Për një ndërveprim të gjithanshëm kombëtar

Drejt një Tregu të Përbashkët apo një Tregu Unik?

Moderatorët: Prof. Dr. Adrian Civici, Ibrahim Rexhepi

Për një ndërveprim të gjithanshëm kombëtar

PostimNga Prof. Dr. Rexhep Meidani » e Martë Shtator 24, 2013 8:22 pm

Për një ndërveprim të gjithanshëm kombëtar

Hyrje.
Në botën e sotme gjithnjë e më të ndërvarur, mjaft çështje që më parë konsiderohesh si tabu apo çështje të brendshme të një vendi kanë marrë sot një përmasë ndërkombëtare në rritje. Pikërisht, reflektimi i kësaj përmase ka qenë edhe arritja e lirisë dhe e pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu, kooperimi në kohë reale në politikën ndërkombëtare po bëhet gjithnjë dhe më i fuqishëm. Krahas çështjeve të ekonomisë e tregtisë, mjaft probleme të klimës e mjedisit, ato mbi emigracionin, shëndetin, edukimin, etj. po koordinohen gjithnjë e më mirë në nivel rajonal e ndërkombëtar. Ndikimi i internetit po bëhet më tërësor në ushtrimin e fuqisë, në të gjitha fushat, përfshirë dhe cilësinë konkrete të qeverisjes. Madje, teknologjitë e komunikimit dhe media sociale po revolucionarizojnë dita-ditës bashkëpunimin midis politikës e qytetarëve. Parë me këtë sy, në këtë botë gjithnjë e më globale, shtetet nuk janë, si më parë, të vetmit aktorë në lojë. Aktorë jo shtetërorë si: OJQ-të, grupet etnike, organizimet e tyre në diasporë, organizatat qeveritare ndërkombëtare, struktura të kompozuara nga përfaqësues shtetërorë (si, p.sh., OKB-ja, NATO-ja, BE-ja, etj.), organizatat jo qeveritare ndërkombëtare (INGO), aktorët mbikombëtarë me një përfaqësim jo patjetër zyrtar (Kryqi i Kuq, Amnistia Ndërkombëtare; etj.), korporatat multinacionale, firmat ekonomike të shtrira në mjaft shtete, etj. po bëhen çdo ditë gjithnjë e më të forta dhe politikisht me mjaft influencë. Po ashtu, edhe vetë sistemi ndërkombëtar, dikur anarkik, është duke u sistemuar gradualisht me një mori mekanizmash, rregullash e normash, të miratuara së bashku. Pikërisht, në një botë të tillë, ku tregtia, investimet, turizmi dhe komunikimi i afrojnë gjithnjë e më tepër vendet e njerëzit, po bëhet i detyrueshëm një korrelacion shumë më i mirë forcash, procesesh e faktorësh kombëtarë e ndërkombëtarë.

