zonave kufitare

PostimNga Ibrahim Rexhepi » e Diel Tetor 20, 2013 10:18 pm

Ndonëse në të kaluarën ka pasur një shkëmbim më të madhe të mineraleve, kryesisht të kromit, tash ka mbetur e heshtur çështja e pasurisë minerare të zonave kufitare, apo ajo më shumë trajtohet përmes angazhimeve individuale, dhe kryesisht për interesa komerciale.
Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1956, xeheroret e kromit shfrytëzoheshin nga miniera e Gjakovës në Devë dhe drejtpërsëdrejti transportoheshin në Shqipëri për trajtim. Kur xeherori i pasur u pakësua, Kosova filloi të importojë nga Shqipëria 30.000 – 50. 000 tonelata në vit kromite. Kjo u ndërpre kur impianti u mbyll ne vitin 1991, ndërsa për shumë dekada nuk janë ndërmarrë kërkime për kromite.
Sa do që nuk ka shumë të dhëna rreth rezervave të kromit në brezin kufitar në anën e Kosovës dhe faktit se miniera në Devë është mbyllur me arsyetimi të shterjes së xehes, megjithatë ka indikacione se aty ende ka potenciale të të pa hulumtuara. Kjo, për faktin se Rrethi i Kukësit, që përfshinë edhe Hasin e Tropojën është i pasur me minerale, që janë të pranishme edhe në Kosovë.
Minerali i kromit
- Kukës : Vendburimi kryesor është ai i Kalimashit me 7.989.200 ton rezerva dhe i Surroit 877.300 ton rezerva me mbi 25 % CR2O3.
- Has: Rezervat më të mëdha gjinden në Vlanë -rreth 3.000.000 ton me përmbajtje 30-32% CR2O3, si edhe në Gajrep , Gzhime, Perollaj ,Mac etj, ku janë rreth 300.000 tonë rezerva me përmbajtje mbi 25%.
- Rrethi Tropojë - Këtu janë mbi 100 vendburime të kromit ku jën zbuluar 5.758.700 tonë mineral me cilësi rreth 30% CR2O3. Vendburimet kryesore janë Kam , Zogaj 1 , Zogaj 3, Zogaj 5 , Kepenek fshat , Lugu i Gjinit 1 , Lugu Gjinit 2, Gjelaj 4, etj.
Minerali i bakrit:
Në Gjegjani ndodhet në një sasi prej 3.600.000 tonë rezerva me cilësi 2.5-3.5% Cu. Pjesa me e madhe e këtyre rezervave është shfrytëzuar para vitit 1992. Vendburimi është i mbyllur. Ne zonën e Hasit janë të njohura objektet Nikoliq 1 dhe 2 me rreth 2.000.000 tonë rezerva, Golaj me 1.000.000 ton .Si miniera e Golajt ashtu dhe e Krumës janë të mbyllura dhe nuk shfrytëzohen.
Minerali i hekur-nikel dhe nikel silikat:
Më të studiuara janë vendburimet e Truallit, Surroj, Mamëzit dhe në Nomë . Gjithsejt janë 154 milionë tonë nikel silikat me përmbajtje të nikelit deri në 1 për qind dhe të hekurit 19-23 për qind, si edhe 62 milionë tonë rezerva të mineralit hekur-nikel me përmbajtje të nikelit 0,8-1,05 për qind dhe të hekurit që shkon deri në 35,20 për qind.
Kompanitë , të cilat kanë marrë në koncesion hulumtimin dhe eksploatimin mineraleve në këtë anë kanë dëshmi për sasi edhe më të mëdha të mineraleve. Sipas të dhënave të kompanisë “Albanian Minerals” rezervat e verifikuara të magnezitit në zonën Tropojë-Bajram Curr janë 500 milionë tonë magnez, ndërkaq sypozohet se në tërësi ato arrijnë deri në dy miliardë tonë, që shprehur në vlerë monetare arrijnë në 200 miliardë dollarë (http://www.telegrafi.com/ekonomi/tropoj ... 15848.html).
Ndërkaq, nga ana kosovare, pas mbylljes së minierës në Devë, si edhe pas privatizimit të dështuar të saj, është heshtur trajtimi pasurisë minerale që ka rrethi i Gjakovës, Prizrenit dhe i Dragashit. Madje, as “Strategjia e minerare e Republikës së Kosovës 2012-2025” (http://mzhe.rks-gov.net/repository/docs ... _shqip.pdf) nuk merret më këtë çështje,apo kalon heshtur mbi të. Aty thuhet se “Kompleksi ofiolitik i Gjakovës shtrihet në sipërfaqe prej rreth 80 kilometra katrorë, dhe është pjesë e kompleksit ofiolitik të Mirditës(Shqipëri) i cili karakterizohet me shumë vendburime të kromit me rezerva shumë më të mëdha. Vendburimi më i njohur i xeheve të kromit në Kosovë, ka qenë miniera e kromit Deva tani e shfrytëzuar, e