Rruga për bashkimin doganor

Drejt një Tregu të Përbashkët apo një Tregu Unik?

Moderatorët: Prof. Dr. Adrian Civici, Ibrahim Rexhepi

Rruga për bashkimin doganor

PostimNga Ibrahim Rexhepi » e Martë Shtator 17, 2013 10:55 pm

Themelimi i unionit doganor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë nuk është proces i pamundshëm dhe ai mund të zhvillohet sipas modeleve të njohura në botë. Ndërkaq, për këto dy vende më i pranueshëm do të ishte modeli i aplikuar dikur në Bashkimin Evropian, ndonëse ai ka shkuar një hap më tutje – ka bashkuar tregun. Forma e organizimit dhe e funksionimit të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ende është e një niveli të ulët dhe është e rregulluar me marrëveshje për tregti të lirë, si hap i paerë drejt proceseve më të avancuara integruese.
Me këtë dokument nuk lejohet asnjë lloj takse diskriminuese, barriera tarifore apo jotarifore. Parimisht hiqen te gjitha doganat ne mes të vendeve nënshkruese të bashkimit doganor.
Duke pasur parasysh zhvillimin raporteve ndërmjet vendeve anëtare të CEFTA-s, por edhe Kosovës e Shqipërisë, të cilat fillimisht kishin një MTL, vërehet se këto dokumente nuk janë të përkryera. Kjo del nga fakti se përherë janë paraqitur “mosmarrëveshje” ndërmjet anëtarëve, si edhe janë vënë barriera të ndryshme që kanë penguar tregtinë e lirë. Ndërkaq, vet MTL-ja, apo edhe CEFTA nuk kanë një mekanizëm efikas për ndërhyrje me qëllim të tejkalimit të këtyre situatave. Po ashtu raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në disa raste janë karakterizuar me inate të strukturave qeveritare, i cili reciprocitetit e ka shndërruar në një mekanizëm për përgjigje në stilin “me barriera kundër barrierave”.
Formimi i unionit (bashkimit doganor) përfundimisht do të eliminonte këto barriera dhe do të ishte hap i parafundit drejt krijimit të tregut të përbashkët. Si ide nw opinion është mjaft e pranueshme, por jo edhe lehtë e implementueshme. Jo vetëm se do të kërkonte kohë dhe mund për harmonizimin e legjislacionit dhe të standardeve, por do të kërkohet edhe një “po”, qoftë edhe e heshtur nga Komisioni Evropian, për shkak se Shqipëria është në proces të anëtarësimit në BE, ndërsa Kosova sapo ka hyrë në procesin asocimit dhe të anëtarësimit.
Por, çka është në të vërtetë bashkimi doganor ?
Është një entitet i formuar nga një territor doganor duke zëvendësuar dy apo më shumë territore. Përfundimisht ai karakterizohet me tarifë doganore të jashtme të përbashkët, legjislacion të përbashkët dhe të harmonizuar për zbatim të kësaj tarife. Pastaj me mungesë të detyrimeve dhe tatimeve doganore që kanë efekt ekuivalent në tregtinë ndërmjet vendeve që formojnë unionin doganor, për produktet me origjinë prej këtyre vendeve apo të vendeve tjera të cilat iu kanë përmbajtur formaliteteve të importit dhe për të cilat detyrimet dhe tatimet doganore janë mbledhur. Përfundimisht bëhet edhe eliminimi i rregullimeve restriktive të tregtisë përbrenda unionit doganor.
Për të arritur këtë synim, fillimisht nga secili anëtarë kërkohet që të sakrifikoj një shkallë të caktuar të kontrollit të çështjeve të veta në favor të anëtarëve të tjerë. Nuk do të ketë vetëm tregti plotësisht të lirë ndërmjet tyre, por edhe zbatim të tarifave të
përbashkët të importit nga vendet e treta, kërkohet një mekanizëm i përbashkët mbishtetëror, kurse ndarja e të ardhurave të krijuara nga doganat bëhet me një marrëveshje në mes anëtarëve.
Kosova dhe Shqipëria pos vullnetit të mirë nuk kanë shkuar larg drejt këtij bashkimi. Së pari, me legjislacionin aktual, rregullohen çështjet e brendshme, pa lënë mundësi të mëdha për krijimin e unioneve më të avancuara se një tregti e lirë. Kodi Doganor i Kosovës thotë se “ legjislacioni doganor do të zbatohet në mënyrë unike në tërë Kosovën”. Njëkohësisht, “dispozitat e caktuara të legjislacionit doganor, po ashtu mund të zbatohen jashtë Kosovës përbrenda kornizës ligjore që rregullon fushat e veçanta, ose të konventave ndërkombëtare”. (Neni 3)
Një nen i njëjtë në Kodin Doganor të Shqipërisë përkufizon se “territori doganor përfshinë territorin tokësor, ujërat territoriale, ujërat e brendshme dhe hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë”.
Pra, duke filluar që nga përkufizimi territorit doganor, del se ai ka shtrirje vetëm brenda territorit të vendit. Prandaj, pengesa e parë paraqitet i tërë legjislacioni aktual, ai parësor dhe dytësor, që ka të bëjë me sistemin doganor. Do të thotë se pika e parë drejt implementimit praktik është ndryshimi dhe adaptimi i tij në rrethanat e reja, të cilat synohet të krijohen.
Paraprakisht, duhet edhe një “studim fizibiliteti”, që do të thotë identifikimi i përparësive dhe mangësive që mund të ketë ky bashkim. Problemet mund të paraqiten, jo aq shumë në rrafshin operativ, sa në mënyrën e funksionimit të buxhetit të të dyja vendeve vec e vec. Si Kosova kanë një shkallë të lartë të varshmërisë nga importi, njësoj sikurse buxheti që është i varur nga të hyrat e velura në kufi. Po ashtu, qarkullimi i mallrave ndërmjet dy vendeve është shumë i ulët, meqenëse importi i Shqipërisë nga Kosova zë afërsisht 0,966% të importit total, ndërsa eksporti zë afërsisht 8,15% të totalit. Kurse për Kosovën importi nga Shqipëria zë afërsisht 3,9% të totalit të saj të importit, ndërsa eksporti zë afërsisht 10,8% të totalit të saj. Prandaj, “studimi i fizibilitetit” duhet të ofroj zgjidhjet më të mira që do të jenë në funksion të nxitjes dhe mbrojtjes së qarkullimit brenda unionit doganor, por në të njëjtën kohë një ndarje e drejtë e të hyrave buxhetore që realizohen përmes importit nga vendet e treta.
Imazhi i Përdoruesit
Ibrahim Rexhepi
 
Postime: 5
U regjistruat në këtë grup: e Mërkurë Korrik 03, 2013 12:14 am
Emri Mbiemri: Ibrahim Rexhepi
Titulli: Ekonomist

Rikthehu tek Rrugët drejt një Hapësire Ekonomike të Përbashkët Shqipëri - Kosovë

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Nuk ka përdorues të regjistruar dhe 2

cron