Duhet menduar në mënyrë globale, por vepruar në mënyrë lokale.
Faktorë të tillë duhen konsideruar seriozisht edhe në procesin tonë të integrimit kombëtar. Për më tepër, që këto gjëra nuk janë më të reja. Veçse me një këndvështrim global, mund të arrihen dhe rezultate kombëtare! E thënë shkurt, sot, “duhet menduar në mënyrë globale dhe vepruar në mënyrë lokale”! Pikërisht, në këtë kuadër global të menduari, duhet azhurnuar aksioni lokal, i cili nuk duhet të “intimidohet” as nga radikalizmi, as nga euforia, as nga ngazëllimi folklorik. Në sajë të padrejtësive historike, një aksion i tillë lokal mbetet për shqiptarët unifikimi i mëtejshëm në kuptimin e bashkim-integrimit kombëtar, edhe pse, në një kuptim tradicional, një proces i tillë, bile deri vonë, ka nënkuptuar përgjithësisht bashkim territoresh në rrafshin juridik dhe të banorëve të tyre (me lidhje gjaku, gjuhe, historie, tradite, konfesioni, etj.) në rrafshin qeverisës. Ky i fundit, si një komplet i integruar institucionesh të hartimit dhe zbatimit të ligjit, mishëron sovranitetin e brendshëm. Është po ai, që, nga ana tij, mundëson njohjen e këtij sovraniteti prej shteteve të tjera, pra sovranitetin e jashtëm, që në rastin e Kosovës duhet të mbetet një nga përparësitë e aksionit kombëtar. E thënë më thjesht, vetë shteti është një entitet politik e gjeopolitik, kurse kombi është një entitet kulturor (dhe/ose etnik), që së bashku mishërojnë të ashtuquajturin shtet-komb. Pikërisht, procesi i globalizimit po prek aktualisht vetë thelbin tradicional të këtij konceptimi. Edhe kultura, në kushtet e sotme, po shfaqet jo vetëm si objektiv apo qëllim, por dhe si mjet. Aspekti i parë nënkupton traditën e historinë, dhe të gjithë produktet: materiale, sociale apo shpirtërore të lidhur me to, përfshirë dhe mitet, këngët e ngjarjet, të transferuara brez pas brezi. Pra, gjithçka që sendërton kombin si të tërë. Kjo lloj kulture bën veçimin, duke u shndërruar kështu në një instrument të fuqishëm në mbrojtje të unitetit kombëtar. Këtë fatmirësisht e kemi dhe duhet ta ruajmë sa më shumë! Ndryshe prej saj, “kultura si mjet” është një instrument i fuqishëm në favor të globalizimit që, në një mënyrë apo tjetrën, ushqen homogjenizimin, edhe për fatin e keq të popujve të vegjël. Është ky lloj instrumenti që po thyen kufijtë, që hedh poshtë muret e lashtë të traditës kombëtare. Proklamimi i prodhimeve të ndryshme, në të gjitha fushat, shfrytëzimi apo konsumi universal i tyre është shembulli më kuptimplotë i saj. Akoma më shqetësuese, në rrafshin kombëtar, është “fuqia” e saj për të krijuar qëndrime e pozicionime, opinione, sjellje e rregulla globale. Por, suksesi qëndron pikërisht në kuptimin e drejtë të binomit sovranitet- ndërvarësi, të mishërimit të tij në politikën kombëtare.

Binomi sovranitet- ndërvarësi.
Pas këtij shtjellimi, qoftë dhe sipërfaqësor, të konceptimit të sotëm të disa aspekteve të ndryshimit brenda binomit: sovranitet - ndërvarësi, për ne ende sot, si çështje thelbësore mbetet po ajo e një shekulli më parë – çështja kombëtare. Si do të çohet më tej kjo çështje në përputhje me situatat e kushtet e reja të epokës së globalizimit? Si mund të realizohet bashkimi kombëtar në situata të tilla? A mund të mbyllet, në një fazë të dytë, procesi i integrimit dhe vetë-integrimit me plotësimin e aspiratës historike të një bashkimi të mirëfilltë kombëtar? Cili janë probabilitetit e saj të kalimit nga mundësia në realitet? Madje, edhe duke pasur parasysh faktin, që në kuptimin e kësaj aspirate, një pengesë kohore në vetvete krijon shpërndarja territoriale e popullsisë shqiptare apo shpërngulja me forcë e saj, që në thelbin e saj nënkupton ndryshim kufijsh - tabu kjo e pagëlltitshme në pjesën vendimmarrëse të bashkësisë ndërkombëtare. Ndryshe kjo nga ndonjë perspektivë bashkimi politik Kosovë-Shqipëri, si shtet unitar apo federal, brenda një BE-je gjithnjë dhe më të institucionalizuar Megjithatë, edhe në këtë rast, nuk është aq e lehtë t’i japësh përgjigje kësaj pyetje. Sepse gjithçka varet shumë nga konceptimi i drejtë dhe aksioni konkret i sotëm, por dhe vullneti politik dhe gjykimi qytetar në territoret shqiptare, ecuria e proceseve demokratike qeverisëse, krahas projeksionit politik perspektiv të vetë BE-së, në perfeksionimin e organizimit administrativ të saj si një entitet me pamje federale. Në fund të fundit, edhe përbërja, reagimi e ndryshimet, pamjet konkrete të fuqisë janë të lidhura ngushtë me politika e skenarë të ndryshëm në realitete konkrete lokale, kombëtare e ndërkombëtare. Sidoqoftë, arritja apo shtimi i çdo lloj fuqie, kudo në botë, nuk është pa kosto, përfshirë dhe fitimin e një fuqie të pamerituar...

