Ngecjet në marrëdhëniet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipë

Drejt një Tregu të Përbashkët apo një Tregu Unik?

Moderatorët: Prof. Dr. Adrian Civici, Ibrahim Rexhepi

Ngecjet në marrëdhëniet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipë

PostimNga Alban Hashani » e Hënë Shtator 09, 2013 1:41 am

Marrëdhëniet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në kontekstin e ri politik në Ballkan janë të vonshme, dhe si të tilla mbeten ende të pakonsoliduara. Megjithatë, kjo nuk amniston institucionet relevante në ngecjet evidente drejt lehtësimit të zhvillimit të këtyre marrëdhënieve. Deri tani, ndërhyrjet institucionale në masën më të madhe nuk kanë shkuar në drejtim të relaksimit të marrëdhënieve tregtare ndërmjet dy vendeve, madje, në disa raste, ato kanë acaruar këto marrëdhënie. Për më tepër, përveç përmirësimeve në infrastrukturën rrugore, projektet tjera kapitale, siç janë interkoneksioni për energji elektrike dhe funksionalizimi dhe dhënia në dispozicion i portit të Shëngjinit, kanë mbetur peng i interesave të ngushta, duke kufizuar ndjeshëm mundësinë e rritjes së këmbimit tregtar. Në mungesë të përmirësimit cilësor të kushteve që do të mundësonin rritjen e bashkëpunimit, projektet simbolike korrespondojnë me ciklet elektorale të të dyja vendeve. Kohëve të fundit, çështja e marrëdhënieve tregtare midis Kosovës dhe Shqipërisë është duke tërhequr vëmendje më të madhe; posaçërisht për faktin se kanë filluar të evidentohen potenciale të rritjes së këtij bashkëpunimi. Krijimi i kushteve të favorshme nga institucionet krahas rritjes së potencialit eksportues të ndërmarrjeve në të dy anët, si dhe shoqëruar kjo me marrëdhëniet e mira të rrënjosura në historinë e përbashkët, mund të luajnë një rol jetik në përmirësimin e marrëdhënieve tregtare ndërmjet dy vendeve.

Shqipëria përfaqëson një partner të rëndësishëm tregtar për Kosovën megjithatë e njëjta aktualisht nuk është as në grupin e tre partnerëve më të mëdhenj tregtar. Në krahasim me ekonomitë respektive, këmbimet ndërmjet këtyre vendeve janë shumë të vogla dhe ky nivel i këmbimit tregtar është nën nivelet potenciale. Përderisa këmbimet tregtare kanë shënuar rritje vit pas viti, kjo para se gjithash është për shkak se të njëjtat kanë filluar nga zeroja përpara më pak se një dekade e gjysmë. Sidoqoftë, ky trend sinjalizon se mund të ketë potencial për forcimin e këtyre marrëdhënieve. Sa i përket eksporteve Shqipëria është partneri i dytë më i rëndësishëm i Kosovës. Eksportet e Kosovës në Shqipëri përfaqësojnë rreth 10 përqind të eksporteve të gjithmbarshme. Megjithatë, duhet pasur parasysh se në pikëpamje të vlerës këto eksporte janë shumë të vogla. Në anën tjetër importet janë dy herë më të mëdha se eksportet, megjithatë krahasuar me vendete tjera rajonale, ato mbesin shume më të vogla. Në pikëpamje të importeve, Shqipëria mbetet vetëm partneri i tetë, pas Maqedonisë, Gjermanisë, Serbisë, Turqisë, Kinës, Italisë, Greqisë.

Përderisa niveli i shkëmbimeve tregtare vazhdon të jetë shumë i ulët, më shqetësuese mbetet struktura e eksporteve dhe importeve ndërmjet këtyre vendeve. Kjo strukturë përbëhet kryesisht nga sektorë primar, të cilat kanë vlerë të ulët të shtuar e dominuar nga lënda e parë dhe mallrat e papërpunuara. Kjo njëherazi reflekton edhe strukturën e ekonomive respektive. Në kushte kur marrëdhëniet multilaterale të tregtisë së lirë janë institucionalizuar, Kosova dhe Shqipëria duhet të përshpejtojnë hapin për të rritur potencialet e tyre eksportuese si dhe të krijojnë mekanizma për të vendosur marrëdhënie afariste ndërmjet ndërmarrjeve për të lehtësuar këmbimin. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore mund të lehtësoj bashkëpunimin tregtar ndërmjet këtyre vendeve megjithatë i njëjti duhet të përcillet me hapa tjerë që sigurojnë një treg konkurrues. Aktualisht afaristët e të dyja vendeve i kanë të konsoliduara marrëdhëniet me afaristët e shteteve tjera, dhe krijimi i relacioneve të reja bartë një nivel të caktuar rreziku si dhe përcillet me kosto të parikuperueshme. Për pasojë, afaristët hezitojnë t’i futen përpjekjeve të tilla. Kjo pikë kërkon ndihmën e institucioneve dhe shoqatave të biznesit që të lehtësojnë bashkëpunimin dhe që pasiguria dhe asimetria e informatave në këtë proces të absorbohet nga këto institucione.

