Oferta e Edi Ramës për Kosovën

Drejt një Tregu të Përbashkët apo një Tregu Unik?

Moderatorët: Prof. Dr. Adrian Civici, Ibrahim Rexhepi

Oferta e Edi Ramës për Kosovën

PostimNga Ibrahim Rexhepi » e Shtunë Shtator 14, 2013 4:30 pm

Ndonëse shumë gjëra të thëna në Prishtinë nga Kryeministri i Shqipërisë përcaktojnë platformën e bashkëpunimit mes dy vendeve si asnjëherë me pare, hapi konkret më i rëndësishëm do të ndodhë në takimin e të dy qeverive në nëntor në Prizren. Takimi do të jetë i dështuar nëse mbahet vetëm për shkak të rëndësisë historike, apo për vlerat kulturore të Prizrenit. Mirëpo, kryeministri Rama la të kuptohet se bëhet fjalë për një mbledhje operative, ku do te behet shpalosja e ideve e projekteve madje dhe marrja e vendimeve.
Këtu qëndron edhe përparësia e qasjes se kryeministrit Rama në krahasim me mënyrën e punës së mëhershme. Asnjëherë nuk kanë munguar takimet ndërmjet kryeministrave, përqafimet dhe shtrëngimi i duarve, apo e ministrave sektorial. Mirëpo, pos deklaratave për media nuk ka pasur vendime të tjera, te përkthyera ne politika publike
Por mbështetur në ate që u dëgjua në Prishtinë, nuk duket se kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është shumë i entuziazmuar nga ideja për takime të përbashkëta. Ai këtë fakt nuk e zuri asnjëherë në gojë. Se ka pajtueshmëri ndërmjet dy kryeministrave këtë e theksoi vetëm Rama.
Kryeministri i Kosovës dhe i tërë kabineti qeveritar i tij asnjëherë nuk kanë manifestuar papajtueshmërinë me idenë për tejkalimin e problemeve që paraqiten në kufi, apo për zhvillimin projekteve me interes të përbashkët me shtetin shqiptar. Mirëpo, veprimet ne terren sikur demantuan këtë gatishmëri. Ndodhi rasti i patates, i çimentos, i qumështit e mishit, i grurit e i miellit, dështimi i projektit të interkonjeksionit, apo i idesë për Portin e Shëngjinit.
Të gjitha vendimet, kundërshtimet, apo “mini luftërat tregtare” deri tani kane pasur vulën e mekanizmit shtetërorë nga te dy anët e kufirit. Rama sjell risi nga ana e Shqipërisë, e kaluara duhet t’i mbetet historisë, e ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë fillon një kaptinë e re. Po ashtu, deri në nëntor qeveria e Kosovës do të heqë nga agjenda shumë probleme që e kanë ngarkuar deri më tani, si zgjedhjet lokale dhe dialogu me Serbinë.
Ne mbledhjen e ardhshme te Qeverisjes me dy Krena, ne Prizren nuk mund të zgjidhen të gjitha çështjet që ngarkojnë raportet bilaterale, e kurrsesi vetëm me një takim. Kjo duket qartë kur kemi parasysh se Rama sapo ka hedhur ideat e tij, disa nga te cilat po i përmendim me poshtë:
1. BASHKIMI DOGANOR, si e tha Rama, nuk është fjalë goje dhe nuk mjafton vetëm dëshira, pasi ka dhe implikime të disfavorshme, të natyrës financiare në një moment të parë, por që duhet zgjidhur në një kontekst më të gjerë. Cilat janë këto implikime ? Cilat janë pasojat ne raport me fqinjët dhe traktatet ndërkombëtare te nënshkruar me to si psh CEFTA ?Pse te kufizohemi vetëm tek shkëmbimi i mallrave dhe te mos përfshihet dhe lëvizja e lire e personave, kapitalit dhe shërbimeve ? Si do të reflektohen në buxhetin e shtetit, në kohën kur Qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë ka nevojë të madhe për të të ardhura shtese. Po ashtu duhet et behet e qarte mënyra e financimit e projekteve te përbashkëta – secili menaxhon pjesën e vete apo ka menaxhim te njësuar ? Qeveria aktuale në Tiranë ka trashëguar një mungesë të theksuar të likuiditetit, si edhe borxh të madh, i cili duhet të shlyhet. Dhe krejt kjo, përfundon me krijimin e një Komiteti Ndërshtetëror Shqipëri-Kosovë. Pra, duhet kohë, madje edhe me kushtin që formimi i këtij komiteti të mos ndodhë për të zvarritur zgjidhjen e problemeve, por që brenda një periudhe të shkurtër kohore të ofroj mundësinë që të ndodhë bashkimi doganor
Po ashtu ndarja e procesit te perafrimit mes legjislacionit tregtar qe do te behet ne mënyre bilaterale, dhe pjeses tjeter te ligjeve qe do behet mbi bazën e acquis communautaire duhet sqaruar.