Integrimi evropian i shërben vetë-integrimit kombëtar.
Sidoqoftë, për sendërtimin e aspiratës sonë, qoftë dhe si frymëzim, duhen përshpejtuar detyrimisht disa hapa që, pa u realizuar në kohë, mund të provokojnë vonesa ose të prodhojnë dëme me kosto të lartë. Veçanërisht për t’i riparuar ato në një periudhë të dytë! Prandaj, një çështje e parë, me peshë themelore, pas çlirimit të Kosovës dhe pavarësimit të saj, është njohja e mëtejshme e Kosovës si shtet i pavarur dhe anëtarësimi i saj në të gjitha organizatat e vendeve sovrane, jo vetëm në OKB, NATO, BE, por dhe struktura të tjera si OSBE-ja, Këshilli i Europës, etj. Për këtë, në forumet ballkanike, çfarëdo qofshin ato, Shqipëria dhe të deleguarit e saj duhet të refuzojnë ose nuk duhet të pranojë më tej shmangien e Kosovës nga përfaqësime të tilla, për “hatrin” e Serbisë! Madje, duhet aktivizuar i gjithë lobi pro shqiptar, por dhe duhet vënë në lëvizje çdo ingranazh i diplomacisë kombëtare shqiptare, për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe të Kosovës. Çdo vonesë e mëtejshme në këtë proces bëhet serioze, madje mund të rezultojë e rrezikshme...
Por, nëse integrimi politik-territorial apo bashkimi juridik-administrativ nuk varen shumë nga mjedisi shqiptar, ka aspekte të tjera të unifikimit dhe ndërveprimit kombëtar, që varen përgjithësisht prej nesh, nga energjitë e vullneti, mendja e veprimi ynë. Këto aspekte bashkim-bashkëpunimi mund të thellohen në vazhdimësi, të përmirësohen më tej apo të zgjerohen në fusha të tjera tepër të rëndësishme për jetën tonë kombëtare, shpirtërore e materiale, në shërbim të zhvillimit dhe jetës së qytetarit, standardit të saj. Kjo nuk do të thotë se është bërë deri tani pak, por situatat e sotme e bëjnë këtë avancim të gjithanshëm shumë më të domosdoshëm, në mjaft aspekte politike-diplomatike, ekonomike-doganore, kulturore-edukative, etj.