cila gjendet në afërsi të kufirit me Shqipërinë. Në këtë regjion kanë qenë të njohura edhe vendburimet: Babaj Bokës, Kralevica, Pllanik-Ponoshec, Popovc, Çafë Prush, etj”. Si edhe faktit se “Kromi është shfrytëzuar pothuajse në të gjitha regjionet e paraqitjes së tij. N ë Kosovë deri më 1991 , kur u bë ndërprerja e shfrytëzimit të tij, janë shfrytëzuar 1.02 milionë tonë xehe kromi”. Por, sipas këtij dokumenti, duket se Kosova ka hequr dorë krejtësisht nga hulumtimet e mëtejme të rezervave të këtij minerali. Po sipas këtij dokumenti, rezerva të mineralit të bakrit ka në Malet e Sharrit në afërsi të Dragashit, Alpet Shqiptare, Pashtrik dhe në Junik. Mirëpo, në mungesë të hulumtimeve nuk dihen sasitë dhe përmbajtja e metalit.
Ndërkaq, rezervat e mineralit të magnezitit gjinden pak më larg kufirit, por me sypoizime se ato janë vazhdimësi e shtresave minerale nga ana tjetër re kufirit. Në Golesh të Magurës ( afër Prishtinës) vlerësohet se në rezerva janë 2.385.457 tonelata, kurse të shfrytëzueshme janë 1.148.457 tonelata. Ndërkaq në Strezovc të Dardanës ka vlerësime për 1.653.683 tonelata, prej të cilave të shfrytëzueshme janë 1.488.314 tonelata.
Në minierën e Magurës, nga dokumentet arkivore të saj rezulton se nga viti 1964 e deri në vitin 1992 janë shfrytëzuar rreth 4,250,000 t magnezit. Por, është me rëndësi se këtu ka stabilimente për përpunimine xehes, të cilat janë jashtë funksioni, meqenëse miniera, ndonëse e privatizuar, nuk është aktivizuar.
Dokumentet e deritashme që kanë nënshkruar qeveritë e të dyjave vendeve nuk kanë dhënë përgjigje të saktë se si ato do t’i qasen rezervave minerare në zonën kufitare. Komisioni i përbashkët ndërqeveritar në mars të vitit 2013 ka nënshkruar protokollin , i cili bazohet ën Memorandumi n e Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, nënshkruar më datë 19 qershor 2008. Ndër tjerash, në këtë dokument janë caktuar detyrat edhe për fushën e minierave dhe të industrisë jo-ushqimore.
Aty palët janë pajtuar për :
Shkëmbimin e informacionit dhe eksperiencës për hartimin dhe zbatimin e politikave në fushat e industrisë minerare dhe industrisë së prodhimit të produkteve jo ushqimore si dhe të institucioneve kërkimore e teknike të specializuara në këto fusha;
Mbështetjen dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet kompanive që punojnë në sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve;
Fushën e hulumtimeve gjeologjike dhe hartimin e programeve të përbashkëta në këtë fushë, si dhe ofrimin e asistencës për stafin e Institutit Gjeologjik të Kosovës;
Studimin e përbashkët të rezervave mineral-mbajtëse në rajonet ndërkufitare të të dy vendeve, me synim nxitjen e programeve të përbashkëta të zhvillimit të industrisë minerare në ato zona;
Por, më nuk ka ndonjë lëvizje konkrete. Ndërkaq, sipas deklaratave të pronarëve të kompanive që bëjnë hulumtime dhe eksploatojnë xehet në anën e Shqipërisë, ka mjaft probleme në kufi. Kompania “Albanian Minerals” fillimisht fisnikërimin e xehes e ka bërë në Devë në një kompani që ishte investim suedez. Mirëpo, është dashur të ndërpresë dërgesat për shkak të veprimeve burokratike, si edhe qasjes korruptuese që kanë autoritet kufitare të të dyjave vendeve ( Intervistë me CEO të “Albanian Minerals” , Sahit Muja) .
Njëkohësisht duhet të mundësohet që vendkalimi kufitar në Morinë të aftësohet edhe për trajtimin kufitar të mallrave.
Imazhi i Përdoruesit
Ibrahim Rexhepi
 
Postime: 5
U regjistruat në këtë grup: e Mërkurë Korrik 03, 2013 12:14 am
Emri Mbiemri: Ibrahim Rexhepi
Titulli: Ekonomist

Rikthehu tek Rrugët drejt një Hapësire Ekonomike të Përbashkët Shqipëri - Kosovë

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Nuk ka përdorues të regjistruar dhe 1 vizitorë

cron