Kompanitë nga Kosova dhe Shqipëria duhet të shfrytëzojnë më mirë qëndrimin pozitiv dhe bashkëpunues që ekziston në të dyja anët. Megjithatë, rritja e potencialit të shkëmbimit tregtar, para se gjithash, duhet të bazohet në përparësitë krahasuese të kompanive. Identifikimi i këtyre sektorëve duhet të paraprihet nga analiza më të detajuara si nga sektori privat ashtu edhe nga qarqet hulumtuese dhe akademike. Sipas disa studimeve, krahas potencialit në këmbimin e prodhimeve nga industria nxjerrëse, ekziston një potencial i mirë në rritjen e bashkëpunimit në disa sektorë, përfshirë sektorin e hortikulturës si dhe përpunimit të ushqimit. Importet e Kosovës dhe Shqipërisë përbehen kryesisht nga mallrat e konsumit, ndërsa pjesëmarrja e ekonomive respektive në këto importe mbetet jo domethënëse krahasuar me potencialin evident. Në mënyrë të veçantë, produktet dhe shërbimet të cilat mund të tregtohen dhe kenë përparësi krahasuese edhe për shkak të distancës së shkurtër gjeografike, duhet të shfrytëzohen maksimalisht. Shkëmbimet në shërbime janë shumë të vogla dhe kufizohen në këmbime jo domethënëse në sektorët e turizmit, telekomit dhe afarizmit bankar.

Një sektor specifik i cili kërkon vëmendje të menjëhershme dhe nga i cili rezultatet e intervenimeve vërehen aty për aty është sektori i energjisë, posaçërisht ai i transmisionit. Integrimi i sistemit energjetik ndërmjet dy shteteve paraqet një burim potencial për rritjen e këmbimit tregtar. Për më tepër, për shkak të specifikave të këtij sektori, një integrim i tillë do të stabilizonte tregjet e energjisë në të dy vendet. Aktualisht ky sektor paraqitet si njëri nga sektorët më problematik në Kosovë por edhe në Shqipëri. Amvisëritë dhe ndërmarrjet ankohen për furnizim jostabil me energji elektrike dhe për pasojë, posaçërisht për ndërmarrjet, kjo paraqet një barrierë shtesë. Mos-furnizimi adekuat me energji elektrike rritë koston e prodhimit dhe rrjedhimisht zvogëlon pozitën konkurruese të ndërmarrjeve si dhe potencialin e tyre eksportues. Aktualisht Shqipëria dhe Kosova shesin tepricën e rrymës së prodhuar në kushte jo të mira të tregut, përderisa importojnë energji në çmime shumë të larta. Në anën tjetër, edhe nga vënia në dispozicion e portit të Shëngjinit, rezultatet do të mund të ndiheshin në një periudhë relativisht të shkurtër. Së pari, kjo do të mundësonte që Kosova të rritë lidhjet tregtare me vendet e rajonit dhe më gjerë, mirëpo në mënyrë indirekte do të përforconte lidhjet me ndërmarrjet shqiptare.

Pengesat aktuale në krijimin e infrastrukturës dhe eliminimin e barrierave jo-tarifore, në rastin më të mirë janë neglizhence e qeverive respektive. Dështimi i largpërçuesit të energjisë elektrike si dhe dështimi i dhënies në dispozicion të portit të Shëngjinit për Kosovën duhet të tejkalohen në mënyrë të përshpejtuar nga qeveria e re në Tiranë. Gjithashtu, qeveritë e dy vendeve duhet të merren më seriozisht për të eliminuar barrierat jo-tarifore të cilat vështirësojnë konsolidimin e marrëdhënieve tregtare. Duhen siguruar kushte që incidentet e shpeshta që paraqiten në sektorë të ndryshëm të mos ndodhin duke krijuar kështu kushte për fuqizimin e marrëdhënieve tregtare. Në situatë kur rrethanat për këmbim janë të favorshme (përmirësohet infrastruktura, eliminohen barrierat dhe përkrahen përpjekjet për krijimin e lidhjeve afariste), janë vet ndërmarrjet ato që do të evidentojnë dhe shfrytëzojnë potencialin e tyre eksportues.

Alban Hashani
Imazhi i Përdoruesit
Alban Hashani
 
Postime: 1
U regjistruat në këtë grup: e Hënë Shtator 09, 2013 1:36 am
Emri Mbiemri: Alban Hashani
Titulli: Pedagog i Ekonomisë

Re: Ngecjet në marrëdhëniet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Sh

PostimNga Ardian Hackaj » e Martë Shtator 10, 2013 11:53 am

Ky kontribut ngre tre probleme te nderlidhura:
1) nderhyrjen e interesave te ngushta nga te dy anet e kufirit, qe ulin totalin e benefiteve te qytetareve te te dy vendeve;
2) strukturen e varfer ne asortimente dhe te ulet ne volum te shkembimeve tregetare mes dy vendeve;
3) nevojen per hulumtime te thelluara per te identifikuar avantazhet konkurruese dhe menyren per ti mbeshtetur.
Me vullnet politik,dhe bazuar ne deklaratat e qeveritareve nga te dy anet e kufirt, te tre problemet e mesiperm mund te zgjidhen ne nje kohe relativisht te shkurter. Nje nga avantazhet e ketij forumi eshte pergatitja e rekomandimeve per qeveritaret nga Shqiperia dhe Kosova me qellim pershpejtimin e rritjes e shkembimeve. Per fillim, mund te rekomandohet mbeshtetja nga qeverite e hulumtimeve nga institute te specializuara, perfshire dhe identifikimin e aktoreve ekonomike qe preken pozitivisht / negativisht nga hapja e kufijve.
Se dyti, Doganat respektive mund te publikojne te dhena me te detajuara ku mund te perfshihen dhe cmimet per njesi, origjina e mallrave per X dhe M, etj.
Imazhi i Përdoruesit
Ardian Hackaj
 
Postime: 5
U regjistruat në këtë grup: e Martë Qershor 18, 2013 5:41 pm
Emri Mbiemri: Ardian Hackaj
Titulli: MA


Rikthehu tek Rrugët drejt një Hapësire Ekonomike të Përbashkët Shqipëri - Kosovë

Kush është në linjë?

Përdoruesit që shohin aktualisht këtë forum: Nuk ka përdorues të regjistruar dhe 2

cron