Drejtime të rëndësishme të vetë-integrimit.
Po e nis me idenë e funksionimit të një hapësire të përbashkët ekonomike shqiptare. Po aq urgjente është veprimtaria e përbashkët dhe konvergjente në fushën e politikës së jashtme dhe diplomacisë, deri duke shfrytëzuar një infrastrukturë materiale të njëjtë, si në rastin e infrastrukturës kufitare “evropiane” Shqipëri – Mal i Zi, në Sukubinë - Muriqan. E rëndësishme është domosdoshmëria e hapjes dhe zgjerimit të tregjeve, e rritjes së hapësirave të veprimit ekonomik e financiar, jo thjesht atyre territoriale por dhe atyre njerëzore, kapitaleve, investimeve, shërbimeve, lufta e përbashkët kundër krimit ekonomik e financiar, etj.
Duhet të shtohen mbështetjet shtetërore apo nxitjet e biznesit privat në veprimtari të përbashkëta, përfshirë dhe ato komplementare e kompensuese. Në këtë optikë, po aq i rëndësishëm është bashkëveprimi legjislativ e ekzekutiv, dhe, mbi të gjitha, ndërveprimi midis parlamenteve, dikastereve, institucioneve të pavarura, p.sh. gjykatave e prokurorive, përfshirë dhe gjykatat kushtetuese, i strukturave “ndërmjetëse”, p.sh. e dhomave të tregtisë dhe industrisë, i bizneseve të njëjtit profil; realizimi i projekteve të ndryshme infrastrukturore, sidomos i korridoreve të transportit, me bashkim kapitalesh dhe ekspertize. Aty, një rol të veçantë duhet të marrë kooperimi energjetik, deri në unifikimin e tij nëpërmjet diversifikimit, por dhe komplementaritetit hidrik - termik. Tepër i rëndësishëm mbetet shkollimi sa më i përafërt, pse jo dhe i njëjtë në sistemin publik, në nivelin parauniversitar apo universitar, me programe e botime të përbashkëta, shkëmbime pedagogësh, praktika e vizita të ndërsjella, bursa shkollimi, veprimtari shkencore në fushën e mësimdhënies, etj. Më tepër intensitet e përkrahje kërkohet dhe për veprimtaritë letrare, duhet të nxiten më tej aktivitetet kulturore të përbashkëta, festivalet, shfaqjet e ndryshme, prodhimi i filmave artistikë shqiptarë me fonde të përbashkëta, shtimi i panaireve të librave, i veprimtarive sportive, etj. Gjithashtu, duhet të zgjerohen veprimtaritë e përbashkëta akademike, projektet kërkimore-shkencore në fusha të ndryshme, në radhë të parë në fushën e albanologjisë, etj. Por, pa lënë mënjanë unifikimin e mjaft shërbimeve, sipas bazës materiale dhe ekspertizës, përfshirë dhe ato laboratorike (mjedisore, shëndetësore, radiologjike, kriminalistike, etj.). Edhe pse nuk mungojnë arritjet, vëmendje kërkon dhe media e shkruar apo elektronike, rritja e bashkëveprimit midis gazetarëve, në transmetimin dhe cilësinë e informacionit, të verifikimit të tij, etj. Nuk mund të mos përmend këtu dhe shoqërinë civile që ka arritur të kapërcejë mjaft barriera të dikurshme, madje duke arritur të realizojë organizime gjithëshqiptare me zë në fusha të ndryshme. Kjo edhe pse mbështetjet financiare për to kanë mbetur ende të varfra nga strukturat shtetërore apo bizneset përkatëse.
Kjo gamë e gjithanshme bashkëpunim-unifikimi është krejtësisht në dorën tonë. Ajo përbën dhe thelbin e pamjes konkrete të bashkëpunimit mbarëshqiptar të sotëm dhe të ardhmes së afërt. Veçse, një pamje e tillë duhet zhvilluar e përpunuar më tej në gjitha drejtimet. Madje, në këtë kuptim, çdo rezultat pozitiv ndërveprues në aspektet e përmendura më sipër, ose dhe në fusha të tjera të reja (ende të paprekura), i shërben jo vetëm fuqizimit të zërit shqiptar në rajon e botë, por dhe zhvillimit të gjithanshëm mbarëkombëtar, vetë procesit të mirëfilltë të bashkimit kombëtar, që nëpërmjet integrimit evropian, mund të arrijë të sendërtojë edhe cilësi të reja territoriale vetë-integruese.
Imazhi i Përdoruesit
Prof. Dr. Rexhep Meidani
 
Postime: 4
U regjistruat në këtë grup: e Hënë Shtator 23, 2013 11:42 am
Emri Mbiemri: Rexhep Meidani
Titulli: Prof. Dr.

Rikthehu tek Rrugët drejt një Hapësire Ekonomike të Përbashkët Shqipëri - Kosovë

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Nuk ka përdorues të regjistruar dhe 1 vizitorë

cron