- Në rrafshin sektorial janë përsëritur gjërat e thëna edhe më herët, shkarazi. Deklaratat te japin përshtypjen e një dëshire ose vizioni, por qe ka nevoje te zhvillohet e te kompletohet me një plan konkret dhe operativ.
2. BUJQËSIA: Është sektori , i cili shumë shpejt mund të ketë shtrirje nga Gjirokastra e deri në Mitrovicë. Ndonëse fillimisht volumi i shkëmbimeve nuk mund të jetë në një vëllim të madh, është me rëndësi fakti se ka shumë produkte që mund të plotësojnë boshllëqet e një vendi tjetër.. Madje, shkëmbimi i tille mallrave mund të ndodhë pa asnjë problem, meqenëse këtë e mundëson edhe legjislacioni aktual, pasi që mallrat nga të dyjave vendet nuk kanë ngarkesa doganore,bazuar tek CEFTA (shiko kontributin e Ilir Ciko). Por, çështja e parë është që të analizohen saktë mundësitë prodhuese dhe avantazhet konkurruese të të dy vendeve si dhe nevojat e tregjeve. Krejt kjo është e lehtë të ndodhë, por nën kushtin që qeveritë të mos bien nën ndikimin e monopoleve dhe të interesave të ngushta të bizneseve të caktuara, siç e përmendi dhe Rama. Ndërkaq, të dhënat statistikore dëshmojnë se Kosova ka treg për produkte ushqimore nga Shqipëria, të freskëta, apo të përpunuara. Të dhënat nga Agjencia e Statistikave dëshmojnë qartë se sa i vogël ka qenë shkëmbimi në këtë sektor. Vjet Kosova ka eksportuar 30,1 milionë euro produkte të ndryshme bujqësore e ushqimore, ndërsa në tregun Shqipërisë vetëm 3,8 milionë euro. Ndërkaq, pjesëmarrja e produkteve të ngjashme të Shqipërisë në importin kosovar të produkteve bujqësore e ushqimore është minorë. Në total importi kosovar nga kjo kategori ishte mbi 561 milionë euro, ndërsa nga Shqipëria vetëm 1,7 milionë euro dhe kryesisht perime të freskëta, ose të konservuara.
3. ENERGJETIKA: Është e qarët shkalla e kompatibilitetit ndërmjet sistemit energjetik të Kosovës dhe Shqipërisë. Sado që këto sisteme reciprokisht kanë mbuluar nevojat përmes huazimit e jo shkëmbimit klasik tregtar, energjetika mbetet sektori që kërkon ndërhyrje dhe përfitime reciproke imediate. Ngecja në ndërtimin e linjës së interkoneksionit do të bëjë që edhe kapacitete prodhuese ekzistuese dhe ato që janë në perspektivë të mbeten pa mundësi të mëdha shkëmbimi. Në këto rrethana as që mund të flitet për një treg unik. Nga ky këndvështrim, interkoneksioni është hapi i parë dhe më i rëndësishëm kur është në pyetje energjia elektrike. Mirëpo kjo çështje nuk zuri shumë vend në takimin Prishtinës, madje as që u përmend.
TAP-i është projekt i domosdoshëm për Kosovën dhe alternativa më e mirë për lidhje në sistemin evropian të gazit. Madje ai ofron më shumë përparësi se sa lidhja përmes Maqedonisë, ose Serbisë. Ndonëse është e qartë kjo rëndësi, Kosova deri tani nuk ka bërë asnjë hap konkret (përveç deklaratave te interesit) drejt shfrytëzimit të kësaj përparësie.
Pos çështjeve ekonomike, me të drejtë është përmendur edhe sektori i arsimit, shkencës, kulturës e sportit si mundësi reale për funksionim të përbashkët. Madje, këtu mund të ketë më pak barriera se sa që mund të paraqiten në sektorë të ndryshëm, kryesisht ata ekonomik. Për këtë duhet vetëm vullneti politik dhe mbi te gjitha, përcaktimi i burimeve financiare dhe njerëzore, si dhe një punë e madhe për harmonizimin e legjislacionit.
Paraqitja e kryeministrit të Shqipërisë pa dyshim se do të ndezë një debat të gjerë të ekonomistëve kosovarë, sapo që fjala e tij të jetë e botuar në tërësinë e saj në mediat kosovare. Shpresojmë që diskutimi në Curiaweb të kontribuojë në këtë inisiativë kaq të rëndësishme për shqiptarët.
Imazhi i Përdoruesit
Ibrahim Rexhepi
 
Postime: 5
U regjistruat në këtë grup: e Mërkurë Korrik 03, 2013 12:14 am
Emri Mbiemri: Ibrahim Rexhepi
Titulli: Ekonomist

Rikthehu tek Rrugët drejt një Hapësire Ekonomike të Përbashkët Shqipëri - Kosovë

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Nuk ka përdorues të regjistruar dhe 2

cron